PASQYRA E LËNDËS
(nga fundi në fillim)
15-POEZI KOSOVARE PËR FËMIJË (POEZI PËR FËMIJË NGA ZEJNULLAH HALILI)
14-POEZI PËR FËMIJË NGA YMER ELSHANI
13-POEZI PËR FËMIJË NGA AGIM DEVA
12-POEZI PËR FËMIJË NGA VEHBI KIKAJ
11-POEZI PËR FËMIJË NGA RIFAT KUKAJ
10-POEZI SHQIPTARE PËR FËMIJË (POEZI PËR FËMIJË NGA NDRE MJEDA)
9-POEZI PËR FËMIJË NGA ADELINA MAMAQI
8-PROZË SHQIPTARE PËR FËMIJË (PROZË PËR FËMIJË NGA BEDRI DEDJA)
7-POEZI SHQIPTARE PËR FËMIJË (POEZI PËR FËMIJË NGA TASIM GJOKUTAJ)
6-POEZI PËR FËMIJË NGA XHEVAT BEQARAJ
5-PROZË SHQIPTARE PËR FËMIJË (PROZË PËR FËMIJË NGA GAQO BUSHAKA)
4-POEZI SHQIPTARE PËR FËMIJË (POEZI PËR FËMIJË NGA QAMIL GURANJAKU)
3-POEZI PËR FËMIJË NGA ODHISE GRILLO
2-POEZI PËR FËMIJË NGA NAIM FRASHËRI
1-PROZË SHQIPTARE PËR FËMIJË (TREGIM PËR FËMIJË NGA VIRON KONA, TRIMËRITË E BUBULINOS)
POEZI KOSOVARE PËR FËMIJË
ZEJNULLAH HALILI
(1945-2008)

Zejnullah Halili lindi më 1945 në fshatin Kokaj, Gjilan. Studimet për letërsinë shqipe i kreu në Prishtinë. Zejnullah Halili me krijimtari letrare nisi herët. Punoi si gazetar, redaktor, udhëheqës i emisioneve për fëmijë të RTV Prishtinës, etj. Ka lënë 26 vepra të ndryshme letrare për fëmijë dhe të rritur.
Disa libra të tij janë:
Ylberi, 1969
Shitësja flokartë, 1971
Ç’thonë pulëbardhat, 1973
Eshkë e dritë, 1977
Lamtumirë shkurtabiqë, 1983
Vendlindja shihet me zemër, 1984
Përralla lozonjare, 1987
Qirinj të ndezur, 1988
Pikaloshja, 1988
Mollëkuqja, 1989
Ylli t’na hyj në mes, 1990
Udha kah agu, 1993
Lulëshqiponja, 1993
Si u bë pikalorja bletë, 1997
Dallga, 1998
Djaloshi brenda mollës, 1999
Ëndërr e këputur, 2000
Pres orën tënde, 2001
Unazë, 2004
ME JU KRIJOJ
Me ju krijoj kaq e kaq fatmirësi
fanar më bëhen dëshirat,
Me ju krijoj dritëza jete-flori
qershizat. Të arrirat.
Me ju krijoj të bukurya gurra lirike
pyllthin larishtë,
Me ju krijoj matinetë poetike
bëj dafinishtë.
Me ju krijoj. Kam fjalët grosh
e nuk i zë ngushtë;
Me ju flatroj, rend malit përposh
nuk shpoj me ushtë.
Me ju krijoj bedenet e kalasë së re
jap beriha,
Me ju krijoj të rrallë një trofe
s’ja mbaj va pa va.
Me ju krijoj. Nxjerr farën prej gurit
s’bëj vrimë në uj’;
Me ju krijoj llampën e mërkurit,
bukën e bardhë mbruj.
Me ju krijoj. Bukurinë në dritv nxjerr
shtegu hapur në galeri,
Me ju krijoj ylberin-o ag e terr
këtu e në lashtësi.
Me ju krijoj të re fare një përrallë
një lis fletashumë,
Me ju krijoj, bukurezat i vë në ballë,
zogjtë në trumë.
Me ju krijoj, lumenjtë i bëj vardar
të rrjedhin me vërtik,
Me ju gëzoj. Kam fat në jetë, kam zar
kam fyellin ilirik!
UDHA E NDRITUR
Dhe vjen ҫast i pritur
ҫast fare i rrallë.
Të hapet udhë e ndritur
e ti hyn në përrallë.
Nisesh që nga ëndrra
hidhesh n’përqafim
oh, sa të ndritka nuri
voc në këtë udh’tim.
Udhëza e uruar
me dy brigjet push,
të pushton – gëzuar
pa të rrit, vogëlush,
pa të merr përdore
pup-pup në yllësi,
te ëndrra n’ndritësore
të shfaqë mrekulli.
Pa të hip në ujëvarë
Me shkronjëza t’shoqëron,
Veni n’kep të bardhë
Nga atje fluturon!
TA ZGJOSH MËNGJESIN
Me bebëza portokalli
ta zgjodh mëngjesin
dritën
ditën.
Në sy t’kesh yje
Gropë e trishtë
t’mos fanitet
as në ëndërr.
Ta zgjodh mëngjesin
me luzmë dëshirash
për degën e blertë.
KUNDREJT KODRINAVE
Kundrejt kodrinave në një luginë
magji më bëri një trëndelinë.
Zhaurimë e përroit, ҫ’thua moj,
zëra gazmorë nga ti dëgjoj.
Shoh zogj të kaltër. Më tutje ҫerdhe
ëndërr lozonjare këtu si më erdhe?
Po ajo ftujë ҫ’më thotë në varg
vekrrimë e saj më erdhi nga larg.
Po ajo re në të qiellit qepallë
me ato lulka, kujt m’i ngjan vallë?
Pa shih, pa shih se ҫ’trendelinë
sa mahnitëse e paska magjinë!
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)
YMER ELSHANI
(1948-1999)

Ymer Elshani lindi më 1948 në Korroticë të Poshtme të Drenasit. Kreu fakultetin për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe një kohë të gjatë punoi në arsim. Botoi dhjetëra libra për fëmijë me poezi, tregime dhe romane. U vra dhe u masakrua më 17 prill 1999 nga forcat serbe në fshatin Poklek të vjetër të Drenasit bashkë me gruan, të katër djemtë, nënën, kunatën dhe me afro gjashtëdhjetë bashkëfshatarë të tij.
Veprat e tij më të njohura janë:
“Çka ëndërrojnë lulet”
“Plaku me violinë”
“Unaza magjike”
“Ndodhitë e hundëkarotës”
“Guri i Çmueshëm”
ÇELËSI I ARTË
Çelës i artë është – mirësia,
Çelës të tillë pranvera ka;
Tërë natyrën
Ngjall, bleron –
I gëzon njerëzit në botë shqim
Dhe çdo zemër hap – pushton!
Çelës i artë është ngrohtësia,
Çelës të tillë dielli ka;
Botën ngjall,
I jep jetë –
Nuk kursen rrezet e tij
Dhe çdo zemër e hap lehtë!
Çelës i artë është – fjalë e ëmbël,
Çelës të tillë mund të kemi
Unë e ti,
Të gjithë sa jemi;
Fjala e ëmbël bën mrekulli –
I hap zemrat si me magji!…
SHQIPONJA
Shqiponja e mprehtë – vetëtimë,
Vetëtimën e ka marrë –
Nga retë e qiellit.
Bebëzat e mbushura –
Shkëlqim,
Shkëlqimin e ka marrë –
Prej rrezeve të diellit.
Në qiellin e gjerë arbëror
Valon si flamur – kurorë.
Krahët – shkëmb i fortë,
Fortësinë ia kanë rritur –
Ndeshjet me stuhi.
Zemrën – flakadan i plotë,
Zjarrin ia ka shtuar –
Etja për liri!…
Në qiellin e gjerë arbëror
Qëndron si roje – kurorë.
ASNJË DITË KOT NUK VJEN…
Asnjë ditë kot nuk vjen
Sjell dhurata – a s’e vëren?
Bletës një shportë mjaltë –
Pas fluturimit t’gjatë;
Minatorit xehe shumë –
Pas djersës t’derdhur lumë;
Lokomotivistit – udhëtime t’reja –
Nga Lublana der’te Peja;
Muratorëve – në soliter
Një kat të ri përnjëherë;
Lonit, Teutës e Meritës
Pesa n’detyra t’matematikës;
Mollës së re – plot sytha;
Kërmillit t’vogël – dy britha;
Peshkatarit larg në det
Pas lodhjes – peshk në rrjetë…
Asnjë ditë kot nuk vjen
Sjell dhurata – a s’e vëren?
Se ç’do t’marrim peshqesh
Do të varet dhe – prej nesh…
METEORËT E TOKËS
Llambat –
N’koka t’minatorëve
Kur zbresin n’galeri me radhë
Ngjajnë
Në meteorë të bardhë
Fenerët
E xixëllonjave që enden
Mbrëmjeve mbi lumë, sharrak
Ngjajnë
Në meteorë endacakë.
Sytë e nënave
Kur i përqafojnë fëmijët
Me dashuri të zjarrtë
Ngjajnë
Në meteorë të artë.
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)
AGIM DEVA
(1948-2009)

Agim Deva u lind më 1948 në Beograd. Shkrimtar shqiptar dhe pedagog i Universitetit të Prishtinës. Kreu Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Punoi si gazetar në “Zërin e rinisë” dhe më vonë qe kryeredaktor i parë i “Gazetës së pionierëve”. Botoi një numër të konsideruar veprash letrare (prozë e poezi), në 80 vëllime. Poezitë e tij u përkthyen në disa gjuhë të huaja si në anglisht, gjermanisht, arabisht, italisht, rusisht, sllovakisht, rumanisht, kroatisht, turqisht, sllovenisht, maqedonisht, etj.
TË MBJELLIM NGA NJË DRU
T’mbjellim të gjithë nga një dru,
e çdo dru ta sjell një zog,
e çdo zog ta sjell një këngë,
e çdo këngë një kënaqësi,
ajër të pastër në mushkëri,
e çdo gjeth me jetë të vet,
pluhurin mbi ty- e pret,
si ombrellë,
që t’kesh – shëndet.
Vetëm duhet – pak kujdes,
pak kulturë e pak vullnet…
e të zbresë mali në qytet.
Do t’i dëgjojmë ciu-ci,
zogjtë e tu e zogjtë e mi.
NËNËS
Puthjen e parë
Nënës.
Lulen e parë
Nënës.
Vizatimin e parë
Nënës.
Letrën e parë
Nënës.
Të fshehtën e parë
Nënës.
Se nëna më lindi,
Mua në maj
Dhe askush tjetër,
S’më lindi përveç saj.
NATËN, KUR FLEN DESPINA…
Natën, kur flen e bardha Despinë,
natën kur kotën fenerët ndë kulla,
natën, por jo n’mal as n’lendinë,
kitra e ujku luajnë me pulla.
Dhe kah mesnata arithi zgjohet,
i fërkon sytë e i gëzuar thotë:
– Sonte kjo natë duhet t’festohet,
se përveç mjaltës gjeta kompot.
Derri tund qetas laprat e veshit,
e kujton vetin si derr me famë:
– Pra unë nuk qënkam veç i përsheshit,
surratin tim shihja n’reklamë!…
Natën, vonë natën, kur flenën beci im,
natën kur kotën fenerët ndër kulla,
natën, shpesh ndodh që n’vetëshërbim,
kitra e ujku t’luajnë me pulla.
DJEPI
Më vjen vërtetë keq
që nuk na kujtohen
ato çaste te vokta
që në djep jetohen
Edhe pse të varfër (me tri-katër pula),
në djep na ushqente nëna me ninulla…
E gjyshja gatuente
nga një bukë qerepi,
(kështu thonë, se mua
s’më kujtohet djepi!)
Mirëpo, sot, or mik,
djepin kur e shoh
gjithënjë, e më pak
veten e njoh
dhe vështirë, vështirë nënës i besoj
se në të për spari fillova të rroj,
Madje, n’jetë si foshnje
shkela – trimërisht…
Me ëndrra luftoja –
horizontalisht!…
Djepi im i vogël!
O djep i uruar!
Po, vallë, një ninullëz
s’e ke merituar?…
“M’u rritsh bir’ i nënës!”, dheu rrita burrë,
po ti djep i dashur nuk u rrite kurrë,
mbete skutë sa grima,
sa një bebzë në sy,
sa ditët e para
që i kalova n’ty!
Më vjen vërtetë keq
që nuk e mbaj mend,
djepin ku prapë foshnjet
ndërrohen me rend!…
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)
VEHBI KIKAJ
(1942-1986)

Vehbi Kikaj u lind më 1942 në fshatin Lupç i Poshtëm të Podujevës. Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe punësohet si mësues, pastaj punoi si redaktor i faqes së fëmijëve në gazetën “Rilindja” deri me 1968, kurse prej viti 1984 punoi në revistën “Pionieri”. Prej vitit 1984 e deri në vitin 1986, kur ndërroi jetë, ishte kryeredaktor i revistës për kulturë, art e letërsi “Fjala”. Është njëri nga shkrimtarët tanë më të shquar për fëmijë. Ai shkroi pak për tridhjetë vjet të krijimtarisë së pandërprerë letrare: rreth njëqind e tridhjetë poezi, shtatë tregime dhe një roman.
Disa nga veprat e tij janë:
Gurrat
Zogu i argjentë
Shtëpia ime ka sy
Ecjen e mësoi prej lumit
Dukati e fjala
Havakushi
Drandafili im
Tri gëzime
Djaloshi i gurtë
Princi i mjerë
Në lundrën “Teuta”
Sarajet e bardha
Lokja
Pyetje pa kuptim
Sa gëzim ka lumi
Ti, dëborë, ke mbuluar shtigjet
Me xhaketën kuqezi
PEMËT NË VERË
Mollës së hollës
iu ka tharë fyti,
për një gotë ujë
Dielli e mbyti.
Dardhës -së bardhës
iu ka tharë dora
nga vapë e verës
lëngon e gjora.
Kumbulla -sumbulla
s’mund t’i thotë kuj:
si t’shkojë të lumi
të pi pakëz ujë.
I pari -kopshtari
zgjohet që më natë,
pemëve të etura
u jep limonatë…
E NISËM NJË SHTATOR
Erdh shtatori me erë molle,
Shtatori mbi qerre me rrush!
N ‘agim dëgjoj zile shkolle,
E rrugës vrapon një vogëlush.
Romakët sulmojnë me shpata,
Ilirëve iu prin Teuta…
Si ndërrohen dita e nata?
Duhet t’flasësh pa u nguta.
Po s’dite ligjin e Arkimedit,
Merr librat e fle mbi to!
Kimisti t’pyet sipas rendit
Me formula t’veta – H2O…
Një shtator, e nisëm një shtator,
Urë të gjatë na duhet kaluar.
E kjo urë e ka fundin n’qershor,
Kur t’kalojmë, përshëndetemi: Gëzuar!
DY SHITËSE TË LULEVE
Zbresin n’qytet në mëngjes
Të shesin lule me vesë.
Dhe sytë i kanë si lulet
Dhe fjalët si puhia kur ulet
Të lozë me gjethe në erë,
Të shpërndajë parfum-pranverë.
Para fontanës shesin lila:
“Xhaxha a don trëndafila?
Aguliçet kushtojnë lire
ja vjollcat ne doni me mire.”
Dy shitëse te fontana presin,
Pranverën n’qytet na e shesin.
NË QERSHOR
Pritnim të na ndajë librezat
mësuesi me kravatë të blerë
qershor ka qenë – me qershia
e lule të bukura me erë…
Një çast na harroi ne klase,
shikonte n’dritare të vet
po ç’dritare? Ai shihte kohën
dhe dinte në jetë ç’na pret.
Njëri e bart nëpër tela
fuqinë e lumit nën pyll,
tjetri bën shifra dhe mat
largësinë nga toka në yll.
Ky bën projektin e urës
a t’uzinës sipas dëshirë,
ai n’ledhe t’qytetit të zhdukur
lexon mbishkrimet ilire.
Një mjeke me ilaçe t’reja
jetën i zgjat një fëmisë,
një trim i prin batalionit
në roje t’atdheut e lirisë…
Kush e di më tutje ç’dëshironte
mësuesi n’dritare të vet,
po rruga që ai më tregonte
sa bukur, sa bukur – më pret.
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)
RIFAT KUKAJ
(1939-2005)

Rifat Kukaj u lind më 1939 në Tërstenik të Drenicës, studioi në Normalen e Prishtinës. Është prozator, poet, dramaturg, përkthyes dhe skenarist i letërsisë për fëmijë dhe të rritur. Shkrimtari Kukaj po ashtu ka udhëhequr programet për fëmijë të Radio Prishtinës dhe ka redaktuar librat për fëmijë të Shtëpisë Botuese “Rilindja”. Përktheu letërsi për fëmijë nga autor slloven, kroat, serb, e hungarez. Emrin e tij e mbajnë rreth 100 vëllime librash dhe 30 radio-drama.
Disa tituj të veprave të tij janë:
Xhuxhi nga Taxhuxhi (dramë humoristike)
Lepuri me pesë këmbë (skenarë filmi artistik)
Fshati i Pishës (1969, poezi)
Kokërmeli e Pilivesa (1971, roman)
Dita e xhufkave (1972, roman)
Shkrepi i Diellit (1972, roman)
Minaku i përhimtë (1973, roman)
Vjollca magjike (1974, roman)
Rrasa e Zogut (1975, roman)
Droja (1978, roman)
Dreri me një bri (1986, roman)
Xhuxhi nga Xhuxhishta (1998, roman)
Zogu i bardhe (roman)
Gogozheli i Gogozhinës (1999, roman)
Shkurtabiqi më i madh në botë (2000, roman)
Fshehtësia e breshkës (2002, roman)
Majmuni me kurorë mbretërore (2003, roman)
PËLLUMBI I BARDHË
Atij pëllumbi të bardhë
në botë më i miri,
që në sqep fort mban
një degëz ulliri…
Atij pëllumbi të lehtë
që po fluturon,
e besoj vërtetë
kur Dreni e pikturon..
Në sytë e tij ninëzat
e tua po shkrihen,
e në zemër ritmet
me tuat përtërihen…
Vizatoje, ngrije n’erë
duke e mbajtur në dorë,
sille disa herë
rreth globit tokësor!
ZOGU I LASGUSHIT
Yll i ndritur në natë qershori
Sikur ra prej gjithësisë,
Ngazëllyeshëm, sytë m’i mori
Në degë t’qershisë.
U purtekëm unë e gjethet
Qetë e lehtë me petalet,
Qielli vetë nisi të prehet
Edhe malet.
Kënga nga zogu i brishtë
Lindi krejt ëndërrimtare,
Dritë feksoi n’flatra e bisht
Dhe n’për dritare.
Gëzim, shpresë, në gji më derdhe
E hare të butë si pushi,
Zog-magji ti mirë se erdhe
Nga Lasgushi!
Ato porosi të larta
Te dritarja e shtëpisë
Po m’i thotë me vargje t’arta
Kalorësi i bukurisë.
NËNA
Ti ke pak zjarrmi
Vogëlushe Leonorë,
E nënës i digjet
Zemra në kraharorë.
N’mëngjes, po e zëmë
S’të hahet – nuk ha,
Urinë e tërë botës
Nëna at’ ditë e ka…
Oh, pa pandehur gishtin
E gërvishte pak,
E di ç’ndodh me nënën?
Zemra i pikon gjak!
Mbi shtrojën më t’butë
Ajo shpesh këlthet:
-Kam dro’ ndonjë pupël
Vashëzën mos ma vret.
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)
POEZI SHQIPTARE PËR FËMIJË
NDRE MJEDA
(1866-1937)

Ndre Mjeda u lind më 1866, në Shkodër. Prift, gjuhëtar, poet lirik dhe deputet shqiptar. I mbetur jetim nga i ati herët, me përkrahjen e jezuitit At Jung-ut u regjistrua me të vëllanë, Lazrin, në kolegjin saverian të porsahapur; ku studioi nga 5 prill 1877 deri më 1880. Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin “Marco Girolamo Vida” në Kremona. Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit, ku dhe u njoh me veprat albanologjike të Meyer e Pedersen. Më 1899 e abatit Doçi, u emërua famullitar në Vig dhe u anëtarësua në shoqërinë “Bashkimi”. Por më pas u largua dhe me të vëllain, themeluan shoqërinë “Agimi” i përkrahur edhe nga Xanoni e Logoreci. Më 1908 si përfaqësues i shoqërisë “Agimi” mori pjesë në takimet që u bënë me rastin e Kongresit të Manastirit. Më 1913-1916, pas mbarimit të rrethimit të Shkodrës, vijoi të shërbente si famullitar i Kuklit. Organizoi qëndresën kur serbët ripushtuan zonën dhe në ikje e sipër e arrestuan në janar të 1916. Gjatë pushtim-administrimit austro-hungarez, u thirr në Shkodër si anëtar i Komisís Letrare. Më 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës, u rizgjodh në dhjetorin e 1923; në famullinë e tij në Kukël kishte lënë zëvendës Dom Ndre Zadejën. Gjatë veprimtarisë parlamentare, Pas vrasjes së Avni Rustemit, Mjeda bashkë me kolegët e vet përfaqësues të Shkodrës, u kthye në Shkodër dhe në maj të 1924 nxit fshatarët e Kuklit që të përkrahnin revoltimin e njësive të ushtrisë që çuan drejt Lëvizjes së qershorit dhe qe pjesë e shtabit të kryengritjes.
U tërhoq nga jeta politike dhe u kthye në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër. Ndërroi jetë më 1 gusht 1937 nga një atak në zemër.
Tituj të veprave të tij janë:
Jeta e sceitit sc’ Gnon Berchmans (Jeta e Shën Gjon Berhmansit) përkthim. Romë, 1888.
T’perghjamit e Zojs Bekume (Vëgimi i Zonjës së Bekuar) përkthim nga spanjishtja. Romë, 1892.
Historia e shejtë përkthim nga “Katekizmi i madh” në tre vëllime dhe jetëshkrim i Shën Luigj Gonzagës.
Juvenilia – botim poemash. Vienë, shtypshkronja Gj. M. Vernay, 1917.[3]
Lissus – libërth, poemth liriko-romantik me 12 sonete. 1928.
Përkthime:
Versi e poemi (1966), a cura di J. Kodra, përkthime në italisht Mark Ndoja, Tiranë: “Naim Frashëri”.
DIMNI E PLAKU
Nëpër fushë e nëpër male
fryn murrlani me stuhi,
o murrla, njat frymën ndale,
ndalu, akull, mos më ngri:
mos ma ngrini kët pikë gjak. –
struku, struku, i shkreti plak.
Po del dimni me kosë n’dorë,
gjeth e bar i ka kositë,
qet ballkoni pjalm e borë,
e plak shkreta, tue mërdhitë,
i thotë vedit me za pak:
-Struku, struku, i shkreti plak.
MOS THUJ RRENA!
Mos thuj rrena kurr, o f’mi
e gjithmonë t’i kesh mëni.
Nji ndeshkim asht fort ma mirë
se rrencak ndokush me t’thirrë.
Mos t’shkojë mendja se me rrena
fajin tand e msheh përmbrenda,
s’vonon dita, gja s’e ndal,
e në fushë rrena ka me dalë.
Por veç marrja ka me t’mbetë
e kund besë nuk ke për t’gjetë.
Edhe t’drejtën n’kjoftë se e thue,
për rrencak kanë me t’kujtue.
AGIMI
U kuq dielli prej Agimit,
prej ktij prisi që çoi drita,
e kadalë, tu’u rritun drita,
fushë e male po lulzon.
Fryn prej bjeshke era e lehtë,
rruzullimit i ndrron ftyra,
e prej shendit gjithë natyra
n’dukë e n’petka po gazmon.
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)
ADELINA MAMAQI

Adelina Mamaqi u lind më 1939, në Tiranë, në një familje atdhetare e letrare. Ka kryer shkollën e mesme pedagogjike, universitetin e Tiranës, në degën Letërsi dhe Gjuhë shqipe. Punoi në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në redaksinë për fëmijë. Më vonë kaloi redaktore në revistën “Nëntori”. Për 20 vjet punoi në revistën “Fatosi”, “Pionieri”. Vepra e parë e saj titullohet “Ëndrra vashërie”. Në vitin 1963 botoi “Bubi i vogël”.
Për 30 vjet botoi poezi, tregime, fabula, përralla:
Orizi i milingonave (poemë)
Bregu i kaltër (vjersha)
Goni trazovaçi (poemë)
Fishekzjarrët (vjersha)
Klloçka dhe kotelet (poemë)
Si thoni ju? (vjersha humoristike)
Kaltëroshi tekanjozi (poemë)
Një zog gëzimi (vjersha)
Mësoi Adi shkronjën A
ÇERDHEN DO TA RUAJ
Dallëndyshe moj
Udh’e mbarë moj!
Në pranverë për ty
Çerdhe do ndërtoj
Djal’ i vogël o
duarshkathët o
çerdhe tjetër s’dua
ti këtë ma mbro!
Në pranverë prap
do të vij me vrap
zoçkëza të reja
këtu do të hap
Moj krahshigjetë
fluturo e qetë
çerdhen do ta ruaj
si të ishe vetë!
QUKAPIK O QUKAPIK
Qukapik o qukapik
të kam shok e të kam mik
pik-pik-pik Ç’po bën kështu?
Gëlltis krimba dru më dru
Kribmin unë e kam armik
sepse është shumë i lig
se ha gjethe e lëkurë
nëpër lule nëpër drurë
MËSUESJA
Dhe sot ia dëgjoj zërin e ëmbël,
Dhe sot ia vështroj sytë zjarr.
E desha, o miq, me gjithë zemër,
Mësuesen e klasës së parë.
Ajo më mësoi si të shkruaj
Dy emrat: Atdhe e Nënë,
Këshillat, qortimet e saj,
Ç’mbresa n’shpirt m’kanë lënë!
Një tufë me vjollca e lila
Gjithmonë ia vë mbi varr,
N’zemër me zgjohet dëshira
Ta kem at’ pranë Si më parë.
Ajo zë e flet sërish me mua
Ashtu si kur isha fëmijë!
Në gjirin e kohës së shkuar
Kthehem me mall përsëri.
Dhe dorën që dridhej nga pak
Ndër flokë sërish e ndiej,
Endërrimet e mia miturake
Në sytë e saj prapë i gjej.
Ah, ç’gaz kur dëgjoj zën’ e ëmbël,
Këshillat e saj kur kujtoj!
E desha, o miq, me gjithë zemër
Dhe s’mundem askurr’ ta harroj.
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)
PROZË SHQIPTARE PËR FËMIJË
BEDRI DEDJA
(1930-2004)

Bedri Dedja u lind më 1930, në Korçë. Poet, prozator, përkthyes, gazetar, studiues i psikologjisë e pedagogjisë. Autor i shquar për fëmijë, Bedri Dedja ka fituar shumë çmime, midis të cilave veçojmë: “Qytetar Nderi” i Beratit, mbajtës i “Çmimit të Republikës”, “Urdhërit Naim Frashëri” dhe titullit “Mjeshtër i Madh”. Pasi u diplomua në Universitetin e Moskës, më 1953 në disiplinat e pedagogjisë, psikologjisë dhe njëkohësisht të letërsisë për fëmijë, për 40 vjet ka qenë profesor i lëndëve të psikologjisë dhe pedagogjisë në Universitetin e Tiranës. Bedri Dedja ka qenë për shumë vjet Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Shkrimtarëve për fëmijë. Shumë vepra të tij janë përkthyer e botuar jashtë Shqipërisë si në Maqedoni, Kosovë, Greqi, Rumani, Kinë e Zvicër.
Ka botuar shumë libra për fëmijë si: novela, vëllime me tregime e përralla, vjersha dhe poema, romane, pjesë teatrale, etj.
KALLZIMI I PARË I GJYSHE PASTËRTORES
(AVENTURAT E FURÇËS SË DHËMBËVE, PASTËS SË DHËMBËVE DHE SAPUNIT
SI FILLOI HISTORIA E KËTYRE AVENTURAVE)
Kjo histori nisi në një dyqan të Tiranës. Po të hedhësh sytë në vitrinat e këtij dyqani dhe të dish shkrim e këndim, mund të lexosh :
P A R F U M E R I
Në këtë parfumeri shiten sapunë, kolonja, parfume, pasta dhëmbësh, pudra e kremra të ndryshme e kushedi sa e sa gjëra të tjera.
***
Një ditë, në parfumeri erdhi një grua dhe pyeti:
– Shoqe, ju lutem më thoni, a keni furça të vogla dhëmbësh për fëmijë?
– Sigurisht që kemi, – u përgjigj tetua e parfumerisë.
– A mund të më jepni një furçë dhëmbësh, një pastë dhëmbësh dhe një sapun, ju lutem? Sa kushtojnë?
– «Kushtojnë aq e kaq…» – tha tetua e parfumerisë.
Gruaja pagoi paratë, morri sendet e blera, siç ishin të mbështjella në letër, i futi në çantë dhe doli nga parfumeria.
– Urraaa! – thërriti Furça e dhëmbëve brënda në çantë. – Sa u gëzova që më në fund kjo grua e mirë më bleu! Atje në parfumeri u mërzita së ndënjuri kot… Vinin shumë njerëz, të mëdhenj e të vegjël, më shikonin dhe nuk më blinin. Unë nuk jam e keqe. Unë jam e bukur dhe e pastër. Çudi, si nuk më blenë që ditën e parë, kur dola në parfumeri për tu shitur!?
***
Sa çudi, me të vërtetë! Furçat e dhëmbëve nuk flasin. Kurse kjo ditka të flasë e madje, edhe të flasë shqip! Kushedi si ka qëlluar!
FURÇA E DHËMBËVE DHE SHOKËT E SAJ PËRBUZEN
Kur gruaja me çantë hyri në shtëpinë e saj, i biri, Enua i vogël, i doli përpara dhe ju hodh në qafë me gëzim :
– Mami, pse u vonove kaq shumë?
– Ja pse u vonova, bir i mamit! Se sot vajta në dyqanin e parfumerisë. Atje bleva për ty një furçë të vogël dhëmbësh, një pastë dhëmbësh dhe një sapun. Ti u rrite tani e duhet të fillosh të lahesh vetë.
Në fillim Enua u hodh përpjetë nga gëzimi, duke thërritur: «Eli-la, eli-la…Unë kam furçë, tra-la-la!» Pastaj morri furçën, e mbushi me pastë dhëmbësh dhe shkoi te lavamani me mamanë për të larë dhëmbët. Këtë radhë, meqënëse ishte hera e parë, ja lau mamaja. Por Enua, sapo ndjeu qimet e furçës në gojë, filloi të thërrasë: «O le-le goja! O le-le goja!» Ndoshta ai kishte kujtuar se pasta e dhëmbëve mund të ishte si çokollata dhe mund të hahej me furçë, prandaj dhe ishte gëzuar shumë. Por kur ndjeu që furça e gudulisi dhe i shpoi mishin e dhëmbëve, Enua zuri të qajë.
Kaloi një ditë.
Të nesërmen në mëngjes mamaja i tha:
– Eno, mendoj se tani duhet të marrësh furçën dhe të lash dhëmbët!
– Jo, jo, nuk i laj se më dhëmbin! – u përgjigj Enua.
Mamaja i foli përsëri:
– Eno, mos harro të marrësh sapunin dhe të lash sytë!
– Jo, jo se më djegin! – u përgjigj përsëri Enua i vogël, duke fërkuar sytë.
Furça e dhëmbëve, Pasta e dhëmbëve dhe Sapuni mbetën të përbuzura në sirtarin e komodinës.
NJË JAVË NË ERRËSIRËN E BURGUT
Kaluan pastaj gjithë ato ditë…
Një herë, Furça e dhëmbëve u zgjua në mes të natës. Fërkoi sytë, vështroi andej e këtej, por nuk pa asgjë. Ishte errësirë e madhe.
– Më paskan futur në burg, – tha ajo me vete. – Sa keq! Unë u gëzova shumë kur më bleu ajo gruaja me çantë në dorë… Më mirë të kisha ndënjur në parfumeri! Atje shikoja shumë gjëra të bukura: njerëz me kapele, njerëz pa kapele, njerëz me syze e njerëz pa syze, njerëz me çorape, njerëz pa çorape… Dhe sa shumë më pëlqente të rrija e të shikoja gjithë ato shishe parfumi që ndodheshin pranë meje. Kënaqesha me erë të mirë!
Furça e dhëmbëve heshti për një çast. Pastaj u mendua pakëz dhe thirri me zë të lartë:
– Eeeeeeeeej… a ka njeri këtu?
– Kush çirret kështu dhe s’na le të flemë?
– Unë jam… unë, Furça e dhëmbëve.
– Mirmëngjes mikja ime Furçë! Unë jam Sapuni. Ne erdhëm bashkë nga parfumeria…
Furça u kujtua menjëherë sepse, sipas gjyshe Pastërtores, kishte qëlluar shumë e zgjuar.
– Po emrin, si e ke? Sapun të quajnë? – pyeti ajo.
– Jo, – i tha sapuni. – Mua më quajnë Zhulfshirës. Unë heq zhulin nga faqet, nga qafa, nga trupi, nga duart dhe nga këmbët; por njerëzit më thërrasin Sapun… Po a e di ti që këtu kemi edhe një shok tjetër? Atë e quajnë Thërmifshirës.
– Mirmëngjes Thërmifshirës! – tha Furça e dhëmbëve duke kërkuar me sy nëpër errësirë.
– Po pse, mëngjes të duket ty tani? – pyeti Pasta e dhëmbëve pa lëvizur nga vëndi ku qëndronte shtrirë për shtatë palë qejfe. – Unë nuk shoh dritë, – vazhdoi ajo. – Sa netë kemi që qëndrojmë në këtë burg?
– Një javë, – u përgjigj Sapuni. – Por ti mos u çudit që këtu nuk sheh dritë! Në sirtarin e komodinës nuk ka nga të hyjë drita…
Pas këtyre fjalëve, Furça e dhëmbëve, Pasta e dhëmbëve dhe Sapuni vendosën të flinin përsëri.
LLAHTARIA E NJË NATE
Një natë, Furça e dhëmbëve, Pasta e dhëmbëve dhe Sapuni u zgjuan të llahtarisur. E para hapi sytë Furça e dhëmbëve, e cila dëgjoi rënkime e të qara që vinin nga jashtë sirtarit të komodinës. Më pas, ajo mundi të dallojë edhe një zë që bërtiti:
«Mami moj! Më dhëmb dhëmballa… O le-le dhëmballa!»
Furça u trëmb dhe menjëherë zgjoi Pastën dhe Sapunin. Më pas, të përqafuar nga frika që të tre, zgjatën veshët për të dëgjuar. Të çuditur shumë, ata shkëmbyen vështrime me njëri-tjetrin, pasi deri atë natë ata nuk kishin dëgjuar askënd duke qarë. Atje në parfumeri, më të shumtën e kohës kishte muzikë ose dëgjoheshin fjalë dhe të qeshura me zë të lartë.
Enua vazhdonte të qante me të madhe dhe herë pas here dëgjohej zëri i mamasë së tij që i thoshte :
«Mos qaj, se nesër do të vemi bashkë te dentisti për t’i hequr të gjitha dhëmbët dhe dhëmballët e kalbura… Sa keq, që do të mbetesh si pleqtë, pa dhëmbë!»
NË SIRTARIN E KOMODINËS FORMOHET USHTRIA E SHPËTIMIT
– I shkreti Eno! – murmuriti Furça e dhëmbëve.
Pasta e dhëmbëve tundi kokën me keqardhje. Sapuni psherëtiu.
Në sirtarin e komodinës vazhdonin të dëgjoheshin ende të qarat dhe të çirrurat e çamarrokut të vogël.
– Sa keq më vjen për Enon! – murmuriti përsëri Furça e dhëmbëve. – Po sikur të mbetet me të vërtetë pa asnjë dhëmb e dhëmballë?
– Po sikur të verbohet nga sklepat e syve? – shtoi Sapuni me dyshim.
– Po ne, pse qëndrojmë duarkryq? – ndërhyri Pasta. – Ne duhet ta shpëtojmë Enon.
– Ta shpëtojmë përpara se të mbetet pa dhëmbë e dhëmballë, përpara se të verbohet! – bërtiti edhe Sapuni.
E kështu, në sirtarin e komodinës u formua ushtria për shpëtimin e Enos.
NJË ËNDËRR E ÇUDITSHME E ENOS
Enua kishte kohë që flinte.
Por, për çudi, atij ju duk sikur u zgjua dhe sikur hapi sytë i tmerruar. Po e mundonin dhimbje të mëdha në gojë, në sy dhe nëpër faqe.
Enua nisi të qante përsëri dhe të thërriste mamanë duke u ngashëryer. Por çuditërisht, kësaj radhe nuk ju përgjigj askush. As mamaja e tij nuk hyri në dhomë dhe as u dëgjuan lëvizje në korridorin jashtë saj.
Atë çast ndodhi diçka e pazakontë : përpara syve të Enos doli një bubazhel i vogël e i bardhë. Ai kërceu menjëherë në majë të hundës së tij dhe ja dha të qeshurit duke vënë duart në ije!
«- Hi-hi-hi ! Enua po qan! Po kërkon mamanë! S’ka mama, s’ka, ska! Unë jam Sklepi, Princi Bardhosh…. Skle-pi!—Shëëëët, sus! Sytë do t’i verboj, se jam Sklepi, unë punoj. Sus!»
Enos ju zu gryka. Nuk fliste dot. Goja i kishte mbetur hapur nga dhimbja e dhëmbëve dhe dhëmballëve. Madje brënda saj, dikush kishte marrë një turjelë në dorë dhe po i shponte dhëmbët me zell, një nga një duke thërritur:
«- Unë jam Princ Thërmia e çokollatës, me kobure në brez dhe me turjelë në dorë. Unë çuk-çuk-çuk, zhëë-zhëëë-zhëëëë, dhëmbët dhe dhëmballët do t’i brej, çuk-çuk-çuk, do t’i thërmoj ! »
Enua e dëgjonte këtë zë, por Princin Thërmia çuk-çuk-çuk nuk e shihte. Donte të ulërinte nga dhëmbja por nuk kishte zë.
Pas pak, për çudinë e tij të madhe, mbi faqet e Enos nisi vallja. Bubazheli i vogël, Princi Bardhosh Sklepi zuri për dore Princin Zijosh Zhuli dhe nisën të kërcejnë duke kënduar:
Sytë e Enos t’i verbojmë,
poret n’faqe t’ja mbulojmë!
Hidhu, Zhul!
Hidhu, Sklepë!
Vallen tonë mos ta pushojmë!
Por ja që i erdhi radha çudisë së tretë dhe më të madhe. Atë çast u hap sirtari i komodinës dhe u dëgjuan zërat e burisë dhe të një trumpete: «Ta-ta-taaaa! Pum-pum, pum-pu-ru-pum!»
Me sa dukej, po vinte ushtria për shpëtimin e Enos.
Në krye marshonte Furça legjendare e armatosur deri në dhëmbë me pastë dhëmbësh. Pas saj, me hap ushtarak, vinte Pasta e dhëmbëve. Ajo mbante kapelen në dorë dhe qëndronte gati për të furnizuar Furçën me municion. Kjo ishte kompania e parë e ushtrisë së shpëtimit. Kompania e dytë udhëhiqej nga Sapuni trim dhe përbëhej nga tri batalione sapllakësh me ujë që hynë me solemnitet nga dera e madhe e dhomës. Në fund vinte kompania e tretë, e përbërë nga një Peshqir e një Legen.
Ushtria marshonte në drejtim të krevatit duke kënduar :
Përpara o trima,
së bashku të shkojmë,
që Enon e vogël
ne sot ta shpëtojmë!
Një, dy, një, dy…
marshon ushtria jonë,
që Zhulin dhe Sklepën
ta mposhtim përgjithmonë!
Sapo dëgjoi marshin luftarak, Princ Thërmia e çokollatës zuri pozicion në llogoret që kishte hapur nëpër dhëmbët e dhëmballët e Enos. Ndërsa Princi Bardhosh Sklepi u fsheh në pyllin e dëndur të qerpikëve. Në të njëjtën kohë edhe Princi Zijosh Zhuli zuri pozicion në vrimat e veshëve dhe në qafë, poshtë jakës së bizhamave të Enos.
Lufta filloi. Beteja u ndez e ashpër.
Furça e dhëmbëve, me një trimëri të rrallë u sul kundër Princit Thërmia e çokollatës. Fërkoi me pastë të gjitha dhëmbët dhe dhëmballët, tetë herë me radhë nga jashtë, tetë herë nga brënda dhe tetë herë nga sipër, deri sa mbërriti tek mishi i dhëmbëve. Princi Thërmia e çokollatës, me kobure në brez e turjelë në dorë, u shtri i plagosur për vdekje. Sapuni dhe uji me shkumë të bardhë arritën të rrethojnë Zhulin dhe Sklepin. Pasi pastruan të gjitha poret e faqeve dhe të qafës, u ngjitën deri tek veshët dhe qerpikët e syve. Në fund, Peshqiri dhe Legeni mblodhën robërit e luftës.
Kështu, beteja mbaroi. Lufta u fitua dhe Enua u rehatua.
FUNDI I AVENTURËS DHE I HISTORISË SË ENOS
Të nesërmen në mëngjes dita agoi shumë e bukur. Dielli ndriçonte me rreze të arta. Këto rreze plot ngrohtësi kalonin përmes xhameve dhe vraponin për të përkëdhelur fytyrën dhe flokët e djalit të vogël.
Enua u zgjua nga gjumi duke fërkuar sytë. Pranë shtratit pa nënën e tij që po e priste me buzën në gaz.
– Eno, a të dhëmbin dhëmballët? – e pyeti ajo.
– Më dhëmbin pak, mami.
– Eno, a të djegin sytë? – e pyeti sërish.
– Më djegin pak, mami.
– Eno, a do të shkojmë te dentisti ? – e pyeti për të tretën herë.
Enua ktheu kokën me turp. Atij ju kujtua ëndrra që kishte parë natën e kaluar. Pastaj, duke u kthyer nga e ëma, i foli me zë të sigurt:
– Mami, a e di ku janë Furça e dhëmbëve, Pasta dhe Sapuni? Dua të di ku ndodhen miqtë e mi të dashur që ti m’i dhurove disa ditë më parë…
Mamaja hodhi sytë nga sirtari i komodinës, të cilin Enua e hapi me nxitim, duke i lejuar më në fund rrezet e diellit të depërtonin brënda tij.
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)
POEZI SHQIPTARE PËR FËMIJË
TASIM GJOKUTAJ
(1944-1998)

Tasim Gjokutaj ka lindur në Kuç të Kurveleshit në vitin 1944. Ai rridhte nga një familje me tradita atdhetare, arsimore, kulturore e liridashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa ciklin e lartë të shkollës shtatëvjeçare dhe të mesmen në Gjirokastër. Po këtu është diplomuar për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin “Eqrem Çabej” (ish Instituti i Lartë Pedagogjik trevjeçar). Ka botuar pothuajse 30 libra me vjersha dhe poema humoristike për fëmijë, me të cilat është bërë një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë për fëmijë në këtë fushë, dhe një nga emrat më të dashur e më të kërkuar për fëmijët. Ndërroi jetë në vitin 1998 në Gjirokastër.
Ç’KE HARRUAR MOJ VALBONË?
Sot, kur shkonim për në shkollë,
Pse u ktheve si veri?
Ç’ke harruar moj Valbonë?
Ç’ke harruar në shtëpi?
Mos vallë stilolapsin,
Mos vallë bojrat në kuti?
Ç’ke harruar, moj Valbonë,
që u ktheve si veri?
Thotë Valbona e gëzuar:
-Asnjë gje s’kisha harruar.
Po, kur ika, u nxitova,
gjyshen nuk e përqafova.
U SËMUR IRIQI
U sëmur iriqi i shkretë,
termometri mbi dyzetë,
Farefisi, pas zakonit,
iu drejtua injeksonit…
– Po zbuloja ti një çikë,
nuk të dhëmb, hiç mos ki frikë!
… Por u hodh përpjetë doktori,
se u shpua vetë i gjori.
DAULLJA E GJYSHIT
Keni parë a s’keni parë
Në pallat kemi një djalë
Prindërit halli i ka zënë
Se bën naze për të ngrënë
Në guzhinë e në ballkon
E ndjekin me pjatë në dorë
– Qejfin mamit mos ia prish
Ha t’u bëfsha një thelë mish
– Unë se ha thelën e mishit
Po si ra daulles gjyshi
– Ç´thua kështu more Beni
Ku ta gjejmë
Daulle s´kemi
– S´ka daulle? Jo nuk ka
E po mirë dhe unë nuk ha
E menduar flet mamaja
– O gjysh na gjeti belaja
Që t’i bëhet qejfi Benit
Gjyshi i bie Legenit.
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)
XHEVAT BEQARAJ

Xhevat Beqaraj lindi më 1936 ne fshatin Kutë të Mallakastrës, ndërsa jeton në Tiranë. Për shumë vjet drejtoi revistat për fëmijë në Tiranë: “Pionieri” dhe “Fatosi”.
Ka botuar librat për fëmijë:
Përtej së mirës dhe së ligës (poezi, essé, mendime filozofike)
Sëmundjet e shekullit tonë (essé filozofike)
Kam një harmonikë
Shtëpia e Bubit (vjersha dhe përrallëza)
Era vizaton… (vjersha dhe poemë)
Antigona
Eni midis nesh
Lamtumira e yjeve (poemë)
Tigri i vogël në çajnik (përralla)
Rruazat e vesës (vjersha dhe poema)
Çuditë e Eneidës (tregime në vargje)
Filozofia e bukurisë (pjesë ditaresh, essé dhe rrëfime për vetveten)
Lamtumirë abetare: (përmbledhje antologjike)
Natën e mirë
Pse hëna s’ka fustan (përralla nga bota)
NJË ZOGU
Ra për tokë dhe gjeth i fundit,
era loz e bredh me të.
Ikën zogjtë prej katundit,
pylli këngë nuk ka më.
Ikën shokët dhe të lanë,
po ti vetëm shkon e vjen…
Pse nuk nise? Kush të mban?
Apo malli për folenë?
Oh, foleza ku ke lerë
fsheh e ruan çdo kujtim!
Bor e parë zu të bjerë.
udh e mbarë, zogu im!
Dimri i ftohtë e furtunë
çerdhen tënde s’do ta prish.
Zog, o zog, e ruaj unë.
Po do kthehesh ti sërish?
O YLBER I BUKUR…
Me të shtatë ngjyrat
harkun tënd po thur.
O ylber i bukur,
më dukesh si urë.
Lart të ngjitem, lart
sipër teje dua.
Në ç’brigje mbështeten
këmbëzat e tua?
SHALQINJTË TANË
Me këmishët lara-lara
dergjen shtrirë nëpër ara.
Nat’e ditë flenë gjumë,
duket, gjumi i rrit shumë.
Djelli zemrën u kuqon,
por më tepër djersa jon’.
… Barkalecët u harbuan
as prej vendi dot s’i luan.
Bëj t’i ngreh e lodhem kot,
po, ju vall’, i ngrini dot?
ZILJA
Tring, tring, tring kjo zilja jon’
për në radhë po na fton,
ra në gjumë korridori,
s’pipëtin më as oborri,
se tashti fillon mësimi,
nis gëzimi dhe shqetsimi.
Tring-tring-tring… prap tringëllin.
Klas’ e dashur gumëzhin.
Korridori është zgjuar.
Hej, mësimi ka mbaruar!
Lodrat tona ne na presin
larg shëtitjet na thërresin.
Ti mëngjezave na ndjell,
ti në drekë na përcjell.
Sa të dashur ty të kemi…
Ndaj të rritur, kur të jemi,
do t’kujtojmë ne gjithmonë:
tring-tring, tring moj zilja jonë.
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)
PROZË SHQIPTARE PËR FËMIJË
GAQO BUSHAKA

Gaqo Bushaka u lind më 1943 në Selckë, Gjirokastër. Është një nga autorët për fëmijë më të suksesshëm në Shqipëri. Ka lëvruar prozën e gjatë, dhe sidomos romanin për fëmijë. Ka shkruar përmbledhjet me përralla: “Arushi që kërkonte babanë”, “Në ishullin e dallëndysheve”, “Amaneti i dhelprës”, “Përralla u la për nesër”.
Vepra që e bëri tepër të njohur ishte triologjia: “Aventurat e Çufos”, pjesë përbërëse e së cilës janë përrallat: “Çufoja dhe Bubi kaçurrel”, “Pushimet e Çufos”, “Çufoja në shtëpinë e çudirave”, etj.
“PUSHIMET E ÇUFOS”
(fragment)

SI U BË ÇUFOJA KUJDESTAR!
– Mjaltë kullokan fiqtë o Tipi!
– Mjaltë vëllaçko, mjaltë, po..ohhh – rënkoi ai me të madhe dhe rrasi duart në xhepin e majtë të pantallonave të shkurtra ngjyrë pjepri.
– Mbaje veten, je goxha djalë, fundja nuk janë liko, fiq janë. Por nuk ke faj more buçkan se ti e ke zemrën mu në mes të stomakut dhe gjithë ditën të gudulis.
Papritur Tipi vërejti i hutuar Çufon. Iu bë vërtet sikur zemra i kishte rrëshqitur në stomak dhe po i tretej si kasatë. Tipi u gëlltit në të thatë dhe ndjehu gjuhën t’i ngjitej pas qiellzës. Çufoja nuk shqetësohej fare për gjendjen e shokut.
Duke ecur anës kopshtit, Çufoja ndaloi e këputi një trëndafil të kuq e tër kujdes futi noçkën mes petaleve.
– Ka erë të mirë? – e pyeti Tipi Çufon.
– Ç’më vë në mundim, provoje vetë – ia priti Çufoja.
– Këputja e luleve ndalohet – ia ktheu Tipi duke lëvizir duart nëpër xhepa sikur të kërkonte dicka.
– Ndalohen vetëm për arinjtë që nuk kanë hundë të ndiejnë aromat. – foli Çufoja.
Papritur te gardhi i kopshtit u duk Zebo rojtari. Çufoja bëri sikur nuk e pa dhe nisi të këndonte.
Seç ke dalë në derë
më qëron një ftua
gjysmën haje vetë
gjysmën ma jep mua.
– Ejani t’ju qeras me fiq – tha Zeboja, – Sot do bëj vjeljen e parë e dua ta nis me ju!
– Nuk kemi kohë- tha Çufoja.
– Epo udhë e mbarë – tha Zeboja.
Tipi këputi një trëndafil e që të mos fliste, mbushi gojën me petale trëndafili.
Pak më tutje iu hodh Çufos.
– Ç’qe kjo gjëmë që na bëre? Si më le pa fiq?
– Ja që e kam gojën pa frena – tha Çufoja.
Shokët vazhduan rrugën drejt shkollës Rrezet e Arta.
Mbledhja kishte filluar
– Futu Çufo – tha Tipi.
– Ku?
– Në kavanoz! Në mbledhje o, ku?
– Nuk e sheh që ka filluar, e për këtë fajin e ke ti. – tha Çufoja.
– Uff… plasa
– Plac!
– S’të rrihet ëëë? Çfarë ke që shfryn ashtu?- tha Çufoja.
– Më vjen inat që ti nuk dole gjë? – tha Tipi
– E përse nuk dola gjë?
– Po ja as kujdestar për shkumësat nuk u bëre!
– Doemos – tha Çufoja – Kur kam shokë si ty, të pagdhendur, të paedukuar e që në vend të fletlavdërimeve merr titullin “vjeshtuk”. Ti ke fat se kot nuk thonë… nga lulja e bukur pi ujë dhe qypi.
Fjala qyp ia ndezi gjakun Tipin…
– Leri ato se nuk të shkojnë tek unë; puna është se, po të ishe ti në mbledhje do të dijë t’i mbrojë ngjyrat e mia, me…
– Petulla, – ia pat Çufoja.
– Me gjak mor tuaf. Kështu dhe unë do t’i bëja gjysëm i gëzuar pushimet me ju. Nëna do të qetësohej. Ah, kjo aritmetika! Kush ta ketë shpikur vallë?
Me siguri ndonjë zevzek…
-E e ashtu thua ti por mësuese Mjellma do bëjë si të jetë më mirë për ty.
Tipi i dha një të duartrokitur të madhe, Çufoja iu afrua që të ndalonte por se si u pengua e ra sipër Tipit.
Në këtë gjendje i gjeti, Pulëdetja, pastruesja e shkollës, që kishte veshur në kokë një shami me pika dhe ishte mbështetur pas fshesës.
– C’bën ashtu more Çufo?? – pyeti ajo e habitur.
-Po i mësoj Tipit mundje sambo – ia ktheu fap e fap Çufoja.
PAK MINUTA TEK DENTISTI
Tak…tak…tak..
– Hyr!
Dera u hap dhe dentisti, një goxha ari pa fytyrën e një derrkuci.
– Jemi dy.
– Të dy hyni!
Çufos iu tha pështyma “Mos kujton ky që unë kam dhëmballë për të hequr!”
Derrkucit iu mbajt fryma nga frika.
Dera u hap më shumë dhe brenda hynë Çufoja bashkë me Tipin.
– Mirëdita – përshëndetën shokët.
– Mirë se erdhët.
– Ulu! – i tha dendisti Çufos duke i treguar poltronën.
– Ulu, mos ia prish xhaxhit – i tha Tipi aq i qetë, sikur të kishte ardhur për Çufon e jo për veten, por shoku e mori veten.
– Doktor, Tipit i dhemb dhëmballa, ka gjithë natën pa fjetur.
– Epo ulu ti Tipi atëherë.
– Mua nuk më dhemb më…
– Uluuuuuuuuuu… – i foli dentisti.
– Ha shumë ëmbëlsira ai – tha Çufoja.
– Le të hajë – tha doktori, – por pas të ngrënit duhet të lani dhëmbët, madje mirë është të hani dhe një kokërr mollë.
– Për mollë, unë ha një koshë – tha Tipi
– Një kokërr, të thashë, e shumta dy – tha dentisti sërish.
– Po ti i lan dhëmbët? – e pyeti dentisti Çufon.
– Të dielave – foli Tipi.
– Të lutem doktor, unë përgjigjem vetë. Sigurisht që i laj…
– O doktor, fillove ti me mua… – u hodh Tipi.
– Mbarova – tha doktori.
– Sa lehtë, çu djersita kot. Çufo hiqe dhe një ti që ta kesh kujtim nga pushimet.
– Më mirë e ndajmë përgjysmë kujtimin tënd – tha Çufoja.
Doktori qeshi dhe shokët u larguan pa harruar të përshëndeteshin me të.
ARDHJA E CIRKUT
Gëzimi i kampistëve të vegjël ishte i madh. Do të vinin artistët e cirkut e do luanin për ta… Në rrobat e artistëve dukej sikur kishin çelur lulet e mollëve, shegës, qershisë.
Mes të lumturuarve ishin dhe dy shokët tanë, Çufoja dhe Tipi.
Cirku do të fillonte së shpejti. Çufoja porositi Lepurushin që t’i zinte dy vende në radhën e dytë… Për një Lepur kjo s’ishte e lehtë, por ai i zuri vendet në sajë të autoritetit që kishin vetë Çufoja dhe Tipi mes kampistëve…
Rrugës Çufoja me Tipin takuan kukuvajkën Kuku, që ishte me të vërtetë kuku.
Ajo fshiu me një shami të mëndafshë xhamat e syzave dhe më pas u tha shokëve “pritni” me një zë vajtues por aq të lartë sikur po u fliste yjeve dhe jo një derrkuci e një ariu vjeshtak me pantallona të shkurtra bluxhins.
– Cili është më i butë se ju? – pyeti kukuvajka.
– Të dy të egër jemi? – ia ktheu Çufoja.
– Ti je ai zevzeku që ke mbetur për vjeshtë – vazhdoi Kukuja.
– Unë që mos qofsha, – tha Tipi.
– Ke mësuar gjë? – vazhdoi kukuvajka.
– Shumë – ndërhyri Çufoja për të ndihmuar Tipin.
– Nuk të pyeta ty – foli Kukuja sërish.
– Po ky kujdeset për mua, shoqja kukuvajkë. E ka caktuar mësuesja, – foli si i qarë Tipi.
– Dëgjo, kë mësuar?
– Shumë – ulëriti Tipi.
– Kush bën pjesë në familjen e kompozitorëve? – bëri pa të keq pyetjen kukuvajka.
– Po tipi nuk ka mbetur në muzikë. – shtoi Çufoja.
– Fol Tipi fol… – u hodh Kukuja.
– E mo fol, Ç’më rri ashtu, ti i ke mësuar këto që kur të këndonte arushi baba.
– Eh, edhe atëherë kam pasur një ngatërresë – tha Tipi.
– Një ditë babai i thoshte nënës të më këndonte një nina nana që të pushja së qari. Nëna ia kthente: “Tunde ca se jam e zënë, fundja përgjysmë e kemi” Dhe babai i përgjigjej që nga dera “Unë ika, gjysmën time lëre të qajë. Kështu që ajo gjysma që qante më ngatërron gjithmonë.
Çufoja e pa në fytyrë Tipin sikur kërkonte t’i gjente gjysmën qaramane, po vuri re që e kishte gjithë fytyrën njëlloj dhe tha me vete… prindërit e paskan lënë Tipin të qajë komplet.
Kukuvajka u duk sikur vuri buzën në gaz, por u vrenjt menjëherë.
– Mos e zgjat se kam punë, përgjigju.
– Kjo nuk e ha fare shakanë, mendoi Çufoja – Duhet të jetë e rrezikshme.
Tipi ndërkohë fshiu ballin nga ca bulëza djerse dhe ia nisi: – Në familjen e kompozitorëve bëjnë pjesë gjyshi, gjyshja dhe sa fëmijë të kenë sepse siç dihet përbërja e fëmijëve është e ndryshme.
Kukuvajka shqeu sytë nga pergjigja e Tipit saqë Çufoja nderi duart se mos i binin përtokë.
– S’marke vesh fare, – tha Kukuja, – Në familjen e kompozitorëve bëjnë pjese luleshtrydhja, luledielli, kamomili etj.
– Pse dhe këto dine t’i bien pjanos? – pyeti Tipi.
– Jo, legenit, – ia ktheu e xhindosur kukuvajka.
dhe vazhdoj të pyeste.
– Po krimbat nga e kanë prejardhjen?
– Nga plehu – iu pergjigj Tipi fët e fët.
– Ti qenke tap – shpërtheu kukuvajka…
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)
POEZI SHQIPTARE PËR FËMIJË
QAMIL GURANJAKU
(1914-1949)

Qamil Guranjaku ka lindur në Elbasan më 1914. Aty kreu dhe mësimet e para në shkollën e mesme. Pasi mbaroi shkollën pedagogjike për disa vjet punoi mësues (1933-1943). Që në bankat e shkollës së mesme nisi të merrej me letërsi. Një pjesë të krijimeve të veta i botoi në gazetat e revistat e kohës. Pas pushtimit fashist të vendit, Qamil Guranjaku u bashkua me luftëtarët e lirisë dhe ishte një nga drejtuesit e brigadës së 17 sulmuese. Edhe pse në kushte të vështira, gjatë luftës ai nuk e ndau penën nga dora dhe shkroi shumë tregime, vjersha etj, për trimërinë dhe heroizmin e shokëve të vet. Pas çlirimit Qamili punoi kryeredaktor i gazetës “Luftëtari” dhe më pas në Ministrinë e Arsimit ku merrej me përgatitjen e teksteve shkollore. Nga mesi i viteve ’40 gjer në fillim të viteve ’50, në shkollat tona punohej me antologjitë e përgatitura prej tij. Qamil Guranjaku vdiq shumë i ri, në vitin 1949, dhe sa qe gjallë mundi të botojë vetëm një libër, që e titulloi “Lulet e mia” (1944). Në të përmblodhi krijimet për të rriturit. Pas vdekjes së tij, nën kujdesin e shkrimtarit Moisi Zaloshnja, u botuan dy libra të autorit: “Xixëllonjat e vogla” (përmbledhje me vjersha për fëmijë) dhe “Dhjetë ditë pa bukë” (përmbledhje me tregime për fëmijë).
LEJLEKU DHE ZOGJTË E TIJ
Buzë ujit të kënetës
ndodhej një kasolle e shkretë.
Në çatinë e saj që vjet
ngriti çerdhen një lejlek.
Ky na kishte veç tre zogj,
që kërkonin t´hanin nga i çikë.
Por kasollja na u dogj
dhe vu çerdhen në rrezik.
Nisen zogjtë me brit, me qa
kur çatia zu të marri.
Erdh lejleku por ç´më pa?!
Hidhet shpejt t´i nxjerrë nga zjarri.
flaka çerdhen e rrethoi
Shumë lejleku u përpoq
Shtriu krahët i mbuloi
Me zogjtë bashkë, shkrum u dogj.
THUAJA, MOJ GJINKALLË
Mbi degën e pemës
gjinkalla këndon
atë këngën e verës
edhe nuk pushon…
Gruni po na piqet,
djersa palë-palë;
vera vapën pruni,
thueja, moj gjinkallë!
VENDI IM
Sa pyje male,
fusha me lule,
kroje t`argjendta,
ka vendi im.
burra viganë,
djem si petrita,
gra,vasha t’bukura,
ka vendi im.
si zë bilbili,
por si valë deti,
ka vendi im.
Ku gjinden vashat,
ku gjinden trimat,
ku gjinden nënat,
si në vendin tim.
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)
ODHISE GRILLO
(1932-2003)

Odhise Grillo ka lindur në Vuno të Himarës në 1933. Ka mbaruar studimet e larta për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës më 1962. Ndërkaq, ai ka punuar edhe para se të diplomohej, si gazetar në organe të shtypit. Është dalluar si poet dhe prozator për të vegjlit dhe ka botuar një numër të madh vëllimesh.
Ka krijuar në prozë, në poezi, në dramaturgji e në kritikën letrare dhe ka marrë me dhjetra çmime kombëtare. Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Ai që mundi perandorinë”, “Balada e burrave të Vunoit”, “Balada e lirisë” (poema), “Një zog e një lule”, “Zërat e fëmijërisë” (përmbledhje me vjersha), “Njeriu i natës”, “Pushkë në bregdet” (novela), “Çamçakëzi”, “Një njeri u bë majmun”, “Përtacukët” (poema humoristike), “Historia e Skënderbeut”, “Lahuta e malsisë”, “Tradhti në sarajet Topiase”, “Don Kishoti i Mançës” (romane sipas veprave të Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Jeronim De Radës e Servantesit, përshtatur për fëmijë) etj.
KRYEFJALA E FJALËVE
I mora A-në atit,
në të ishte dhe nëna,
i mora T-në tokës,
në të ishte dhe zemra,
i mora D-në detit,
në të ishte dhe qielli,
i mora H-në hënës,
në të ishte dhe dielli,
i mora E-në erës,
në të ishte dhe shiu,
i mora U-në ujit,
në të ish dhe njeriu…
I lidha të gjitha bashkë
dhe si ylber shkëlqeu
e para kryefjalë
e fjalëve:
ATDHEU!
Ç’ËNDËRROJNË VOGËLUSHËT
Ç’ëndërrojnë vogëlushët,
që shëtisin rrëzë malit?
Eh, të kishim për qeleshe
pak nga bora e Korabit.
Ç’ëndërrojnë vogëlushët
që po lozin në lugina?
Eh, të kishim ne në faqe
portokallet që ka Vrina.
Ç’ëndërrojnë vogëlushët,
që mrizojnë rrëzë bjeshkës?
Eh, të kishim ne për sytë
pak nga ujërat e Prespës!
Ç’ëndërrojnë vogëlushët,
që shtegtojnë pas kopesë?
Eh, t’i kishim ne këmishat
porsi fusha e Myzeqesë!
Ç’ëndërrojnë vogëlushët,
që po ngjiten majë kodrës?
Eh, t’i kishim ne fustanet
si qilimat e Kosovës!
BLERTA NA HARROI GËRSHETAT
Nëna dhe babai
na e pyesin:
– Blertë,
Çfarë vizatove
përmbi atë fletë?
– Vizatova veten,
a nuk e shikoni?
Ju jeni të rritur
si nuk e kuptoni?
-Po ç’ke ngatërruar
bletë edhe qershi
flutur e kalem
mollë dhe kuti?
Jo asgjë, asgjë
nuk kam ngatërruar,
në fletore veten
unë kam vizatuar!
Po habitet nëna
babai bën çudi…
– Ti nuk je kalem,
ti nuk je kuti!
Mollë edhe qershi
ti nuk je, moj Blertë,
pastaj këtu ç’duan
një flutur,
një bletë?
– Jua thotë gjyshja
pritni kur të vijë…
– Kur s’e dimë ne
gjyshja s’mund ta dijë!
– Jo e di, e di!
Gjyshe moj, vrapo,
se ç’kam vizatuar,
eja na trego.
Ja ku erdhi gjyshja,
vizatimin pa…
– Kjo këtu është Blerta! –
prindërve u tha.
Se, kur afron mbrëmja
edhe do të flerë,
i këndoj një këngë,
që gjumi ta zerë.
Gjumi mbi qepalla
vete edhe vjen
unë, një këngë, mbesës
nis edhe i them:
“I ke faqet mollë,
sytë si qershi
hundën si kalem,
gojën si kut”.
Pa, i them: “Je bletë”
Pa i them: “Je flutur”,
se është punëtore,
sepse është e bukur.
Pra në vizatim
është vetë Blerta
veçse ka harruar
të bëjë… gërshetat!
NË FLETOREN KU TI SHKRUAN
Në fletoren ku ti shkruan
zë e ndihet një sëpatë…
Ai zë është i druvarit,
që rend pyllit nëpër natë.
Në fletoren ku ti shkruan
zë e cicërin një zog…
Ai zë është i bilbilit
që me lisin ishte shok.
Në fletoren ku ti shkruan
ndrit një rreze përmbi flete…
Është rrezja diellore
që e mbante lisin në jetë.
Në fletoren ku ti shkruan
gurgullima uji nisin…
Ai zë është i burimit
ku ka shuar etjen lisi.
Në fletoren ku ti shkruan
pena nis cijat patjetër…
Është zëri i fabrikës
që e bëri lisin letër.
Iku lisi që nga pylli
dhe fletore na u bë…
Prandaj ndihet një zë sëpate,
ndaj këndon një zog në të,
ndaj një rreze nis shkëlqen
edhe zbardh si dëborë,
prandaj pena nis këndon
për druvarë e punëtorë.
Ndaj burimi gurgullon
rrëzëllejne pika djerse…
Në fletoren ku ti shkruan
ja pse ndihen zëra jete!
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)
NAIM FRASHËRI
(1846-1900)

Naim Frashëri poeti ynë kombëtar. Figura qëndrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes. Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur “Zosimea”. Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjetër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës e të Lindjes. Gjithë forcat dhe talentin ia kushtoi çështjes kombëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për të. Krijimtaria e gjerë letrare e Naimit, me veprat poetike e didaktike, kap një periudhë të shkurtër prej 13 vjetësh (1886-1899). Vetëm në vitin 1886 ai botoi veprat “Bagëti e Bujqësia”, “Vjersha për mësonjtoret e para”, “Histori e përgjithshme” dhe poemën greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”. Më 1885 botoi përmbledhjen me vjersha persisht “Tehajylat” (Ëndërrimet) më 1888 botoi “Dituritë”, më 1890 “Lulet e verës”, më 1894 “Parajsa dhe fjala fluturake”, më 1898 “Historia e Skënderbeut” dhe “Qerbelanë” dhe më 1889 “Historia e Shqipërisë”. Sëmundja dhe lodhja e madhe ia keqësuan shëndetin poetit, zemra e të cilit pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën 54-vjeçare, i zhuritur nga malli për atdheun dhe me brengën që s’e pa dot të lirë.
Vdekja e poetit qe një zi e vërtetë kombëtare.
TË VEGJËLIT
Lerini gjithë të vijnë
të vegjëlit pranë meje.
Ah! mos i bëni të qajnë,
kurrë të mos mallëngjehen,
sytë ulur të mos i mbajnë
dhe të meken e të ndehen,
po të qeshin, të nxitojnë,
të bredhin e të gëzohem,
të prehen e të këndojnë
e kurrë të mos mendohen.
Më të vjen keq t’u mardhë dora
e faqëza bukuroshe,
kur bie e shkreta dëbora,
dhe këmbëza vogëloshe.
Më k’ënda t’u mbaj në duar…
…………………………………………
N’atë sy kurrë mos shtjerë
lotin e hidhur e të shkretë
dhe mos e lerë të bjerë,
po falu në buzët gaz
dhe në sythit bukurinë,
e rriti cazë nga cazë
duke u dhënë urtësinë.
Epu jetëzën e gjatë
edhe mos i lerë kurrë
pa mëmëzë e pa atë
dhe në brengë e të sëmurë.
S’mund t’i shohë të mallëngjyer
a të varfër e të mjerë!
Dhe të grisur e të shqyer
kurrë, kurrë mos i lerë!
Falu gjithë mirësitë,
të rrojnë me nder në jetë,
të mësojnë dituritë,
të bëhen të vërtetë
të ndërtojnë mëmëdhenë,
vlerat t’ia lartësojnë,
mbi gjithë botën ta ngrenë,
si lule ta zbukurojnë!
MAÇOKU DHE MINJTË
Tregojnë se një maçok
ish i fortë sa s’kish shok,
kur dilte të gjatonte,
asnjë mi nuk’ i shpëtonte.
Minjt’ e gjorë desh u shuan,
ca të pakët që shpëtuan,
në vrimë rrinë të tërë
nga frika se mos i zërë.
Maçi përgjon nat’ e ditë,
po s’dalin nga vrima minjtë.
Rrinë ndënë prak.
Po për këtë shkak,
maçi, një mëngjes,
shtiret sikur vdes
dhe në një litar
nga këmbët u var,
as tundet, as flet,
mitë, me të parë,
pandejnë vërtet
se, maçokn’ e kanë vrarë.
Në dhomë, guxojnë
qasen mengadale,
nga gazi këndojnë
dhe kërcejnë valle,
i vdekuri qeshi,
(u ngjall si Lazari)
dhe ra nga litari,
zuri minj sa deshi,
ata që shpëtuan
me vrap u larguan.
“Tekdo që të vini,
thosh maçi me vete,
shpëtim nukë kini
se di marifete,
di të them të rreme,
di të bëj llagëme.”
Maçi një të diel.
U lye me miell.
Minjtë këtë dhunë,
Nuk’ e kupëtuan
dhe ju afruan,
një nga një u zunë.
Një mi plak me mënd,
i ditur, i vuar,
s’u qas n’atë vënd:
“Të kam kupëtuar,
dhe miell në ke
s’të bie në duar,
se të di kush je
sot s’më gënjen dot, s’më qesh
dhe thes me miell të jesh,
nuk qasem, mos ki shpresë.”
Tha miu dhe iku.
Armikut, kush s’i vë besë,
shpëton nga rreziku.
NË DASHTË ZOTI
Nastradini ish qetuar
Dhe po rrij duke mejtuar;
Po përnjëherë u xgjua,
Së shoqes i tha: “O grua,
Nesërë jam për në veshtë,
Se s’kam vatur këtë vjeshtë,
Sindëkur vinja qëmoti.”
Plaka tha: “Në dashtë zoti.”
Nastradini i tha: “Unë
S’e këllas zotnë në punë,
E shoh vetë punën time,
E nuk e vë nër mundime,
Që të doj’ a të mos dojë,
Se nukë më flet me gojë.”
Kështu the, o jetëgjatë!
Papo u ngrite me natë,
More shportat e gomarë,
Po s’të vate udha mbarë!
Për rrush del njeriu i mjerë
E sjell shkarpa shumë herë.
Gjithë bota po punonin
E udhëtë po ndrejtonin.
Nastradinë kur e panë,
E zun’ e më nuk e lanë:
Gjithë ditën gur’ i gjori
Mbajti edhe pagë s’mori.
I këputur, i drobitur,
I lodhur, i kahënitur,
Natën në t’errët u kthye,
Me pluhurë mbi qyrdye!
Erth më der’ e trokëlliti,
E shoqja nga shkalla xbriti,
Tha: “Kush ësht’ aty më derë?”
Pa tha Nastradin’ i mjerë:
“Në dashtë zoti, jam unë,
Që vajta e s’bëra dot punë!”
ZOGU DHE DJALI
Një zog të vogël zuri një djalë,
Ai po dridhej dhe i thosh’ ca fjalë,
Nuk të vjen keq se jam i mitur,
Si ty i vogël dhe s’jam rritur,
Më pret im’ më si ty jot’ ëmë,
Të mos i vete, ç’bëhet prëmë?
Fjalët e zogut djali i dëgjoi,
Qau, e puthi, pastaj e lëshoi.
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)
PROZË SHQIPTARE PËR FËMIJË
VIRON KONA

Viron Kona u lind më 1950 në Vlorë. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës për Gjuhë – Letërsi shqipe. Për shumë vite ka punuar në organe të larta të shtetit si dhe mësues dhe drejtor në disa shkolla 8-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1982. Autor i 18 librave me tregime, novela dhe romane për të rritur dhe fëmijë, midis të cilave përmendim: “Etje që shuhej”, “Pëllumbat”, “Mos m’i zbukuroni plagët”, “Pulëbardhat përbindëshe”, “Ujkonja”, “Bubulinoja Çamarrok”, “Dëshira e fshehtë e Bubulinos”, “Pyesni Bubulinon”, “E fshehta e pyllit”, “Dëgjoma zemrën Budapest”, “Dardi, Dardi në gadishullin e vetëtimave”, “Drithërima e yjeve”, etj. Viron Kona është fitues i 6 çmimeve për gjininë e tregimit në shkallë vendi dhe i vlerësuar nga studiuesit dhe kritika për nivelin e lartë të krijimtarisë së tij letrare dhe artistike.
TRIMËRITË E BUBULINOS
Gjatë ditës Bubulinoja tregohej shumë trim. Rrëmbente shpatën prej druri, shtizat e gjata, përdorte si mburojë ombrellën e babait ose të mamit dhe, duke nxjerrë gjoksin përpara, vërtitej nëpër dhoma duke thërritur:
– Jam Hektori, jam Aleksandri, jam Skënderbeu! Dil, or Akil, të ndeshesh me mua në fushën e betejës!?
– Dhe duke vringëlluar shpatën si Don Kishoti, sytë i shkreptinin nga trimëria dhe heroizmi. Mjerë Baronesha dhe Pisika se ç`hiqnin nga shpata dhe shtizat e tij. Por armët e Bubulinos nuk kursenin as karriget, jastëkët, kukullat, gërvishtnin muret. Veç në mbrëmje:
– Bubulino, shko e më merr pakëz pantoflat në dhomën e gjumit, – i thotë babi dhe shton: – Kujdes, mos rrëzohesh, se llampa është e djegur.
Bubulinoja i afrohet dhomës së gjumit dhe befas ndal këmbët. Pastaj hedh një hap dhe ndalon. Në dhomë është errësirë e madhe dhe diçka po lëviz atje poshtë dollapit të rrobave. Ai ka frikë të futet në dhomë. Qëndron një copë herë të gjatë, pa mundur të bëjë dot një hap përpara.
– Bubulino, i gjete pantoflat? – vjen zëri i babit nga kuzhina.
Vogëlushi s`përgjigjet. Ndjen që pranë i afrohet si me magji gjyshja. Zhurma poshtë dollapit të rrobave vazhdon. Gjyshja mban vesh një copë herë dhe buzëqesh. Janë ato shejtankat, Pisika jonë dhe Bianka e komshiut, ajo bukuroshja që s`la zogj pa ngrënë. Ato luajnë me pantoflat se u duken si bishta miu. Gjyshja i merr pantoflat dhe ia jep vogëlushit:
– Shpjerja babit, – i thotë ajo.
Bubulinoja ia shpie pantoflat babit, por sepse i mban sytë përdhe. I vjen turp që u tregua frikacak dhe pyet veten se ku i shkuan gjithë ato trimëri, ato beteja të rrepta me kundërshtarë imagjinarë, ato dyluftime me lavdi! Jo, ai s`duhet të ketë më frikë! Dhe, Bubulinoja pret me padurim mbrëmjen e ditës tjetër, që të shkojë vetëm në dhomën e errët të gjumit dhe t`i sjellë mamit apo babit diçka, që ata do t`ia kërkojnë. Por ditën tjetër, llampa elektrike u rregullua.
(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)