POEZI PER VLOREN

 

HIQMET MEÇAJ

 

NË KËTO BISHTALECA RRUGËZA

 

Nuk është Vlora e fëmijërisë,
… fustani i vockël prej basme u shkurtua
dhe rrugëzat ( bishtalecat kostëra1 që fuste në gojë )
u zvogëluan, u zvogëluan.

Natën, sa herë nga shtëpia vidheshim
e na mblidhnin këto bishtaleca rrugëza
me shtëpitë e vockëla si rruaza.

Këtu kaloi Flamuri
me palët te koka e bardhë e Ismailit,
ndën këta qemerë,
kërrusur, kur u shkurtua Shqipëria
( një pëllëmbë e gjerë, dy e gjatë ).
Pse? Pyesnim ne dhe shikonim fenerët,
që digjeshin me fitil Rilindjeje.

Ne ishim dhe s’ishim aty
e prap aty ishim,
në këto bishtaleca rrugëza,
me shtëpitë e vockla si rruaza.

1982
————–
1. gërsheta
(Nga: “ANTOLOGJI POETIKE PËR VLORËN”, përgatitur nga profesor doktor Bardhosh Gaçe -“SHTËPIA E DIELLIT DHE E DETIT”-)

ANDI MEÇAJ

 

AHENG NË PËRGJUMJE
(Vlorës në fundjavë vere)

 

… Qyteti fle, nuk flenë llozhrambledhësit,
me fshesa të mëdha fshijnë maskat,
hedhur, bishta cigaresh në trotuare,
dasmat shurdhojnë gjumin,
imagjinatën e ftojnë në tryezë.
Bosh qyteti, sa bosh në këtë orë?!
Vetëm hijet e banokan këtë qytet?
Disa thonë, e kanë fajin dasmat,
disa, deti me lokalet dhe diskot argëtuese.
Mua më duket sikur qyteti s’fle,
bëhet dhëndër për të satën herë
dhe kërcen i dehur buzë detit.

2010

ALI ASLLANI

(Pjesa I – para lufte)

 

VLORA, VLORA!

… Jam vlonjat e jam vlonjat,
e kam shkabën mëm’ e atë,
shkaba trime dykrenore
fron’ e saj’ e ka në Vlorë!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!

Vlora trime shqipëtare
si rob jetën s’e do fare,
a do mbetet Shqipëri,
a do bënet tym e hi!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!

Jam vlonjat e jam burrë,
s’duron burri zgjedhë kurrë,
jam vlonjat e si vlonjat
di t’bëj luftë me të shtat’!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjer, moj, t’u lumtë dora!

Jam vlonjat dhe trim me besë,
rreth flamurit di e vdesë,
a me hir, a me pahirë
doemos do rroj i lirë!

1919

(Nga: “ANTOLOGJI POETIKE PËR VLORËN”, përgatitur nga profesor doktor Bardhosh Gaçe -“SHTËPIA E DIELLIT DHE E DETIT”-)

 

ISMAIL QEMALI

(Vjershë e pa botuar, shkruarë e kënduar ditën
… që erdhi Ismail Qemali në Vlorë i vdekur)

 

Mbyllur det’ edhe stere
Kush do pyes? … edhe përse?
E kush pyet për Shqipërinë,
Rreth me male një shketinë
E pa zë dhe e pa zotë
Vetëm vlente për një botë
Që të bënej ndonjë ditë,
Një thërime një kafshitë
Për atë e për këtë,
Vleft’e saja hë për hë,

Dele dajos……..
Kur nji ditë,
Vjen e çfaqet një Profitë;
Ish nji plak i bardhë borë,
Nji bajrak me zok në dorë;
Çan tokë e çan detë
Si i çan rrufeja retë;
Edhe zbriti mu atje
Ku i than nga se për se
Po atje në atë vëndë,
Dy të prishurit na mëndë,
Jo që nuk i than “miserdhe”
Po i than dhe “shko nga erdhe!”

Plaku gjorë e plaku mjerë,
Ku do vejë e ku do bjerë,
Nëpër erë e nëpër shira
Nëpër gropa me shëllira?

Iku ditë e iku natë
I mungon dhe buk’ e thatë;
Edhe buka i mungonte,
Vëtan zêmra i valonte.

Si ish baltë, këmba kridhej,
Si ish plakë, trupi dridhej,
Andej ruhej nga armiku,
Këtej ruhej nga i ligu.

Mirpo plaku bëri krahë;
Kaloj male, kaloj brigje,
Kaloj pellgje të pa vahë,
Kaloj pyje të pa shtigje
Syr’ i tija një yll shihte
Dita yllin po e fshihte.

Plaku iku, iku, iku
Pas ca dite një mëngjes,
Kur dëgjon një zë kikiku,
Një qytet i gjithë u ndes.

Ish një vend, një vend i lirë
Që në gjuhën më të mirë
Që në gjuhën e Asllanit,
I thon vëndi i jataganit;

I thon Vlon’ e i thon Vlorë
Ku Shqiponja dy krenorë,
Gjeti gjithë ata që deshi,
Djem baroti, djem arbreshi,
Me besë burri armatosur,
Trimëri që s’ka të sosur,

E kush ishte ai plakë?
E kush ishte ajo flakë?
Si një yll që është këputur
Në një arqe brenda futur,

Na harriti…. Kuje sotë
Nuk na erdhi si e deshëm,
Po në dhe se fusëm dotë
Pra në zêmra do t’a ngjeshim.
Dhe aty do rroj sa malet
Shpirti tija nuk do falet
Nuk do falet po si Dielli,
Ku bashkohen det e qielli,
Atje shuhet ashtu duhet,
Qarko botës zë e muhet;

Mirpo dielli dhe atëherë,
Shkrep dhe shtie mbi të tjerë;
Dielli mbet gjithnjë Diell,
Kurdoherë me kokë në qiellë,

Edhe Plaku këtë ditë,
Si njeri mbaroi jetë
Mir po Plaku i vërtetë
Ish Profit dhe mbet Profit;
Dhe qëndron ashtu si ishë;
Do mbaj emrin si e kishë;
Emr’i tija i vërtetë;
Esht Nëntor njëzet’ e tetë.

(nga: Darling Ismail Vlora – Revista “MILOSAO”)

LASGUSH PORADECI

 

Ç’U MBUSH MALI

 

Shqipëri! moj nëna ime,
… Më ke rritur me thërrime!
Shqipëri! të qofsha falë,
Të kam nënë e më ke djalë

Ç’u mbush mali me dëborë,
Ç’u mbush deti me pamporë,
Seç u mbush e shkreta Vlorë
Plot me krushq e me dasmorë,
S’janë Toskë e Malësorë
Me flamur të kuq në dorë
Si dhëndurë me kurorë.

Ç’u zbardhë malet, ç’u zbardhë:
Nga çdo anë seç na ardhë
Shqipëtarët gunë-bardhë,
Seç na ardhë palë-palë
Duke rutulluar malë
Kush më këmb’e kush më kalë
Kush më shpejt, kush më ngadalë;
Kush i lum e kush i gjorë
Kanë zbritur mun në Vlorë,
Mun në Vlorën e lirisë,
N’atë thelb të Shqipërisë.

II

Ç’u nxinë malet, ç’u nxinë,
Gur’ i kuq lëshon mavinë:
Qani, djem, e mbani zinë!
Qani gjithë Shqipërinë,
Toskërinë, Gegërinë-
Ububu! ç’humbi lirinë!

Ç’u hap qjelli pak-nga-pak,
Maj’ e malit sec u flak,
Doli ylli me bajrak:
Me armikun kemi gjak.

Ç’u mbush sheshi me të parë,
Ç’u mbush zyra me zyrtarë,
Thonë-u pake çet’ e parë!
Thonë më t’u paske parë
Me tri mijë luftetarë,
tri shtëpi me fis e farë,
Qytetarë, katundarë-
Gjith bujarë shqipëtarë.

Ç’ka që çan rrufeja retë!
Vjen Smajli trim me fletë,
Fluturon posi shigjetë.
Thonë, vjen përdrejt në Vlorë,
Me flamur të kuq në dorë,
Me flamurin e lirisë
n’atë thelb të shqipërisë:
Thonë, është vet-i-tretë,
Thonë, është vet-i-tetë,
Thonë vet-i-njëstetetë-
Rrofsh moj Shqipëri përjetë!

BJENË TELAT
(Rapsodi)

 

… Bjenë telat venë-e vinë,
Po na tundin Shqipërinë,
Toskërinë, Gegërinë,
Më çdo vënd, më çdo krahinë:
Që në Shkodër në Janinë,
Që në Vlorë-e në Prishtinë:
Opopo! ç´fitoj lirinë!
Opopo! ç´u ngrit rremeti!
Seç u tund si valë deti:
Po si det që vjen me valë,
Po vjen rëndë-e me-nga-dalë
E po ndjek Smail Qemalë:
Smail-burri-i shpje në Vlorë
Me flamur të kuq në dorë,
Me flamurin e lirisë,
Mun në thelb të Shqipërisë!
Shqipëri! moj Shqipëri!
Hidh-e larg atë shami
Që të treti në të zi,
Në vajtim e robëri!
Se që sot e paskëtaj
Më s´ke breng e më s´ke vaj!
Se që sot e kësaj dite

Ti m´u ndrite-e vetëtite
Posi yll me reze dritë!
Se që sot e që tash!
Po të ndrin një yll i ri
Mun në zemr´ e mun në gji!
Pa ke nder e madhëri!
Ke gëzim e lumtëri!
Ke flamur të-kuq-të-zi!
Ke liri! liri! liri!
Rrofsh! e lira Shqipëri! —
Rroftë! tha Smail Qemali
Me zembrim, si zërë mali;
Rroftë! j-u përgjiq rremeti,
Pa u tund si valë deti;
Rroftë! fusha ushëtiu,
Rroftë! pylli uturiu,
Rroftë-e deti j-a buçiti!
Rroftë-e pushka j-a kërciti!
E sakaq një vall´ e madhe
U përhap n´ato luadhe:
Ishte vall´ e dashurisë,
Në luadhet e lirisë,
Mun në thelb të Shqipërisë!

(Nga: “ANTOLOGJI POETIKE PËR VLORËN”, përgatitur nga profesor doktor Bardhosh Gaçe -“SHTËPIA E DIELLIT DHE E DETIT”-)

PETRO MARKO

 

ISMAIL QEMALIT
(Sonet)

 

… FATOS, burimi që çele po shtohet,
Dhe nuk do shterret jo, bota t’humbasë!
Sa zëri i qiellit – fundi! – të bërtasë
-Drita e djellit mbi dhe të pushohet!-

Vepra e jote, përdita ndriçohet!
Po ti o Burrë, na ike pa gas,
Na le përjetë, po ti le pas
Lirinë, Lirinë që Kombi lëvdohet.

Heshtur ti prehesh mestuar në varr,
Dhe shqipja e lirë flutron si e marrë,
Vërtitet nga brigjet në fush’ e në mal,

Zëmrat shqiptare përvlohen si zjarr!
Pa digjet dhe Vlora, djepi ku u shpall
Idea jot’ e shënjt’ o Ismail Qemal!

“Ora” 1932

KËNGA E VALËS
(Vlorës)

 

… Lëmo o val e përkëdhel
at breg që s’është i gjallë,
e kur të flesh aty në Skelë,
të shtrihesh n’atë zall,
këndo një këng’ e nanuris
shumë qet’ e mengadalë,
se n’atë tokë fle një fis
q’u ngrit në shekuj valë
për nderin e Lirise…

Të keqen val’ o mengadalë
këndo një këngë lehtë,
të mos dëgjohet gjer në mal,
se aty n’ullishte fshehtë
dergjen… – oh lere mos e nga,
kujtimi u ka mbet! –
…Pra ti o val’ këndo, mos qa,
se zemrën e ke det
dhe gjuhën ligjërim e shkumë,
sa brigje ke në dorë!…
Që kot kërkon të vër’ në gjumë
dhe shpirtin tënd, o Vlorë!
Po ah, o vend që lind ç’ka vdes,
pse hesht mbi varr i gjallë?
Përherë syri yt do jes
me llahtari në zall?…
Të keqen val’ o mengadalë
këndo kushtrim të qetë…
Se mos dëgjohet lart në male
në Arbërin’ e shkretë
se atje dergjet një jetë…

Lëmo o valë e përkëdhel
me zemër, jo me zjarr!
se bën vaki që vdekja del
e s’hesht brenda në varr.
Kushtrimin tënd, o të dëgjojë
oh, ndërsa vëndi qan –
ahere, o valë, gjumi mbaroi
dhe labët kush i mban?!

(Nga: “ANTOLOGJI POETIKE PËR VLORËN”, përgatitur nga profesor doktor Bardhosh Gaçe -“SHTËPIA E DIELLIT DHE E DETIT”-)

 

DRITËRO AGOLLI

 

KUR MË PUSHTOI MALLI PËR DETIN

 

Det në jetë kurrë s’kisha parë,
detin e mendoja me bajlozë,
me topuzë e thika e hanxharë,
me një sy në ballë e faqeblozë;
Det në jetë kurrë s’kisha parë.

Pa më zuri gjyshi im për dore,
pa me fshehtësi më tha ngadalë:
-Hajde bir, të nisemi në Vlorë,
Ta takojmë detin mbushur valë!
Pa më zuri gjyshi im për dore.

Pa atje në Vlorë mes ullinjve
m’u fanit një qiell i madh i gjelbër,
qiell të tillë, ndritur prej florinjve,
kurrë s’kisha parë herë tjetër;
Pa atje në Vlorë mes ullinjve.

-Deti! -thirri gjyshi përmalluar
dhe më vetëtinë mijëra diej,
mes ullinjve, Vlorë e kaltëruar
ishte kaltëruar nga dy qiej.
-Deti -thirri gjyshi i përmalluar…

Dhe në tokë u ul t’i falej detit
si dervishi pragut të teqesë
nën ullinj një lot i ra të shkretit
nën ullinj një lot i ra si vesë
dhe në tokë u ul t’i falej detit.

Deti me kurriz me luspa të arta
hidhej lart sikur e gudulisnin,
pulëbardhat silleshin si karta
që në zarf nga largësitë i vinin;
Detit me kurriz me luspa të arta.

Mrekullia vetë kishte zbritur!
ishte qenie krejt me shpirt të gjallë:
ngrinte shpinën lart duke bërtitur,
ndriste, qeshte, hidhej, loste valle,
mrekullia vetë kishte zbritur!

Vallë mund të dilte dot bajlozi
sipër kësaj qenie të çuditshme?
Shpirtin do t’ia merrte faqeblozit
si kafshore shpejt do ta gëlltiste;
Vallë mund të dilte dot bajlozi?

-Eh, ka dalë, bir! -tha gjyshi i shkretë-
Po këtej nga malet jemi derdhur
dhe bajlozin poshtë nga shkëmbinjtë,
si një thes në det e kemi hedhur,
-Eh, ka dalë, bir! -tha gjyshi i shkretë.

Dhe pastaj ne tok me gjyshin ikëm,
deti na përcolli me gjëmime,
ikëm grykave, në mal u ngjitëm,
po në Vlorë mbeti zemra ime
se pastaj ne tok me gjyshin ikëm…

Me zili u mbusha për një djalë,
djali pse të kishte det me shkumbë,
kur në fshat unë kisha vetëm male,
vetëm një luginë dhe një lumë,
me zili u mbusha për një djalë.

Dhe ky djalë mund të qe Lavdoshi,
mund të qe Andrea e Shevqeti!
Pa gjëmonte grykave Gramozi:
-Ja, nga maja ime duket deti,
Ç’ke zili, se rron në det Lavdoshi?

Pa në fshat për detin ëndërroja,
sikur bridhja valësh me vaporë
dhe piratët dallgësh i gjurmoja
me hanxhar në gojë e me pisqollë;
Pa në fshat për detin ëndërroja.

Unë e gdhija natën në kuvertë
tok me kapedan Haxi Alinë,
dhe m’i kripte flokët det i sertë,
bisht i peshkut ngrinte suferinë;
Unë e gdhija natën në kuvertë.

Ngrihesha, bërtisja keq në gjumë;
Zëri oshëtinte nëpër trarë;
Gjyshja ime gjyshin shante shumë:
-Pse në det e shpure, mor i marrë!-
Ngrihesha, bërtisja keq në gjumë.

Gjyshi thosh: -Lanet, më çave veshin!
Le t’i shtohet nipit tim një ëndërr,
një e ka për malin, një për detin,
që në botë mos ta shohin vëngër!-
Gjyshi thosh: -Lanet, më çave veshin!

Dhe në mal jetoja, po përditë
larg më ftonte deti mbushur zhurmë,
larg më joshnin valët dhe stuhitë,
larg më merrte ëndrra nëpër shkumbë
dhe në mal jetoja po përditë.

Deti më kërkonte në furtunë…

1984

(Nga: “ANTOLOGJI POETIKE PËR VLORËN”, përgatitur nga profesor doktor Bardhosh Gaçe -“SHTËPIA E DIELLIT DHE E DETIT”-)

 

XHEVAHIR SPAHIU

 

TË FALA DETIT

 

Ai më tha: po nisem në Vlorë.
… Të fala detit, i thashë.

Ai iku dhe unë s’arrita dot t’i them:
Edhe ndonjë agavje të vetmuar, të fala!
Molit të vjetër, ndonjë yll deti, anijeve peshkatare,
Kokrrizave të rërës dhe shkëmbinjve, të fala!
M’i përqafo portokallet buzë brigjeve me radhë.
Të fala muzgut që deti e mban si një të plagosur në krahë.

Iku.
S’arrita dot t’i jap një mal me mall.
Vetëm dy fjalë.
Vetëm dy fjalë.

Kur të mos jem të bëhen dallgë.

(Nga: “ANTOLOGJI POETIKE PËR VLORËN”, përgatitur nga profesor doktor Bardhosh Gaçe -“SHTËPIA E DIELLIT DHE E DETIT”-)

ALI PODRIMJA

 

TI E DASHUR ZBATHE KËPUCET

 

Guaskë kur isha moti
… i valë e tërbuar
tej vetes më humbi.

Në Ujë të Madh
hodhën rrjetat peshkatarët
e ndezën nga i pishë.

Zbathe këpucë rroba zhveshe
ti e dashur
në fund të detit më kërkove
e dukatin e fundit
ia fale një vlonjati.

Bregut vrapove pastaj
qelibar ndrisje
në tënden qafë tanushe.

Gjarpër më k’in parë tevona
një mbretëri vdektarësh
më ndoqën Tomorrit të lartë.

Ikja unë e vije ti e dashur
ikje ti e vija unë
në kalë jeshil p’ej Drenie.

Pa hyrë në Vlorë
në sy diellin na fiku
një bajloz venediku.

Nuk na këndon deti as në vesh
nga pikëllimi u fsheh
në një guaskë, obobooo.

Vlorë, 1972

(Nga: “ANTOLOGJI POETIKE PËR VLORËN”, përgatitur nga profesor doktor Bardhosh Gaçe -“SHTËPIA E DIELLIT DHE E DETIT”-)

ANTON PAPLEKA

 

VLORËS

 

Gjithnjë më ke pritur
… duke tundur në erë
duart e palmave të tua.

Mirë se vjen, o bir,
Mirë se vjen!
Më ka thënë edhe deti.

Gjithnjë e kam ditur
se të përkas edhe ty
po aq sa dhe bjeshkëve.

E ti më ke përshëndetur
me duart e palmave,
me të qeshurat e shkumës.

Dhe atë ditë e sot
i dashuruar kam mbetur me ty,
sirenë toke dhe uji.

(Nga: “ANTOLOGJI POETIKE PËR VLORËN”, përgatitur nga profesor doktor Bardhosh Gaçe -“SHTËPIA E DIELLIT DHE E DETIT”-)

 

NIKOLLA IVANAJ

 

VLONA

(Kushtuar atyne fatosave-trimave atëdhetarë, të cilët, me gjak të vet dhe masëmiri, e vulosnë lirinë e vetëqeverimin e Shqipnisë).

 

… Zot, cka asht sot gjith kjo stuhi
Dridhet toka, gjimon moti?-
po pvete bota, me shumë çudi;-
Lëkundet deti, a por Zoti.

Dërgon rrëfetë prej kthjedhtës qiell;
A asht hapë ndo’ i vullkan i ri,
Që prej tymi, flakës së diellit
Ma s’po shifet në Shqiptari!-

Toka s’dridhet, s’gjimon moti,
Tailaz, tërbim, në dete s’ka hi,
Nuk janë rrufetë, që po i çon Zoti,
As asht hapë ndo ‘i vullkan i ri.

Asht lufta me pushkë e topa;
Ting’llojnë shpatat, kanga, britma;
E po bindet gjithë Evropa
Që, si shqiptari, s’paska trima!

Malet, bjeshkët janë tue ushtue;
Komi, Shari dhe Tomori;
Mbi’ to orët janë tue lodrue,
Tue pa në detë kahe bjen mixori!

Në zjarrm e në gjak, sot, po vlon Vlona;
Në kambë asht çue gjithë Shqipnija;
“Nuk e lëshojmë, thot asht e jona,
Pa dekë për të gjith burrnija”

Janë shqiptartë, si të kohve t’vjetra,
Të Lekës, Pirros, Kastriotit,
Që s’duem me moetë ndër kthetra
Asnji të huejt me ndimë të Zotit!

Me armik janë tue luftue
me d’bue nga votra e shpisë,
me gjak, eshtna tue i shejue
rishtas kufijt e Shqipënisë!

Paris, 20 Qershouer, 1920.

(Nga: “ANTOLOGJI POETIKE PËR VLORËN”, përgatitur nga profesor doktor Bardhosh Gaçe -“SHTËPIA E DIELLIT DHE E DETIT”-)

ANDREA VARFI

 

BUZË DETIT KËTIJ PRILLI

 

Nëpër ullinjtë e bleruar,
… më ngjan, Vlorë, turtulleshë.
Po pse s’këndon më t’aguar,
ti trimoshja labëreshë?

Buzë detit, këtij prillit,
jemi sot në pranverë!
As edhe erë trëndafilit
s’po të ndiej më kësaj herë.

Shoh një çerdhe të ronitur
përmbi rrapin gjethe-rrjepur:
dhe bilbilat, të nemitur,
në Beun do jenë tretur!

Vetëm te çati e zbehtë
po shoh ca haxhilejlekë,
më kujtojnë ata të shkretë,
Anadollin me zejbekë!…

Po te pusi, n’ato hane,
Dëgjoj, Vlorë, këngën labçe:
ndjej… si shemben istikame,
dhe thirrjet “Viva la pace”.

Vlorë, o ylli ynë i rrallë,
dhe në heshtje, ti s’hesht kurrë,
ti sërish do jesh në ballë,
do të ngresh dhe gurë dhe drurë!

Ndiej: po ngrihet kënga labçe,
nga Çipini gjer te Çika
ti sërish “Selam Musaçe”
do ta zësh “topin nga gryka”!

Ujë-i Ftohtë, (Vlorë), prill 1932

(Nga: “ANTOLOGJI POETIKE PËR VLORËN”, përgatitur nga profesor doktor Bardhosh Gaçe -“SHTËPIA E DIELLIT DHE E DETIT”-)

VELI STAFA

 

VLORËS

 

Si pasqyrë
… bukuri të fali nana natyrë.
Ledhatime
t’ep kaltërsia, vala t’puth me psherëtimë.
E flamuri
ngjyrë zjarri, gjet në ty mburojë guri.
mjaft dëshmorë
zgjodhën për shtrat vdekje dheun tand, o Vlorë.
Nga lakmia
e pangopun t’duel zot përherë Shqipnia.
Sa therore
harroi djalëria, kujtoi ti Vlorë…

Nervi (Itali), 1937

(Nga: “ANTOLOGJI POETIKE PËR VLORËN”, përgatitur nga profesor doktor Bardhosh Gaçe -“SHTËPIA E DIELLIT DHE E DETIT”-)

(Përgatiti për botim në “ADMET”, Andi Meçaj, gusht 2013)

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.