Me vendim të Këshillit të Qarkut Vlorë Nr.26/1, Dt. 22. 11. 2012
Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë i jepet titulli:
“NDERI I QARKUT VLORË”
Z. HIQMET MEÇAJ
Me këtë motivacion:
“Për kontribut të shquar në zhvillimin e poezisë moderne shqipe dhe të artit shqiptar”

Nga ceremonia e dhënies së titullit: “NDERI I QARKUT VLORË”, Hiqmet Meçajt, dorëzuar nga Bujar Leskaj (28.04.2013)

Nga një e-mail i Faruk Myrtaj
…Po lexoj librin e Nuri Dragotit për Xhevahir Spahiun dhe gjeta pjesën më poshtë, ku “Hiqmeti qenka dorëzuar vullnetarisht…”

Spiro Dede
kurse pjesa në fjalë:
“Dhe, ashtu siç pritej, mbledhjet për shqyrtimin e këtij problemi filluan njëra pas tjetrës. Folën shumë njerëz dhe debati përfshiu një pjesë të madhe të pedagogëve, ku përgjegjësia kryesore e vendimmarrjes i binte Dekanatit të Fakultetit dhe organizatës bazë të partisë. Akuza e parë që iu bë Xhevahirit kishte të bënte me përbuzjen ndaj klasës punëtore në përgjithësi dhe minatorëve në veçanti. Kjo ishte disi paradoksale, po të merrej parasysh fakti që Xhevahiri vetë ishte bir i një minatori të ndershëm, i cili kishte kaluar vite të tëra në minierat e emigracionit. Përveç kësaj, ai kishte shkruar disa reportazhe nga minierat e vendit. Prandaj Xhevahiri e kundërshtoi këtë akuzë. Po vështrimet dhe sytë e përfaqësuesve të lartë të Dekanatit ishin seriozë dhe të palëvizshëm. Ata thuajse nuk i dëgjuan fare arsyetimet dhe sqarimet e studentit të Letërsisë. Dukej se orientimi për të ndëshkuar dy studentët kishte ardhur nga lart. Ndofta për këtë shkak një ditë erdhi aty gruaja e urtë, Liri Lubonja (Sekretare e Kolegjiumit të gazetës “Zëri i Rinisë”), e cila u përpoq t’i mbronte gazetarët e rinj. Ajo bëri ç’ishte e mundur që t’u mbushte mendjen pedagogëve të këtij fakulteti se Xhevahiri dhe Spirua ishin djem të mbarë dhe se ngjarja kishte qenë diçka e shkëputur për shkak të nxitimit të rastit.
– Ata të dy janë djem të talentuar dhe nuk kanë paragjykime të tilla, pasi ata kanë shkruar mjaft artikuj me temë nga miniera, – u tha, midis të tjerave, Liri Lubonja.
Madje, ajo u tregoi dhe artikujt e reportazhet e shkruar prej tyre në gazetë për minierën e Valiasit. Në mes të kësaj dileme Liria ndërhyri edhe tek zëvendësrektorja, Shpresa Kseno. Kjo gjë ndikoi për të zbutur situatën e acaruar. Dhe, pas kësaj, Dekanati pranoi të tërhiqej nga ndëshkimi, por me kusht: që dy gazetarët të denonconin emrat e shokëve të tjerë.
-Po nuk treguat emrat e shokëve, vendimi për përjashtimin tuaj nuk tërhiqet, – tha dekani në njërën prej mbledhjeve të fundit. Mirëpo për karakterin e Xhevahirit kjo alternativë dukej edhe më e vështirë për t’u kapërcyer sesa ndëshkimi personal i tij. Sedra e poetit nuk mund të njësohej me rolin e denonciatorit të shokëve. Prandaj, në vetvete, u betua se nuk do të tregonte asnjë emër, pavarësisht nga rëndimi i situatave të mëvonshme. Dhe, ashtu siç ndodh në një mjedis fisnikësh, ishin pikërisht shokët e tij të afërt që e zgjidhën dilemën. Duke parë pozitën e vështirë të Xhevahirit, ata vendosën të tregonin vetë se kishin qenë bashkë me Xhevahirin atë mbrëmje, kur kishte ndodhur keqkuptimi. Debati zgjati një javë rresht dhe, më në fund, i pari që e tregoi vetë emrin ishte poeti Hiqmet Meçaj. Pastaj dolën me radhë dhe pesë të tjerë. Kjo e zbuti së tepërmi pozitën e vështirë të Xhevahir Spahiut dhe në këtë mënyrë u shua dhe ky rrebesh i rrezikshëm.”
(S. Dede, Kujtime dhënë autorit, janar 2011.)
(Përgatiti për botim në “ADMET”, Andi Meçaj, qershor 2012)
Dr. Ardian-Ch. Kyçyku

Letër
(Dy fjalë për Heshtjen dhe Metaforën e poetit shqiptar Hiqmet Meçaj*)
Rruga ime, prej drite le të jetë
edhe në më djegtë!
H. Meçaj
Në fillim të korrikut 1990, pas një gjysëmshekull durimi, nëpërkëmbjesh dhe absurditeti gjakatar, shqiptarët shembën muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe kërkuan strehim politik, shpirtëror e mendor në këta ishuj të mangët lirie. Në fillim ishin disa qindra. Parë me sytë e poezisë: ata deshën të jetonin, qoftë edhe përkohësisht, aq sa zgjat shkëndija e një vargu, me çmimin e lirisë së mpakur e madje edhe të jetës, në të vetmet ngastra njëfarësoj të lira në dheun e tyre, populluar nga diplomatë të huaj, të cilët, me përjashtime të rralla, e shihnin misionin e vet në Tiranë si një burgim. Qindrat u bënë mijra kur pushtuan vaporrët e Durrësit si të qënkshin joshur e prirë nga një vegim biblik. Me të mbërritur përtej detit (a thua se liria mban pusí vetëm në bregun matanë), këta detarë të parë të Evropës së Bashkuar i mblodhën si gjedhët nëpër stadiume, i lanë me zorrë uji, i çmorritën me shtylysh pluhurash, i ushqyen nga lart, me helikopter, – ndonëse vinin nga një ndërgjegje e fëmijëruar prej stërmundimeve, – dhe disa i kthyen në brigjet e lindjes, kurse të tjerët i shpërndanë nëpër kampe refugjatësh. Rënia de jure e komunizmit ishte marramendëse dhe e ardhmja e afërt dukej të qe më fort një kontinent kundërthëniesh, sesa një gjendje shpirtërore. Ky kontinent më vonë u quajt Tranzicion. Ishte një kalvar të mbeteshe mendjekthjellët mes rropullive të një kontinenti të tillë dhe mbase bëje krim po të dyshoje se mos, njëherazi me ikjen e aq frymëve, (njëfarë shpëlarje e frymës, jo aq e trurit) letërsia shqiptare, në vetëm një, dhjetë a njëzet vjet më pas, do të shpërthente si një nga më të pasurat e më befasueset letërsi të Evropës. Po ndodhte pikërisht kjo, ndonëse shkrimtarë, gazetarë e lexues, të ngjethur nga e panjohura, ngulmonin të bindnin se gjithë ç’mund të kryhej ishte kryer tashmë, të gjitha kryeveprat ishin shkruar, firmosur e përkthyer në dhjetra gjuhë, hafijet qenë ndëshkuar, dështakët patën ndërruar mendje e zanat, shtatoret e gjenive kishin shëruar me hijet e tyre pllajat plot udhëheqësa legjendarë dhe martirë prej graniti të internacionalizmit proletar, në një vend që sillej sikur kish më shumë heronj, se sa të gjallë e të vdekur.
Në vend të ikanakëve, u dynd pagjumësia e dyfishtë, – e të shkulurve nga rrënjët dhe e të mbeturve mes hapsanës që rrallë e më rrallë thirrej atdhe, – si dhe ajo drithmë e çuditshme e njeriut që duhet të fitojë në pak javë shpirtin e bjerrur dhe të ndryrë për vite me radhë. Mundëm t’i takonim atëhere falë letrës dhe bojës të gjithë viganët tanë të kyçur në harrim, në shpifje e mallkime afatgjata, që nga Konica tek Camaj, duke zbuluar me çmeritje se de facto gjendeshim shumë më larg e më lart nga ç’e patëm përfytyruar. Ishte një soj ende i parrënjosur tradhtie, – pó aq e lartë “ndaj atdheut”, – nëse gjykoje ndershmërisht e me paanësi krijimtarinë, moralin dhe mitomaninë e disa korifejve të realizmit socialist, por ishte një tradhti edhe më e lartë të mos pohoje se shkrimtarët shqiptarë më të shquar e më të përkthyer të epokës nuk e patën ngritur krejt letërsinë shqipe në nivel të paktën evropian, siç na qe çgjakur truri nga thithlopa e propagandës për disa dhjetëvjetsha, por vetëm e patën futur, në këmbim të diçkaje që vetëm ata e dijnë, ose që vetëm ata s’e dijnë, në vëmendjen e mediave botërore.
Ndërmjet viteve 1990 e 2005, nga Shqipëria u detyruan të largoheshin qindra intelektualë, poetë, prozatorë, historianë, përkthyes, piktorë, skulptorë, aktorë etj. Disa ikën që të mbijetonin ekonomikisht, të tjerë – artistikisht. Ndërsa ca të tjerë, të paktët e zgjedhur ndër të panumurtit e ftuar, shkuan që të ruanin e të shpëtonin thelbet e kulturës dhe të qytetërimit zanafillor. Njëri syresh është, pa dyshim, HIQMET MEÇAJ**, lindur në qytetin e Vlorës, buzë Detit Jon, më 2 maj 1944, mërguar në Greqi, mishërimi i shkrimtarit që bind në mënyrë të pabujë, me veprën e vet, fuqinë prapavepruese të talentit. Për të mësova nga interneti, hapësirë në të cilën shumë autorë të mëdhenj, por të ngujuar qëllimisht në harresë, të gjuhës shqipe gjetën një Tokë të Premtuar tekstore, pasi u pa qartë se çenzura e dikurshme ideologjike u bë edhe më mbrapshtë, duke u shndërruar tanimë edhe në ekonomike, por edhe në idhujtare, të themi. Mora vesh atëhere me habi se Hiqmet Meçaj ishte shkrimtar i dorës së parë, poet e prozator i mrekullueshëm, por edhe njeri me një mirësi, e cila në botën e shkrimeve mund të jetë fatale. Dhe pjesërisht i ka qënë e tillë.
Në një letër të dërguar nga Athina, me një thjeshtësi të pabesueshme, më njoftonte se ai, “prej nja 40 vjetësh rrinte në qoshen e vet”. Të dhënat biografike që gjendeshin në mbulesat e vëllimeve ishin mjaft të kursyera. Pas leximit të romanit “Kukullat e pyllit”, – të cilin do ta rreshtoja pa ngurrim mes kryeveprave të prozës ballkanike e më tej, – bashkë me tim atë menduam t’i merrnim një intervistë in extenso për njërin nga numurat e Revistës Haemus. Me atë rast mësuam se Meçaj, kohë më parë, kur u pa se ishte poeti më i talentuar i brezit të vet, qe caktuar si mësues (lexo: degdisur, dëbuar) në një fshat, kryetari i të cilit mezi kish pritur të riedukonte një Pushkin. Dhe, për të qënë Pushkin, sipas kokës të kryetarit, mjaftonte të shkruaje poezi dhe të mbaje flokë disi të gjatë.
“Pushkini” i ndaluar përballet në vetminë analfabetizuese të një burgimi të pashpallur me krejt gurrën e shpëlarjes së truve, me të gjithë ankthet e qënies së ndjeshme që gdhihet e rrethuar nga të pagdhendur me faj e pa faj dhe shpëton jo vetëm gjallë, por edhe me një letërsi të madhe në kujtesë. Gjatë një tubimi shkrimtarësh, personi që e pat syrgjynosur në fshat, ish-luftëtar dhe prozator i rëndomtë, iu rrëfye. Përgjigjja e poetit qe e vetëmjaftueshme. „Im atë ishte pjesëmarrës i tre luftrave. Xhaxhai im ishte partizan. Të mos shkoj edhe më thellë, te gjyshi e stërgjyshi… Ju i denigruat ata dhe neve, fëmijët e tyre. Xhaxhanë ma dënuat me vdekje, babanë (kishte mbaruar akademi ushtarake në Itali), ma futët në burg në moshë pensioni, mua, poetin më të talentuar të brezit tim, më degdisët baltrave”. Por,… ta dish, fara e mirë jep gjithnjë fryte të mira, kudo që ta mbjellësh, beson Meçaj. Që atëherë vendosa të krijoj në hije, të zë qoshkun tim, të shkruaj rrallë e të botoj po rrallë, sa për të ekzistuar. Kam një varg që e mbaj si devizë:
Rruga ime prej drite le të jetë
edhe në më djegtë!
As sot nuk po e kuptoj me saktësi përse gjithë ai mllef shfarosës kundër njerëzve që i shërbenin me aq pasion vendit të tyre! Duhej të ishe tepër i fortë, i betuar së thelli që të mos vdisje si intelektual, të mos bëheshe hija e vetvetes. Kjo ndodhi me shumë, ca prej tyre u degraduan nga alkooli, të tjerë u burgosën, një palë përfunduan psikiatrive apo pësuan trauma më të rënda, deri te vetëvrasja”***.
I betuar së thelli, besoj se poeti ka pasur kohë e vuajtje të shohë se “hija e vdekjes është e vetmja dritë në ferr” (Monsinjor Gjika dixit)? Veç kësaj, ka parë shkrimtarë që, me vdekjen e tyre, – të egër, të çuditshme, të pashpjegueshme, çnjerëzisht bindëse, marroke, hartuar e vënë në vijë nga skllevërit e ideologjive etj, – kanë dalë befas në dritë, duke zbutur zemrën e hekurt të zyrtarisë, për të njomur më pas vështrimin e hirnosur të lexuesve. Ka parë shkrimtarë që, me jetën e tyre, tek ngulmonin të mos ngopeshin me lavde, çmime e dekorata, shiteshin gjer sa vdisnin të gjithë ata që mund t’i blinin, dhe kjo etje lebetitëse për t’u shitur iu hapej si plagë edhe në vepër, duke njësuar moralin me vlerën e mirëfilltë artistike. Ka parë shumë dhe nga afër – vetëm hija e vdekjes, ajo që bën sadopak dritë në skëterrë, e ka ruajtur. Dhe ai fat i epërm e gjithëbërës i shkrimtarëve të mëdhenj, duke i njohur mirë shpellëzat dhe skutat e smirës së sivëllezërve, e emëron mësues në një gjimnaz nate të Vlorës. Nën trysninë dhe zbulimet e fshehta që falte dhembshurisht ajo botë e vogël, pothuajse memece, larg gumëzhimës e përçartjeve të medias, Meçajt i vegohen thelbi dhe teknikat e mikrobotizmit, rrymë letrare dhe artistike, të cilën e bën të njohur vetëm pasi vendoset në Athinë.
Nuk ka besuar as edhe një grimë e mbase as tani nuk e beson se ndodhet në mërgim, me rrënjët si zgjatime të këmbëve e të venave. Një mirësi prej oshënari, ngasjet e errëta, por edhe vargsjellëse të varfërisë, si dhe një gjerdan dramash të mposhtura në heshtje honesh e ndihmojnë të jetojë shpirtërisht në një lloj kapsule të mallit e të përjetësimit mes durimit. „Në Shqipëri kam qënë kohët e fundit para pesë vjetësh, kur më vdiq nëna. Nëna më bëri një nder të madh, vendosi të vdiste pikërisht kur leja ime e udhëtimit donte edhe dymbëdhjetë ditë të mbaronte. Kështu që arrita ta shoh në çastet e fundit, kurse ajo nuk më pa. Megjithatë i mbylli sytë në krahët e mi… Vlora m’u duk një kaos i vërtetë. Edhe deti ishte ndarë në parcela. Gjithë shokët e mi intelektualë ishin larguar prej saj, disa jashtë vendit, si puna ime, disa në kryeqytet. Vlora ishte ripopulluar. Kudo më pyesnin mua, vlonjatin: nga të kemi more shok?! E ndjeva veten më mërgimtar se këtu”.
Gjithnjë kam menduar se do të mund të pimë dikur një kafe në Athinë, në Bukuresht, në Tiranë apo kudo gjetkë. Sepse sidomos në “kudo gjetkë” gjallojnë dhe mrekullojnë vargjet e Hiqmet Meçajt, vargjet që janë e vetmja jetë e dukshme e tij. Është një kafe e veçantë, për të cilën, falë shpejtësisë me të cilën vitet kthehen në pluhur, në këto kohëra kur atlaset vjetërohen më shpejt se letërnjoftimet, askush s’mund të jetë i sigurtë që kafeja nuk është shndërruar tashmë në tjetërgjë. Ndoshta është bërë bojë e ngurtë, një nga ato bojra që ngjasojnë aq fort me kafenë e zezë, por edhe me lëngun që rrjedh nga qymyret. Ja si ka nisur të rrjedhë boja e shkrimit nëpër venat e Meçajt këtu e gjysëmshekulli më parë: „Duhet të kem qënë në klasën e dytë. Shkolla jonë Nr. 2 ndodhej në lagjen Muradie, pranë një xhamie të kuqe. Ngjitur me shkollën kishin qënë shtëpi të të pasurve, tregtarëve të konfiskuar. Dyqanet me qepenët e rëndë ishin plaçkitur. Nuk dinim ç’kishte brenda tyre. Një ditë, drejtori i shkollës më nxjerr nga klasa bashkë me dy të tjerë, na çon te një qerre me dy kuaj dhe na thotë të ndihmojmë karrocierin. Karrocieri na fut në njërin nga ish-dyqanet. Qe i mbushur me libra. Libra nga toka deri në tavan. Ishte një sallë e madhe, sa një ahur. Na urdhëron të ngarkojmë libra në karrocë. Mbaj mend se disa ishin aq të mëdhenj, sa mezi i ngrinim dy vetë. Pastaj hipëm në karrocë dhe bëmë qejf deri te fusha e aeroplanit. Ishte goxha rrugë e gjatë. Atje i shkarkuam, karrocieri i spërkati me vajguri dhe ne u ngrohëm në flakët. Sa bukur digjeshin librat, pa rënkuar, pa kërcitur. E bëmë këtë rrugë disa herë dhe disa ditë. Babai im vuri re blozë në rrobat e mia dhe më pyeti: „Ku je bërë kështu me katran”? I tregova. Më pyeti për figurat e librave dhe, kur unë i tregova për një burrë me kapele, bërtiti: „Budalla, ke djegur Bonapartin! U tremba nga britma e tij dhe i thashë: „Bonapartin e dogji karrocieri, ne vetëm sa u ngrohëm dhe bëmë qejf mbi karro”. Që nga ajo ditë nuk mora më pjesë në djegien e librave. Një herë, – ishte ditëlindja ime, – u çudita. Babai më solli tre libra të Gorkit dhe më tha t’i lexoja. Duhet t’u kthesh borxhin librave, ndryshe gjithë jetën do të kesh mallkimin e tyre. Që nga ajo ditë fillova të lexoja libra si i uritur, shkoja në bibliotekë, huazoja vepra nga njerëz të ditur. Nuk i zgjidhja fare, rëndësi kishte për mua të kishin shkronja e të quheshin libër. Ato kohë fillova të shkruaja edhe vjershat e para, ndoshta ndjeja që duhej t’u ktheja borxhin librave që unë vetë kisha ndihmuar të digjeshin atje te fusha e aeroplanit. Siç duket, më zuri mallkimi i librave, u bëra shkrues librash”.
Por sa vdekatarë s’kanë djegur mijra libra, pa arritur të bëhen më shumë se ca kriminelë, dhe ç’libra duhen djegur që të mund të bëhesh një shkrimtar si Hiqmet Meçaj? Një poet që njeh me rrënjë zjarrin dhe dritën; që e ka mbledhur gjithë shpresën, si të ishte zemër shtatzanë, në Letër, dhe i cili s’tutet të digjet në dritë, po qe se rruga mbetet prej drite. Ndoshta ngaqë Hiqmet Meçaj di ta (ri)gjejë atdheun në gjithçka dhe nga gjithçkaja të lindë krejt atdheun, shqipen e përkorë, Metaforën. Siç do të ndihet gjer në palcë, pavarësisht nga prejardhja etnike e kësaj të fundit, pas leximit të vargjeve të Meçajt, pas kësaj Poezie të ngjizur në një hije-dritë dyzetvjeçare, do të shihet qartë se madhështia e kësaj krijimtarie, kaq e heshtur dhe në-heshtje-mbrujtur-me-flijime nga ato që e tashmja as i sheh e as i duron dot, s’mund ta kenë veçse Letra dhe Shqipja.
——————————————–
*) Hiqmet Meçaj, Sinuciderea lumânãrilor (Vetvrasja e qirinjve), antologji autori, zgjodhi e përktheu Kopi Kyçyku, Sh. B. Librarium Haemus, Bukuresht 2008, 121 faqe. Eseja e Dr. Ardian Kyçykut i drejtohet lexuesit të huaj.
** Antar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qysh në vitin 1964, nismëtar i Klubit “Drita” të Athinës, autor i vëllimeve: „Nisja” (poezi, 1967), „Ditë pranvere” (poezi, 1971), „Tokë e pagjumë” (poezi, 1983, nderuar me Çmimin Libri më i mirë poetik i vitit), „Tek ju trokas” (poezi, 1988), „Vetëvrasja e qirinjve” (poezi, 2000), „Kukullat e pyllit” (roman, 2002 dhe 2003, fitues i konkursit „Drita”, Toena, Onufri), „Kujtesë e shpikur” (poezi, 2003), „Për Askund” (tregime, 2003), „Çikpaku” (roman, 2003). Hiqmet Meçaj është përfshirë në shumë antologji dhe tekste shkollore dhe i përket rrymës letrare mikrobotizëm.
*** Shih Revista Haemus Nr. 2 (25) / 2005.
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, “Tema”, Tiranë, “Zëri”, Prishtinë, qershor 2008)
Dr. Ardian-Ch. Kyçyku

Një roman për farat pa emër
(Disa mendime mbi romanin “Kukullat e pyllit” të Hiqmet Meçajt, Shtëpia Botuese Triptik, 2003, botim i dytë, 189 faqe, ISBN: 99927-854-4-6 )
Dalje
Në botën ballkanase të letrave, numuri i atyre që trumbetojnë vdekjen e kahershme të romanit, shterjen dhe shfuqizimin e tij, është pothuajse i barabartë me numurin e atyre që besojnë në triumfin e tij të ngadaltë e të pashmangshëm. Mes çudirave që ka sjellë sindromi (për të mos thënë: vesi) i integrimit, mes dyndjes së të paftuarve që gëzojnë Pavdekësinë me botime luksoze, promovime, çmime dhe përkthime në gjuhë të qarkullimit ndërkombëtar, shquhen qartë shkrimtarët që s’rreshtin së botuari, – për të bindur veten dhe të tjerët se nuk janë shterur, – shkrimtarët që botojnë për të mos u vakur më tej me ndonjë veprimtari tjetër, si dhe autorë të përkushtuar, që lexohen pak (ndofta ngaqë nuk shiten aspak).
Është një stërmundim që prek majat e idealizmit të kulluar të shkruash një roman në gjuhën shqipe, ku tre në dy vetë merren me letërsi dhe ku mjegullimi i sistemit të vlerave sajon e pluhuros hierarki shpesh absurde dhe tragjike. Vlera e mirëfilltë e një vepre letrare peshohet me mjetet e shitblerjes, ashtu siç mund të caktohej vlera e një pikture nga pesha e ngjyrave që janë përdorur, apo nga numuri i qimeve të penelave, teksa kapitja e lexuesit, vëmendja e tij e çoroditur nga hallet e përditshme, shihet si përqindje përjetësie e librave të shkruar fundekrye në harmoni me tezat zhdanoviste. Idhujtaria nuk e ka për gjë të shohë në rënien e përgjithshme shpirtërore ngadhnjimin e një letërsie tejet tokësore, ateiste (gjoja laike, botërore, e lirë dhe e pavarur), që e bind lexuesin se universi kaq është, dy-tri dashuriçka, ca komplote në terrin e historisë, ndonjë frikëzë e fshehtë, ndonjë përpushje, pickim, kafshim gjinjsh, ndonjë ndarje dhe vaje të kallura në tesha postmoderniste, servirur në një shqipe të çartur nga barbarizmat dhe që synon të paraqitet si mëmë e ardhmërisë.
Fatmirësisht ka edhe shkrimtarë që ia kanë dalë mbanë të ngrihen mbi vetveten e detyruar dhe të bjenë në dorën e bekuar të servantizmit (term i imi), domethënë: të krijojnë vepra befasuese në një moshë të nderuar. Rasti i Hiqmet Meçajt[1] nuk mund të përfshihet këtu, nëse lexuesi cilësor ka ndjekur me vëmendje ecurinë e poezisë dhe të prozës së shkurtër të këtij autori.
Njëra nga meritat e mëdha të romanit «Kukullat e pyllit» lidhet edhe me kohën: pamundësia e plotë për të gjetur moshën e autorit. Mençuria e këtij të fundit, lehtësia me të cilën e sundon nga rrënjët lëndën artistike, rrjedhja e fjalës nga lënda (jeta) drejt letërsisë (rikrijimit të realitetit) zëvendësojnë moshën dhe tiparet vetjake të autorit, duke arritur atë që vetëm talenti i lindur mund ta ketë: fuqinë prapavepruese. Asnjëherë nuk është vonë që një vepër arti të botohet shumë vite më vonë se të tjerat dhe të jetë pararendësja e tyre. Duhet shtuar se romani «Kukullat e pyllit» nuk ka ende një pararendës, të paktën në letrat shqipe. Autori ka dalë të bëjë art pa fund me mund magjie e jo magji, e as të ndreqë dynjanë, sepse, si çdo shkrimtar i mirëfilltë, njeh po aq mirë sa jetën edhe kufijtë e vetvetes.
Përroi dhe psikika e ngjarjeve
Kulti i historisë së ngarkuar, të koklavitur, plot shembje, intriga, vrazhdësi e absurd, merr në romanin “Kukullat e pyllit” një goditje të merituar. Ngjarjet nuk rrjedhin nga e majta në të djathtë, nga lart poshtë, ose anasjelltas, por nga një bërthamë gati e padukshme, si spermatozoid[2] që turret të bëhet vdekatar, të plaket e të shuhet sa më shpejt. Autori heq dorë me vetëdije nga qindra efektet dhe hiperbolat që ofron realiteti ballkanik, zgjedh rrugën më të mundimshme, atë të thjeshtësisë së parme, dhe ndeshet me kohën. Qarkullojnë mjaft përcaktime të kohës, qoftë në letërsi, qoftë në filozofi. Hiqmet Meçaj e shqyrton kohën edhe në esenë që shoqëron romanin dhe që synon të japë një ide rreth rrymës të cilën ai e emërton «mikrobotizëm». Bindjet e modernistëve dhe të pasmodernistëve duken sot njëfarësoj të tejkaluara, ose jo fort kënaqëse. Përgjigjet e viganëve të shpirtërimit ngrihen mbi to fare natyrshëm dhe na ndihmojnë që ta shohim shumë qartë letërsinë dhe jetën e sotme. Kur më pyet ç’është koha, nuk di të të përgjigjem, thoshte Shën Agustini. Kurse, kur nuk më pyet, di të të them ç’është koha. Para, gjatë dhe pas fjalëve të Shën Agustinit, rridhte kohë, dhe kjo është e vetmja përgjigje e mundshme. Koha është parë edhe si rrjedhje e sendeve dhe e qënieve në hapësirë, por eshtë parë edhe si hapësirë mes ftesës së Hyut dhe përgjigjes po, ose jo, të njeriut (i ftuari). Në romanin «Kukullat e pyllit» Hiqmet Meçaj i mbështet tërthorazi përfytyrimet e mësipërme, por me mjete vetëm letrare. Ai shprehet mes rreshtash se qënia njerëzore nuk është një e vetme, por një shumë qëniesh të cilat i bart në vete, i takon, i njeh, i jeton gjatë jetës, dhe vdes në hipostazën e njërës prej tyre. Autori nuk e përjashton mundësinë që copëzimi i qënies dhe dallimet mes njërit copëzim dhe të tjerëve të jenë një gjetje e modernistëve për ta bërë realitetin më të pranueshëm.
Një pamje e re e vëllavrasjes
Romani sjell një pamje krejt vetjake të botës shqiptare dhe evropiane, përtej legjendave të shpikura dhe maktheve të dalë boje. Romani ka jetë – dhe kjo jetë është e rëndomtë, e mrekullueshme, e paparashikueshme, shkatërrimtare, shajnitëse, si të gjitha qëniet dhe gjërat që s’kthehen më. Një poet i ri (Admeti), caktohet të punojë në fshatin Kajat, detyrohet të ndahet nga e dashura, dhe shkon në një hapësirë që nuk gjendet në asnjë hartë e ku mezi e presin ta bëjnë pijanec e puthador. Aty “asgjë s’kishte ndryshuar që nga koha e pellazgëve, vetëm se trupat e njerëzve qenë zvogëluar, truri qe bërë sa i pulës, kurse këndezët këndonin njëlloj dhe thoshin se vezët i bënin ata»(f. 44). Në klishetë jetëgjata të realizmit socialist, poeti i ri do të kish zbuluar Parajsën e krijimit gju(hë) më gju(hë) me popullin, njerëz të thjeshtë plot mirësi, dëshirën e pafundme për punë, duar e kokë me kallo, besnikëri të përjetshme ndaj Parti(ve)së etj. Admeti nuk e ka këtë fat. Ai zgjohet mes një bote që ka një krejt tjetër lloj pasurie: pasurinë e së pakthyeshmes. Kajati gjallon në histori e gjeografi sipas ligjeve të farave që e sundojnë, ndonëse syrit të ardhur nga tjetërkund, arkeologut enigmatik Xhuzepe, nuk i shpëton e vërteta se “Po ta dinit sa popuj e sa ushtri kanë kaluar këtej, nëpër këta male, sa gjuhë të huaja janë dëgjuar të fliten, atëherë do të ndjeheshit vërtet të mburrur, që këta këtu (tregon kafkat e shqiptarëve të lashtë – sh. im) fituan mbi të gjitha këto gjuhë” (f. 52). Pasi merr nga Kajati kafka, stolí e plot sende të çmuara, që fshatarëve u duken çinglamingla, Xhuzepja dërgon në hapësirën nga e cila vjen edhe material jetik, farë të zgjedhur, çunakun Shaho. Është e lehtë të përfytyrohet shpirtërimi i Kajatit pasi farat e mira shkulen e mbillen në truall të huaj, të largët, nga ku disa kthehen dhunshëm e nga ku të tjerat, që kanë gjetur vetveten, nuk do të duan të kthehen më. Vijnë kohëra, gjatë të cilave, siç shprehet me të drejtë hoxha i fshatit, vëllai duhet të ruhet nga vëllai.
Romani rimerr nga një tjetër kah parabolën e krishterë të martirizimit, trajtuar edhe nga Dostojevski, Gide apo të tjerë. Vetëm kur kokrra e grurit vdes, ajo jep shumë fryt. Po nuk vdiq… Në romanin e Hiqmet Meçajt kokrra e grurit është farë pa emër. Është farë e keqe dhe farë e mirë. Farat janë lindur që të ndeshen për jetë a vdekje. Fara për farën është vdekje. Sipas autorit, “fara që u kultivua mirë, po të kthehet e të ndrydhet në ambjentin e parë, domethënë të egër, e ka të vështirë të rrojë, të zhvillohet, kurse ajo që u rrit në ambjentin e parë, domethënë në gjendje të egër, megjithëse i afrohet gjithnjë e më shumë egërsisë, jeton përbukuri” (f. 49).
Farat mishërohen nga dy kushërinjtë e parë, Shahoja dhe Baxhoja. I pari del nga hapësira e egër, jeton ngadhnjimin e vet në hapësirën e lirë dhe frytëzuese të Perëndimit, pastaj firmos një peticion si shumë të rinj të kohës, dhe sos në truallin e parë, kur binjaku i dikurshëm shpirtëror, Baxhoja, pasi ka kaptuar me guxim shkallët e të qënit kusar, pushkatar, partizan pa din e pa iman, komunist i thekur etj, është shndërruar në pushtetarin e përjetshëm të hapësirës. Shahoja u qe përkushtuar bimëve, insekteve dhe gjenetikës, nuk e kishte haberin në punët e njerëzisë, kurse Baxhoja as që donte t’ia dinte për arritjet e gjenetikës, për thellinat e ndritshme apo të frikshme të filozofisë. Ai ka pushtetin dhe, kur ke pushtetin, bindesh se ke pushtet mbi vetë pavdekësinë. Ç’peshë mund të ngrejë filozofia, dhembjet e dashurisë së vrarë, e pamundësisë për të dëshmuar se nuk je kukull, por qënie e gjallë, e shkatërrueshme nga gjithkush e nga gjithçka, ndonëse e pavdekshme në thelb?!
Makthi
Duke zbuluar mjeshtërisht lidhjet e brendshme të librit, njëri nga kapitujt e romanit përfundon me shenjën “:”, kurse një tjetër (f. 68) përbëhet vetëm nga një fjali: «Të gjitha këto kishin ndodhur, apo do të ndodhnin?». Lexuesi ftohet në ankthin më mizor që përjetuan shqiptarët gjatë gjysmëshekullit të kuq. Ankthi i atyre që mund të ndodhnin, që ishin të gjitha të përbindshme dhe që, për fat të keq, pasi ndodhnin apo jo, duke fituar forcën e errët të makthit, rrënonin e drobitnin me të njëjtën egërsi. «Por plaku Shaho, thotë autori, që nga ajo natë nisi të plakej çdo ditë e më tepër, të zbardhej në fytyrë e të kërrusej në trup, megjithëse Admeti qe i bindur se atë natë nuk u tha gjë që ta rëndonte, sepse ajo natë nuk kishte ndodhur» (f. 143). Bjerrja e farës së mirë ndodh pas një nate që mund të quhet e pranimit dhe e faljes së madhe. Natë kur Shahoja pranon se, gjatë gjithë jetës, është mbajtur një grimë larg shkatërrimit përfundimtar pikërisht nga fara e mbrapshtë, Baxhoja. Ai ia fal ish-kusarit të gjitha, jo vetëm sepse nuk ka mjete për të mos falur, jo vetëm se, si qënie e zgjdhur, është ngjizur të zbatojë parimin kuranik «Mëshira Ime ia kalon hidhërimit Tim», por edhe sepse tashmë dhe parreshtur është një njeri krejt tjetër. Një njeri që dyshon përnjimend nëse ka qenë ndonjëherë i ri, jashtë shtetit, i dashuruar me një të huaj të mrekullueshme, dishepull i një profesori që nderohet më vonë me Çmimin Nobel, i lirë e sidomos krejt i pavarur nga mëshira e Baxhos. «Ishin vite të lumtura, mbushur me suksese e dashuri verbuese, prandaj i picërronte sytë në të gjitha pozat»(f. 167).
Ishin!
Vargu i tjetërsimeve, që, me sa duket, mund të mbyllen (pó për-kohësisht) vetëm me vdekjen e njeriut, përfaqëson kredon filozofike të autorit. Shpërbërja e qënies, dyzimi, trizimi a shumë-zimi i saj në hapësirë, por sidomos në kohë, shprehet dhimbshëm në mbyllje të romanit. «Edhe ato shënimet që grisa e i flaka në zjarr, thotë Shahoja, nuk kanë lidhje fare me mua plakun, por më atë, të riun[3], që vazhdoj ta mbaj brenda vetes sime, t’i ndjej çdo ditë dhimbjet, rënkimet e përpëlitjet» (f. 178).
(Sh)qytetërimi
Pjella e farës së keqe, në një pikë kulmore të romanit, plagos për vdekje (burrërie) pjellën e farës së mirë. Djali i Shahos nuk arrin të bëjë më fëmijë, sepse thika e Billit, djalit të pagjak të Baxhos, ia pret këtë dhunti. Kuptohet të kujt janë të katër nipërit e farës së mirë. Lexuesi ndjen në eshtër se kjo ngjarje jo vetëm mund të jetë e vërtetë, por edhe se nuk është skaji i mbramë ku mund të arrijë kafshëria e njeriut të kohës sonë. Dhuna është e pranishme në çdo faqe të romanit, e përcjellë me qetësi dhe gjithëkuptim shpirtëror – mbase bindje se vetëm gjithëkuptimi do të mund ta mposhtë gjithë këtë mallkim të zi. Nënës i vritet burri dhe djali dhe i jepet kurajo djallëzisht me një «Ki kujdes tjetrin!» (f. 127). Mirpo terrori, në mënyrë krejt të natyrshme, ka nisur e vazhdon të hajë edhe pjellat e veta. Roja që i caktohet Admetit, haf(h)ija e kudondodhur, me të cilin, falë bashkëjetesës së detyruar, i përndjekuri gati ze miqësi, dërgohet Alpeve të lavdishme të Shqipërisë dhe nis të vrasë burra e të çnderojë gra, derisa një plumb ia hap syçkën e tretë në zverk dhe i zgjon Admetit një mendim shkundullues. Po ta kishin lënë të më ruante mua, thotë, ndoshta do të rronte e do të bëhej njeri i mirë» (f. 121).
Disa nga pasardhësit e farës së egër provojnë heraherës ndonjë kafshim ndërgjegjeje, por nuk dalin dot e as që duan vërtet të dalin nga vetvetja. Mbesa e Baxhos bijësohet prej një ambasadori komunist, bredh e këndellet jashtë shtetit, dhe që atje sjell si trofé për Kajatin dhe atdheun në përgjithësi, si paradhënie për tranzicionin, një kuti të babëzitur Pandore. Sa mirë është të drogohesh atje larg, mes të panjohurish, me djersën dhe gjakun e barbarëve, që s’i njohin virtytet e hashashit e as mrekullitë e jetës diplomatike! Mesazhi është i qartë si tehu i shpatës: murtajën e sotme e sollën pak nga pak ata që dje mund të dilnin nga kafazi, ata që mund të bridhnin dynjasë, që rronin në vend tonë jo në vendin tonë.
Hyrje
Romani «Kukullat e pyllit» zgjon shumë më tepër mendime dhe mbase edhe polemika. I shkrova këta rreshta nën bindjen se mangësitë e mundshme të një vepre përbëjnë atë që tashmë e dimë, ndërsa arritjet e saj dhe vlerat e papërsëritshme janë dhuratat pa të cilat do të mbeteshim dijetarë të pashoq. Besoj se nuk ëndërrojmë të jemi të tillë. Hëpërhë na mjafton ëndja e dhuruar nga pena e pangatërrueshme e Hiqmet Meçajt, shkrimtar që, me përkushtim e aftësi të rralla, siç më shkruante në një letër nga hapësira greke e Mërgatës shqiptare, «kish nja 40 vjet që rrinte në qoshen e tij». Qoshe, së cilës letërsia shqipe duhet t’i bëjë patjetër një përkulje nderimi. S’ka vdekur njeri nga kjo.
Bukuresht, dimër 2005
——————————————————————————–
[1] Shkrimtar shqiptar lindur në Vlorë më 2 maj vitin 1944, antar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qysh në vitin 1964, nismëtar i Klubit “Drita” të Athinës, autor i vëllimeve: „Nisja” (poezi, 1967), „Ditë pranvere” (poezi, 1971), „Tokë e pagjumë” (poezi, 1983, nderuar me Çmimin Libri më i mirë poetik i vitit), „Tek ju trokas” (poezi, 1988), „Vetëvrasja e qirinjve” (poezi, 2000), „Kukullat e pyllit” (roman, 2002 dhe 2003, fitues i konkursit „Drita”, Toena, Onufri), „Kujtesë e shpikur” (poezi, 2003), „Për Askund” (tregime, 2003), „Çikpaku” (roman, 2003). Hiqmet Meçaj është përfshirë në shumë antologji dhe tekste shkollore dhe i përket rrymës letrare mikrobotizëm.
…
[2] Mes faqeve 175-176 të romanit gjejmë edhe monologun kuptimplotë të një spermatozoidi. „Edhe unë isha një spermatozoid që synonte mitrën e nënës sime, po ama tepër dinak e i mënçur. U fsheha në turmën e miliona të tjerëve, i bëra të grinden e të vriten me njëri-tjetrin. Kështu m’u hap rruga të shkoja fitimtar e të mbillesha për t’u bërë embrioni i atij që jam. (…) që këtu kuptohet se, që pa lindur kemi gëzuar kur të tjerët janë vrarë e kanë humbur ngaqë kemi dashur për vete të mos vriteshim e të fitonim”.
[3] Është fjala për të riun shqiptar që kthehet nga jashtë dhe këmbëngul të japë shpirt në duart e Shahos. Kur ky e pyet pse po zgjedh pikërisht duart e tij, tjetri i gjegjet: „o njeri i pyllit, më ka lodhur shumë qytetërimi me ato praopësitë e tij” (f. 174).
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, prill 2005 dhe në revistën “Haemus”, Bukuresht, Rumani)
Dr. ARDIAN KYÇYKU

Një roman i jashtë zakonshëm
KUKULLAT E PYLLIT
i Hiqmet Meçajt
Katër dhjetëvjetësha më parë, një poet i ri nga Vlora debutonte fuqishëm duke tejçuar përshtypjen se i kishte të gjitha shanset të ngjizte një emër vendimtar në poezinë shqipe. Kanonet e realizmit socialist dhe sjellja gjithnjë e dyshimtë e kolegëve duket se u rropatën t’ia shuanin yllin, por s’ia dolën mbanë. Poeti dhe prozatori Hiqmet Meçaj është sot një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letrave shqipe.
Ka pasur një jetë në përputhje[1][1] me dhuntinë (hirin) që i është falur. Ka qenë vite me radhë mësues në fshat, ka njohur vuajtjet e mërgimit dhe ka shkruar pa zhurmë e bujë (shembullore)[2][2] libra mrekullues siç është “Kukullat e pyllit”.
Romani ka pasur tashmë dy botime dhe është pritur shkëlqyer nga kritika e specializuar dhe nga lexuesit e zgjedhur. Pas leximit të këtij romani gjithkush mund të kuptojë se nuk kemi të bëjmë as për nga larg me një autor të sensacioneve apo me ndonjë nga ata shkrimtarë që “shpërthejnë” me vonesë. Proza shqipe ka pasur e ka probleme vetëm nga pikëpamja e mediatizimit të saj në botë, jo në thelb. E gjithë krijimtaria e Meçajt është një dëshmi se arti i vërtetë mund të bëhet edhe nën diktaturë, edhe nën demokraci, në hapësirën amtare apo në atë të njerkave.
Me një stil të thjeshtë e rrjedhimisht të thellë, “Kukullat e pyllit” ofrojnë një krejt tjetër histori të botës shqiptare (në kuptimin: të patrajtuar më parë nga letërsia), por edhe të qënies njerëzore në përgjithësi e që gjendet në një krizë të rëndë identiteti. Protagonisti, shkrimtar i ri dhe antar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, dërgohet mësues në një fshat që s’gjendet në asnjë hartë. Realizmi i skenave dhe i dialogjeve përcjell një përvojë autobiografike. Gjendur në njëfarë kapsule të kohës dhe të Kohërave, Admeti (kështu quhet personazhi kryesor) para-, ri- dhe -jeton historinë e njeriut pasmodern në një qosh të Ballkanit, vend ku farat e këqia, të egra, luftojnë kundër farave të mira, duke iu rrëmbyer[3][3], më në fund, jetën dhe të ardhmen.
Në roman çdo ngjarje edhe ndodh, edhe nuk ndodh. Gjithçka është e mundur, dhe kjo e mundur zëvendëson me kohë ngjarjet, duke krijuar një univers të së mundshmes shkatërrimtare.
Meçaj e ka shkruar romanin sipas parimeve të rrymës letrare të quajtur mikrobotizëm, të cilën e ka lansuar i pari.
Origjinal në stil e në meditimet filozofike mbi jetën dhe individin, autori pasuron me këtë roman të jashtëzakonshëm e që s’mund të tregohet, thesarin e letërsisë ballkanike.
Miku i Shqiptarit, viti IV, nr. 39-40,
janar-shkurt 2005, faqja 28, Bukuresht.
Tekst në gjuhën rumune
[1][1] Shprehje e papërkthyeshme, ka kuptimin: sipas talentit, edhe vuajtjet.
[1][1] Sërish shprehje e papërkthyeshme. Ka kuptimin: në një diskrecion që duhet marrë shembull.
[1][1] Ka edhe kuptimin: vjedhur.
E-mail i datës 14 mars 2005
I dashur zoti Hiqmet,
Dua t’ju uroj tani për tregimin e shkëlqyer “Sekreti i fluturimit”(!), që u botua në rumanisht tek “Miku i Shqiptarit” (2 faqe, me fotografi, pranë një soneti të famshëm të Emineskut, bashkë me një paraqitje të romanit “Kukullat e pyllit”) dhe që sapo e dërgova në një nga revistat e mëdha rumune, ku do të dalë së shpejti. Nuk kam ndonjë meritë të madhe, por tregimi trandi e trullosi, sidomos ca idhujtarë që enden këtej e hanë bukë me lavdira të mykura, duke trymbetuar se letrat shqipe s’kanë më shumë se një emër. Ju nis tre kopje me postë nesër pasdite, nga zyra. Nesër marrim edhe kopjet e para të Haemus-it, ku jeni i pranishëm bashkë me Andin. Në numurin e tanishëm të “M. Shqiptarit”, kam një portret poetik të Andit, me 5 poezi të papërkthyera më parë; do të më nevojitet, gjithashtu, një fotografi më e qartë e tij). Im atë u kthye nga Budapesti, ju dërgon të fala vllazërore dhe më tha se po i jep dorën e fundit intervistës. Qameti të mërkurën pasdite e keni materialin aty. Gjithashtu, im atë ndihet i nderuar dhe do t’ju dërgojë shkrime për “Gazetën e Athinës”.
Për fat të keq, sërish nuk mund t’ju shkruaj më gjatë, sepse sapo mblodha kockat në shtëpi pas një jave të kaluar nëpër trena. Ju uroj shumë shëndet, mbarësi e penë të mbarë!
Juaji me respekt e mirënjohje,
Ardiani
NGA NJË EMAIL I ARIAN LEKËS, 10 GUSHT 2006

Për KUKULLAT…
I dashur Andi, uroj së pari të jeni mirë me shëndet dhe ndonëse me shumë vonesë nga mosdijenia, po gjej rast t’ju ngushëlloj për humbjen e madhe që ju ka ndodhur para një viti. Të lutem përcillja ngushëllimet edhe Hiqmetit, ndonëse e besoj se nuk mund të ketë të këtillë. Kjo është jeta që si duket e di ku na dhemb më shumë e na godet… Tani m’u lidhën edhe duart, kisha menduar të shkruaja një tjetër gjë, por e nisa këtë letër kështu dhe për ta vazhduar më duhet të them se sapo kam mbaruar librin mjeshtëror të Hiqmetit (e kisha marrë me vete në Aachen ku isha për 2 ditë dhe aty e përfundova, një vend ku kurorëzoheshin dikur mbretërit e gjermanisë, i denjë për të lexuar një libër mbreti të asaj lënde letrare që ka ngjizur). Nuk di të them fjalë, se perëndia ta lidh gjuhën ndonjëherë, por e kam një keqardhje që e kam lexuar kaq vonë këtë veper shumë të çmuar. Të mos dija autorin do të thosha se është një krijesë e ndonjë autori që ka shkruar vetëm në liri, që nuk e njeh shijen e censurës dhe diktarurës në art, një vepër e mirëfilltë, perfaqësuese e letërsisë së re të shkruar në shqip e cila na ka rrëfyer mjeshtërisht edhe ne të një brezi tjetër, më të ri e me përvoja të tjera krijuese, të ndryshme e më fatlume se koha kur krijoi Hiqmeti, se çforcë ka letërsia e cila, njëlloj si Krishti ka bërë një mrekulli, këtë roman. Nuk di si ia ka dalë ai të shkruajë një roman të këtillë, kaq të ngjeshur, të dendur si metalet e rëndë, por që lundron, të merrë me vete? si ka mundur të jetë aq klasik (në ndërhyrjet autoriale dhe fillimkapitujt) e njëherësh aq modern? si ka mundur ta fusë në një shishe të vetme gjithë atë shejtanëri dhe shenjtëri njerëzore që kemi kaluar në ato vite dhe si i ka magjepsur ato personazhe që ti i dashur andi, që edhe pikturon, mund ta kuptosh se si mund të bëhet portreti vetëm me dy penelata. Ai ka krijuar humbëtirën dhe qendrën në të njëjtën pikë, një farë Alephi, qendra e botës në një pikë të vetme dhe ka rrëfyer historinë pa metuar të jetë as moralizues dhe as mësues i kombit, thjesht syri i brendshëm. Shpesh mendoja se shumë nga ato thëngjinj për të cilët flet i janë shuar në lëkurë. Por mbi të tjerat më ka pëlqyer loja që ai ka bërë me kohën, grimcimin e saj, por pa e prishur, ecejaket nëpër kohë, me të shkuara, me të tashme e me paralajmërim të ardhmeje e sidomos me asgjësim të gjithçkaje pas mohimit të Shahos për gjithë sa kanë ndodhur dhe shndërrimit jo të jetës në art, po të artit (pretendimit për një veper gjoja të dështuar, në rrekjet për një roman). Nuk kam lexuar vepër tjetër që kaq shumë llahtarira, makthe e mbrapshti të jepen në aq pak faqe, me të përziera tragjike e komike, me shejtanë pleq Baxhoja e dreqër, i biri thikaxhi dhe djallusha të vogla që e dijnë zanatin pa lerë si mbesa gjoksbukura kërcënuese e rronxhobonxhos Baxho që është një duet donkishotesk bashkë me kokëposhtjen e tij, kushëririn Shaho që ka parë me sy hapur ëndrrën e vet. barku i së keqes. Ai na ka thënë ashtu siç Actekët e dikurshëm që i zhduku Kortesi, se jeta është e keqe dhe kështu duhet të jetë, ëndrra është e mirë. jeta është e shëmtuar ndaj edhe duhet zbukuruar me inxhi të tilla si romani i Kukullave të Pyllit…
+Zakonisht baballarët, në moshën e Hiqmetit, bëhen krenarë për bijtë, por ti ke edhe një arsye më shumë për t’u krenuar me babanë i cili është një mjeshtër si ata të qemotshmit, në punë të vet, që di t’i bëjë të gjitha, kur ia thotë muza tek buza. përqafoje nga unë përzemërsisht dhe i thuaj se ka bërë Djalë me këtë roman.
të uroj gjithë të mirat
Ariani
PS. Porosinë nuk ta kam harruar për poetin italian dhe botimin atje, por ky ishte mail për Hiqmet Meçajn. Do të të shkruaj nesër për tjetrin.
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, mars 2005)
Nga Dr. Moikom Zeqo

Një nga miqtë më të mirë e më të vjetër që kam njohur gjatë jetës është Hiqmet Meçaj. Në rininë e hershme ai pati një shkëlqim të papritur në krejt gjeneratën e vet. Pastaj befas sikur u mbështoll nga një guackë e pashpjegueshme dhe herë-herë e padepërtueshme. Larg bujës, larg ndikimeve të kritikës letrare, Hiqmeti, si një paradoks, botoi tepër rrallë, por tjetër gjë botimi dhe tjetër gjë krijimtaria.
Kujtoj bisedat tona në Tiranë dhe Vlorë. Njëherë, kur po nisesha me anije në një ekspeditë nënujore në Karaburun, ai nguli këmbë të vinte me mua. Nuk u zgjua dot herët në mëngjes dhe unë u nisa pa të. Kjo është një lloj metafore përtej strukturës të një ngjarjeje reale. Vite të tëra mbetëm pa u takuar me njëri-tjetrin. Gjatë një udhëtimi me Dritëro Agollin më 1995 në Athinë, takoj Hiqmetin të drobitur dhe të thinjur. Ç’dreqin bën ti këtu!, i thashë. Ai vetëm psherëtiu. Jeton ende në emigracion me një përmallim të pabesueshëm për Shqipërinë. Paradoksi i jetës. Para disa kohësh më solli dy libra me mikun tonë të përbashkët, Faslli Halitin. I lexova librat dhe u shtanga. Poeti i vërtetë mbetet poet i vërtetë në të gjitha kohërat. Ai e shkruan shumë mirë edhe prozën, gjë që e dëshmon me romanin e tij të fundit. I gjeta numrin e telefonit në Athinë dhe ia dëgjova më në fund zërin. Zëri i dridhej. Mos kujto se je i harruar, o miku im i largët! (Shumë i afërt) Nuk ka gjë, që nuk ta vënë emrin në antologji. Më vonë nuk do të ketë antologji të poezisë pa emrin tënd.
Hiqmet Meçaj është një nga personalitetet e spikatura të poezisë shqipe, por, në disa kuptime, ai pati fatin e poezisë së tij të mrekullueshme “Agavia”. Kur më erdhi në zyrën e punës, në Muzeun Historik Kombëtar, shkrimtari gjithashtu shumë i njohur nga Vlora, Shefqet Tigani dhe më tha se do të botonte një cikël me poezi të Hiqmet Meçajt, e kuptova fare mirë se nuk e kanë harruar. Iu luta Shefqetit që ta shoqëroja ciklin e Hiqmet Meçajt me këta rreshta të shkurtër, dalë nga zemra ime.
Marrë nga gazeta “Panorama” 30 Maj 2003
VËSHTRIM MBI PROBLEMATIKËN E KRIJUESVE SHQIPTARË NË DIASPORË DHE ZHVILLIMI I ROMANIT SHQIPTAR NË HAPËSIRAT EVROPIANE
Kumtesë -fragment
Nga Mustafë XHEMAILI

Hiqmet MEÇAJ – U lind më 1944 në Vlorë. Jeton dhe krijon në Greqi. Pasi ka botuar disa vëllime poetike duke filluar që në vitin 1967 (libri poetik “Nisja”) si dhe disa vëllime të tjera me tregime, në vitin 2002 botoi romanin “Kukullat e pyllit”, si dhe në vitin 2003, romanin për fëmijë “Çikpaku”.
Ky autor nuk është i ri në moshë, por është përfaqësues i një rryme letrare që po afirmohet në letërsinë shqipe, rryma letrare e quajtur “Mikrobotizëm”. Madje, Hiqmet Meçaj është ideatori dhe përfaqësuesi më tipik i kësaj rryme.
Kukullat e pyllit janë një metaforë e qëlluar për emërtim dhe trajtesë të problemeve të identitetit dhe botës shpirtërore të trazuar nga kërkimi i kësaj vlere njerëzore. Dilema e madhe është shtruar ashtu siç ka ndodhur vazhdimit në historinë njerëzore: a po humbet identitet, si të fitohet identiteti! Brengosja ishte dhe është e madhe. Letërsia e ka pasur dhe e ka si një temë të madhe trajtese. Kështu, pra, edhe letërsia shqipe.
“Mikrobotizmi”, është një rrymë, mënyrë e shkrimit të gjendjeve dhe situata të personazheve nga këndi i veçantë. Imtësirat e jetës, autobiografia e personazheve (po edhe e autorit) janë në planin e parë. Njeriu i tëhuajsuar i postmodernes shqiptare, krijon paranoja të vërteta, si për shembull te personazhet e romanit “Paranoja” të Xh. Ahmetit, siç e theksuam më lartë. Po sikur personazhet e tillë, siç është personazhi kryesor i Kukullave të pyllit, Admeti, ndjehet i vogël, i pafuqishëm ndaj shtrëngatës së jetës moderne e supermoderne. Madje, kjo, edhe ia merr jetën, sepse pafuqia e tij për të rezistuar me ide, veprime konkrete në një botë ballkanike në tranzicion, siç mund të shprehemi me një fjalë politike të kësaj kohe, është një PAFUQI jo vetëm e tij. Kjo pafuqi vjen nga vetë strukturimi i shoqërisë, shtresave të saj, pastaj ideve, veprimeve të përgjithshme, të cilat të shpeshtën e herave, krijojnë kaosin dhe rrënimin e njeriut…
Shkrimtari Hiqmet Meçaj, jeton në Athinë dhe krijon letërsi në një rrymë të shpikur letrare “Mikrorobotizëm”. Sa mund të qëndrojë kjo shpikje, nuk varet vetëm nga fuqia e penës së këtij krijuesi. Përpjekjet janë interesante. Romani Kukullat e pyllit, por edhe romani për fëmijë, janë pritur mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika. Madje në vitin 2003, shtëpitë botuese TOENA dhe ONUFRI, me klubin letrar “Drita” në Athinë, ia dhanë çmimin e parë, në një konkurs letrar në vitin 2003.
Nga VISAR ZHITI

Hiqmet Meçaj është emër i njohur në poezinë bashkëkohore shqiptare. Ritmet e emocioneve të tij, sa qytetare aq dhe me frymë origjinale labe, gjithmonë duke rënduar drejt lirisë së individit, sa i veçantë aq dhe universal, kanë marrë ngjyrime të reja, bashkë me atë të dheut-amë dhe të një qielli gjeneral dhe prapë të një qielli tjetër, përplasja e të cilëve jep dritë të beftë.
Marrë nga gazeta “RD” 14 Maj 2000
Nga Mihallaq Qilleri

…Hiqmet Meçaj erdhi në Greqi si qindramijra shqiptarë të tjerë, por edhe si i “deleguar” i poezisë më të mirë të vendit të tij. Përfaqësues i një brezi poetësh e prozatorësh të vërtetë ai spikati me talentin e tij qysh në vitet ’60 kur ishte ende student. Më pas, në qytetin e Vlorës, ai u bë një nga intelektualët më në zë atje dhe krijimtaria e tij poetike, por edhe dramaturgjike, rezonoi në të gjithë vendin…
… Që në fillim më duhet të pohoj se është një kënaqësi për lexuesit të ketë në dorë një libër me poezi të vërteta, pas shumë botimeve folklorike, por edhe tentativave zhurmëmëdha për modernizëm anakronik që kemi parë të shiten lokaleve gjithë tym ku pinë kafe të lira shqiptarët emigrantë. “Vetvrasja e qirinjve” është jo vetëm një vlerë kombëtare në letërsi, por po të lexohet me kujdes, faqeve të tij do të ndjejnë gjithë diagramën e tentativave novatore të viteve të fundit…
…Hiqmet Meçaj është jo vetëm një poet i lindur, por edhe një intelektual klasi që analizën e viteve të tranzicionit shqiptar e bën si rrallë kush, pa ripërsëritjen tragjike të idhtarëve të luftës së klasave që ia hodhën atë shoqërisë shqiptare mbi shpinë kur ajo qe plagosur keqaz.
Marrë nga gazeta “Gazeta e Athinës” 30 Maj 2001
Nga një e-mail i Ridvan Dibrës 31 Mars 2004

…e lexova “Kukullat e pyllit” dhe u befasova me mjeshtërinë e Hiqmetit: është një prozator klasi: i kulturuar, modern dhe shkruan shumë mirë…
Nga një e-mail i Ridvan Dibrës 26 Mars 2004
…I lexova poezitë dhe tregimet e Hiqmetit. Më bënë përshtypje të thellë sidomos tregimet: është një prozator i mrekullueshëm. Sinqerisht ndihem disi në faj, që s’e kam lexuar më herët…
Nga Robert Goro

Kam përshtypjen se Hiqmet Meçaj pakkush nuk e njeh. Por edhe nëse në të vërtetë ndodh e kundërta, nuk habitem aspak. Pse në këto 13 vjet të emigracionit shqiptar në Greqi, kemi harruar shumë gjëra. Aq më tepër ata njerëz që dikur i ndienim kaq afër nesh, për hir të krijimtarisë letrare, apo artistike. Hiqmet Meçaj është njëri nga këta. Poeti i mirënjohur, simbol i letërsisë vlonjate, do të thoshja është njëri nga ne, një njeri i mpakur nga hallet e jetës, që emigracioni e mbuloi me pelerinën metaforike të anonimit. Por mos vallë gjithë krijuesit e mëdhenj nuk ishin gjithë jetën anonimë, ose më saktë të pavënëreshëm?… Kush, bie fjala e njihte Lasgush Poradecin në Tiranë, ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, për të sjellë vetëm një shëmbull. Mallkimi dhe njëkohësisht bekimi i krijuesve të mëdhenj është pikërisht anonimiteti, pse ata njihen vetëm prej veprës së tyre dhe përgjithësisht, lexuesit apo spektatorët nuk merakosen shumë që të njohin edhe portretin fizik të demiurgëve, për arsyen e thjeshtë pse u mjafton vetëm vepra e tyre…
E megjithatë, siç thashë Hiqmet Meçaj jeton në mes tonë, ka po ato halle si dhe shumica e jonë, ka provuar radhët e gjata dhe zhgënjimin përballë nëpunësit gjysmanalfabet që i ka në dorë lejen e qëndrimit. Dhe jo vetëm kaq, por jeta, ashtu si një perëndi e pamëshirshme që i torturon gjer në fund dishepujt e vet, e ka vënë mjeshtrin Meçaj përballë provave shumë të rënda njerëzore, të cilat ai rreket t’i përballojë me vetmohim e vendosmëri. Duke gjetur ngushëllim vetëm te krijimtaria. Tek ajo krijimtari cilësore, ku gjejnë ngushëllim dhe gjithë shpirtrat e ndjeshëm.
Poezia, dhe tash së fundi proza e Hiqmet Meçajt është nga letërsitë më të bukura në shqip që kam lexuar në vitet pas ndryshimit të sistemit, që nuk u shoqërua dhe kaq nga ndryshime cilësore në letërsi, sidomos në letërsi. Hiqmet Meçaj është një nga provat e pakta të ndryshimit, sado që të rrudhin buzët me mospajtim kritizerët e grafomanët e dështuar të cilëve shqipja nuk u ka asnjë faj.
Dhe i botoj këto dy tregime me një gëzim të dyfishtë: Së pari pse i përcjell lexuesit një letërsi shumë të mirë, për të cilën të gjithë kemi nevojë. Dhe së dyti, pse pasnesër, më 15 maj, Hiqmet Meçaj ka ditëlindjen, të paktën zyrtaren, atë që i është shënuar në dokument. Ne e festuam së bashku me të ditëlindjen e tij më 2 maj, ditën kur ai, ca dekada më parë (nuke tregojmë moshën), u ndesh së pari me dritën e diellit. Por mendoj se ditëlindja e shkrimtarëve si Hiqmet Meçaj, duhet të jenë një gëzim i përbashkët, ku të marrin pjesë edhe lexuesit tanë…
Marrë nga gazeta “Tribuna” (Athinë, Greqi) 13 Maj 2004
Nga Marash Mëhilli

I nderuar shkrimtar
Nëpërmjet këtij urimi rifillova zakonin e vjetër. Atë e kisha ndërprerë kur emigrova. Mbështetur në shijet dhe në gjykimin tim, në çdo fund viti, përzgjidhnja më të pëlqyerin njeri të letrave, për t’i dërguar urimin e vitit të ri. Këtë herë urimin e kam për ju.
Të kam kënduar që nga “Nisja” e deri tek “Vetvrasja e qirinjve”. Ju keni hyrë kaherë në fondin e kulturës kombëtare…
… Ju renditeni në ajkën e poetëve tanë bashkëkohorë. Kjo shpjegohet me prezencën në tekste shkollore e antologji, me çmimet e fituara në rrafsh kombëtar, me vëmëndjen e tendosur të kritikës e kryesisht me ndikimin e gjerë te lexuesit. Ata të ndjekin pa mërzi, të joshur nga magjia dhe jo nga ftesat e zhurmëshme dhe manovrat bajate.
Poetët si ju, u japin të tjerëve forcë, ripërtëritje, strukturim shpirti e karakteri. Ata janë fanarë syçelësie për të mos rënë në tmerrin që thoshte Shekspiri, kur të marrët u prijnë të verbërve…
Marrë nga gazeta “Gazeta e Athinës” 9 Janar 2003
Nga Marash Mëhilli
I nderuar shkrimtar
Si sot një vit më parë, nëpërmjet Gazetës së Athinës ju dërgova urimin tim që lidhej me suksesin e krijimtarisë suaj poetike. Unë sapo kisha përfunduar së lexuari vëllimin poetik “Vetvrasja e qirinjve”. Poezitë e librit kishin ndjenjë, ngjyra dhe mendim. Për mua ishte më i pëlqyeri, më i lexuari. Ky ishte motivimi i atij urimi të sinqertë.
Lexova romanin tuaj “Kukullat e pyllit”. Jam shprehur publikisht për atë vepër, e kam quajtur “stoli artistike”. “Profecia” më doli…
… Stolia juaj stolisi letërsinë bashkëkohore. Urimi i këtij viti përshëndet ngjitjen tuaj, në të përpjetën e letërsisë. Më ka lënë në një gjëndje të këndshme shpirtërore libri me tregime “Për askund”.
Tregimeve nuk u mungon mesazhi dhe semantika e gjithëkohëshme. Vektori krijues shpalos vlera të reja për një vizion modern të kuptimit të jetës. Tregimi, titullin e të cilit mban edhe libri, më solli në mëndje dy gjëra njëherësh: thënien e poetit amerikan të shekullit të 19-të Emerson dhe një fjalim të numrit dy në kupolën e diktaturës komuniste të atdheut tonë. Poeti thoshte: “Sa shumë nga jeta jonë harxhuam duke pritur”. Numri dy i diktaturës, në një fjalim të mbajtur atyre moteve, thoshte: “Anija jonë i ka çarë e do t’i çajë dallgët e furtunës mizore me vendosmëri legjendare, se…”.
Kapiteni haluçinant i tregimit, më ktheu në kohën haluçinante të diktaturës, në të cilën, pas pesëdhjetvjetësh udhëtimi, nuk dolëm në limanin që dëshironim. Udhëtim delirant.
Pasi lexova tregimet, m’u përforcua dhe bindja tjetër: ju kur punoni mbi letra i keni të dy duart të zëna. Në njërën mbani penën e në tjetrën mbani limën.Çdo fjalë ka llambushkën e vet; të josh për tek vetja e të ndriçon shtegun e syrit për te tjetra.
Për të gjitha këto të përgëzoj e të uroj, i nderuar shkrimtar!
Marrë nga gazeta “Gazeta e Athinës” 8 Janar 2004
Nga Odise Goro

Këtij dimri të ashpër, me shtrëngata shiu, me re të zymta, me erë e furtunë, si në vajtje për në punë, po dhe në ardhjen prej saj, rrugën e bëj anës së detit. Kaloj dhe në Paleo faliro, duke çarë përmes një deti me drita vezulluese. Ato të orëve të para të mengjesit më përcjellin për në Glifadhë, kurse ato të orëve të vona të mbrëmjes, gjatë kthimit tim të lodhur, më përcjellin për në Kalithe…
Drita, gjithandej drita. Në heshtjen time të trishtuar, më ngacmojnë, madje më bëjnë të flasë me vete, me një të folur sa prekëse, po aq përmalluese. Nëpër to kërkoj dikë. Them e them pa bërë zë: Mes vezullimeve marramendëse të llampave të shumta, këtyre pallateve të larta, ku gjendet vallë tani, ai që kërkoj? Në ç’kat mundohet mbi vargje i zhytur në mikrobotën e mikrobotizmit të vet, poeti vlonjat Hiqmet Meçaj? Pas cilës dritare, i përkulur nga pesha e madhe e mendimit dhe e ndienjës, s’e lë këngën të qetë, njëri nga krijuesit e nderuar të Shqipërisë?…
… Dhe vjen moti me trazime. Me hapjen vetëtimthi të kufijve. Me eksodin dhe viktimat e tij. Me vajin e nënave. Me ikjen larg atdheut. Detyrohet kështu dhe poeti Hiqmet Meçaj, mësuesi i shumë brezave të lërë Vlorën.
Nxitësi dhe përkrahësi i talenteve të reja, drejtuesi i rretheve letrare, njohësi i apasionuar e kërkuesi i zellshëm i folklorit të mbarë Labërisë, vjen dita e detyrueshme për të hedhur në sup trastën e mërgimtarit, duke marrë me vete të vetmen pasuri penën…
… Dhe në vitin 2000 larg Vlorës së bukurive mahnitëse…
… ai del para lexuesve me vëllimin poetik “Vetvrasja e qirinjve”. Vepër e shkruar me frymëzim e fantazi. Me perceptim modern, këndvështrim origjinal të dukurive e fenomeneve, gjë që e ngjit poetin në lartësi të reja të vjershërimit të sotëm të gjuhës shqipe…
… Ai i përket rrymës letrare mikrobotizëm. I përkushtuar për botën të cilën e përbën bashkësia e gjërave të vogla. Me botën e tij të madhe njerëzore, krijuese, qytetare, shpirtërore dhe mendore, mbart e përcjell shqetësimet e shumta të kohës, për ta parë sa më të lumtur njeriun, sa më të bukur jetën, prandaj; s’e lë këngën asnjëherë të qetë…
As kënga s’e lë asnjëherë të qetë atë, poetin vlonjat Hiqmet Meçaj, krijuesin e nderuar të Shqipërisë, për të cilin kam mall t’ia shtrëngoj dorën e penës së zjarrtë dhe ta uroj e ta uroj…
(Marrë nga “Gazeta e Athinës” 29 Maj 2003)
STEFAN MARTIKO

RRETH ROMANIT “KUKULLAT E PYLLIT” të Hiqmet Meçajt
ese
Duhet kuptuar se kemi të bëjmë me një vepër serioze. Kur theksoj vepër dhe nuk them dot libër, kam parasysh se në letërsinë e një vendi bëhen hapa të tillë që e afrojnë atë me letërsinë tjetër të botës. Dhe kjo është baraz me një risi. Të duket se shpirti i njeriut kqyret në thellësi. U jepet dritë skutave më të thella, ndoshta për të parë deri aty ku një popull e kërcënojnë fatkeqësi të tilla si kanceri ose çfarëdolloj sëmundje tjetër e pashërueshme.
Zgjohet një mit prej një bote të humbur. Nuk është thjesht çështje kohe, por e tërë kohëve, nuk është thjesht çështje e njerit, por e të gjithëve. Njerëzit rrinë nën hijen e vetë e jo hija nën trupat e tyre. Kjo botë e kthyer sëprapthi është si një anatomi për të kërkuar shkakun te dega e jo te rrënja. Një lloj përmbysje konceptesh që na dhurojnë një letërsi, ose i shtojnë thjesht përmasat jetës, brenda së njëjtës lëndë, ajo pasurohet, bëhet kthimi i madh i njeriu.
Duhet një çast të ndalësh frymën si para një zbulimi.
Ndoshta njerëzit janë produkt i rrethanave, ndoshta e keqja tek ata ka qenë aty, e përjetshme dhe ne s’kemi ç’i bëjmë e vetëm gatuhemi prej saj.
Romani “Kukullat e pyllit” kumton këto e të tjera, që në të vërtetë nuk janë histori, por esencë, ajo ç’ka mbetur në përpjekjet e gjata të njeriut nëpër mijëravjeçarë. Çdonjeri është produkt i një tjetri të mëparshëm që ka ekzistuar te vetja, thërrmia genesh të transmetuara në gjak, një lumë i madh që përshkon tejpërtej jetën njerëzore. Ne vetëm sa e cekim atë për ta shpjeguar në një shfaqje tepër të vogël të saj. Njerëzit e Kajatit nuk janë pyjorë për shkak të pyjeve, por janë fatet e tyre që pleksen keqas e pazgjidhshmërisht me të njeri-tjetrit. Kajati është një blanjë në hartën e botës, që mund ta vendosësh ku të duash. Në të vërtetë ç’ndodh aty nuk ka kohë, është më e përjetshme se koha. Shahua ose Baxhua, që përherë e përjashtojnë njeri-tjetrin, thërrasin mësuesin e ri si ndërmjetës, jo për t’i pajtuar, po për të zbuluar greminën midis tyre.
I tërë romani është një klithmë e gjatë për mungesën e lirisë, për atë që e sheh gurin e fatit të vetë të rrokulliset e nuk e ndalon dot.
Gjithë përplasjet fizike këtu, siç është e natyrshme, i fitojnë të fortët, ndërsa në përplasjet morale ka diçka të nëndheshme, fitojnë ata që e sundojnë të keqen me forcën morale të tyre, një lloj epërsie që i shndërron të fortët në viktima vajtimtare. Ky grotesk i mrekullueshëm ka një jehonë rabelejane. Nga të dy llojet e viktimave, ata të përplasjeve fizike, ndonëse të gjymtuar fizikisht nën peshën e tërë pushtetit të çdo lloj diktature e tiranie, kanë një kohë të tyre që nuk është thjesht ora e hakmarrjes, por e triumfit. Të dytët vuajnë prej përkohshmërisë dhe ora e së vërtetës vjen si një simfoni plot tinguj magjepës, ku e drejta dhe e vërteta, në pamundësi për t’u përballuar fizikisht me të keqen, shndërrohen në fantazma (Rita).
Kjo është një kohë e gjatë e ndaljes së frymës për të shijuar si i babëzitur mrekullinë, duke u trembur se mos ishte veçse një vegim e do të zhduket shpejt. Por në të vërtetë leximi i romani “Kukullat e pyllit” të Hiqmet Meçajt s’është gjë tjetër veçse kalimi përmes një ëndrre të llahtarshme.
Athinë, 19. 07. 2002
(marrë nga gazeta e Athinës)
STEFAN MARTIKO
TREGIMET… ATË QË S’E THONË
ese
(Përsiatje gjatë leximit të librit me tregime “Për Askund” të Hiqmet Meçajt)
Përse flasin këta tregime, ç’mesazhe, si dhe kujt ia përcjellin? A do të mbrrijnë vallë një ditë në destinacion? Ndoshta kanë humbur tepër kohë duke pritur. Zarfi me dy insektet në një sallë a i ka shkuar deri tani kujt? (Sekreti i fluturimit). Por edhe kapedan Jani, që tashmë ka vdekur, a mbrriti dot në Karaibe? (Për askund), vallë dy pëllumbat e Jaja Polit nëpër ç’qiell janë duke u endur? Policët mbrritën te kafeneja e Marigosë dhe emigrantët nuk janë më aty? (Zonja Marigo). Gjithçka tani s’është më si më parë. I mori koha duke fluturuar. Këto dukuri të vogla të jetës, që Hiqmet Meçaj i qëmton me mikroskopin e tij (që nuk i sheh askush tjetër), një lentë vrojtuesi të hollë, sheh lodhjen brenda jetës futur në një këpucë të majtë, nën shiun që breron papritur…
Tregime të tillë nuk janë lexuar në letërsinë shqipe. Vëmendja e shkrimtarit u shkëput nga tokat e mbjella dhe nëpër një rrëpirë çapitet të hapë tokë të re. Një ditë toka s’do na mjaftojë për nevojat tona. Dhe i varur në atë skërkë, Hiqmet Meçaj e kupton se sa e mundimshme është kjo, duke ndenjur varur mes këtij absurdi, që është jeta. Prej insekteve të vegjël dalin krahë, gëlojnë ëndrra, përralla udhëton me realitetin, këmbehen, ushqejnë njera-tjetrën. Bota pasurohet, një hipertekst rri mbi fjalët. Nga dera e guzhinës në banjë deri në ballkon po mbytet një vapor i madh. Jeta u rudh kaq tepër sa ne duhet ta ndiejmë të marrë frymë. Po më lodhe o njeri,- duket sikur kumton Hiqmet Meçaj,- nëpër grimca të panumërta sendesh e gjallesash hyn shpirti i tij, bota që nuk soset, deti që mbillet. Po marshojnë mikroorganizma të tëra, sikur jetës të mos i mjaftonte vetja. Duket herë-herë si të jetë shpikur Suifti i ri, që krijon botra që lëvizin, duke u bërë satelit të njera-tjetrës.
Më kujtohet këmbëngulja e M.Mëhillit tek diskutojmë për librin. Një llambë e madhe rri mbi botën tonë,- thotë ai,- por mijëra llambushka të vogla, gati të padukshme ndizen në çdo gërmë të fjalës në një qark pambarim. Jam në një mendje me të dhe dua ta çoj më tej mendimin e tij. Një pasuri stilesh, një operacion në gjëndërr të fjalës, një përshkëndijim i çuditshëm hapet nëpër rrathë të pambaruar drite. “… ajo i lutet të mos vdesë, deri sa të takohen përsëri”. Kjo copëz ligjërimi nga tregimi “Për askund” është plot hipertekste. Gërmoje më thellë, shkëpute nga konteksti, ndërthure me tjetrën më pas. Humori është i përshkuar nga një dhimbje pa skaj. A do të vish më, duket sikur thotë. Ç’do të thotë ajo lutje për të mos vdekur? Ëndërron ai sikur i thotë ajo, që në të vërtetë ka vdekur prej kohësh. Ka tepër peshë, sa duket sikur fraza do të thyhet nga mbingarkesa. Po ku do të takohen vallë? Ndoshta në jetën tjetër, apo thjesht Jani pa e ditur se ajo ka vdekur, vendos të shkojë pas saj. Nuk mjafton as kaq për të zbërthyer kuptimet e një fraze. Por do të mjaftohesha duke pohuar se pena e shkrimtarit gërvisht me dhimbje përmes atij absurditeti që shoqëron jetën dhe me këtë ai duket sikur ka gjetur çelsin për shpjegimin e botës. Brenda një mikrobote duket se shpaloset vetë bota e madhe, në një grimcë rri e tërë gjithësia, dëgjohen shakullimat e forta të jetës që shkund vetë ekzistencën. Te kjo gërvishtje, përmes së cilës zë kullon gjaku, thellësia bëhet përherë e më e pambritshme, kuptimet vargëzohen, atomet godasin njeri-tjetrin, shpërthejnë zinxhira pambarim ciklesh. Atehere çdo të bëjë shkrimtari përpara kësaj shpalosjeje të përbindshme? Si do t’i administrojë, ku do t’i gjejë ato hapsira për të ndryrë brenda këtë botë të pafundme?
“… Pastaj iu ngatërruan pamjet dhe kohët u futën te njera-tjetra të përthyera e të ngecura keq, si të ngjeshura në një shishe uji, që dikush e tund pa mëshirë”. Ky fragment i shkëputur nga tregimi “Rruga për në Luvër” nuk ka për qëllim të tregojë vetëm një situatë, por të tërën, jetën e çpështjellur, e goditur nga brenda prej tronditjesh të mëdha. Përjetimi i ngjarjeve të viteve ’90 duket sikur e solli botën shqiptare para një prove vetshkatërruese. Gjithçka brenda si në atë shishe uji që tundet e tollvitet pa mëshirë. Pikërisht kjo hapsirë gjithpërfshirëse i jep të drejtën çdo lloj lexuesi për të qënë aty i pranishëm duke kërkuar fajin e dikurshëm, prej të cilit tani është viktimë. Njerëz të etur po e shkallmojnë përbrenda shkretëtirën, po çvarrosin të kaluarën për të varrosur në të të ardhmen. Pra e tërë Shqipëria është e ndryrë në atë shishe, prej nga duhej të dilte pa u thyer shishja. Dukej sikur do të shpërthenin kufijtë e çdo durimi dhe bota do të përmbytej në këtë inondatë të tmerrshme. Po vdes njeriu, ai djalë që tani po e çojnë në Luvër, një arkivol të vogël, aq sa ka mbetur nga trupi i tij, gjithçka e shkërmoqur e mbetur vetëm si shënjë, ku do të kthehemi për të marrë me të mirë çmendurinë tonë.
Kudo është dhimbja e asj çarjeje të madhe, si prishja e virgjërisë në tregimin “Si dhia”, dy insektet e vdekur të përqafuar së bashku, këpuca e mjerë në shkurre, xha Jani që po vdes duke ditur se të vdekurit të tërë janë gjallë, pëllumbat e Jaja Polit që ndoshta po shkojnë qiellit të ngrenë çerdhe në atdheun e shkrimtarit. Përmes këtyre formave të çarjes së tokës dhe prerjes anatomike të njeriut- jeta- kumton shkrimtari, është një pendesë e gjatë, një frymëmarrje e thellë, ajo që kurrë s’do të mbrrijmë, por esenca është përpjekja, tek ajo rri qëllimi dhe a ia vlen vallë mundi për ta çuar anijen atje ku s’do të mbrrijë kurrë?
Kjo mbetet të zbulohet, siç janë thellë kumtesat e H. Meçajt, ajo duket se është edhe më thellë, vetë thelbi prej të cilit ne jetojmë për të kuptuar se ç’është në fund të fundit jeta.
(marrë nga gazeta e Athinës)
VASIL VASILI

PËR ARSYE SHTETRORE “KUKULLAT E PYLLIT”
ese
Mik i dashur Hiqmet Meçaj!
Ju gjer tash ishit një nga zërat më përfaqsues të poezisë sonë moderne, ishit rregulluar aq bukur në tempullin tuaj të fjalës sa asnjëherë s’më kishte shkuar nëpërmend se do të kishit gjetur edhe një ngastër ku do të lëronit tokën e ashpër të romanit.
S’e di ç’ngasje ju ka shtyrë drejt këtij tundimi; ndoshta e keni quajtur pamjaftueshmëri shprehjeje poezinë dhe do ta plotëronit zërin edhe me një gjini tjetër, se po i afroheni të gjashtëdhjetave dhe, rrugës së jetës, jeni ngarkuar me përvoja që duhet t’i bëni kujtesë artistike; s’e di…, por kaq papritur më dërguat në një zarf gjatosh të verdhë “Kukullat e pyllit”, romanin tuaj të parë.
Kur e mbylla edhe faqen e fundit, më lindi një pyetje e frikshme si turbullimi i tabusë, që ma ligshtoi zemrën: “Ky është (ka qenë) Atdheu ynë, që i bën njerëzit e tij kukulla pylli, fantazma?”.
Secili kapitull e kishte të nënkuptuar përgjigjen me një “po” të rreptë, prandaj gjat leximit kisha filluar të mbrohesha ndaj këtyre “po”-ve, duke hamendësuar kapituj plotësues, një fillim linje ndryshe, të shtoja diku një grusht lirizmi ogurmirë, t’i ktheja ndonjëherë fantazmat nga rruga e, ndonjë retush tjetër, si për ta vënë në ndonjë rast filozofinë e romanit në zona pak më të rrëshqitshme, por në thelb pajtohesha me Atdheun tonë që keni dhënë në “Kukullat e pyllit”, sepse ai është një libër i hapur për t’u interpretuar dhe, sepse është një roman i vlerave tragjike. Thellë unë e kuptoja pse Ju fillesën artistike e shpini gjer në fundin e vet të arsyeshëm, gjer në përfundimin historik dhe e ndërthurni me të. Ju i jeni bindur ligjeve të artit dhe ai s’është i ftohtë si letargjia.
Gjithherë “arsyet shtetrore” kanë qënë të pakuptueshme për qytetarin, jo rrallë ato kanë djegur si drama absurde zemrat dhe kanë shërbyer për të mbrujtur lëndën e përplasjeve qytetar-shtet. Në këtë qerthull është futur edhe personazhi juaj, Admeti, që përjeton dhimbshëm, gjer në shformim të botës psiqike ndërprerjen e vijimësisë shpirtërore dhe krijuese nga një verdikt shtetror, që kërkon ta klimatizojë në një botë fshati të largët, e huaj për të. Atje ai ndeshet me një primitivizëm të “arsyeve shtetrore” që e mundin, por i japin edhe një tejkqyrë për ta parë më qashtër jetën. Që nga çasti i mundjes nga primitivizmi shtetror nga struktura e fabulës sikur diçka zhduket pjesë-pjesë për t’u kthyer në ravgime ëndrrash. Linjat shtrihen, por shtohen edhe makthet e Admetit dhe fantazmat e personaxheve.
Ju keni dhënë dy botë nëpërmjet “gjenetikës” së dy familjeve në fshatin malor Kajat. Familja e Shahos është viktimë e familjes së Baxhos. Po të kemi ndërmend se ato familje kanë dalë nga i njëjti “zjarr”, se krerët janë djem vëllezërish, të cilët kanë patur edhe një djalë ungji, student në teologji, të pushkatuar nga gjyqi i Baxhos në mes të fshatit të vet, në luftën e fundit, ku u përleshën tri ngjyrat: e zeza, e kuqja dhe e bardha, atëherë përfijohet qartë tragjizmi historik që kaluam. Admeti plotëson një numër shpërtëror të familjes së gjakut të Shahos.
Romani ka sfond kohor që bashkohet me të sotmen. Jeta artistike e plakut Shaho “Doktor i Shkencave Gjenetike” fillon nga sot e pambaruar dhe shkon drejt fëminisë së tij. Jeta i është tharë nga ngashënjimet në rini, kur iu ndërpre me përdhunë puna shkencore. Ai s’u klimatizua as me të “zinjtë”, as me të “kuqtë” as edhe me të “bardhët”, sepse sipas tij ngjyrat prodhojnë dhunë, por edhe se njeriu duhet të lihet i lirë në prirjen e vet të natyrshme. Vitet e mëpastajme në fshatin e tij janë mbijetesë. Mbijetesa e Admetit ka filluar nga sot në Kajat dhe do të vdesë copa-copa drejt së ardhmes. Ajo bën dritë përzishëm si një kandil në errësirën e shpirtit. Pleqëria e plakut Shaho sot, është arsyeshëm edhe pleqëria e tij, ai e përjeton këtë moshë të së ardhmes, që nga sot. Fati i sajuar për “arsye shtetrore” dhe aftësia për ta parë që sot të ardhmen, janë drama të personazhit, prandaj libri s’ka kohë, ka mungesën e kohës, sa fillon mpikset një kohë, ajo zhbëhet nga një gjedh tjetër i së njëjtës kohë. Koha është “ngatërruar” për të dhënë një cilësi artistike të saj, e keni bërë të rrethpërsëritshme te boshti. Kapitujt dhe nënkapitujt ngjajnë si hije kohe, si shëmbëlltyra, ku ngjarja është vetëm një fillim i shfytyruar i trurit nën trysninë e pushtetit dhe personazhet kanë gjymtimin e trysnisë. Duket sikur keni bërë psikanalizën e Admetit.
Personazhet e romanit janë me fate dramash, askush s’ka shëndet shpirtëror, ngjajnë më shumë si dytësa se sa të vetëm në fat. Ata se ç’kanë një përthithje trajtash nga një pasqyrë tjetër shpirti dhe ngjarjesh, madje dhe kohësh, ndoshta nga shtangësia e jetës, pra ata janë personazhe me pasqyrë. Po t’i renditnim këto lloj “personazhesh me pasqyrë”, do të dilnin gati të gjithë ç’përmban libri.
Mbase mungesa e lirisë së vërtetë dhe hapsirës krijon me tepëri botën e ndjeshmërisë trupore sipas parimit, e ndaluara është më e ethshme, kjo spjegon pjesërisht tepërinë ndjeshmërore që kanë personazhet, por mbase është edhe më thellë, është prirja juaj për t’i zbërthyer në gjëndje të përndezura. Dy personazhet femra (Lina dhe Ladina) sikur e kushtëzojnë nxjerrjen në pah të personalitetit me dhënien trupore dhe Lina të krijon një pamje cinike të smundjes në qytetërim.
Personazhet kanë një fillim me kujtesë të cilit i rikthehen dhe kështu krijojnë hapsirën artistike me shënjëza kohe.
Nuk hasa as edhe një mbiemër të personazheve, veç disa cilësorëve.
Për voli letrare kjo mund të ishte e arsyeshme dhe bindëse për një pjesë të personazheve dytësorë, por ata që mbajnë dramën e jetës duhet të pajiseshin me mbiemra, aq më tepër që Ju çastin artistik e bëni edhe një rrjedhë kohe e cila nënkupton edhe vijimsinë e gjakut që e mbart mbiemri. Edhe diçka që ka lidhje me mbiemrat e munguar: shtysën për ardhmëri historike s’e mbartin figurat që mishërojnë të mirën e përheshme të atdheut. Shahua sikur kërkon me ndërgjegje të vetfshehtësojë gjer në zhdukje historinë e tij që s’është vetëm e tij.
Për Admetin ëndrra është lënda e vërtetë e jetës, formë e shfaqjes së vërtetë. Në shpirt të saj janë gjaku, ndjenjat, ripërjetimet dhe, jeta lëndore është hije e ëndrrës. Kemi kështu një idealizëm të kulluar. Ju e keni përdorur ëndrrën edhe si shkarkesë të peshës ndrydhse të ditës, si dlirësim të shpirtit natën për mëkatin e marrë nga përdhuna e rethanave. Ëndrra është shpirti pa ditën që lëviz në të gjitha kohët dhe në të gjithë hapsirën.
Keni përdorur edhe pafajsinë si cilësi të dlirësisë shpirtërore për Admetin, Shahon, teologun dhe nusen e djalit të Shahos, e cila bëhet fantazmë në kohë të keqe me bubullima dhe fle në një degë peme. Fantazmat, këto forma shpirti njeriu të pakryer në kushte kohore dhe hapsinore, i kanë dhënë romanit një linjë të dridhshme, magjike dhe tragjike.
Kam mbresën se “arsyeja” e ëndrrës është më bindëse se “arsyeja” e realitetit në roman. Realiteti i krijuar s’e spjegon dot plotësisht vetveten me mjetet e tij ndërsa ëndrra e spjegon atë me vetveten.
Ju keni një fjali “çelës” e cila lidh ëndrrën me realitetin: Të gjitha këto kishin ndodhur apo do të ndodhnin?
Duke përdorur mënjanimin e nënkuptuar të ngjarjeve, fabula ka mbetur e përkorë. Me shënime të Shahos ngadalson ritmin dhe kohën për ta futur në hulli më të thella filozofike mendimin. Pastaj përdor paradokset, farsat për të zbutur njëtrajtshmërinë e të treguarit. Kësaj proze në brendësi i farfurit poezia përsiatse, i fjalëzon animizmi, i përvijohet simbolika e, mbi të gjitha, i dëgjohet ritmi. Nganjëherë ndihet e folura “fshaçe” që u jep rreptësi karakteri disa personazheve, por jo vetëm aq, se ka edhe tepërimthe.
Një cilësi e përkryer e romanit është mungesa e fundit e cila s’e kornizon lëvizshmërinë. Gjithnjë ka një rastësi që e përfundon veprën dhe shkrimtari ia “dorëzon” lexuesit, jo se shteron ngjarja, po dorëzohet me ndërgjegje shkrimtari. Ju e keni lënë të nënkuptuar fundin me afërvdekjen e të Madhit Fare… që do të çojë edhe në ndryshimin e rrjedhave të jetës. Gjithsesi këto janë hamëndje, por një gjë është e sigurtë në romanin tuaj, më shumë ai zhvillohet lartë, në katet e sipërme të Botës, në ëndërr.
Patër 30.07.2002
(marrë nga gazeta e Athinës)
VASIL VASILI
SHTOJCË PËR SHKRIMIN “PËR ARSYE SHTETRORE KUKULLAT E PYLLIT”
Në fillim të viteve ’70-të lexova tri libra të ndaluara: “Gomari i Babatasit” të Gj. Fishtës, “Letër Kordilianos” të një dinjitari të lartë katolik të pushkatuar pas çlirimit dhe librin e tretë…, s’e mbaj mend titullin dhe autorin, megjithse qe libri më tronditës që kisha lexuar për racën shqiptare deri atëherë, ishte botim i fillimshekullit XX.
Shkenca gjermane festonte përvjetorin e një moshe të shtyrë të antropologut më në zë të saj. Pyetjes kush është raca më inteligjente e Europës ai nguroi t’i përgjigjej menjëherë. Ishte shekulli XIX i nacionalizmave dhe raca më inteligjente për oboret gjermane ishte raca e tyre teutone.
Profesori e kishte filluar karierën shkencore në ish-perandorinë turke.
Në Stamboll, konsulli i vendit të tij, mik i babajt, i bëri të papriturën e parë tronditëse. I vuri në pjatancë një pako dhe i tha antropologut të ri:- merre. Ai e çmbështolli dhe mbeti i befasuar. Ishte një kafkë njeriu. Nuk fliste se ishte nën mbresat e forta të mrekullisë që kishte përpara. “Ç’kafkë e përsosur, ç’përmasa mahnitëse, ç’mundësi inteligjence ka mbartur”! As në një ilustrim shkencor s’kish parë një kafkë të tillë, këto përsiatte. Më në fund doli nga zona e mahnitjes dhe bëri pyetjen joprofesionale: “Nga ç’popull vjen kjo kafkë”? Miku i babajt i tha se ta solla që të ma zbulosh pikërisht ti këtë popull. Antropologu i ri qe dorëzuar se kish përmendur gati gjithë popujt e perandorisë: grekë, sllavë, arabë etj, por s’mundi të thotë asgjë të përpiktë. Atëherë të vërtetën ia zbuloi konsulli. “Është kafka e një ushtari shqiptar”. Ishte koha kur Shqipëria quhej “shprehje gjeografike”. Pyeti ku banonte ky popull, sa banorë kishte, ç’gjuhë fliste. Pastaj bëri ca matje profesionale dhe në fund tha: “Sa keq! Ç’fatkeqësi! Ç’humbje! Një gjeni lind në një milion, edhe një të vetëm që ka patur brezi i këtij… s’e ka ditur… e ka lënë të vritet për Perandorinë. Që atëherë antropologu e zgjoi kërshërinë për këtë racë. Dhe dy herë të tjera konsulli i kishte vënë në pjatancë kafka shqiptarësh. Dhe antropologu tha: “Ç’është ky popull që i ka të gjithë pjestarët e vet gjeni të mundshëm”? Natyrisht në kushte ekonomiko-shoqërore të begata.
Thellë në shpirt gjithnjë më ka përkëdhelur vlerësimi i antropologut gjerman, qoftë sikur të kishte pak të vërtetë shkencore, por… (ah kjo por… e rëndë si dyer shekujsh më del përpara) dhe brezit që çliroi vendin, dhe brezit tim nuk po i krijohet mundësia për t’u krenuar me racën e vet. Fajin e kemi shtyrë gjer te të tjerët dhe shpirtin tonë e kemi lënë të pastër sikur të ishte shpirti i një fëmije. Kemi harruar që faji është kolektiv.
Ngashënjimet e atyre çasteve kur e lexoja atë libërth, mi risolli Hiqmet me roman “Kukullat e pyllit”
(marrë nga gazeta e Athinës)
MYSLIM MASKA

KRIZA E KOHËS DHE KRIZA E PERSONALITETIT
Shënime gjatë leximit të romanit “Kukullat e Pyllit” të shkrimtarit Hiqmet Meçaj.
Kur mbaron së lexuari romanin “Kukullat e Pyllit” të shkrimtarit Hiqmet Meçaj, vetiu të lind pyetja: jeta duhet të sundojë mbi dijen, apo dija mbi jetën.
Provokimi i një pyetjeje të tillë domosdo lind mendimin se cila nga këto të dyja ka fuqi më të madhe përcaktuese. S’ka dyshim që jeta është fuqia mbisunduese, por fuqia jetësore e dijes është rezultantja. Ajo është syri dhe mëndja e asaj që iku, e asaj që përkohësisht është dhe asaj që do të vijë. Është pak a shumë bukuria dhe harmonia e saj. Ndoshta kjo është një aksiomë, ndoshta një iluzion. Pavarësisht nga këto, ajo është e pranishme, është si një hije që e ndjek njeriun gjithë jetën, nga koha e ndërgjegjshme e tij, deri në metamorfozë (asgjësim). Në këtë kuptim filozofik, me sa më duket mua, shkrimtari Hiqmet Meçaj na jep me një fabulë të thjeshtë përplasjet e mëdha shpirtërore të njerëzve NJERËZ dhe të njerëzve KUKULLA. (Jo më kot ngjarja zhvillohet në një krahinë të humbur, mes pyjesh si në xhungël, ku vepron ligji i seleksionimit natyral – darvinian). Një luftë e përjetshme kjo midis të dyja kategorive. Njeriu NJERI, sigurisht është krijuesi dhe përcaktuesi i vlerave që ka ekzistuar dhe do të ekzistojë në çdo kohë. Ai, pavarësisht nga “fatalizmi” që mund të ketë brënda vetëdijes së tij, si një “Sizif”ngrihet dhe bie, bie dhe ngrihet gjithmonë në kërkim të vlerave të vetëlartësimit të tij si p. sh. Xha Shaho, Admeti. Ndërsa njerëzit kukulla, për të ruajtur të ashtuquajturën “ekzistencë” të tyre, për shkak të ndrydhjes dhe presioneve të jashtzakonshme të krizave kohore, kur këto qënie të buta, ndoshta të qullta njerëzore (jo për faj të tyre, por edhe për faj të tyre), prapseprapë shfaqen me një aftësi të çuditshme, nuk mund të them për t’u mëshiruar, por për t’u “admiruar”, për të na dhënë një pamje të një plani tjetër të gjinisë njerëzore, atë të njeriut të nënshtruar, të vobektë, të raskapitur e pa vullnet, që bën çudira që s’ta merr mëndja. Ata rikrijojnë kohra të ardhshme brënda kohës edhe pse të krijojnë përshtypjen që cilësitë fisnike të të duken si vese dhe cilësitë marroke të të duken si virtyte. Ata në të vërtetë shkatërrojnë vlerat reale njerëzore për të justifikuar mbijetesën, degradimin e vlerave të tyre. Ky, sigurisht, është një fakt tronditës! Fatkeqsisht! Pikërisht, këta njerëz me një psikologji të të nënështruarit, shumë herë përbëjnë shumicën. Përfundimisht një dualizëm dije-mosdashtje të dijes. Një dualizëm i përjetshëm midis vlerave dhe mosvlerave.
* * *
Romani “Kukullat e Pyllit” nuk është një kujtim d.m.th. një rrëfim i autorit, por një përsiatje, një eksplorim i asaj pjese të jetës njerëzore që ai ka marrë përsipër, pra është një obsesion i tij. Me pak fjalë autori do të na thotë: Jeta mund të jetë edhe një kurth, një digë, ku lumin nuk e lënë të rrjedhë atje ku duhet të rrjedh sipas ligjeve të natyrshme e të domosdoshme miljarda vjeçare. Ajo, (jeta), mund të vdesë e të ringjallet, mundet të lulëzojë ose të bëhet hi. Këtë, fatkeqësisht, s’e zgjedh dhe s’e zgjidh dot njeriu, qoftë ai i privilegjuari, qoftë kategoria tjetër: njeriu i nënshtruar, turma që përgjithësisht bëhet shkatërrimtarja e vlerave njerëzore. Kjo, në njërin plan, ndërsa në planin tjetër problemi që mundohet të zhbirojë autori, është fenomeni i jashtëm, ai fenomen që nuk varet fare prej njeriut, por njeriu në fund të fundit është rob i tij. Pra, ky është kurthi, diga. P.sh., ti ndërton një qytet të madh me grataçiele dhe brënda minutës, një tërmet ose vullkan i rrafshon. Ose, tërë jetën mundohesh të realizosh një ëndërr, një ëndërr të bukur e të thjeshtë, të ngresh një shtëpi Me mundime të jashtzakonshme, në moshën gjashtëdhjetëvjeçare, e ngre. Pikërisht në inaugurim, vdekja të rrëmben nga gjëra që ne as i dinim dhe as do t’i marrim vesh kurrë. Në këtë kontekst dua të theksoj diçka tepër të rëndësishme të ecurisë së romanit. Romani nuk bën diagnozën e realitetit, por të qënies brënda këtij realiteti, brënda kësaj hapsire dhe kohe. Sepse qënia nuk është ajo që ka qënë, është dhe ajo që është (qoftë dhe për një çast- siç e thekson autori i romanit), por edhe ajo që do të jetë. Në fund të fundit qënia është hapsira e pafundme e mundësisë njerëzore, ajo që mund të bëjë njeriu. Dhe njeriu bën mrekullira duke ekzistuar d.m.th. duke qënë pjesë e pashpërbërshme e botës, pjesa më e ndërgjegjshme, më e bukura dhe njëkohësisht më tragjikja e saj.
* * *
Këto janë padyshim mesazhi i ri, të para në një këndvështrim origjinal, që sjell shkrimtari Hiqmet Meçaj në letërsinë shqipe. Për t’i bërë këto shënime të shpejta më të kapshme dhe më konkrete, le të themi shkurtimisht fabulën e romanit, pa u ndalur në analizën e hollësishme të personazheve, të mikrongjarjeve dhe mikrodramave, që në roman na vijnë në mënyrë të natyrshme, intriguese, pa sforco e artifice, por që grumbullohen e grumbullohen, ashtu si retë në qiell, gjersa shpërthen stuhia, d. m. th drama tronditëse e krizës që kalon njeriu brënda krizës së dimensionit kohor. Një poet i ri, Admeti, shumë i talentuar, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve qysh në moshën njëzet vjeçare (rast përjashtimor ky), pas mbarimit të universitetit, në vend ta emëronin në kryeqytet ose diku …në qytetin e tij, e katandisin në një fshat të largët, të një krahine të humbur, Kajat. Pikërisht për këtë arsye, ende pa shkuar në Kajat, ndahet me të fejuarën (për faj të saj). Admeti, personazhi ndërmjetës, si një fill i padukshëm ndriçon nga brënda e nëpër kohëra personazhet kryesorë: Xha Shahon, Xha Baxhon, drejtorin analfabet të shkollës (mbante sekretare vetëm se s’dinte të shkruante), Pelon, Ritën, Lindën, Linën etj., ku sejcili ka dramën e tij dhe të gjithë së bashku, si në një ansambël unik, përbëjnë dramën e romanit. Skena të tëra herë – herë të mbushura plot dritë dhe herë – herë plot terr, ndërthurren e pleksen me fantazi e vërtetësi jetësore për të na zbuluar të vërtetat dhe gënjeshtrat, gjithmonë në funksion të zbërthimit të karaktereve të personazheve. Xha Shaho e Xha Baxho, janë shokë fëmijërie, i pari i prirë drejt dijes, mancipimit e përparimit, i dyti drejt egërsisë, krimit dhe hajdutërisë. Xhuzepe, një shkencëtar antropolog, i mbetur nga lufta e parë botërore në Kajat, hap shkollën e parë ku shquhet Baxho e Shaho. Kur vjen rasti, Xhuzepe merr me vete Baxhon e Shahon fëmijë për studime. Baxho plekset me shoqëri të ligë dhe e kthejnë prapsht, Shaho vazhdon studimet. Aty studenti i ri dashurohet me Nildën gazetare. Xhuzepe, duke parë prirjet e mëdha shkencore të Shahos student, i sugjeron të studjojë për gjenetikë. Ndodh lufta e dytë. Pas shumë skenave dramatike, të cilat s’po i permëndim, Shaho shkencëtar gjenetist, asistent i profesorit të shquar K.K., kthehet i detyruar përfundimisht në fshat, ku nga farë e butë, shndërrohet përsëri në farë të egër. Martohet dhe lind Pelon. Ndërkohë Baxho si kriminel dhe hajdut, bëhet kryetar i një grupi terrorist (gjatë luftës së dytë, thjesht për bindje vret 12 veta dhe i heq zvarrë në mes të fshatit)
E tashmja është një çast. Pa u kuptuar në kaosin universal vjen e ardhmja. Xha Shaho ka marrë Ritën nuse për Pelon, vajza e një shoku të tij, me të atin dhe vëllanë e pushkatuar, të internuar diku… në pjesën perëndimore të Shqipërisë qëndrore. Nëqoftëse profesorit K.K. dhe asistentit të tij, ( tashmë një tjetër e jo Shaho ), si vazhdues të denjë të shkencës të seleksionimit të llojeve të Darvinit, të gjenetikës së Miçurinit, etj. u akordohet çmimi “Nobel”, Xha Baxhos i jepet titulli “Hero i Popullit”. Pikërisht në këta vite të pleqërisë së thellë, i gjen Admeti kur vjen në Kajat.
* * *
Sipas konceptit të materializmit dialektik dhe historik, i evidentuar në mënyrë konkrete në shkencat gjeologjike (edhe pse hipotetike), asgjë në këtë botë nuk është e qëndrueshme dhe e përjetshme. Çdo gjë e qëndrueshme në aparencë është në lëvizje dhe në shpërbërje të vazhdueshme, në kërkim të një formë ekzistence më të lartë, në kërkim të përsosmërisë së saj. Kjo vetkuptohet, është kriza e lëndës, d.m.th. materies. Pa këto s’do kishte zhvillim dhe përparim. Në fund të fundit, të gjitha këto ndodhin brënda dimensionit kohor, ku njeriu është “lënda” më e privilegjuar dhe padyshim ndërgjegjia më e lartë e saj. Për pasojë, s’ka sesi që “kriza” e sipërpërmëndur të mos na çojë tek “kriza” kohore. Thjesht në kuptimin e ngushtë filozofik, koha do të ishte e pakuptimtë pa materien dhe njeriun d. m . th.shpirtin e gjallë, i cili i gjykon këto gjëra, që pa të, do të ishin shkretëtira absurde e të pakuptimta. Pikërisht në këtë kontekst, Xha Shaho mbart brënda vetes tre drama të mëdha: krizën e kohës, krizën e personalitetit dhe krizën e familjes d.m.th. të gjenetikës, të vazhdimësisë së llojit të kultivuar. Ky është padyshim personazhi më dramatik, më i ndërlikuar, e më i dhimbshëm i romanit “Kukullat e Pyllit”.
* * *
Nëqoftëse krimi i Raskolnikovit, (njërit nga personazhet më të mëdhenj të letërsisë botërore) të romanit “Krim e Ndëshkim” të Dostojevskit, do të ishte zbuluar, romani do të përfundonte patjetër në një roman të rëndomtë policor. Megjithëse të gjithë e dimë si lexues që Raskolnikovi e bëri krimin, as hetuesia, as organet e tjera të drejtësisë s’ishin në gjëndje të vërtetonin krimin e bërë prej tij dhe asnjëherë krimi i tij s’doli në dritë. Pikërisht këtu qëndron gjenia e Dostojevskit. Shpalosja e nënshtresave të psikologjisë, të koshiencës e subkoshiencës së njeriut, përbëjnë pa dyshim një zbulim të tuneleve, të labirintheve të errëta të universit të shpirtit.
* * *
Ne marrim vesh, me një lexim të vëmëndshëm të romanit “Kukullat e Pyllit”, se i biri i Baxhos fyen publikisht Pelon duke i kërkuar Ritën e bukur “një natë për grua”. Dimë që Pelua plagoset rëndë dhe një natë, (kohë më vonë), Pelua i thotë Ritës –gruas: “e po ç’mund të bëhet me këtë?” dhe ajo i thotë : “mjafton dhe kaq”. Dimë që Xha Shaho i dëgjon të gjitha këto i tronditur. Dimë gjithashtu që Rita, netëve me vetëtima dhe bubullima, si një fantazmë e veshur me të bardha shkon në pyll. Nuk merret vesh mirë, kjo po ndodh tani kur “Ajo”- Rita, sa është kthyer nga gjethja ku varej në degë të rrapit, netëve me stuhi d.m.th. kur ishte në krizë nervore? Kur ndodhën të gjitha këto?-Tani?-Para pesëdhjetë viteve apo pas pesëdhjetë viteve?…
“Harroje atë ,- tha më në fund Pelua”.
“Rita vuan shumë që ti e pe dhe i the , por në të vërtetë nuk ka qënë ajo”.
Jo përsëriti ai (Admeti , shënimi im ). Më ka ndodhur njëherë me një shokun tim student: më tha për të dashurën e tij “është putanë”, e solli në dhomë. Dhe kuptohet, unë e bëra… atë punë. Më vonë e mori grua e më thoshte: “Mbaje sekret …s’ishte ajo”. (citim nga romani)
* * *
Këto përbëjnë padyshim “krizën e familjes” të para në kuadrin e gjenetikës d.m. th. të vazhdimësisë të llojit të kultivuar . Çelësi i “krimit” ose më saktë i së fshehtës misterioze që shoqëron Xha Shahon hap pas hapi, është çasti kur ai dëgjon : “Po ç’mund të bëhet me këtë”?! Të njëjtin krim, sipas mënyrës së saj e vuan dhe Rita (ndoshta shumë më tepër, gjersa bën dy jetë: njërën të zakonshmen dhe tjetrën fantazmagorike.) Pelua gjithashtu ka dramën e tij (edhe pse i paaftë për të bërë dashuri), ka katër fëmijë të bukur e të shëndetshëm. Mënyrat dhe mjetet artistike që ka gjetur autori, gjëndjet flurore pezull, sikur të mos kenë ndodhur kurrë, por janë veç ëndërra, iluzione, delire; është ndoshta nga zgjidhjet më të drejta të këtij problemi kaq delikat. Të gjitha këto na jepen në një kohë disi jo reale ku, të qënurit dhe të mosqënurit, dikushi dhe askushi, e vërteta dhe gënjeshtra, e mira dhe e keqja, shkrihen me njëra –tjetrën, por edhe veçohen, duke ruajtur secila pozicionin e vet. Njëlloj si elektronet dhe protonet me bërthamën (në mikrobotë), që edhe pse të veçuara, vërtiten rreth saj me një unitet të pazgjidhshëm.
“Pse , – do të ndërhynte Admeti, – nuk ka ndodhur asgjë nga ato?
-Kurrë do përgjigjej plaku.
-Po Xhuzepja?
-Jo.
-Po Baxhua ka vrarë e ka grabitur?
-Jo.
-Po me Nildën?…
-Nuk kam njohur ndonjë Nildë.
-Po me Ritën ?…
-Rëndësi ka që fëmijët të jenë vazhdim i fisit. (citim nga romani)
Me pohimin e fundit, për herë të parë Xha Shaho na hedh një rreze drite për misterin në raport me Ritën edhe pse, me një thënie tepër flurore dhe ekuivoke. Dhe duke dashur ta kompletojë këtë ide, në kapitullin e mëpasshëm vazhdon: “Kur linda e u rrita, për fatin tim të keq, këto i mësova mirë, paskeshin qënë kode të shkruara në gjuhë të pakuptueshme, urdhëra e shtampa, të cilave duhet t’u bindeshe”…(citim nga romani) .
* * *
Pra, nga sa thuhet në esencë në kapitujt e mëparshëm dhe sidomos në kapitullin e 12-të: “Iu duk se po shikonte fantazma që kishin ardhur e humbur në një kohë tjetër, që s’mund të quhej as jetë, as ëndërr, por thjesht trillim” etj. (citim nga romani) ose “Ajo që është bëhet, ka qënë e më pas, ose nuk ka qënë fare, ose e mendojmë ne si duhet të ketë qënë ; pra bëhet iluzion” (citim nga romani).
Fjalët “trillim” dhe “iluzion”, që autori i shndërron në metafora, na bëjnë të mendojmë se njeriu është një qënie e verbër, që ecën kuturu nëpër univers, është askushi që shkon drejt asgjëkundit. Me dy fjalë hiçi që shkon drejt hiçit. Është ky nihilizëm Niçean, apo, po të mendojmë me mënyrën e autorit, d.m.th. me perceptimin dhe konceptimin e gjërave, fateve, fakteve, mikrongjarjeve dhe mikrodramave, fenomeneve shoqëroro-historike, fenomeneve natyrore të mikro dhe makrobotës, pra nga protoplazma, spermatozoidi, atomi, hibritet, e gjer tek luftrat botërore, që atrofizojnë dhe asgjësojnë padrejtësisht fate të tërë njerëzorë, mos duhet t’i japim të drejtë autorit?
I tillë mishërohet në roman Xha Shaho dhe më pak Admeti. Të mos keqkuptohemi, romanit s’i mungon absolutisht dritëzimi i jetës dhe dashuria njerëzore.
Nëqoftëse do të shtronim pyetjen: përse e bëri kështu dhe jo ashtu? – do të ishte njëlloj sikur t’ thoshim autorit: pse ke dalë nga kafazi i hekurt. Mjetet, format, gjetjet artistike origjinale, mënyra e të konceptuarit në ndërtimin arqitekturor të një vepre letrare, janë atribut i brëndshëmi i shpirtit dhe i psiqikës së krijuesit. Pa këto s’do të kishte origjinalitet, por vetëm shtampa. Në këtë kuptim, nga leximi i romanit “Kukullat e Pyllit” nxjerrim dy përfundime:
1.Autori, si një shpirt vibrues, ngrihet i rebeluar kundër letërsisë mediokre-apatike, uniformizmit, skematizmit dhe shablonizmit, korit të papagajve, pjella të një metode letrare të ngurtë e të degraduar. ( Pa mohuar shpërthimin e disa talenteve të mëdhenj edhe pse, brënda kësaj kornize) P.sh. Xha Shaho, Admeti, pse jo dhe Xha Baxhua, (sipas mënyrës së tij).
2.Në bazë të aksiomave themelore që përmëndëm në këto shënime (duke u nisur dhe nga vëllimi dinjitoz poetik : “Vetvrasja e qirinjve”, autori Hiqmet Meçaj materializon konkretisht, pa i lënduar aspak pushin e butë liriko –filozofik, vlerat e mirëfillta artistike të romanit “Kukullat e Pyllit”, rrymën e re letrare të emërtuar prej tij: “MIKROBOTIZËM”
Mendoj se me këtë roman, shkrimtari Hiqmet Meçaj, edhe nëqoftëse nuk i hapin udhë, (siç ndodh zakonisht), hyn denjësisht në radhën e parë të prozës moderniste shqipe. Është detyrë e kritikës dhe studiuesve të letërsisë të zbërthejnë e të nxjerrin në dritë vlerat e plota dhe dobësitë, (nëqoftëse ka), të këtij romani.
Athinë,
8 – 1- 2002
(marrë nga gazeta e Athinës)
NJË ROMAN PËR JETËN NGA SPEKTRI I MIKROQËNIES
(Për romanin e Hiqmet Meçajt “Kukullat e pyllit”)

Nga Dr. Xhemal Ahmeti
Kur një prozator arrin që edhe personazhin e rastësishem, sporadik ose ilustrativ ta paraqes aq të gjallë dhe aktiv saqë pas leximit mund ta vizatojmë në sajë të kujteses, atëhere ai ka mbrritur në Olimp, edhe atëhere në rast se ai ankohet si Hiqmet Meçaj “qënka e lodhshme të arrish në Olimp edhe kur s’ështe atje Zeusi”².
“Një libër si ky s’rri në vitrinë, s’do ta mbyllësh kurrë, nuk ka fund, i hap faqet turbulluar krejt, i lexon, i përkëdhel, i puthë.”? Kjo është motoja që do të duhej të hapte romanin “Kukullat e pyllit” të Hiqmet Meçajt. Kjo devizë do të ndihmonte sidomos ata që nuk dijnë se si të sillen me realitetin (e djeshëm e të sotëm) pa e bërë partner jete infarktin. Para “Kukullat e pyllit” në periudhën postdiktatoriale, asnjë autor shqiptar nuk ka sjellur biografinë e “epokës së kuqe” me kaq objektivitet dhe me kaq sinqeritet. Ciltërsi që therr deri edhe në ashtin më të dhjamosur të ndërgjegjes shqiptare: si viktimën ashtu edhe të privilegjuarin e “pyllit të egër” kajatan “kronisti” i pakompromis Hiqmet Meçaj i nxjerë para pasqyrës lakuriq, pa u lënë atyre mundësinë për të fshehur ndonjë pjesë të pahijshme të karakterit human.
Në ç’gjendje psikike e shpirtërore duhet ta sjell veten një njeri për ta trajtuar dramën ku edhe vete ka qënë viktimë pa nevojën e zjarrtë të hakmarrjes, pa u shndrruar në një Rambo që fshijnë nga toka çdo gjallesë që ia zë rrugën (si shumica e shkrimtarëve që pas diktaturës po lajnë hesapet me armiqt e tyre)? Si ka pasur mundësi Hiqmet Meçaj të rrëfej pa e ekzekutuar në roman së paku atë shefin e Tiranës që e hedh në atë fshatin ekzotik “ku pula han vetëm gurrë” me emrin Kajat? Si? Hiqmet Meçaj eshte poet. Poeti i njëmendte është i paaftë, i pazoti madje t’ia heq qafën edhe një gjeli në ngordhje e sipër, e lëre ta shpor një njeri nga bota. I paaftë madje ta eliminojë edhe ndonjë personazh që pa lejen e tij i ka hyrë në rrëfim dhe që rrezikon t’ia nëpërkëmb harmoninë estetike tregimit. As atë s’do ta vriste dot babai i vargjeve si “Rruga ime, prej drite le të jetë edhe në më djegtë”. Ky është “mallkimi” i poetit Meçaj që edhe armikun e trajton me dashuri. Poet, pra!
2.
Admetit nuk ia zë rrugën më asgjë për ta marrë ndonjë post të mirë në kryeqytet. Kështu mendon ai para se të hyjë në zyrën e shefit. Ai mendon se nuk e ka ngucur sistemin në nerv, nuk ka bërë asgjë të pahijshme, me sukses ka mbaruar studimet, kështu që patjetër të marrë ndonjë post të merituar. Ndryshe s’mund të jetë. Po, po, edhe ndryshe mund të jetë. Këtë e kupton pasi që e braktis zyrën e shefit, i cili e urdhëron të bëhet mësues në një fshat malor e që nuk ekziston në asnjë hartë. Pse? Admetit nuk i kujtohet asnjë çast madje edhe në ëndërr të ketë bërë diçka kundër sistemit, pse ai e dënon në këtë mënyrë? E ku ta dijmë se ç’traktatesh poetike për përmbysjen e pushtetit ka thurrur ky Admeti i sjellshëm në ato vjershat e tij, që as çenzoret më të mprehte të shtetit nuk iu bien në fije. Kjo është ndoshta arsyeja: çenzorët kanë hasur diçka që nuk e kanë kuptuar (ose e kanë kuptuar) dhe i kanë dhënë alarm pushtetit. Arsyetimi ka mundur të duket kështu: “Poezitë e qytetarit dhe autorit A. janë tepër misterioze. Përmbajnë ca figura, metafora e imazhe që nuk i krahasojmë dot me ato që i njohim. Deri sa të zbërthejmë ato e lusim partinë të rijë në distancë nga ky njeri”. E kjo shqip do të thote: shporeni në Kajat, kur të bëhet çenzura e mençme sa duhet që ta kuptojë poetin, atëhere ose e internojmë, ose e privilegjojmë ose e asgjësojmë fare dhe pikë.
I zhgënjyer dhe i dëshpëruar Admeti mbrrin në Kajat, në atë copë të humbur planeti, në atë botë të imët ku jetojnë mikroqëniet, ato qënie që fillimisht duken aq të vlefshme sa një turmë mizash mbi një grumbull muti të tharrë e që dikur i ka studiuar doktor Shahoja të profesori italian me namë boterore K.K.
Admeti bëhet qytetar i mikrobotës. I njerëzimit në miniaturë. Këtu nuk nis vetëm historia e një intelektuali të degraduar nga diktatura, por edhe ajo e Shahos dhe Baxhos, e fantazmës, e nënvetëdijes (që shfaqet në formë të ëndrrës) e parasëgjithash nis rrëfimi i botës dhe jetës nga mikroperspektiva – nga njeriu i kërrusur në pozitën e insektit.
3.
Elementet biografike në romanin “Kukullat e pyllit” janë skeleti i rrëfimit. Hiqmet Meçaj pasi diplomon fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dërgohet si mësues në shkollën fillore të fshatit Rexhepaj. Po si Admeti edhe Hiqmeti qysh në kohën e studimeve boton libër dhe konsiderohet si shkrimtar i suksesshëm. Këto janë vijat që luajnë rol në formësimin e jashtëm të rrëfimit. Në atë të brendshmin rrëfimi autobiografik mbetet si burrim fabulash, por jo edhe si strukturë kryesore e rrëfimit. Aty shkruhet mjeshtërisht biografia e kohës, përshkruhet në mënyrë të perimtuar lufta që bëjnë personazhet, pavarrësisht pozitës dhe statutit social, për të mos vdekur nga monotonia, nga pushteti i kotësisë që e gërryen shpirtin e kajatanëve. Meçaj zhytet thellë në botën e fshatarëve të Rexhepajve për të kuptuar universin e tyre, që nga jashtë nuk e zbulon as me llupën më të madhe të qytetërimit. Autori nga ky stad tërhiqet nga bota formale, e jashtme e jetës së fshatit (prandaj nuk letrarizon aktivitetin e tij në fshat) dhe futet në atë thelbësoren, të padukshmen, në historitë intime dhe të kaluarën e tij. E bën këtë për t’i ikur monotonisë vrasëse të jetës aty apo thjeshtë për t’u zbavitur, nuk ka rëndësi. E rëndësishme është se ai suksesshëm depërton në shpirtin e atyre qënieve të vogla (mikroqëniet) dhe nga pozita e tyre prej imtësirash shpalos botën dhe jetën e qënies humane të zhveshur prej çdo kozmetike të mundshme.
4.
As lexuesi që s’ka jetuar në ato rrethana, e as ai që nuk ka pasur mundësi ta njohë atë botë as në fantazi në “Kukullat e pyllit” mund ta shoh atë botë në film. Aftësia përshkruese e Hiqmet Meçajt është gjeniale, e kulluar dhe aq e prekshme saqë edhe i verbëti i sheh skenat që zhvillohën nëpër Kajat. Lehtë i parafatyrojmë personazhet aktive si; Admetin, Shahon, Baxhuan, Ladinan, Billin, Linan, etj. Por, po aq lehtë i takojmë edhe personazhet pasive si banakieri Simo, shefi, kolegun e studimeve Afrimin, profesorin K.K, Xebën e Shahos e të tjerë. Kur një prozator arrin që edhe personazhin e rastësishëm, sporadik ose ilustrativ ta paraqes aq të gjallë edhe aktiv saqë pas leximit mund ta vizatojmë në sajë të kujtesës, atëherë ai ka mbrritur në Olimp, edhe atëherë në rast se ai ankohet si Hiqmet Meçaj “Qënka e lodhshme të arrish në Olimp edhe kur s’është atje Zeusi”².
5.
“Kukullat e pyllit” janë dy libra në një. Dy romane të mbështjellur me një palë kopertina. Njëri roman ka për kryepersonazh Admetin dhe rrëfen jetën e tij në Kajat në kohën e diktaturës, ndërsa tjetri roman me titullin “Shënimet e Shahos” ka për kryepersonazh Shahon dhe jetën e tij para, gjatë dhe pas diktaturës. Një roman filozofik mbi dytësorin – mbi dy pjesët e një qënie që e përjashtojnë njëra tjetrën, por që nuk jetojnë dot të ndara.
Hiqmet Meçaj ia ka dalë të shkruaj dy libra të përveçëm që në kohë e hapësirë nuk përputhen, janë biografi të ndara dhe që mundet botuar veç e veç, por që pa qënë bashkë nuk e kanë urën për të kaluar nga njëra te tjetra dhe anasjelltas. Autori ua kushtëzon jetën të dy kohëve me bashkëjetesën. Ashtu siç ia kushtëzon jetën Admetit të jetojë në paqe me Billin edhe atëhere kur ai nxjerr revolen dhe do duel. Romani “Kukullat e pyllit” është libri që na mëson se si mund të pajtohemi me unin tonë pa e vrarë veten, pa jetuar në gjëndje absurdi, pa urrjetur, se si mundemi të jetojmë me fantazmat dhe ëndrrat tona edhe kur ato janë të çmendura fare, se si mund gjykojmë botën me objektivizëm edhe atëhere kur vetë jemi të involvuar ose viktimë në proçesin e shembjes ose poshtërimit të saj.
Hyqmet Meçaj rrëfen bukur edhe kur i duhet të vizatojë thikën e Baxhos duke pikuar gjak. Ai nuk shndrrohet në mbret apo Zeus për të parë nga lartë se si jetojnë të vdekshmit, jo ai shndrrohet vetë në një nga ata qëniet modeste për të rrëfyer pastaj storien autentike të tyre. Hiqmet Meçaj ia ka dalë më mirë se ndonjë autor tjetër, të flasë për kohën e diktaturës pa u përcirë, pa gjykuar e dënuar njërën apo tjetrën palë, por duke i përshkruar ato vetëm si karaktere humane, si qënie të sjella nga perënditë pa vullnetin e tyre në një kohë dhe hapësirë të vdekshme të globit.
Keto dhe shumë arsye të tjera e bëjnë romanin “Kukullat e pyllit” ndër romanet e rëndësishme të letërsisë postdikatoriale. Këto dhe shumë arsye e bëjnë këtë roman “një libër si ky s’rri në vitrinë, s’do ta mbyllësh kurrë, nuk ka fund, i hap faqet turbulluar krejt, i lexon, i përkëdhel, i puthë.”.
——————————————————————————-
1. Hiqmet Meçaj, libri “Vetvrasja e qirinjve”, poezia “Hapur si fletore” fq. 65
2. Po aty, poezia “Libri Mikrobotizëm”, fq.35
@Që nga 2006. Revista Letrare Admet. All Rights Reserved.