KRITIKE + PUBLICISTIKE

PUBLICISTIKË

SHKOLLAT E PARA SHQIPE TË MESJETËS

(I përkasin “rilindjes arbënore”, që i parapriu asaj kombëtare)

Ndue Dedaj

(nga Ndue Dedaj)

Korrigjimi i parë historiografik do të ishte: Nuk kemi një shkollë të parë shqipe, por disa shkolla të tilla dhe kjo është lumni për një komb. Korrigjimi i dytë historiografik: Shkollën apo shkollat e para shqipe nuk i kemi në shekullin XIX, por në shekujt XVI – XVII, të paktën nga viti 1632, ose 255 vjet më herët se shkolla e Korçës, që njihet zyrtarisht si i para. Korrigjimi i tretë historiografik: nuk ka kuptim që katolicizmit t’i pranosh librat e parë shqip, por jo dhe shkollat e para shqipe, pasi ato janë një unitet kulturologjik shqiptar, thënë ndryshe, ngjizur nga e njëjta ABC. Duhet mbajtur fort e ngulitur në mendje ajo që thoshte Faik Konica, se katolikët shqiptarë janë shkaku që u mbajt gjallë kombësia jonë, të cilët i thoshin lutjet shqip në meshën e së dielës, shkruanin librat shqip e hapnin shkollat shqipe. Kisha Katolike, në ravën e mundimshme të krijimit të vlerave themelore në shumëfishin e kulturës, s’i rreshti përgjatë Mesjetës përpjekjet shqipnore në lëmin e gjuhës dhe shkollimit. Ipeshkvi i Arbnisë, Imzot Gjon Kolesi, françeskan shqiptar, në vitin 1625 shpall para Selisë së Shenjtë nevojën e “ngrehjes” së një a dy shkollave në malësitë e dioqezës së vet (ku mvareshin dhe kishat e Krujës, Kurbinit, Matit, Lurës, Dibrës, përfshiheshin famullitë mirditore të Kthellës, Selitës e Rranzës) “me nga 10-12 çuna secila”, ku nxënësit “të mësonin shkrim e këndim dhe themele të mira të besimit”. Pastaj, të shkolloheshin më tej jashtë vendit, në Loreto (Itali), “sepse kështu do të nxirrej fryt i mrekullueshëm n‘ato vende ku s’ka shkolla e as mësues”. Dhe më e rëndësishmja: “mbasi të kenë nxanë për vete, do të bahen mësues për të tjerët”. (Injac Zamputi, Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin XVII, Vëllimi I, Tiranë 1963, f. 371.) Kërkesa të tilla të prelatëve të lartë shqiptarë të shekullit XVII, por dhe të një shekulli më parë, bënë që për nevoja të predikimit shqip dhe formimin e klerit katolik vendas të hapeshin disa shkolla shqipe. “Një rol të rëndësishëm për këtë qëllim luajtën priftërinjtë katolikë shqiptarë, të cilët gjatë shekullit XVII hapën shumë shkolla fillore e të mesme në gjuhën shqipe; hartuan tekste shkollore, bënë përkthime të librave fetarë dhe hodhën themelet e letërsisë së shkruar shqipe”. (Menduh Dërguti, dr. Sonila Boçi, dr. Ledia Dushku, Historia, Tiranë, 2010, f. 38.) Studiuesit kanë vërejtur se “përveç shkrimit e leximit, aty mësohej gramatika shqipe dhe përdoreshin librat e Bardhit, Budit e Bogdanit”. (Edwin Jasques, Shqiptarët, 1995, f. 313. Të dhënat për këto çerdhe të para të diturisë sigurisht që nuk janë të mjafta, për shkak të travlimeve politike që kalonte vendi, rrënimit të arkivave e bibliotekave. Por dihet se në Shqipërinë e Veriut në Mesjetë kemi një gjerdan shkollash dioqezane, ku dy më kryesoret ishin e Kurbinit dhe e Velës. Ndoshta ndër ato të dyja, asnjëra nuk ishte e para, por sipas një shprehje latine, secila ishte e parë ndër të para. Mundet të ketë qenë rastësi, por më shumë mund të ketë qenë marrëveshje mes ipeshkvnish që ato shkolla të hapeshin njëherësh, në një vit. Ato vijnë përgjatë shekullit të 17 si dy krenat e një shqiponje, sa në një kreshtë Kurbin-Kruje, në një tjetër Mirditë-Lezhe. Duhet mbajtur parasysh se ato shkolla ishin në male të thella, të fshehura, pasi nuk mund të ishin lirisht në qytete, që ishin nën sundimin otoman. Malet ishin më të lira dhe për vetë rrojtjen e Ipeshkvinjve. Kemi një lartësim shpirtëror, moral dhe kulturor në nismën për këto shkolla, për çka memoriali i tyre nuk duhet vonuar më tej në shekullin XXI. Shkollat më së shumti ishin “ngjitur” në male, në Shna Premte të Kurbinit (dikur abaci e Ipeshkvnisë së Krujës), në Velë-Mirditë (qendër ipeshkvnore e Lezhës) e Shën Llezhdër të Oroshit (abaci dhe rezidencë verore e Ipeshvit të Lezhës), ku institucionet e besimit herë pas here përtëriheshin, shekullare dhe rregulltare. Françeskanët u jepnin arsimin fillestar fëmijëve të shtresave të gjera të popullsisë, aq më tepër që në Urdhrin Françeskan kishte dhe shumë shqiptarë. Në vitin 1585 ata mbijetonin në kuvendin e Sebastes-Laç, atë të Lezhës, të Rubikut dhe të Kepit të Rodonit, me një numër të përgjithshëm prej 40 rregulltarësh. Edhe shekullarët i kishin shtuar e përmirësuar shkollat, dhe për faktin se Koncili i Trentos (1545-1563) kishte vendosur që çdo dioqezë të kishte seminare për përgatitjen e priftërinjve. (Nikollë Loka, zhvillimi i arsimit në Arbërinë mesjetare, “Dielli”, 2012.) Krijimi i këtyre seminareve u ndërmor për të garantuar një formim më të mirë fetar, kulturor e moral të klerit të ardhshëm, me qëllim që ta bënte atë të aftë në zhvillimin e veprimtarisë pastorale. (Gian Luca Potestà, Giovanni Vian, Historia e krishterimit, Bolonja 2010, Tiranë 2012, f. 334.)

Shkolla e Velës

Shkolla e Velës u hap nga ipeshkvi i Lezhës. “Aty nxënësve u mësohej gjuha shqipe.” (Historia e Letërsisë Shqiptare, Tiranë 1983, f. 14.) Dom Prend Suli shkruante se për shumë vjet, Ipeshkvia e Lezhës ka pasur në Velë një Gjakoni (shkollë fetare), ku priftnit u mësonin shkrim të rinjve. Më pas, djemtë kryenin mësimet pranë Ipeshkvit, i cili i shuguronte meshtarë. Historiani i njohur, Zef Mirdita, shkruan se qëllimi i kësaj shkolle ka qenë formimi i klerit, prandaj ajo mund të konsiderohet si seminar. Këtë shkollë e vlerëson në shkrimet e veta dhe profesor Jup Kastrati, kurse akademik Jorgo Bulo, duke pasur parasysh kryesisht ndihmesën e saj, shkruan se Mirdita është vendi ku shqipja u mësua të paktën nga shekulli XVII dhe ku u ruajtën trajta arkaike me vlerë për historinë dhe zhvillimin etimologjik të shqipes. (Gjon Marku, Mirdita-intervista I, 2002, f. 52.) Rëndësia e Shkollës së Velës dëshmohet dhe nga një Urdhëresë e Kuvendit të Arbërit (1703) që lëshohet posaçërisht për këtë shkollë dhe atë të Kurbinit, si dy shkollat kryesore të kohës. Kapitulli 5 i Koncilit Shqiptar “Mbi shkollën e Kurbinit dhe të Lezhës/Velës” porosit që nxënësit “pas përvetësimit të shkrim – këndimit, duhet të mësojnë njohuritë e para gramatikore (nënkupto: shqipe) dhe ato të gjuhës latine.” (P. Vinçens Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, Ulqin-Tuz, 1999, f.127-128.) Ka pasur datime të ndryshme për sa i përket Shkollës së Velës, ndonjëherë është thënë gabimisht (nga mosnjohja e dokumenteve) se i përket vitit 1692, apo se është hapur rreth vitit 1660, por tashmë kohëhapja e saj është përcaktuar. Studiuesi amerikan Edvin Zhak, në librin e tij “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme”, shkruan: “Shkolla e parë, e dokumentuar, në gjuhën shqipe, u hap në Velë të Mirditës më 1632”. Por kjo nuk ishte e vetmja. Sipas tij, “një tjetër shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin po më 1632.” (Shih dhe Mehmet Elezi, Shkolla e Parë Shqipe në Shkodër, “Bota sot”, 8 nëntor 2003; Safet Hyseni: Histori e shkurtër e arsimit shqip, 10.09.2012.) Pas vdekjes së ipeshkvit Gjergj Uldanji më 1690, shkolla vazhdoi të funksionojë, ndërkohë që ipeshkvi la me testament që nga të mirat (të ardhurat) e tij të ndihmoheshin dy nxënës, dëshirë që nuk u çua në vend nga të kushërinjtë. (Z. Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Zagreb 1998, f. 324.).

Shkolla e Kurbinit

Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985) shkruhet: “Shkolla e Kurbinit. Një nga shkollat e para shqipe, e themeluar me 1632 në afërsi të Krujës, që i përkiste vilajetit të Shkodrës. Përveç leximit e shkrimit, aty jepej dhe mësimi i gramatikës. Përdoreshin si tekste mësimore edhe veprat e Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit e të ndonjë tjetri, në gjuhën shqipe. Pushtuesit osmanë e penguan veprimtarinë e saj derisa e mbyllën”. (Shefik Osmani – Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 1021.) Pak radhë, por thelbi është i qartë, shkollë shqipe, ku mësohej shkrimi shqip e ku përdoreshin librat e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë. Shkolla e Shna Premtes së Kurbinit në Gallatë, u hap nga Ipeshkvi Gjon Kolesi dhe vazhdoi deri në vitin 1650, kur ipeshkvi i pasardhës i Arbnisë, Mark Skura, tashmë ishte mplakur dhe nuk mund ta mbronte nga sulmet dhe persekutimi otoman, siç i shkruan një kardinali të asaj kohe. Shkolla hapet përsëri dhe vazhdon gjatë, ajo kishte herë 10 e herë 12 xhakonj që Ipeshkvi i përgatiste meshtarë. Disa studiues, ndër ta dhe gjuhëtari David Luka e konsiderojnë atë si shkollën e parë shqipe. Por çudia është se ajo që pranohet si e mirëqenë në Enciklopedinë e vitit 1985, fshihet pa dhimbtë në Enciklopedinë e mangët të vitit 2008. Akademia e Shkencave, nëse me të vërtetë e meriton këtë emër, nuk duhet të lejojë lajthitje të tilla në botimet akademike. Vitet e fundit, bazuar në relacionet e vizitorëve apostolikë në dioqezën e Arbnisë e dokumente të ndryshëm arkivorë, kemi një profil të plotë të kësaj shkolle historike, bërë nga studiuesi i pasionuar i historiografisë kishtare dr. Kastriot Marku. (Kastriot Marku, Historiku i shkollës së Kurbinit, “Republika”, 30.10.2012.) Ndonëse drejtimi i këtyre dy shkollave (Kurbinit dhe Velës) ka qenë formimi intelektual i klerit, prapëseprapë qëllimi i tyre ka qenë më i gjerë – arsimimi i popullsisë në përgjithësi, thekson akademik Zef Mirdita në citim dhe të dr. Fra. Andria Nikiç. Gjatë mesjetës, arsimi ka qenë dyfarësh: arsimi klerikal, pra, në suazën e teologjisë së bashku me lëndë të tjera të karakterit linguistik dhe filozofik, si dhe të arteve të lira, por dhe arsim laik i llojit shekullar. (Moikom Zeqo, Ndihmesë për arsimin në Shqipëri gjatë shekujve, “Mësuesi”, 24 maj 2000.)

Shkolla e Pllanës dhe e Blinishtit

At Donat Kurti, në një studim të botuar në revistën “Hylli i Dritës”, më 1935, përmend disa nga shkollat e para, por me gjurmimet e mëvonshme, informacioni dokumentar rreth tyre është bërë më i plotë, sado që ende jo shterues e përfundimtar. Vargu i shkollave do të përfshinte: shkollën e Himarës (1628), shkollën e Pllanës (me 50 nxënës, hapur më 1638 nga Pater Karli i Mirandolës), shkollën e Shkodrës (1638), shkollën e Blinishtit të Zadrimës (hapur më 1639 nga Fra Kerubini, që më vonë do të ngrihej në nivelin e mesëm), shkollën e Oroshit (1657), shkollën e Janjevës në Kosovë (1671), shkollat e Durrësit, Pejës, Gjakovës, Prizrenit etj., shumë prej tyre të çelura nga françeskanët, përfshi dhe Kuvendin e Troshanit (1639), të Rubikut (1582) etj. Nuk kemi të bëjmë me një panoramë lokale, por me një arsimpërhapje strategjike, ani se kryesisht në arealin verior, nga ata misionarë që u kishin mësuar nxënësve për herë të parë shkrimin në gjuhën shqipe, po dhe që kishin përkthyer vetë nga latinishtja në shqipe. Shkollat shtohen pas dekretimit të misionit të Fretërve të Vegjël të Reformuar në Shqipëri më 1634. Në njërin nga relacionet e kohës thuhet se fretërit e Pëdhanës, Blinishtit e të tjerë i “stërvisnin fëmijët në punët e fesë, duke i mësuar të ishin të aftë në mësimin e shkronjave”, (shto faktin se “gjatë meshëve gjithnjë predikohej ndonjë gjë në gjuhën shqipe”), “ishin afërsisht pesëdhjetë fëmijë që mësonin me shkrue e me lexue… të cilët në pak kohë përparuen shumë në mësime… disa prej të cilëve, mbrëmjeve, në shtëpiat e tyre, u mësonin të vetëve shkrim e këndim. (P. Vinçens Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, Ulqin-Tuz, 1999.) Përndryshe, po vërtetohej ajo që ipeshkvi i Durrësit, Gjon Kolesi, kishte paralajmëruar dhjetë vjet më parë, se prej shkollave që do të hapeshin do të dilte fryt i mirë i dijes për popullin. Thuhet se në bibliotekën françeskane ka ekzistuar dhe një fletore e shkruar nga një ish-nxënës i shkollës së Blinishtit e vitit 1639.

Shkolla e Oroshit

Vizitori Apostolik Shtjefën Gaspri, gjatë vizitës së tij në Orosh në vitin 1671, ndër të tjera përmend dhe shkollën me nxënës që mbahej nga prifti Dom Nikollë Vladani, i afërt i ipeshkvit të Lezhës. Nuk jepen të dhëna se kur ishte çelur ajo shkollë, sa nxënës kishte etj., por sidoqoftë i rëndësishëm është fakti se në mesin e shekullit XVII Oroshi kishte një shkollë të veten me nxënës ku shkruhej gjuha shqipe. Në një tjetër dokument përmendet se, më herët, më 1657 në Mirditë kemi një seminar me 12 nxënës që përgatiten të vazhdojnë studimet e larta në kolegjet italiane, një praktikë e njohur e kohës. Nuk thuhet se ku është ky seminar, por të gjithë gjasat janë të jetë fjala për shkollën e sipërthënë të Oroshit, pasi asokohe shpesh ky identifikonte Mirditën, ngaqë aty ishte kryekisha abaciale dhe selia princërore e Gjomarkajve. Në të mirë të vendpërcaktimit të këtij seminari të Mirditës, në Orosh, vjen dhe fakti që Nikollë Vladani ishte një emër i spikatur mësuesi të shqipes, i cili më 1675, bashkë me Pjetër Perlatin dëshmohet si mësues i shqipes në dioqezën e Lezhës, nga ku varej Abacia e Mirditës. Ky misionar në kohën kur mbahet Kuvendi i Arbnit me 1703 ishte Ipeshkëv i Lezhës, sipas Viçens Zmajeviçit, “më i afti dhe më inteligjenti në ipeshkvinjtë e tjerë”. (Ndue Dedaj, “Toka e katedraleve”, Tiranë 2006.) Janë po misionarët katolikë, me Abat Prend Doçin në prije, që rihapin shkollën e Oroshit më 1899, me mësues famullitarin Dom Zef Marashi, për të vazhduar me shkollën e Spaçit, Rrëshenit, Kashnjetit, Milotit, Selitës, Kthellës, Rranzës, me mësues gjithashtu priftërinjtë.

Shkolla e Himarës

“Shkolla e parë shqipe” mund të kërkohet dhe në një tjetër gjeografi rajonale nga ajo e mësipërme, në Jug të vendit. Kronikat thonë se në vitet 1628–1661, shkolla shqipe me germa latine u hap në Dhërmi të Himarës dhe më vonë edhe në disa qendra të tjera të krahinës. Ato u ngritën nga misionarët bazilianë, shumica e të cilëve ishin arbëreshë të Italisë së Jugut, të vendosur atje në vitin 1482. Kjo shkollë ka të bëjë me ndihmesën e bazilianëve për shkollim andej dhe këndej Adriatikut. Më parë, prej tyre kemi shkollën shqipe të Arbëreshëve të Italisë, ku “katekizmi i Lekë Matrëngës “E mbësuame e krishterë” (1592) ishte shkruar qëllimisht për t’u përdorur si tekst didaktik për mësimin e shqipes dhe besimit njëherësh te arbëreshët e Siçelisë.” (Kastriot Marku, “Shkolla e parë shqip e arbëreshëve të shekullit XVI, “Standard”, 2 mars 2015.) Lidhur me këtë vepër akademike, Gjovalin Shkurtaj shkruan se qysh prej saj, “nëpër ngulimet arbëreshe kanë parë dritë shumë vepra e vepërza, origjinale ose të përkthyera, në shqipen e variantit arbëresh të ngulimeve përkatëse”. (Gjovalin Shkurtaj, Ligjërimet arbëreshe, Tiranë 2006, f. 39.) Por të vijmë te shkolla e Himarës. Petro Marko, një nga korifenjtë e letrave shqipe, duke qëndruar në Francë dhe Itali, kishte hulumtuar dhe gjetur dokumente që vërtetonin dëshmitë e mësipërme për këtë shkollë. Prandaj historia e shkollave shqipe besohet se fillon me këto shkolla mesjetare, më shumë se 250 vjet përpara asaj të Petro Ninit dhe Papa Kristo Negovanit në Korçë. (Shih: Himara, Enciklopedia e lirë.)

Shkolla e Stubllës së Karadakut

Një kapitull më vete përbën shkolla e parë shqipe në Kosovë, aq më tepër se ajo është e shekullit XVI, afro gjysmëshekulli para shkollës së Kurbinit e Velës. Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesëshekullore. Edhe atëherë kur persekutimi i arsimit shqip nga autoritetet osmane ishte i ngritur në sistem, në Stubëll, fshat i Malësisë së Karadakut, më 1584 fillon tradita e arsimit shqip, i pari dhe i vetmi rast atëherë në Kosovë, kur edhe kishte funksionuar shkolla e parë. (Isak Ahmeti, Stubëll, 11 maj 2004.) Kjo shkollë, siç shkruan edhe studiuesi i njohur Dhimitë S. Shuteriqi, ishte në formë kolegji, i rangut të një instituti të lartë, çfarë ishin zakonisht kolegjet fetare të asaj kohe në Europë, ku, përveç teologjisë, mësohej filozofia dhe studioheshin klasikët (shih: Dhimitër S. Shuteriqi, Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera, “Naim Frashëri”, Tiranë 1987, fq. 92). …Dhe vazhda e dituripërhapjes nuk ndalet. Në vendin e një qytetërimi të rrallë ballkanas, më 1744 u themelua në Voskopojë “Akademia e re”, e cila pati një ndikim të madh në zhvillimin e gjuhës shqipe.

 “MËSONJËTORJA E KORÇËS”, E PARA? APO SHKOLLA E VELËS DHE E KURBINIT? …

Duke marrë në analizë këtë traditë të vyer të katër shekujve më parë, shkencërisht dhe pa paragjykim, siç i ka hije një historiografie moderne, a nuk është me vend që “datëlindjen” e shkollës shqipe ta shtyjmë më përpara, në gjysmën e parë të shekullit XVII, te një shkollë në Velë, Kurbin a diku tjetër? A nuk përkon kjo jo vetëm me një të vërtetë historike të padiskutueshme, por përafrohet natyrshëm në kohë dhe me fillimet e letërsisë shqipe dhe të shqipes së shkruar? A nuk ishin të një rangu, të një lartësie historike, të një frymëzimi, të një misioni kishtar e kombëtar, si ata që shkruan librat e parë shqip, si ata që hapën shkollat e para shqipe në dioqezat e tyre? Të gjithë humanistë-ipeshkvij e meshtarë shqiptarë! A nuk është e udhës që një famulli malesh shqiptare, të shpallet në mënyrë simbolike si “akademia” e parë shqiptare e dijes? Le të jetë kjo në Tivar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Mirditë, Shkodër, Elbasan, Ulqin, Karadak a Prizren. Duke shqyrtuar veprat e Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit (35 vepra, krejt a pjesërisht shqipe, të dala prej Propagandës Fide të Romës nga shkrimtarë shqiptarë) studiuesit kanë nënvizuar se kështu “ishte hedhur baza kulturore dhe ideore e një rilindjeje arbënore, e cila vërtet do të vononte të vinte, porse kishte të ardhme të sigurt. (Artan Shkreli, Propaganda Fide dhe Shqipëria, “Shqip”, 17 shtator 2006.)

Këto kohë ka pasur zëra të shkruar e të pashkruar, për ta riparë datimin e së parës shkollë shqipe në vendin tonë, që sot për sot zyrtarisht e kemi në fundin e shekullit XIX, me Mësonjëtoren e Korçës të vitit 1887, natyrisht një gjurmë e shndritshme e veprës së Rilindësve tanë. Po a nuk janë rilindës dhe ata që i hapën ato shkolla dy shekuj e gjysmë para kësaj? A nuk na thotë i vyeri profesor Namik Resuli, studiuesi i njohur i letërsisë shqiptare, se “për klerikët shqiptarë Rilindja Kombëtare kish zënë fill, ndonëse fshehurazi, që nga dita kur Shqipëria u robërua përfundimisht nga turqit.” (S. Çapaliku, Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqiptare, Tiranë 1997, f. 35.) Ishte e kuptueshme që kisha katolike, i vetmi “institucion shqiptar i mbetur në këmbë”, në rend të parë të asaj rilindjeje, quaje po deshe dhe arbënore, të kishte punët e diturisë, arsimit dhe edukimit. Ndaj, sipas logjikës më të thjeshtë, do të pyetej: si mundet ta pranosh gjuhën dhe letërsinë shqipe të asaj kohe për të parë, kurse shkollën e bërë po prej tyre të mos e marrësh si të parë? Pa u nisur thjesht nga aritmetika e shifrave, cili komb nuk do të ishte i lumtur po ta kishte shkollën e vet të parë të paktën 255 vjet më përpara asaj që e mban për të tillë, d.m.th. jo në vitin 1887, por dy shekuj e gjysmë më parë, në vitin 1632! (Ndue Dedaj, Toka e katedraleve, Tiranë 2006.)

Kështu, “shkolla e parë shqipe”, në thelb s’ka të bëjë dhe aq me emrin Korçë apo Shkodër, Kurbin apo Velë, Stubëll apo Dhërmi, por me një koncept historik, atë të një Rilindjeje Shqiptare që fillon në shekullin XV dhe kulmon në shekullin XIX. Botimet dhe shkollat e para shqipe janë prirë e mbajtur gjallë nga ipeshkvijtë shqiptarë: Pal Engjëlli, Nikollë Mejkashi, Gjon Kolesi, Mark Skura, Frang Bardhi, Gjergj Bardhi, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Gjergj Uldanji, Nikollë Vladani, Shtjefën Gaspri, si dhe mësuesit: Gjon Shqiptari, Filip Shkodrani, Dhimitër Dhërmiu, Fra Kerubini, Pater Karli, Dom Prenga i Troshanit, Dom Martin Bushalla i Durrësit, Dom Pjetër Perlati i Mirditës etj. Një traditë që vinte nga shekulli XV, me humanistët shqiptarë në Rilindjen Europiane, gjer profesorë në Universitetin e Padovas, si Gjon Gazulli etj. Por, pavarësisht shkrimeve sporadike të karakterit historik të autorëve të ndryshëm, me sa dimë askush ndër studiuesit nuk është ngulur me themel në ndriçimin e kësaj maratone shqiptare për diturinë.

Shkollat e para fuqizohen me Kuvendin e Arbënit që mbahet në Mërqi të Lezhës, në kishën e Shën Kollit, me 14-15 janar 1703, me bekimin e Papa Klementit XI, me origjinë shqiptare, përkundër asimilimit otoman. Deri në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, nga Durrësi në Shkodër e Kosovë, kishte 21 shkolla fillore me nga 30 nxënës e në Prishtinë deri në 80. Fakti që dokumentet e Kuvendit të Arbnit u botuan si në latinisht si në shqip 300 vjet më parë, dëshmon se ishin të shumtë ata njerëz që dinin të shkruanin e lexonin shqipen që e kishin mësuar në shkollat ku ata ishin shkolluar. (Mehmet Elezi, artikull i cituar.) Në këtë kontekst, Mësonjëtorja e Korçës nuk zbehet aspak, si një shkollë shqipe historike, kombëtare, martire, qytetare, laike, përkundrazi ajo del më fort në pah si rithemeluese e një tradite arsimore shqiptare paraardhëse, e një etape të dytë të arsimit rilindës në Shqipëri, si dhe vetë shkrimtarët e shquar të Rilindjes ishin pasardhës të shkrimtarëve të letërsisë së vjetër, misionarë të fesë dhe të qytetërimit.

Së fundi, a nuk ka ardhur koha që të ketë një qëndrim tjetër zyrtar ndaj këtyre shkollave të Mesjetës, jo vetëm nga njerëzit e letrave dhe të historisë, por dhe nga institucionet e shtetit shqiptar, posaçërisht Ministria e Arsimit dhe e Sportit? Nëse kisha katolike themeloi nëpër Europë universitetet e para si në Bolonja, Padova etj., këtu mundësitë ishin shumë më të kufizuara, por ama diçka e mirë ndodhi, një gjerdan shkollash të ulëta e deri të mesme u hapen. Por rrallë kemi vënë ndonjë pllakë aty ku ato kanë qenë. Ende në kokë kemi mendësinë ateiste se ato ishin “shkolla fetare”, lokale dhe si të tilla nuk ishin kombëtare?! Po kush mund të thotë se çfarë e bën më kombëtare “Mësonjëtoren e Korçës” se ato para saj? Në kuptimin e mësipërm, të ngushtë, a nuk ishte dhe ajo një shkollë Korçe? Por kombi kështu është bërë, me visarin kulturor, arsimor të të gjitha trevave shqiptare. Anatema “shkolla fetare” është e pakuptimtë, ajo i përket regjimit komunist, siç nuk qëndron dhe ndonjë kinse tjetër argument se atëherë nuk kishte alfabet shqip, por vetëm latinisht (?) E dinë dhe shkollarët fillestarë se alfabet shqip kishte të paktën qysh nga shekulli XV i Formulës së Pagëzimit.

(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2020, Andi Meçaj)

KRITIKË

“PLANETARIUMI” I HIQMET MEÇAJT”

(Për romanin “Kukullat e Pyllit”)

Lame Fandi.jpg

NGA HARALLAMB FANDI

Në të vërtetë romani që lexova nuk ka këtë titull, po gjatë leximit të librit në dukje i vogël, u zhyta në një botë të madhe, me përmasa në zgjerim të vazhdueshëm, pa pika mbërritjeje, madje edhe pa pika fillimi. E ndjeva veten si në një planetarium, ku hapësira në të cilën sheh se je, të thith e të tret të tërin . Lexon dhe ndjen se je si atje, mes yjeve të panumërt e gjithësisë ku do apo s’do, të duket vetja thërrmijë, gjithnjë në lëvizje. Gjithsesi, si çdo gjë që të tërheq vëmendjen, romani ka dhe shumë pika ndalimi nga ku ti nis përsiatje të larmishme si bota që zbulon, teksa pret a përpiqesh që të gjesh një çast të volitshëm për të shprehur kënaqësinë që je duke ndier prej leximit. Ndodhi që një ditë, një nga të afërmit e mi, që s’pranon të lexojë libra pa u informuar mirë për vlerën e tyre, i tunduar nga ato që po i thoja, e nisi me një buzëqeshje paksa mosbesuese leximin e librit. Nuk shkoi shumë dhe, ndonëse s’e kishte mbaruar së lexuari, ai e kishte fshirë atë buzëqeshje dhe, pa e përmbajtur entuziazmin, më tha: “Ky është libër”!
E vërteta është se entuziazmi më kishte pushtuar shpejt edhe mua. Se u gëzova pa u përmbajtur për këtë arritje të mikut tim që, kur ishim fare të rinj, të sapoardhur nga studimet, me limfën e tij të veçantë poetike na pasuroi dhe gjallëroi mjaft shijet tona letrare e estetike… Nuk do të flas me hollësi për vlerat e veprës, se sapo ulem dhe shkruaj disa prej tyre, më vijnë në mend të tjera, ngaqë romani, me një lehtësi habitëse paraqitjeje e me lakonizëm poetik, të sjell përpara, pa të lodhur, ngjarje, personazhe, mjedise, zakone, tabu e thyerje tabush me një këndvështrim të ri e shpesh shklasifikues normash të vjetëruara letrare. Njeriu nuk pyet, si dikur, kush është heroi i romanit apo cili është fati i tij, sepse secilin nga personazhet e ka aq pranë saqë i duket se është i tretur brenda vetes. Ç’vend zë e djeshmja te e sotmja apo e sotmja te e ardhmja, ç’krijohet pas mjegullnajave dhe realiteteve ku zhytesh dhe pleksesh me ngërthimet që personazhet i kanë sa të natyrshme, aq dhe të jashtëzakonshme? Përgjigjet për të gjitha këto më shumë ndjehen se sa artikulohen. Në shumë raste duket qartë se autori është më fort i interesuar të pikturojë afreske letrare që të godasin e të mbeten në mend gjatë, sesa të japë përgjigje, që të të duken si të njohura kur vijnë vetvetishëm dhe të përshkojnë si të vetëtimta. Romani lexohet me kureshtje në rritje edhe kur të fut në mjegullnajën e ngjarjeve apo hijeve, që piktorët do t’i quanin “hije me dritë”, ngaqë në to shihen relieve tepër të qarta. Janë të shpeshta rastet kur ndeshesh me ngjarje apo natyra njerëzore që në jetë dhe në biseda i njeh si tepër pikante, ndërsa në letërsi e kanë patur derën të mbyllur. Mjafton të kujtojmë këtu figurën e Shahos, që i kundërvihet urtësisht dukurisë shoqërore të përjashtimit të më të aftëve nga jeta aktive dhe tjetërsimit të dhimbshëm të tyre me “një të rënë kalemi” (më saktë shpate). Për ta bërë edhe më të qartë këtë, autori i vë shpeshherë përballë figurën e patrajtuar në veprat letrare të “shokut” të tij, Baxhos, dikur kriminel, të cilin ata që u bënë të pushtetshëm edhe në sajë të krimeve të tij e nxorën në shitje si hero për ta degdisur më pas në humbëtira si thes me kashtë. “Mirësitë” e Baxhos për “shokun” e fëminisë, Shahon e dërmuar nga “shokët e tij të luftës heroike” të shkaktojnë një të qeshur dhimbëse, duke të kujtuar njëherësh edhe risinë letrare e frymën bashkëkohore të romanit. Erërat moderne fryjnë gjithandej “shpateve” të romanit dhe pasthënia e shkruar me mençuri në fund të tij nuk është vetëm shprehje e qartë e synimeve estetike, por edhe dëshirë për të na afruar sa më natyrshëm me to. Romani është një sukses që, pas çdo rileximi, vë re se koha s’i bën gjë tjetër veçse e ngre më lart.

Bari, shtator 2019

(Përgatiti për botim në “ADMET”, tetor 2019, Andi Meçaj)

PUBLICISTIKË

GJOVALIN SHKURTAJ

Gjovalin Shkurtaj.jpg

Gjovalin Shkurtaj u lind më 1943 në Shkodër. Ka kryer shkollën e mesme pedagogjike në qytetin e Shkodrës më 1962 dhe studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës më 1966. Në vitin 1966-1967 ka qenë arsimtar në rrethin e Lezhës. Nga shtatori i vitit 1967 deri në maj të vitit 1989 ka punuar si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave. Gjatë periudhës 1989-1991 ka qenë i ngarkuar si këshilltar i kulturës në Ambasadën Shqiptare në Romë si dhe Përfaqësues i Shqipërisë pranë Organizatës Botërore të Bujqësisë (FAO) dhe Organizatës Botërore të Ushqimit (WFP). Qysh nga maji i vitit 1991 është emëruar pedagog në Departamentin e Gjuhësisë të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Aty drejton sektorin e gjuhësisë së sotme. Është titullar i tri lëndëve.

KUSHTRIM PËR MBROJTJEN E GJUHËS SHQIPE

Ato që do të shkruaj më poshtë nuk janë as të reja, as të paditura. Ndokush do të thotë se po përsëris ç’ka kam thënë më parë në artikuj e në librin “Ta duam dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur” (1998). Ashtu është, kam një jetë që shkruaj e flas për pastrimin, pasurimin dhe, përgjithësisht, për kulturën e gjuhës, kam bërë kritika e kam dhënë shpesh këshilla, por puna është se, pavarësisht se çfarë themi ne gjuhëtarët, kujdesi i shqiptarëve ndaj gjuhës shqipe ka rënë shumë. Shikoni se çfarë po ndodh me emrat e përveçëm të huaj. Jo vetëm se nuk zbatohet parimi i drejtshkrimit të shqipes dhe po shkruhen siç dalin në gjuhët e huaja (Berlusconi, Blear, Clinton, New York) po edhe me thyerje të rënda të morfosintaksës shqipe, duke mos i lakuar fare emrat e përveçëm të huaj. Kështu po thuhet në shtyp e në radiotelevizion: takimi me Blear (në vend të takimi me Blerin), vizita e Klinton (në vend të vizita e Klintonit), udhëtimi i Jelcin (në vend të udhëtimi i Jelcinit) etj. Për “inerci” kjo po bëhet si ortek edhe në shkurtimet si p.sh. lajmet e TV Klan (në vend të TV-Klan-it), drejtori i KESH (në vend të i KESH-it). Madje, disa folës të Radio-Televizionit kanë filluar që shkurtimet t’i lexojnë sipas alfabetit të anglishtes e jo shqip. Tipike janë KFOR që shqiptohet keifor dhe CV që shqiptohet civi. Pra, o burra të mësojmë të gjithë drejtshkrimin e anglishtes dhe të kushedi sa gjuhëve të tjera të huaja për të shkruar shqipen?! Kësaj i thonë, siç e tha një ditë edhe përkthyesi i shquar, Robert Shvarci, të luash nga mentë e kokës. Më e keqja është se njerëzit që paguhen për të drejtuar vendin, shkencën, arsimin, kulturën, artin, sikur janë pajtuar me gjendjen e rëndë që ka pllakosur praktikën shkrimore dhe gjuhën e shkruar të gazetave, revistave e përgjithësisht, të mediave. Kur kalon nëpër udhët e sheshet e Tiranës e sheh se çfarë është punuar ndaj gjuhës shqipe. Kush të dojë e kur të dojë shkruan emërtime në gjuhë të huaja, ku nuk mungojnë jo vetëm Las Vegas e Magic City, po edhe mbishkrime shqip e të shkruara drejt është e vështirë të gjesh. Ku jemi kështu, çfarë po i bëjmë gjuhës e kulturës sonë?
Këtë pyetje e kemi shtruar disa herë, por askush nuk po e merr përsipër t’i përgjigjet. As Ministria e Kulturës, as Bashkia e Tiranës. Madje ato sapo na dhanë edhe një “ndihmesë” tjetër: kinemanë e rindërtuar na e quajtën “Millenium”, a thua se kaq shumë na mungonin emrat e huaj dhe fjalët e huaja të pakuptueshme. U lumtë! Me ironi dhe pa ironi, u themi vetëm “u lumtë!”, përderisa nuk vepron shteti. Se po të kishim shtet, nuk do të ndodhte që, deri paratë që priten sot në Shqipëri, të shkruhen kundër rregullave të drejtshkrimit. Në “Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe” thuhet se duhet shkruar: një mijë (f. 4380, dy mijë (f.50), kurse Banka e Shqipërisë në prerjen njëmijëlekëshe shkruan kundër rregullave të drejtshkrimit: NJEMIJE LEKE. Ja, kështu ndodh në Shqipëri. Dhe kjo që ndodh tek ne nuk ka ndodhur e nuk ndodh askund tjetër në botë. Pse zotërinjtë drejtues të Bankës së Shqipërisë, përderisa nuk e dinë drejtshkrimin, nuk pyesin para se të ndërmarrin veprime kaq të përgjegjshme siç është prerja e parave. Sa konsulenca (ndonjëherë edhe të kota) paguhen e do të paguhen po nga kjo Bankë dhe nga Ministria e Financave dhe quhen të ligjshme. Pse të mos pranohet e të zbatohet edhe këshillimi (konsulenca) për gjuhën letrare shqipe të njësuar? Ka ardhur koha që dikush të përgjigjet, po edhe të paguajë për shkeljet kaq të rënda e të padurushme të normave të gjuhës letrare zyrtare. Ata që nuk dinë, le të mësojnë ose të këshillohen me ata që i dinë rregullat. Përndryshe, Shteti duhet të veprojë duke gjobitur rëndë për thyerjet e rregullave të gjuhës letrare kombëtare, ashtu siç gjobitet çdo kundravajtje në një vend demokratik e të qytetëruar. Kemi përmendur pa ngurrim edhe instancat më të larta, kemi kritikuar më se një herë edhe Kuvendin e Shqipërisë e deputetët e tij të nderuar, të cilët në librin e rrogave nënshkruajnë si njerëz të Kuvendit, por kur flasin e shkruajnë, më shpesh ua ka ënda të thonë Parlamenti, kryeparlamentari. Ua ka qejfi të zgjidhen nga populli shqiptar, por fushatën zgjedhore e pagëzojnë me fjalë të huaja e nuk po na ndahen elektorati, elektorale, pushteti lokal etj. Kështu, si i thonë fjalës, sheh rrushi rrushin e piqet, edhe njerëzit e tjerë, sidomos gazetarët, folësit e radios e të televizionit, botuesit etj. të kënaqur me lirinë që kanë për të shkruar çfarë të dëshirojnë, shtrihen edhe aty ku nuk u takon, dmth. edhe të shkruajnë e të flasin si t’u vijë, mbarë e mbrapsht, pa pyetur as për rregulla të drejtshkrimit, as për natyrën e shqipes, as për ndonjë farë kujdesi për t’i ndërtuar drejt fjalitë, pa folur këtu për hapjen e portave katërcipërisht ndaj fjalëve bombastike e të huaja, frazave të gjata kilometrike, që shpesh janë si ato të Don Kishotit “arsyeja e mosarsyes, ma dobësoi aq fort arsyen”. Kjo na kujton sa thoshte Faik Konica për analfabetët me diplomë: “Po sot shoh një turmë të errët prej analfabetësh me diplomë në xhep, që po i vërsulen shqipes dhe duan t’i vënë thikën në kurriz, që ta gdhendin pas formës që u pëlqen atyre; se të gjorët kujtojnë që gjuha është një copë dru pa shpirt. Nuk dinë që është jo vetëm e gjallë, po dhe shumë e hollë, aq sa, po i shtrembërove pakëz një nyje a një dell, trupi i tërë i tronditet, vuan dhe humb forcën, bashkë me bukurinë.”
E përmenda këtë vlerësim të Konicës së madh sepse dua të ndalem më shumë në punën dhe peshën e gazetarëve e përgjithësisht të mediave të sotme në përdorimin e gjuhës. Do të vijoj me kritika e do të sjell edhe shembuj të tjerë, por do të mëtoj kryesisht në një mirëkuptim të gazetarëve shqiptarë, shumë prej të cilëve edhe i njoh e më njohin mirë, u kam dhënë mësim. Me këtë, dua të them se çdo kritikë për ta është njëherazi edhe vetëkritikë për shkollën e për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Kur flasin e shkruajnë mirë ish-studentët tanë gëzohemi e shëndoshemi, na duket se diç kemi mbjellë për së mbari, po edhe na pëlcet zemra kur shohim se po bëhen gabime trashanike, se janë tepër të paktë ata që hapin ndonjëherë drejtshkrimin, fjalorët a gramatikat e shqipes dhe se, për fat të keq, janë më të shumtë ata që shkruajnë si t’u vijë, pa asnjë kujdes dhe pa e çarë kokën as për rregullat e drejtshkrimit, as për pastrimin e fjalëve të huaja të panevojshme, as për ruajtjen e hijeshisë e shpitrit kombëtar të gjuhës shqipe. Pësimet e pamerituara të gjuhës shqipe në kohën tonë janë të tilla që, çdo gjuhëtari a dashamirësi të shqipes, që ka ndonjë pikë gjak shqiptari, nuk mund të mos i vijë keq e të mos shprehë zemërim. Sidoqoftë, më tepër se çdo vërejtje a kritikë, në punën e gazetarëve dhe përgjithësisht të punonjësve të medias, të letrave e të skenës shqiptare, duhet të vlerësojmë rolin e tyre si përçues të fjalës shqipe, si përhapës të normave gjuhësore të sotme e të bukurisë së gjuhës letrare kombëtare që me aq mundim e kemi prurë deri në këtë shkallë. Kam shkruar e thënë disa herë se gazetarët janë edhe mësues të shqipes për masën e gjerë të lexuesve. Ky nuk është një vlerësim që e bëj vetëm unë. Bashkë me aktorët e skenës e të ekranit dhe shkrimtarët, armata jonë e gazetarëve shqiptarë ka në dorë më shumë se çdo mësues e pedagog (më tepër se universitetet a institutet e gjuhësisë) t’i prijë për së mbari kulturës së gjuhës shqipe. Kush mendon ndryshe e ka gabim. Pushteti apo ndikimi i medias është aq i madh në jetën e politikën e një vendi, por ai është vendimtar edhe për mbarëvajtjen e pastrimit, pasurimit të fjalorit si dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Dua të përmend qysh në krye një shembull sa të thjeshtë, aq domethënës: shumëkush, pasi mbaron shkollën përkatëse, i dhënë pas punëve e detyrave të veta, rrallë e tek gjen kohë të lexojë ndonjë libër letrar. Shumica e njerëzve, për ditë e javë të tëra, nuk lexojnë gjë tjetër, veç gazetave e ndonjë reviste. Dëgjojnë edhe radion e shohin emisione televizive. Çfarë do të thotë kjo për gjuhëtarin? Do të thotë se pjesa dërmuese e shqiptarëve, pas shkollës tetëvjeçare, për drejtshkrim, gramatikë e punë gjuhe mbështetet vetëm te shtypi dhe mediat e folura. Po qe se ato do të shkruajnë e flasin mirë, pa fjalë të huaja të panevojshme, pa shfrime snobizmi e prurje të pamira nga sintaksa e gjuhëve të huaja, atëherë, në mënyrë të natyrshme, edhe kultura e gjuhës do të shkojë në rrjedhë të mbarë. Në qoftë se në titujt kryesorë të gazetave do të shkruhet, p. sh. “Majko i tradhëtuar”, atëherë njerëzit e thjeshtë, që nuk merren me punë gjuhe, mund të mendojnë se ashtu u dashka, paçka se norma drejtshkrimore është pa ë ( i tradhtuar, tradhti, tradhtoj). Kështu edhe në raste të tjera, sepse shumëkush atë që e sheh të shkruar në gazetë e merr si një gjë zyrtare përsa i takon gjuhës. Nuk mund të mos shqetësohemi për gabimet aq të shumta e trashanike në drejtshkrim, për vrullin e pandalshëm të fjalëve të huaja (plotësisht të zëvendësueshme) që ndeshim përditë në çdo gazetë e revistë, në çdo emision radioje e televizioni, deri tek ato më të thjeshtat siç janë lajmet. Edhe stili i gazetarisë shqiptare po jep shenja të rendjeve pas imitimeve të papërshtatshme të gazetarisë italiane etj. Kemi shkruar edhe herë të tjera, p.sh. për dyndjen e kohës së kryer në dëm të së kryerës së thjeshtë që vjen nga ndikimi i italishtes dhe i gazetarisë italiane. Pse të themi, p.sh., “Sot ka shkelur tokën shqiptare x” kur shqip mund të thuhet (dhe duhet të thuhet): sot erdhi për vizitë ky ose ai. Kundër kësaj dukurie janë shprehur gjuhëtarë, po edhe shkrimtarë të ndryshëm. Një prej tyre (S. Këlliçi) e ka quajtur “atentat kundër së kryerës së thjeshtë”.

Po le të ndalemi tek një nga çështjet që dhemb shumë sot, te fjalët e huaja e të panevojshme e te përfryrjet bombastike që po ia zënë frymën shqipes. Kam bërë këto javët e fundit një anketim me mësues të shkollave të Tiranës dhe u kam drejtuar pyetjen “Cilat janë fjalët e huaja të panevojshme që ua vrasin më shumë veshin?”. Shumica e tyre kanë dhënë këtë përgjigje të prerë: “ato që përdorin disa nga politikanët shqiptarë” dhe sjellin vargje të gjata fjalësh si : solucion, në vend të zgjidhje, gjeneron, për lind, shkakton, bitalerale, për dypalëshe, multilaterale në vend të shumëpalëshe, bodigard/bodiguard në vend të truproje, roje personale, implementoj në vend të zbatoj, kryej, realizoj, konstitucionale në vend të kushtetuese, draft, në vend të projekt a skicë, staf, në vend të grupidrejtues, shtab; inicioj në vend të filloj, zë fill, nis; konsensus në vend të marrëveshje, të marrë vesh; lider, në vend të kreu, udhëheqësi, lidership, kryesia a udhëheqësia; spacio në vend të hapësirë, vend; kredibilitet, në vend të besueshmëri, parlament në vend të kuvend, atakoj, në vend të sulmoj, godas, prek, ngacmoj; difensiv, në vend të mbrojtjes; imprenditor në vend të sipërmarrës; menaxhoj e menaxhim në vend të qeverisjes, drejtim, koordinoj e koordinim në vend të bashkërendoj e bashkërendim; violencë në vend të dhunë, violent-e, në vend të i dhunshëm, e dhunshme; starton, në vend të fillon, nis, zë fill; konciz në vend i përmbledhët, i shkurtër; interferoj në vend të ndërhyrj, ndërndikoj; interferim në vend të ndërhyrje, ndërndikim; ekuivalent-e në vend të i barazvlefshëm; stagnacion në vend të amulli, pezullim; rurale në vend të fshatare, e fshatit; agravoj në vend të keqësoj, rëndoj, përkeqësoj; axhendë në vend të rend dite, ditar veprimesh, ditar pune; impas në vend të rrugë e verbër, udhë pa krye, gjendje pa rrugëdalje e të tjera. Madje, siç ka vënë në dukje edhe shkrimtari Ismail Kadare, disa politikanë dhe shtetarë, jo vetëm nuk ndreqen, nuk duan t’ia dinë aspak për dëmin që po i sjellin shqipes, po edhe vazhdojnë të “kërkojnë” për të prurë sa më shumë fjalë të huaja, të reja. Këto ditë, a thua se nuk mjaftonte tërë ky rrëmet fjalësh që përmendem e kushedi sa të tjera, një zotëri nga Kabineti i Kryeministrit kur u “rrëfye” në
dritaren e R. Xhungës na e “pasuroi” gjuhën edhe me fjalën rimors në vend të brerje ndërgjegjeje, keqardhje, ndërsa në njoftimin për botimin e një libri shkencor për veshjet popullore shqiptare, na u tha se ishte supervizuar nga x, në vend që të thuhej shqip “nën kujdesin e x”. Dhe kjo udhë e mbrapshtë, me sa duket, nuk ka të sosur. Mjaft politikanë, si dhe jo pak gazetarë, artistë, njerëz të zyrave dhe të mjeshtërive të tjera, kujtojnë se pa fjalë të huaja të pakuptueshme e të panevojshme nuk mund të quhen të mençur e të përgatitur. Një natë, në një shfaqje televizive, ndërsa i dorëzohej një këngëtareje fituese çmimi i pamjes apo i veshjes, artisti që ia dha e quajti çmimi i lukut, pra edhe një tjetër fjalë nga anglishtja. Por e keqja nuk përfundon me kaq. Ka filluar një fushatë e ethshme e kthimit të fjalëve shqipe ekzistuese në fjalë të huaja, si p.sh. kryetari bëhet president, kryesia-presidencë, pushtuesi-okupator, shtypja-represion, bashkësia-komunitet, lidhja-ligë a legë, qëndresa-rezistencë, ndalimi-arrestim etj. Kjo është me të vërtetë një sëmundje ngjitëse që po merr përmasat e një epidemie gjuhëvrasëse. Dhuruesi na bëhet donator, hetimi-investigim, kumtesa-komunikatë, njoftimi a lajmërimi-anonçim, shqiptohem a shprehem bëhet prononcohem, udhëheqësi-lider, udhëheqja/udhëheqësia-lidershipi, mbarësi-prosperitet, i përhershëm-permanent, i famshëm-prestigjioz, adhuruesit-fansat etj. A nuk e meritojnë këta njerëz me shkollë të lartë e, madje me grada e tituj shkencorë, që pa nevojë i kthejnë fjalët shqipe në gjuhë të huaja, cilësimin e Konicës si “analfabetë me diplomë”?
A nuk do t’i themi “ndal” kësaj rryme mendore që na sjellin disa njerëz për të shitur mend? A nuk do të merren edhe gazetarët me këtë plagë të rëndë që ka rrezik të rrokë përmasat e një “lige të përjetshme” të shqiptarëve?
Kur them që të merren me këtë punë edhe gazetarët kam parasysh disa anë. Së pari, që vetë gazetaria shqiptare të shkëputet përfundimisht nga çfarëdo prirjeje a qëndrimi lëshues ndaj fjalëve të huaja të panevojshme dhe ta shtojë kudesin për kulturën e gjuhës: së dyti, se në kohën tonë, ashtu si kudo në botë, ndikimin më të madh tek lexuesit e ushtron shtypi për formën e shkruar të gjuhës dhe radiot e televizionet për formën e folur. Pra, është krejt e qartë se, në qoftë se ia dalim t’i japim përpunimin e duhur gjuhës së shtypit e të mediave të folura, në qoftë se gazetarët krahas asaj që shkruajnë e trajtojnë do të kenë edhe kujdesin e duhur për mënyrën se si shkruajnë e flasin, duke zbatuar pa asnjë shkelje rregullat e drejtshkrimit e normat e tjera gramatikore si dhe të pastrimit të gjuhës shqipe, atëherë puna e gjuhës shqipe do të shkonte mjaft më mirë. Gazetarët mund të japin atë ndihmesë që askush tjetër nuk ka mundësi ta japë. Dhe kjo nuk është ndonjë gjë e veçantë e vetëm për vendin tonë. Për ta mbyllur po citoj dy thënie të dy gjuhëtarëve të huaj rreth peshës së jashtëzakonshme të gjuhës së gazetarisë së shkruar e mediave të folura.
Studiuesi gjerman Harald Uajnrih, në librin e tij “Udhët e kulturës së gjuhës” (Shtutgard, 1985) thekson: “Duket se shumë qytetarë në vetëdijen e tyre normative gjuhësore orientohen nga gazetat përsa u përket shprehjeve gjuhësore të shkruara dhe nga radioja e televizioni për dyshimet e mundshme rreth gjuhës së folur”. Afërsisht i tillë është edhe vlerësimi i gjuhëtarit holandez Jan Van Dam, që thotë se sot në radhë të parë, nuk janë shkrimtarët, por shtypi, krahas radios dhe televizionit që ndikojnë në mënyrë përgjithmonë e më të theksuar, madje, që në një farë kuptimi, e bëjnë gjuhën e popullit.
Ja pse, në këtë shkrim duke iu drejtuar gazetarëve dhe përgjithësisht punonjësve të medias shqiptare, më tepër se në çdo rast tjetër, ma ka ënda të shpresoj se ata, sa nuk është vonë, do ta shtojnë kujdesin ndaj gjuhës shqipe. Uroj që ata, gjatë shekullit të ri që sapo filloi, të mos ndjekin shembullin e keq të disa politikanëve që përfryhen e rendin pas fjalëve bombastike, të huaja, të panevojshme e të pakuptueshme; të mos pranojnë si “pare flori” çdo formë a mënyrë të thëni që vjen nga gjuhët e huaja, të pyesin e të këshillohen me gjuhëtarët më të mirë kur ndeshin ndonjë dukuri që nuk ia dalin dot vetëm me dijet e veta e me librat gjuhësorë që janë në përdorim.
Së fundi, duhet të shtrojmë edhe pyetjen se ç’duhet të bëjnë shoqëria shqiptare dhe gjuhësia shqiptare për gjuhën shqipe.
Mbrojtja e gjuhës u përket, në radhë të parë, shtetit dhe institucioneve shtetërore e shoqërore që varen a lejohen prej tij. Në çdo vend të qytetëruar ka ligje për mbrojtjen e gjuhës dhe shteti merr masat e nevojshme për studimin e mësimin e saj në shkolla si dhe për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese zyrtare. Vetë sinonimi i gjuhës letrare të njësuar është cilësimi i saj si standard apo zyrtare. Në çdo vend të qytetëruar ka një politikë kulturore në gji të së cilës “pjesa e luanit” duhet të jetë pikërisht kultura e gjuhës, ruajtja dhe pastrimi e pasurimi i pandërprerë, përpunimi, mësimi dhe studimi sa më i thelluar i saj. Mund të përmendim, p.sh., Francën ku, për çdo fjalë a term të huaj të nevojshëm, vendoset me dekret shteti dhe bëhet një punë shumë e kujdesshme për pastërtinë e frëngjishtes. Revista “Defence organizë e de la langue française” (Mbrojtja e organizuar e gjuhës frënge) vazhdimisht boton artikuj e studime “contre le franglais” (= kundër fjalëve të huaja nga anglishtja). Nuk duhet të mohohet se për shumë vjet radhazi, edhe ndër ne, nuk është bërë pak për gjuhën letrare shqipe, qoftë për studimin e përpunimin e saj, qoftë edhe për mësimin e saj në shkollë apo për zbatimin sa më të gjerë të gjuhës letrare nga institucionet shtetërore dhe kulturore. Janë botuar shumë studime e ndihmesa për pastrimin e pasurimin e gjuhës, botohen rregullisht edhe revista “Gjuha jonë” në Tiranë dhe “Gjuha shqipe” në Prishtinë, janë botuar edhe përmbledhje e libra me vërejtje kritike për gjuhën e shtypit e të mediave, si dhe një “Fjalor për pastërtinë e gjuhës shqipe” (Tiranë, 1998), mirëpo ata që duhet t’i këndojnë e t’i kenë përherë mbi tryezat e punës, as që duan t’ia dinë për to. Shkaku kryesor është se këta dhjetë vjetët e fundit kujdesi i shtetit dhe i institucioneve shqiptare për gjuhën ka rënë së tepërmi. Janë çelur edhe shumë sektorë pune joshtetërorë, gjithçka është në udhën e privatizimit e të ndryshimeve. Kjo udhë do të vazhdojë, por një gjë duhet të mbetet përherë e “paprivatizuar”. Ajo është gjuha shqipe, gjuha jonë e përbashkët, që na dallon e na mban gjallë si komb më vete, si popull i lashtë e me kulturën e vet të velfshme e të denjë për t’u mbajtur gjallë edhe më tej. Për hir të kësaj bashkarie shpirtërore e kulturore themelore, që përfaqëson gjuha shqipe për popullin shqiptar, sot më tepër se kurrë, pas ndryshimeve të bëra në Ballkan e, sidomos, pas luftës në Kosovë, që u mbyll me fitoren e NATO-s me kthimin e kosovarëve në shtëpitë po edhe në shkollat e institucionet e tyre arsimore, shkencore e kulturore, puna me gjuhën shqipe nuk mund t’u lihet vetëm shkollës e instituteve shkencore që e studiojnë.
Puna e tyre do të vazhdojë dhe duhet të ketë të gjithë ndihmën e përkrahjen e nevojshme, por është koha që të ndërmerren edhe një varg masash të tjera shtetërore e joshtetërore. Kur them shtetërore kam parasysh ndreqjet e përmirësimet që duhen bërë në planet dhe programet mësimore të shkollave shqiptare për gjuhën shqipe. Sa më shpejt duhet zgjidhur problemi i një abetareje të vetme e të njëjtë për të gjitha shkollat shqiptare, duke mos ia lënë atë punë as rastësisë as zellit për përfitime vetjake të ndokujt, por të zgjidhet grupi më i përshtatshëm e me përfaqësim mbarëkombëtar për të përgatitur kriteret e hartimit dhe për të shpallur e çuar deri në fund konkursin për hartimin e abetares shqipe. Kjo punë ka nisur, janë caktuar grupet e punës pranë Ministrisë sonë të Arsimit dhe pranë Ministrisë së Arsimit të Kosovës, janë piketuar takimet dhe punët paraprake etj., por gjithçka po ecën shumë ngadalë dhe koha nuk pret. Abetarja që është sot në përdorim në Shqipëri si dhe librat e gjuhës shqipe për shkollën tetëvjeçare kanë nevojë për t’u rishikuar thellë dhe nuk po e justifikojnë veten. Ato qenë hartuar me mëtimin madhor për “modernizimin e shkollës”, por praktika tregon se shkolla tetëvjeçare, me ato tekste dhe me atë program që ka sot, nuk ia doli t’u japë formimin e duhur gjuhësor nxënësve. Heqja e lëndës së gjuhës shqipe nga shkolla e mesme ka qenë një punë shumë e dëmshme. Ajo duhet rifutur si lëndë themelore në të gjitha shkollat e mesme, por jo vetëm të futet. Ajo duhet rikthyer në shkollë me të gjithë kujdesin dhe punën e duhur për pajisjen e saj edhe me program cilësor dhe me tekstet e nevojshme, pra si lëndë themelore që t’u japë nxënësve dijet e plota për ta shkruar e folur mirë gjuhën amtare. Sot për sot, qoftë nga mungesat në programe, qoftë edhe nga të metat e shumta që kanë librat e shkollës tetëvjeçare, nxënësit shqiptarë shkojnë në shkollat e larta me një formim gjuhësor që lë shumë për të dëshiruar. Kjo mbetet pastaj si një plagë e pashërueshme për të gjithë jetën e tyre. Besoj se, edhe shumë nga gabimet e të metat që vihen re sot në gjuhën e politikës, të medias, të botimeve, etj. e kanë zanafillën pikërisht në atë formim ende të pamjaftueshëm që kanë marrë njerëzit tanë në vitet e shkollës.
Gjithashtu, për gjuhën shqipe duhet të krijohet edhe një organizëm me karakter joshtetëror por që të jetë i përhershëm e mbarëkombëtar dhe të ketë atributet e mbikqyrjes e të drejtimit të gjithë punës për ruajtjen, vlerësimin, studimin dhe mësimin e gjuhës shqipe në të gjitha hapësirat shqiptare. Siç është p.sh. Këshilli i Lartë i Frankofonisë për gjuhën frënge, i cili e shtrin veprimtarinë e vet në Francë dhe në të gjitha hapësirat frëngjishtfolëse, si në Zvicër, në pakicat frankofone të Italisë së Veriut etj. dhe në të gjitha vendet e tjera ku flitet e shkruhet gjuha frënge, deri në Kanada.
Hapja e kufirit me Kosovën dhe me trevat e tjera shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi si dhe lidhjet me qendrat e diasporës shqiptare historike e të reja në Evropë, në Amerikë e gjetkë shtrojnë medoemos detyra të reja e shumë të mëdha për gjuhën shqipe. Kudo ka nevojë për një abetare të mirë, të konceptuar e të realizuar si libri i librave e jo si një punë e çfarëdoshme. Kudo ka nevojë për fjalorë e gramatika shkollore të mira. Ribotimi i atyre që ekzistojnë nuk është i mjaftueshëm. Ka ardhur koha edhe për ndonjë përmirësim e pasurim të tyre. Të gjitha këto janë punë që duhen përfshirë në një platformë të gjerë e të studiuar mirë e ku të marrin pjesë ajka e gjuhëtarëve dhe e mësuesve shqiptarë.
Së fundi, dua të them se koha do të bjerë që, edhe ndonjë çështje e normës së sotme gjuhësore, jo vetëm në drejtshkrim, po edhe në ndonjë dukuri tjetër, siç është, p.sh. paskajorja gege, të diskutohen nga specialistët e gjuhësisë, duke shqyrtuar e parë jo vetëm ç’është thënë e zgjidhur mirë, po edhe ndonjë gjë që duhet rishikuar për të gjetur zgjidhje më të mirë. Sigurisht, diskutime të tilla duhet të bëhen dhe koha ka ardhur të bëhen, porse ato nuk kanë të bëjnë më me themelin e gjuhës letrare të njësuar e të vetme për të gjithë.

(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)

SHABAN DEMIRAJ

(1920-2014)

Shaban Demiraj

Shaban Demiraj u lind në Vlorë, më 1920. Kreu medresenë në Tiranë dhe studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar (1946-1948) dhe më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954-1955). Në vitet 1948-1954 punoi si mësues në disa shkolla të mesme (Gjirokastër, Tiranë). Në vitin 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe më pas në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku shërbeu deri më 1990, kur doli në pension. Kështu, ai punon si mësues, profesor e shkencëtar mbi 60 vite.
Profesor Sh. Demiraj i përket yllnajës më të lartë të albanistëve dhe albanologëve të të gjitha kohërave. Ai ka lënë një prodhimtari të gjerë akademike. Nga këto vepra, vendin e nderit e zë Gramatikë historike e gjuhës shqipe, që në thelb është enciklopedi e vërtetë e ndërtimit gramatikor të gjuhës shqipe, sidomos e morfologjisë historike. Kjo vepër është nderuar me Çmimin e Republikës të klasit të parë (1989).
Vlerësime të larta:
Anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972), iu dhanë titujt e lartë Profesor (1972), Mësues i Popullit (1977), Profesor i merituar 1990, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1989), kryetar i saj (1993-1997), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1996), anëtar i Akademisë Qendrore Europiane të Shkencave dhe të Arteve (1997), anëtar nderi i Akademisë Diplomatike të Londrës (2000), nënkryetar i A.I.E.S.E.E. (Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve të Europës Jug-lindore (1994-1998). Laureat i dy Çmimeve të Republikës, të klasit të dytë (1979) dhe të klasit të parë (1989). Është dekoruar me Urdhërin Mjeshtër i Madh i Punës (2000). Është Qytetar Nderi i Vlorës (2001).
Tituj të veprave:
Gramatika e gjuhës shqipe: fonetika et morfologjia. Rilindja, Prishtinë 1969.
Morfologjia e gjuhës së sotmë shqipe. Rilindja, Prishtinë 1969.
Historia e gjuhës së shkruar shqipe, 1970.
Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe. Universiteti Shtetëror i Tiranës, Tiranë 1972.
Morfologjia historike e gjuhës shqipe. I., Tiranë 1973; II., Tiranë 1976.
Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe. Mihal Duri, Tiranë 1975.
Gramatikë historike e gjuhës shqipe. Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1986.
në gjermanisht: Historische Grammatik der albanischen Sprache. Österreichisches Akademie der Wissenschaften, Vjenë 1993.
Gjuha shqipe dhe historia e saj. Shtëpia botuese e librit universitar, Tiranë 1988.
Gjuhësi ballkanike, botuar në shqip e maqedonisht në Shkup, 1994.
Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe, 1999.
në anglisht: The Origin of the Albanians: Linguistically Investigated, 2006.
Gramatikë historike e gjuhës shqipe (botim i përmbledhur). Akademia e shkencave e shqipërisë, Tiranë 2002.
Gjuha shqipe – Probleme dhe disa figura të shquara të saj, 2003.
Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët, 2008.

PËR GJUHËN STANDARTE SHQIPE

Për sa u takon shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, ata qysh në Konsultën e Prishtinës të vitit 1968 vendosën të pranonin dhe të zbatonin atë gjuhë letrare që kishte gjetur një përhapje të gjerë brenda kufijve shtetëror të Shqipërisë. Prandaj, kur flitet sot për një gjuhë letrare të përbashkët për të gjithë shqiptarët, kjo, de fakto, u vendos në Konsultën e Prishtinës, katër vjet para Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Sa herë që bëhet fjalë për shqipen e sotme letrare, në përgjithësi, përmendet edhe Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe i viti 1972. Kjo është e kuptueshme po të mbahet parasysh fakti që në atë kongres, ku kishte përfaqësues jo vetëm nga Republika e Shqipërisë, por dhe nga viset shqiptare të ish – federatës jugosllave si dhe nga arbëreshët e Italisë, u vendos që të gjithë shqiptarët ta përdorin një gjuhë letrare të vetme dhe pikërisht atë që kemi sot në përdorim.
Në radhë të parë, duhet mbajtur parasysh se vendimi i një kongresi për një çështje aq të rëndësishme, siç është ajo e Gjuhës Letrare Shqipe, nuk mund të ishte i zbatueshëm, e aq më pak i detyrueshëm, për shqiptarët jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë – në rast se ata nuk do të ishin të gatshëm për ta pranuar atë me vullnetin e tyre.
Për sa u takon shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, ata qysh në Konsultën e Prishtinës të vitit 1968 vendosën të pranonin dhe të zbatonin atë gjuhë letrare që kishte gjetur një përhapje të gjerë brenda kufijve shtetëror të Shqipërisë. Prandaj, kur flitet sot për një gjuhë letrare të përbashkët për të gjithë shqiptarët, kjo, de fakto, u vendos në Konsultën e Prishtinës, katër vjet para Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Pa vendimin e Konsultës së Prishtinës nuk do të kishim sot një shqipe letrare të përbashkët.
Së dyti, duhet mbajtur parasysh, gjithashtu, se shqipja e sotme letrare nuk u krijua as në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe as në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, kur në Shqipëri u vendos sistemi shtetëror monist. Është e vërtet se në atë periudhë u bë një punë e madhe për kodifikimin e mëtejshëm të normave drejtshkrimore të gjuhës shqipe. Për këtë kanë dhënë ndihmesë të çmuar sidomos gjuhëtarët tanë të shquar si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Dihet se përpunimi dhe kodifikimi i shqipes letrare ka nisur shumë më herët dhe nuk është punë e një a disa personave, por rezultat i punës së kryer nga disa breza intelektualësh, duke nisur me rilindasit tanë të shquar, Kristoforidhin, Naimin, Samiun dhe duke vazhduar me Konicën, Nolin e të tjerë. Dhe, një meritë të veçantë për këtë e kanë sidomos shkrimtarët të cilët me veprat e tyre ndihmuan për zhvillimin dhe përhapjen e shqipes letrare në përgjithësi.
Së treti, duhet mbajtur parasysh, gjithashtu, se asnjë vendim për një çështje kaq të rëndësishme, siç është gjuha letrare e një kombi, nuk mund të qëndrojë në rast se nuk i plotëson mirë të gjitha kërkesat e një gjuhe letrare të një populli në zhvillim. Vështruar nga kjo pikpamje mund të pohohet se shqipja e sotme letrare e ka kaluar tashmë periudhën e provës më të vështirë. Ajo i ka plotësuar pa ndonjë vështirësi të madhe kërkesat e letërsisë artistike, shkencore, kulturore si dhe të kumtimit gojor në të gjitha rrafshet. Ajo është lëvruar edhe nga shkrimtarë që në familje kanë përdorur dialektin verior. Për më tepër, ajo është përvetësuar mirë edhe nga nxënësit e shkollave të ndryshme të viseve të banuara nga shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë.
Së katërti, dëshiroj të theksoj se edhe dialekti verior mund të kishte shërbyer si bazë për shqipen letrare të përbashkët, natyrisht duke iu nënshtruar një procesi standartizimi që me siguri do të kërkonte më shumë punë për shkak të dallimeve midis të folmeve të ndryshme të atij dialekti, sidomos në rrafshin fonetik. Nga kjo pikpamje dialekti jugor paraqitej me dallime më të pakta ndërmjet të folmeve të tij. Historia e gjuhës shqipe dëshmon se të paktën qysh nga shekulli i Buzukut dhe i Matrëngës, të folmet e dialektit verior janë diferencuar gjithnjë e më shumë njëra nga tjetra, ndërsa të folmet e dialektit jugor gjatë këtyre shekujve kanë pasur një zhvillim më konvergjent. Natyrisht, me këtë nuk duhet kuptuar se dialekti verior nuk mund të ngrihej në një gjuhë letrare të përbashkët, por disa rrethana, përfshirë këtu edhe ndonjë faktor jashëgjuhësor, bënë që të përhapej më shumë varianti letrar jugor, i cili me përpunimin dhe zhvillimin e tij të mëtejshëm tashmë është përhapur gjithandej si gjuhë letrare e përbashkët e të gjithë shqiptarëve.
Në këtë mënyrë, dëshira e disa brezave atdhetarësh për një gjuhë letrare dhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët më në fund u bë realitet dhe është me të vërtet një gjë e gëzueshme që kjo gjuhë letrare po përdoret gjithandej, si në botimet letrare, shkencore, kulturore dhe politike, ashtu edhe nëpër kumtimet gojore, në radio e televizion.
Në këto rrethana mendimi i shprehur nga disa intelektualë për t’u kthyer prapa tek gjendja e dikurshme e dy varianteve letrare të gjuhës shqipe është i papërligjur dhe për më tepër do të ngjallte frymën e përçarjes në një kohë kur kombi shqiptar ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim.
Së fundi, dëshiroj të theksoj se kjo gjuhë letrare e përbashkët nuk duhet marrë si diçka e bërë një herë e përgjithmonë, domethënë që nuk ka më nevojë për përmirësime të mëtejshme. Natyrisht, të gjithë intelektualët shqiptarë e kanë për detyrë që të japin ndihmesën e tyre në këtë drejtim. Besoj se këtij qëllimi do t’i shërbejë konferenca mbarëshqiptare që mendohet të organizohet vitin e ardhshëm në Tiranë, me rastin e 30 vjetorit të Kongresit të Gjuhës Shqipe.

(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)

PËR HERË TË PARË NË HISTORINË 50-VJEÇARE TË “NETËVE POETIKE TË STRUGËS”, NJË POET SHQIPTAR, FATOS ARAPI, FITON “KURORËN E ARTË”

Fatos Arapi

Fatos Arapi lindi në qytetin e Vlorës më 1930. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi.
Poezitë e para F. Arapi i botoi në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë, dhe, përkatësisht në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet “Shtigje poetike” dhe “Poezia dhe vjersha”. Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të veçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Fillimet poetike të Fatosit do të jenë tematikisht të rrudhura e të reduktuara, duke u kushtëzuar nga rrethanat politike të kohës. Por, edhe në rrafsh të artikulimit gjuhësor, në përzgjedhjen e figurës dhe të figuracionit, Arapi do të kërkojë mundësi të reja në thurjen e vargut dhe artikulimin e fjalës. Është ndjerë e hutuar mbase dhe vetë censura përballë vërshimit të figurshëm në stilin “Nata shkon shaluar mbi kurriz të maleve”, “Nata e ngarkuar me alarme…”, te poema mjaft e ndjerë dhe e suksesshme e asaj kohe “Alarme të përgjakura”.
Poezia e Fatos Arapit për gjatë gjysmë shekulli arriti ta ruajë tërësinë e qëndrueshme estetike dhe etike. Në planin tematik, poezia e tij nuk e vuri poezinë në shërbim të politikës së ditës. Në rrafshin e shprehjes, ai vazhdoi të jetë origjinal duke e zgjeruar hapësirën krijuese dhe artikulimin figurativ. Zakonisht vetëm me një lëvizje, me një shpërthim befasues, poezia e Fatos Arapit sugjeron thellësí dhe hapësira universale përfytyrimi, duke e vendosur objektivin poetik brenda konteksteve të reja ekzistenciale, ku shquhet mprehtësia e mendimit. Edhe figura, prandaj del përherë e re, çuditërisht e freskët, e ngarkuar me përmbajtje dhe ndjeshmëri të papërsëritshme.
Është një gjuhë poetike e aftë ta ndjekë e ta artikulojë të fshehurën, të padukshmen, të ndrydhurën në mjedisin që e rrethon, me tërë tragjedizmin, trishtimin dhe egërsinë bashkë. Mund të thuhet se figura në poezinë e Arapit është ndër më efikaset dhe ekspresivet në poezinë bashkëkohore shqiptare. Në pleksjen ndërvarëse: nga njëra anë realiteti, nga ana tjetër imagjinata, emocioni dhe intelekti, lind kjo lirikë. Prandaj lexuesi e gjen, e zbulon veten me ndjesinë se dhe ai kështu e përjeton botën përreth, por nuk ka mundur ta formulojë ashtu. Nga përplasja e poetit: (imagjinata, emocioni, filozofia) me realitetin, reflektohet synimi drejt përsosjes së njeriut.

Është e para herë në historinë 47-vjeçare të “Netëve poetike të Strugës” që “Kurora e Artë” fitohet nga një poet shqiptar. Fatos Arapi doli fitues në “duelin” me kandidatin bullgar, poetin Ljubomir Levcev. Për arsye shëndetësore Arapi nuk mundi të shkonte në ceremoninë e dhënies së çmimit. Një javë më vonë kanë mbërritur në Tiranë tri përfaqësues të bordit të “Netëve”, kryetari i tij Iljaz Osmani, Branko Cfetkevski dhe drejtori i festivalit botëror të Strugës, Dallillo Kocevski. Janë takuar me Arapin dhe kanë programuar botimin e veprës së zgjedhur në gjuhën maqedonase, sepse çdo vit, festivali boton një seri librash me qëllim promovimin e autorëve të huaj tek lexuesi maqedonas. Arapi do të tërheqë simbolin prej ari më 24 gusht në Strugë, aty ku bëhen festimet e mëdha zyrtare për çmimet që shpallen në pranverë.
Ky festival ka 47 vjet që organizohet dhe konkurrojnë shkrimtarët më të famshëm botërorë dhe poetë vendas me vlerë. Konkurrimi ka për bazë vlerësimet që japin njohësit e mirëfilltë të letërsisë, kritikët, botuesit, nëpërmjet recensioneve mbi të cilat bordi ulet dhe përzgjedh.
Sipas kryetarit Iljaz Osmani për fitimin e Kurorës ka ndikuar interesimi i publikut intelektual, i njerëzve kompetentë të cilët kanë dërguar recensione të shumta për poetin e madh Fatos Arapi. Ai nuk e fitoi këtë çmim ngaqë Shqipëria nuk është vlerësuar asnjëherë në “Netët e Strugës”. Fatos Arapi fitoi sepse meritat e tij letrare u votuan gati në mënyrë unanime nga bordi.
Poezia e tij, ashtu siç e kanë përmendur shumë kritikë letrarë, është një poezi meditative, qasja ndaj asaj që quhet botë e thellë është lirikë e mirëfilltë. Shkurt kemi të bëjmë me një poezi me shumë dimensione dhe gjithëpërfshirëse.
Në krahasim me prezantimet që ka pasur në vite Shqipëria në këtë konkurs me autorë si Xhevahir Spahiu, Flutura Açka etj., Arapi e çoi në pikën më të lartë këtë nivel autorësh.
Sipas kryetarit Osmani Shqipëria është prezantuar në vite tek “Netët” nga një klan poetësh pa vlera përfaqësuese. Njerëzit e Ballkanit shquhen për t’u klanizuar.

Histori
Netët Poetike të Strugës nisi më 1962 me leximet e poezive të autorëve maqedonas për nder të dy vëllezërve Konstantin dhe Dimitar Miladinov, intelektualë të shquar të shekullit XIX të lindur në Strugë. Më 1963 u themelua çmimi “Miladinov Brothers” për vëllimin më të mirë poetik të botuar në Republikën e Maqedonisë. Më 1966 kur festivali bëhet ndërkombëtar nis të jepet çmimi “Kurora e Artë” e cila i jepet një poeti të shquar të gjallë për veprën poetike të gjithë krijimtarisë së tij. Një ndër të parët që e mori këtë çmim ishte Ë. H. Auden më 1971. Mjafton kjo listë autorësh – shumë mes tyre Nobelistë) – që po rendisim për të kuptuar se çfarë vlere të padiskutueshme kanë “Netët poetike të Strugës”: Pablo Neruda, Eugenio Montale, Rafael Alberti, Miroslav Krleza, Hans Magnus Enzensberger, Nikita Stanescu, Janis Ricos, Allen Ginsberg, Jozef Brodski, Jehuda Amichai, Iv Bonfua, Edoardo Sanguineti, Seamus Heaney, Thomas Transtroemer, Mahmoud Darëish më 2007 dhe për vitin 2008 Fatos Arapi.

Disa poezi lirike nga F. ARAPI

VDEKJA E GJYSHES

Ja, edhe gjyshja në arkëz,
kukull e vogël në kartëz,
Eshtë… dhe prapë s’është e tëra,
sikur nuk është si përhera.
Gjithë karfica, gjilpëra
kapur satenet në kokë,
lidhur këpuckat përposh,
shami e lule në gjoks.
Mbyllur kapakët e syve
ç’ndjej u shua brenda tyre?).
E sheh… dhe të duket heshtja
pe gjasme e pe gjasme vdekja.
Gjyshja e vogël, e bukur,
e pastër…
Në arkëz kukull.

Gjithë karfica, gjilpëra,
qepur vite të tëra,
lidhur kujtime e malle,
dhembje, që duken si përrallë.
E sheh… dhe të duket heshtja

SI S’TË DESHA PAK MË SHUMË

Si s’të desha pak më shumë
Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:

“Si s’të desha pak më tepër…”.

TI DO VISH

Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se unë ty të pres
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet mbrëmjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet pritjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetmisë
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di qe unë po të mundja,
rreth vetvetes rruzullin do vërtitja
si një portokall’ në dorën time-
të rrjedhë koha shpejt
e ti të vish…

NË PARK

Në trup të natës hije nëpër hije
duken e zhduken forma dashurie,
duken e zhduken silueta të holla
Tungjatjetani-o dashuri të njoma!
Tungjatjetani-çaste pafajësie!
dehur nga mushti i pëshpërimave tuaja
mes jush,-dukem e zhdukem vet’ si hije,
si siluetë e hollë dashurie.

DUKE SHKELUR NËPËR GUACA TË DETIT

Duke shkelur nëpër guaca të detit
ndjeva ditën e sotme, të çelë
nëpër trupin tim, si një gjethe dafine…

Fëshfërinte e gjelbër…. e gjelbër.

Dhe mendova:
nesër,
këto gurëza do t’i shoh ndryshe,
këto brigje të kohës së bardhë;
nesër,
fjoll’ e dridhshme, inkandeshente
e orbitave, që sapo feksën
nëpër qiej të virgjër të njerëzve,
do të lidhë ditët e mia,
porsi sot… edhe pakëz më ndryshe;
nesër,
dashurinë që drejt meje po vjen,
do ta puth në buzë, në ballë;
nëpër zëra të flokëve të saj
gishtërinjtë do përshkoj, do t’i them:
hyrë tek unë, pa frikë se një ditë
mund të vdesësh (si të tjerat?) edhe ti.
Dhe e vdekur atje, dashuri,
përjetësisht do të mbetesh e gjallë;
nesër,
ndryshe pyetjen e jetës: “Cili je?”
do dëgjoj edhe ndryshe pastaj
zërin tim: Unë jam…
Duke shkelur nëpër guaca të detit
ndjeva ditën e sotme, të çelë
nëpër trupin tim, si një gjethe dafine.

Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, maj 2008)

ROBERT SHVARC

Robert Shvarc.jpg

As Naimi apo Kristoforidhi, as Konica apo Noli dhe as Xhuvani apo Çabej, nuk kanë qenë ndonjëherë “anëtarë të PPSH”. Atëherë, nga na vjen gjithë kjo përbuzje dhe gjithë ky nënvleftësim për veprën e tyre të lavdishme? Nuk ma do mendja se më përket vetëm mua që t’ua kujtoj bashkëkombasve të mi, se gjuha është identiteti i një kombi, pasaporta e tij, me të cilën ai paraqitet në botë. Kjo është thënë dhe stërthënë, është vërtetuar dhe stërvërtetuar. Megjithatë, një rikujtim i kësaj të vërtete absolute nuk do t’i bënte keq një pjese mjaft të madhe të asaj “armate” të pafund gazetarësh dhe gazetarkash, të cilët, me një arrogancë, mendjemadhësi dhe mospërfillje skandaloze, po e përdhosin përditë e më shumë, thuajse në të gjitha mediat, gjuhën tonë të bukur dhe unikale amtare. Ndoshta ata nuk e dinë se ka kombe (dhe jo vetëm një e dy, por disa), të cilët gjatë mijëvjeçarit të tërë e kanë ruajtur brez pas brezi gjuhën e tyre, të folur dhe të shkruar, duke i bërë ballë në mënyrë të admirueshme asimilimit apo shfarosjes dhe përndjekjeve nga ana e fqinjëve të tyre pushtues dhe oreksmëdhenj. Dhe, për fat të mirë, njëri nga këto kombe është edhe kombi shqiptar. Gjithashtu, ndoshta, ky brez kalemxhinjsh të vetëkënaqur (nuk kam si t’i quaj ndryshe ata që, madje, me “fakultet” filologjie apo gazetarie) nuk kanë as njohuritë elementare të gramatikës, morfologjisë, sintaksës dhe drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Pastaj (a s’është për të qeshur?!) dëgjojmë gjithandej, se filan fëstëku “zotëron” tri a katër gjuhë të huaja, të cilat “i than” me gojë e me shkrim! Si ka mundësi, si i ka mjaftuar koha dhe vitet e pakta që mban mbi kurriz “ta thajë” anglishten, italishten, gjermanishten apo ndoshta edhe kinezçen, – kur nuk e zotëron ashtu siç duhet as gjuhën e vet amtare, ndaj së cilës ka edhe një përgjegjësi tjetër morale dhe etike sepse me atë pretendon të nxjerrë bukën!!!

Snobizëm dhe dritëshkurtësi

Unë, që jam ulur t’i hedh në letër këto radhë, jam shumë i mllefosur. Jam i mllefosur, i mërzitur dhe me gjak të prishur, ndonëse këto nuk m’i lejon gjendja ime tejet e rënduar shëndetësore, sepse prej kohësh prisja që të binin kambanat e alarmit për këtë krim ndaj gjuhës sonë. E prisja nga Akademia e Shkencave, nga Instituti i Gjuhësisë, nga katedrat filologjike të universiteteve tona të shumtë, nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, nga mësuesit shembullorë dhe vetëmohues të gjuhës shqipe në shkollat e të gjitha niveleve. Por kambanat nuk ranë dhe ende nuk po bien… Dhe, në qoftë se unë po i bie tani kësaj kambane, dëshiroj që zëri im të mos mbetet një zë në shkretëtirë. Mendoj se për këtë kam njëfarë të drejte, për një gjysmë shekulli kam dhënë ndihmesën time për gjuhën tonë amtare, e cila ishte dhe është dashuria ime më e flaktë. Pra, që të kthehem te thelbi I çështjes: A e ka dëgjuar ndonjëherë ky brez i ri i “njerëzve të penës”, se në vitin 1972 është mbajtur në Tiranë “Kongresi i drejtshkrimit dhe i gjuhës së njësuar letrare shqipe”, kongres në të cilin kanë marrë pjesë dhe e kanë miratuar edhe vëllezërit kosovarë, madje duke qenë nën thundrën e rëndë të serbëve?! Fakti që ata, ndoshta nuk kishin lindur ende në atë kohë, nuk do të thotë kurrsesi se historia e Shqipërisë fillon pas lindjes së tyre, nuk do të thotë kurrsesi që ata të lejohen të bëjnë diellin dhe shiun dhe të fshijnë, madje, veprën e lavdishme dhe plot sakrifica të Rilindasve tanë të mëdhenj! Në emër të cilit “mision iluminist” veprojnë kështu? Në emër të modernizmit, të snobizmit, të dritëshkurtësisë! Apo (siç dëgjojmë shpesh) me pretendimin se ai kongres na qenkëj mbajtur në epokën e PPSH dhe tani duhet të konsiderohet i paqenë, tani gjuha duhet t’u përshtatet kohërave moderne, duhet varrosur përgjithmonë parimi fonetik i shqiptimit të emrave, duhet të mos respektohet fare lakimi i emrave në rasat emërore, gjinore, kallëzore, dhanore etj., duhet të huazohen modelet e anglishtes apo të italishtes, sepse janë gjuhë më dinamike, më elastike, më praktike se ajo jona?! Me sa di unë, as Rilindasit tanë, patriotë të kulluar, as Naim Frashëri apo Kristoforidhi, as Konica apo Noli dhe as Xhuvani apo Çabej, pra, e gjithë ajo plejadë që i vuri themelet e shëndosha gjuhës shqipe, nuk kanë qenë ndonjëherë “anëtarë të PPSH”. Atëherë, nga na vjen gjithë kjo përbuzje dhe gjithë ky nënvleftësim për veprën e tyre të
lavdishme?

Rreziku që kërcënohet

Dëgjojmë, për shembull, spikerët e TV-ve dhe të radiove si edhe gazetarët e medias së shkruar të thonë apo të shkruajnë pa të keq:
DEKLARATA E ARAFAT (dhe jo: DEKLARATA E ARAFATIT); TAKIMI i BUSH ME PUTIN (dhe jo: TAKIMI i BUSHIT ME PUTININ); NJE GRUSHT I RENDE PER BIN LADEN (dhe jo: NJE GRUSHT i RENDE PER BIN LADENIN); PAUELL DO TE
TAKOHET ME ARAFAT (dhe jo: PAUELLI DO TE TAKOHET ME ARAFATIN); SIPAS BLER (dhe jo: SIPAS BLERIT); PRIVATIZIMI i TELEKOM (dhe jo: PRIVATIZIMI i TELEKOMIT); FATURAT E KESH (dhe jo: FATURAT E KESH-it). Mund të vazhdoja me qindra e qindra shembuj të tjerë, por besoj që edhe me kaq kuptohet se ç’dua të them. Pra, sipas kësaj logjike brilante, gjoja për hir të ruajtjes së origjinalitetit të emrave, na u dashka të themi e të shkruajmë, për shembull: KAM NJE TAKIM ME SKENDER (dhe jo: KAM NJE TAKIM ME SKENDERIN); ose: ALI U FEJUA ME LILIANA (dhe jo: ALIU U FEJUA ME LILIANEN)! Nuk kam si të mos ndalem edhe te përkthimet e filmave të huaj, subtitrat e të cilëve kullojnë nga idiotizma të pashembullta: ata janë të mbushur me konstrukte krejt të huaja për shqipen; dialogjet përkthehen mekanikisht fjalë për fjalë, duke mos e dhënë forcën që duhet të ketë një dialog dhe, thuajse githmonë, ndër ta gjen gafa të tilla, si: TI E DI SE ÇFARE NDIEJ PER TY. A MUND T’JU FTOJ SONTE PER DARKE? Pra, i njëjti personazh kalon në të njëjtën frazë nga njejësi në shumës. Po emrat e personazheve? Ata jepen herë në origjinalin e tyre (natyrisht me plot gabime) dhe herë me parimin fonetik të shqipes. Nuk dua të ndalem fort gjatë as me zëvendësimin përmbytës të fjalëve të shqipes me fjalë të huaja, sepse për këtë problem ka vite që bien daullet, por askush nuk do t’I dëgjojë. Këto fjalë janë p.sh të tipit MOMENTI (në vend të: ÇAST); EVENIMENT (në vend të:
NGJARJE); GJENERATE (në vend të: BREZ); AGRAVIM (në vend të: RENDIM); APERTURE (në vend të: HAPJE, HYRJE),etj., etj. Kam frikë se, në vazhdofsha t’i rendis këta xhevahire, do të mbushej një fjalor i tërë me titull: “Fjalor i gjuhës moderne shqipe, I pasuruar me rreth 20.000 fjalë të gjuhëve anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht etj.”. Jam i bindur se gjuha jonë shqipe nuk ka as më të voglën nevojë për kësilloj “pasurimesh”. Ajo e ka vërtetuar shumë e shumë herë se është në po atë lartësi të gjuhëve të huaja të ashtuquajtura “të mëdha”. Shtetet e mëdhenj mund të kenë me dhjetëra e dhjetëra dialekte, por kur vjen puna për gjuhën zyrtare, përdorin vetëm një gjuhë të njësuar. Atje, çdo fëmijë I fillores e di fort mirë se ku duhet ta verë edhe presjen, pale t’i lejohet të bëjë gabime trashanike gramatikore… Shqiptarët pak se i ka zënë e keqja e madhe që fëmijët e tyre të shpërndarë nëpër botë, të moshës shkollore apo të porsalindur, nuk do ta mësojnë ndoshta kurrë gjuhën amtare – por tani I kërcënon edhe rreziku që, në vetë vendin e tyre, të flasin një gjuhë të bastarduar!

Apel për të gjithë

Së fundi desha të theksoj që, edhe nëse gjuhëtarët tanë të shquar nuk janë në mes nesh, nxënësit e tyre të denjë janë ende gjallë. Prandaj dëshiroj t’u drejtoj një apel të gjithë mësuesve të të gjitha kategorive të shkollave, të gjithë trupit pedagogjik të universiteteve tona, Akademisë së Shkencave, Institutit të Gjuhësisë, Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës që të japin kushtrimin dhe të mos e lejojnë më tej masakrimin e gjuhës shqipe. Ata duhet ta shfaqin medoemos opinionin e tyre, përpara se të jetë tepër vonë, përpara se ky masakrim të sjellë me vetë pasoja të paparashikueshme! Në qoftë nevoja, mund t’i drejtohet një peticion edhe Presidentit të Republikës apo Kryeministrit për ndërmarrjen e sanksioneve – sepse, fatkeqësisht, në këtë vend të bekuar, ku demokracinë ende e ngatërrojnë me anarshinë totale, vetëm gjobat i sjellin në vete disa kokëbetonë, që më kujtojnë tri vargjet e paharruara të Bertolt Brehtit: “Nga tigrat munda të shpëtoj,/ Me gjakun tim ushqeva çimkat,/ Por kokën ma hëngrën mediokrët!

(Autori ishte një nga përkthyesit më të rëndësishëm nga gjermanishtja në shqip)

(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)

Ç’NDODHI PAS MBLEDHJES HISTORIKE TË MBAJTUR MË 11 KORRIK 1961

Sidoqoftë, poetët, atëherë të rinj, Kadare, Arapi, Agolli e pas tyre të tjerë që u frymëzuan nga krijimtaria e tyre, ngadhënjyen. Këtë e dëshmojnë edhe veprat që u krijuan në periudhë të plumbtë, e cila me gjithë censurën e fortë, tingëllon e freskët, e gjallë, kumbuese edhe në ditët tona.
Duhet të vëmë në dukje se zhvillimet e letërsisë shqipe ndiqeshin me vëmendje dhe nga shkrimtarë e studiues shqiptare të cilët ishin detyruar të linin atdheun me uzurpimin e pushtetit nga regjimi komunist. Të tillë ishin p.sh. Ernest Koliqi e Martin Camaj.
Vini re: Pikërisht ata poetë që u kritikuan më 1961 nga poetët e vjetër për “izmat” e tyre dhe u morën në mbrojtje nga Enver Hoxha!… E kishin kaluar kufirin e caktuar nga ai…
Do ta pësonin edhe shume poetë të rinj për të cilët Kadareja, Agolli e Arapi ishin shembujt më të mirë se si mund të shkruhej poezi me frymë bashkëkohore.

(Nga Skifter Këlliçi, SHBA)

Logjikisht, duke miratuar referatin e Ramiz Alisë, do të mjaftonte që në fund të takimit të theksonte se poetët e rinj duhet të kenë parasysh këshillat e poetëve të vjetër, që të mos thellojnë gabimet e tyre, që po i shpien drejt një krijimtarie poetike të mbarsur me ndikime moderniste, ashtu siç vunë në dukje me Andrea Varfin, Llazar Siliqin e Luan Qafëzezin e kuptohet që poetëve të rinj do t’u mbyllej rruga për një kohë të gjatë. Dhe duke marre parasysh se ç’ndodhi disa vite më pas kur nisi i ashtuquajturi revolucionarizim i jetës së vendit, me qarkullimin e kuadrit dhe të shkrimtarëve e artistëve për të njohur nga afër jetën e vendit e më 1973 pas Plenumit të 4-t të KQ të PPSh-së, kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste, është e kuptueshme se nuk dihet se kur ne do të kishim pasur në dorë ato vepra aq të njohura të Ismail Kadaresë, Fatos Arapit e shumë e shumë poetëve të tjerë që u shfaqën më pas në letërsinë tonë.
Enver Hoxha në këtë takim përkrahu poetët e rinj, kryesisht se ai e shihte se ata ishin shumë më të talentuar se poetët e vjetër. Kjo nuk ishte shumë e vështirë për t’u kuptuar, aq më tepër nga ai vetë. Vërtet kishte shkuar për studime në Francë, ku nuk kishte mundur të jepte asnjë provim, por të mos harrojmë se kishte mbaruar Liceun Francez të Korçës, ku ishte njohur jo vetëm me krijimtarinë e poetëve më të mirë të Rilindjes Kombëtare shqiptare, por, mbi të gjitha, me letërsinë dhe poezinë franceze dhe europiane. Si pasojë, nuk e kishte të vështirë të dallonte se ç’ndryshim të madh artistik kishin krijimet e poetëve të vjetër me krijimet e poetëve të rinj.

(nga “Koha Jonë”)

Kishte nevojë për talentin e të rinjve
Ai kishte nevojë për talentin e të rinjve, paçka se të shprehur në mënyrë moderniste. Ata do t’i duheshin atij që të thurnin vargje për Partinë, vepra që do të mbeteshin pikërisht falë këtij talenti.
Dhe në fakt, kështu ndodhi. Poetët tanë të rinj, krahas poezive lirike intime dhe erotike do të detyroheshin të shkruanin edhe vepra ku t’i këndohej rrugës heroike të Partisë sonë të lavdishme për ndërtimin e socializmi, luftës së saj heroike kundër revizionizmit modern, për ruajtjen e fitoreve të popullit tonë të arritura nën drejtimin e saj dhe mbi të gjitha të atij vetë, si krijuesi i kësaj partie, i këtyre fitoreve. Nuk gabonte: ishin më pas poemat “Përse mendohen këto male”, “Shqiponjat fluturojnë lart”, të Kadaresë, “Devoll, Devoll!”, “Baballarët”, të Dritëro Agollit, “I përkasim komunizmit”, të Fatos Arapit, ndonëse në të nuk përmendet gjëkundi fjala “parti”, e më pas poetëve të tjerë të rinj që iu kushtuan Partisë dhe atij vetë, të cilat edhe sot mbeten në historinë e letërsisë shqipe si ndër më të mirat, pavarësisht nga fryma politike së cilës poetët e mësipërm nuk mund t’i shmangeshin kurrsesi. Këta poetë ishin të detyruar në një mënyrë a në një tjetër të paguanin këtë haraç. Jo më kot në librin e tij “Alternativa letrare shqiptare” poeti dhe kritiku kosovar Agim Vinca, shkruan kështu rreth kësaj çështje: “Këtë përkrahje shkrimtarëve të rinj, Kadareja e shpjegon si një manovër për t’i përvetësuar ata (“poetet e rinj, shënimi im- S.K.), si një karrem që u hidhej atyre në mënyrë që prej talentit të tyre të përfitonte pastaj regjimi dhe vetë diktatori. Pavarësisht nga paraqitja, sipas Kadaresë, djallëzore që kishte, këtë qëndrim të shefit të Partisë dhe të shtetit sikurse edhe me klimën liberale që u krijua në fund të viteve 50-të dhe fillim të viteve 60-të, shkrimtarët shqiptarë e shfrytëzuan për t’ia ndërruar dukshëm fizionominë deri atëherë tejet uniforme letërsisë shqipe dhe veçanërisht krijimtarisë poetike”. (“Vepër e cituar, faqe 71).

Jehonë e këtij takimi nga Ernest Koliqi e Martin Camaj
Duhet të vëmë në dukje se zhvillimet e letërsisë shqipe ndiqeshin me vëmendje dhe nga shkrimtarë e studiues shqiptarë të cilët ishin detyruar të linin atdheun me uzurpimin e pushtetit nga regjimi komunist. Të tillë ishin p.sh. Ernest Koliqi e Martin Camaj. Në revistën “Shejzat” (“Viti VII, 1963) që botohej në Itali, shkruhet një artikull i gjatë kushtuar takimit të Enver Hoxhës me poetët e vjetër dhe poetët e rinj, të cilin Fatos Arapi e përfshin të plotë në librin e tij “Kur kujtohen që jam”, ku jepen vlerësime të tyre për këtë takim. Po citojmë disa fragmente nga ky artikull: “Në letërsinë shqipe kanë pasë qenë ba hapat e parë të mbarë dhe kanë qenë vu gurët e themelit të gjinive letrare përpara ardhjes së komunistëve në fuqi. Kjo asht kaq e vërtetë sa edhe sod-mbas zhbimjes, sharrimit e shartimit të shkrimtarëve ma të mirë, që gjetën të kuqt, përpjestimi i të rinjve me të vjetrit në Shqipni qindron ende afërsisht tre me dy në fitim të të rijve. E tash, për të pa se qysh i vë në hulli e shtrumë Enveri pendëtarët e Shqipnisë sod, le t’i hudhim nji sy premtimit të tij patetik në mbledhjen e gjanë me shkrimtarët (“Revista “Nëntori”, nr 8, gusht 1961, mbas vendimeve të Kongresit të 4-të të PPSh-së,”Partis Komuniste Shqiptare):
“Prandej këtë dashuri, këtë besnikëri dhe patriotizëm, që ushqeni për popullin dhe atdheun, (lexo partinë), partia do t’ua shpërblejë dhjetë dhe njëqind herë më shumë me kujdesin e saj. Partia është me ju, partia është çdo çast me të renë dhe ju për çdo hap tuajin do të kini kurdoherë ndihmën e përkrahjen e pakufishme të Partisë dhe Komitetit Qendror”.
Më poshtë në këtë artikull theksohet:
“Duhet shenue këtu se kjo mbledhje ngjet mbas vendimeve të Kongresit të 4-t të Partisë mbajtë për shkak t’akrobacisë politike qi bani udhëheqsia e kuqe e Tiranës tue shqelmue Moskën dhe tue u lëshue në prehën të Pekinit. Mandej duhet vërejtë se bari kryesuer qi Enveri i kon turmës së privilegjueme të shkrimtarëve të hutuem e të friksuem se mos binë në kurthe befas, asht temjani dehës “superhipokrit” i nacionalizmit….
Hec e thuej tash se këta shkrimtarë e artista nuk janë… “ushaterë që dalin prej kazermës simbas buris së burizanit për në paraqitjen e forcës në resht e gërthasin me sa za kanë-“nji dy, këtu, këtu, këtu..!” I gjitha halli qi e shtrëngon partinë me u lëshue penin… asht frika se mos e “mprehin pendën dhe krijojnë nji kundërrevolucion, si atë të tetorit të 1956-ës në Hungari”. Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, ndonëse larg artdheut, bënin një analizë të drejtë të gjendjes së krijuar pas mbledhjes së 11 korrikut. Poetët e rinj e të vjetër, edhe po të mos donin, ishin të detyruar të bëheshin ushtarë të bindur të Partisë. Sidomos të rinjtë, talenti i të cilëve i duhej diktatorit më shumë se kurrë. Sidoqoftë, siç do të shohim në pjesën e katërt e të fundi të këtij cikli, dialogu midis poetëve të vjetër e të rinj do të vazhdonte në faqet e shtypit letrar.
Megjithatë, debati vazhdon në shtyp.

Guarakuqi kundër Agollit
Fillimi i viteve “60-të duhet vënë në dukje ka qenë periudha e një fare lirie shtypi nëpërmjet debatesh në shtypin letrar, ku shfaqeshin edhe mendime të kundërta, (natyrisht, jo kundër Partisë). Kam ruajtur që atëherë disa artikuj që u botuan menjëherë pas takimit të 11 korrikut, të cilat pasqyrojnë një diskutim të gjerë, sido që jo rrallë përsëritet ashpër, por megjithatë konstruktiv, që siç e cilëson poeti dhe kritiku Agim Vinca, “mund të cilësohet një polemikë me të vërtetë letrare”. (“Alternativa letrare shqiptare”, faqe 59). Edhe pse diktatori Hoxha, u dha pasaportën poetëve të rinj, prapë se prapë ata mbetën nën shënjestrën e poetëve të vjetër. Do të përpiqem ta rindërtoj këtë debat edhe nëpërmjet studimit të Agim Vincës, botuar në librin e mësipërm. Ato që kritiku dhe poeti Mark Gurakuqi nuk kishte arritur me sa duket t’i shprehte në takimin e 11 korrikut, gjeti rast t’i trajtonte në një artikull të gjatë me titull “Traditë dhe novatorizëm”, “Drita”, 13 dhe 20 gusht 1961), ku ndër të tjera, shkruante: “Në këta vitet e fundit, kryesisht disa poetë të rinj kanë fillue të shkruejnë në një mënyrë tjetër nga ç’shkruhej ma parë. Hapin e parë e bani Ismail Kadareja e mandej disa të tjerë si Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Halil Qendro e madje edhe Dhori Qiriazi e Sandër Gera, që zakonisht shkruenin simbas modeleve klasike. Nuk po përmend disa emna fillestarësh”. Më pas, gjuha e Mark Gurakuqit nuk ka asnjë ndryshim nga gjuha që përdorën Andrea Varfi e Luan Qafëzezi në diskutimet e tyre para Enver Hoxhës. Madje ai tregohet i ashpër kur nis e analizon poezinë e Kadaresë: “Për mue, -shkruan ai, -kjo asht në një pjesë të mirë të saj, një poezi e diskutueshmne për disa arsy, siç asht ajo e reduktimit të figurës si mjet më vete e, në disa raste, e shmangjes së saj nga tradita e poezisë sonë…”
Për ta ilustruar mendimin e tij ai merr si shembull poezinë “Laç” dhe ndalet te vargjet: “Shoh se si një mbrëmje vere, /do të zbresë nga mali një malsor, /si kompas mbi këmbët e gjata”. Më tutje veçon vargjet: “Ky qytet do të veshë kombinezonin proletar, /s’do të gogësijë duke pirë çaj, /i futur në pizhame…”. “Sa i ruejnë tiparet e një poezie kombëtare disa vjersha të Kadaresë?” shtron pastaj ai pyetjen. Mirëpo, të shtrosh këtë pyetje dhe në këtë mënyrë, do të thotë ta ngushtosh shumë konceptimin e kombëtares, për të mos thënë se nuk e kupton këtë konceptim të ri, ose për më keq, se nuk do që ta perceptosh. Dhe kjo sepse ai nuk duron figura të tilla, të cilat për herë të parë e me guxim po përdoreshin nga poeti i ri, që thyente tabunë vendosur me një ligj të pashkruar nga poetët e vjetër, duke përfshirë edhe vetë Mark Gurakuqin. Të njëjtin qëndrim mban ai edhe ndaj poezisë së Dritëro Agollit dhe Fatos Arapit. Duke e vlerësuar Agollin si “ndër poetët ma të talentuem”, qysh në vëllimin e tij të parë “Në rrugë dola”, Gurakuqi, papritur vëren se “edhe ai ka fillue të kapet pas kërkimit të figurës”. Dhe si shembull për këtë merr vargjet: “Çitjanet mjegulla i ngriti e bredh, /ashtu si plakë, /kur lumin hedh…”. Dhe më poshtë: “Dhe fletët e trishta i hodhi zabeli, /si fjalë idili, /si fjalë gazeli…”. Të gjitha këto gjetje edhe sot të goditura, Mark Gurakuqi i quan si figura “të kërkueme të paperceptueshme e alogjike, sepse “ç’punë ka mjegulla me çitjanet e plakës” (Po aty).
Më poshtë në artikullin e tij ai nuk kursen as Fatos Arapin, i cili duhet thënë se deri në atë kohë ende nuk kishte botuar vëllimin e tij të parë poetik, por kishte tërhequr vëmendjen e kritikës dhe lexuesit me poezitë e goditura në shtypin letrar. Mark Gurakuqi e cilëson Arapin poet “që nuk parakuptohet e nuk shijohet shumë”, për shkak se në të hasen “gjurmë të një perceptimi të mjegullt poetik, ku figura nuk asht në funksion të idesë.” (Po aty).
Është për të ardhur keq, por duhet thënë se në këtë artikull të gjatë studimor shprehej një farë zilie, siç më thoshte më pas një miku im që u bë edhe përgjegjës i redaksisë së poezisë. Gurakuqi, sipas tij dhe të tjerë poetë të vjetër, i kishin zili poetët e rinj, jo sepse përdornin figura, që shpinin në “shfaqje manierizmi”, por sepse ata vetë nuk ishin në gjendje të krijonin poezi me të tilla figura. Natyrisht, siç thekson Agim Vinca – “audatur et altera pars”. “Shprehje latine: “Të dëgjohet edhe pala tjetër”.)
Dje pala tjetër nuk vonoi të përgjigjej.

Agolli kundër Gurakuqit
Ishte Dritëro Agolli ai që iu përgjigj Mark Gurakuqit në një artikull me titull shumë kuptimplotë “Traditë natyrisht, por jo stampë”, botuar në gazetën “Drita”, më 27 gusht 1961. Ky ishte i pari artikull serioz kritik që botonte poeti ynë i ri, aso kohe gazetar i “Zërit të Popullit”. Dhe, ç’është më interesante, në këtë artikull ai më shumë se sa mbron poetët e rinj, duke përfshirë edhe veten, kritikon krijimtarinë e poetëve të vjetër, duke shpallur kështu hapur luftën kundër konservatorizmit dhe dogmatizmit që kishte mbërthyer deri atëherë poezinë shqipe. Në këtë artikull, Agolli nënvizon se poezia e deriatëhershme e poetëve të vjetër vuante nga skematizmi, nga varfëria e mjeteve shprehëse, përsëritja, trajtimi i zbehtë i dukurive jetësore, imitimi i verbër i traditës që përmblidhej në atë që ai e përcaktonte si shtampa poetike, të cilat qarkullonin “si monedha nga një poet tek tjetri e jo rrallë përsëriteshin edhe tek e njëjta vepër” (Po aty).
Këto gjykime ai i përcillte me shembuj nga poezitë e vetë Mark Gurakuqit dhe poetëve të tjerë konservatorë, Luan Qafëzezit. Kolë Jakovës, Aleksandër Banushit, Llazar Siliqit, të cilët, veç të tjerash, kishin një konceptim jorealist të jetës, ndërtuar me personazhe të stolisur me epitete stereotipe që i kemi përmendur dhe në pjesën e parë të këtij cikli, si “kreshnikë, syshqiponjë, trima me fletë, zemërshkëmb” etj. Kurse sjelljet dhe reagimet e tyre ideoemocionale të kujtojnë heronjtë e baladave të shekullit XV”. “Traditë, natyrisht, por jo shtampë”, “Drita”, 27 gusht 1961.
Dritëro Agolli theksonte më tej se të kënaqurit me krijime të nivelit mesatar, nën pretekstin e ruajtjes së traditës, që s’është veçse një iluzion i bukur, e frenojnë procesin e rinovimit të poezisë, ngushtojnë përmbajtjen e tematikës.., varfërojnë teknikën e mjetet shprehëse dhe për pasojë e ftohin lexuesin prej poezisë. (Po aty).
Ky artikull shkruar me profesionalizëm, ishte vazhdimi jo vetëm i diskutimeve të Ismail Kadaresë dhe Fatos Arapit në takimi e 11 korrikut, ku ai kishte munguar, por dhe vazhdimi i një artikulli tjetër të rëndësishëm të poetit dhe kritikut Drago Siliqi, i cili do të humbiste jetën tragjikisht në një katastrofë ajrore më 1963, me titull “Në kërkim të së resë”, i cili ishte botuar po në gazetën “Drita”, më 18, 25 qershor dhe 2 korrik, artikull cituar në pjesën e parë të këtij cikli. Siç thekson Agim Vinca, ‘Drago Siliqi në këtë artikull” merret me shpjegimin dhe interpretimin e këtij fenomeni, duke e shikuar atë në lidhje të ngushtë me procesin letrar të kohës, në kohën kur ai kërkimi i se resë ishte bërë “çështje dite”. “Alternativa letrare.., faqe 68).

Triumfi i së resë dhe haraçi i saj
Në këtë betejë të gjatë, poetët e rinj fituan. Natyrisht, në radhë të parë nga mbështetja që u dha vetë Enver Hoxha për arsyet që kemi përmendur më lart. Si çdo diktator, ai do t’i shfrytëzonte poetët e rinj, që t’i thurnin himne partisë e doemos dhe udhëheqësit të saj gjenial, pra atij, detyrë prej skllavi që poetet e rinj, siç e kemi vënë në dukje, ishin të detyruar ta zbatonin. Ja sepse redaktorët, “për të qenë brenda”, ishin të detyruar t’u kërkonin poetëve që vëllimet e tyre të nisnin patjetër me poezi kushtuar Partisë dhe shokut Enver. Megjithatë, poetët tanë më të mirë vazhduan rrugën e tyre drejt krijimit të një poezie që shtronte kërkesa të reja duke kapërcyer madje edhe kufijtë që kishte shpallur vetë diktatori.
Dhe e paguan rendë. Më 1965, në “Drita botohej poema “Baballarët” e Dritëro Agollit. (“Pati pëshpëritje dhe pakënaqësi sesi për një farë “patriarkalizmi” në poemë, -vë në dukje Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam”, (Faqe 150). Dhe vazhdon: “Para një gote konjaku Agolli pinte i vetëm. Ishte i dëshpëruar. Shkova drejt tij… Në çast Dritëroi tha: “Kështu i duan këta? Unë i bëj më të mira”. Po aty)
Më pas, me sa dihet, ai e ripunoi poemën, që më 1969 fitoi madje edhe çmim të parë në konkursin letrar me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit. Po në ato vite, do të pësonte goditje edhe në prozë. Vëllimi i tij me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme”, që u prit mirë nga lexuesit, do të kritikohej. Duke përshkruar përsëri një bisedë me Dritëroin, Fatos Arapi përshkruan një takim me të: “Si nëpër ajër, me cigare në buzë, me nervozizëm të brendshëm, ai më tha: “Edhe mua ma ndaluan librin… Nexhmia”. Ky vëllim do të kritikohej edhe në Plenumin e 15-të të KQ të PPSH-së e madje edhe në Kongresin e Dytë të LSHASH-së, më 1969. 1)Vëllimi poetik “Më jepni një emër” i Fatos Arapit, jo vetëm nuk do të qarkullonte, për gabime të rënda ideore, por ai vetë, nga pedagog i letërsisë në UT, do të përfundonte mësues në një shkollë mbrëmje. Kjo ndodhte pas Plenumit të 4-t famëkeq të vitit 1973. 2)Nga ana tjetër, Ismail Kadareja, pasi ishte kritikuar rëndë më 1969 për botimin në faqet e “Nëntorit” të novelës “Përbindeshi”, që do të hiqej edhe ajo nga qarkullimi, më 1975 me urdhër të drejtpërdrejtë të diktatorit, do të dënohej të shkonte fshatrave të Myzeqesë pas botimit të poemës “Pashallarët e kuq”. Vini re: Pikërisht ata poetë që u kritikuan më 1961 nga poetët e vjetër për “izmat” e tyre dhe u morën në mbrojtje nga Enver Hoxha!… E kishin kaluar kufirin e caktuar nga ai…
Do ta pësonin edhe shumë poetë të rinj për të cilët Kadareja, Agolli e Arapi ishin shembujt më të mirë se si mund të shkruhej poezi me frymë bashkëkohore. Të tillë ishin 3)Bilal Xhaferi, vëllimi poetik i të cilit “Lirishtja e kuqe” dhe romani “Krasta Kraus”, u ndaluan dhe ai u detyrua të arratisej në Greqi e që andej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u gjend i vdekur në spital në rrethana misterioze. (“Hamendësohet të ketë pasur dorë Sigurimi i Shtetit”). 4)Halil Qendro, redaktori i vëllimit me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme” të Agollit dhe poet me talent, u internua për vite e vite në fshatrat e Progonatit. 5)Faslli Haliti u degdis në humbëtirat e Lushnjës. 6)Xhevahir Spahiu, dy herë i kritikuar nga vetë Enver Hoxha për poezi surealiste, shpëtoi çuditërisht pa u dënuar. 7)Hiqmet Meçaj u dërgua me dënim në Vlorë. 8)M. Zeqo u hoq nga gazeta “Drita”. Të dy për hermetizëm në poezitë e tyre. Kurse një tjeter, 8)Frederik Reshpja poet i talentuar, përfundoi madje në burg e pas tij edhe poetët 9)Jorgo Bllaci, 10)Zyhdi Morava, 11)Pano Taçi. Kurse poeti i ri, poeti 12)Vilson Blloshmi madje u pushkatua. “Afirmohuni me vargun tuaj dhe në rast se ju do populli, ai varg është i mirë” u bënte thirrje Enver Hoxha poetëve të rinj në takimin e 11 korrikut të vitit 1961.
Populli i kishte afirmuar poetët e rinj. Por jo diktatori Hoxha. Ja sepse, herë pas here, siç e pamë, kur shihte edhe shkarjen më të vogël nga kanunet e tij vringëllonte, pa mëshirë, shpatën mbi kokat e tyre. Sidoqoftë, poetët, atëherë të rinj, Kadare, Arapi, Agolli e pas tyre të tjerë që u frymëzuan nga krijimtaria e tyre, ngadhënjyen. Këtë e dëshmon edhe veprat që krijuan në periudhë të plumbtë, e cila me gjithë censurën e fortë, tingëllon e freskët, e gjallë, kumbuese edhe në ditët tona.

(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)

BOTA GJERMANE ALEATE E NATYRSHME

E POPULLIT SHQIPTAR

Thanas L. Gjika.jpg

(nga Prof. Asc. Dr. Thanas L. GJIKA)

Populli shqiptar, i quajtur ilir gjatë Antikitetit e arbër gjatë Mesjetës, këto 2000 vjetët e fundit ka jetuar nën presionin asimilues të romakëve, grekëve, sllavëve e osmanëve. Gjatë këtyre njëzet shekujve ai ka humbur shumë territore dhe sasi të madhe popullsie mbas luftërash e zgjedhash të gjata. Në këto përpjekje për të mbijetuar, për fatin e tij të mirë, popullit tonë i ka dalë në mbrojtje disa herë bota gjermane, thënë më qartë: populli gjerman e ai austriak, si dhe qeveritë e tyre.

* * *
Rastet e ndihmës që i janë dhënë popullit tonë prej popujve gjermanikë janë të shumtë, por ne po përmendim këtu vetëm disa:

Rasti i parë.
Dyndja e popujve gjermanikë (Gotë, Ostrogotë, Vandalë, Hunë, etj) në shekullin e V të e.r. në territoret e Perandorisë Romake e shkatërruan këtë perandori dhe sollën si pasojë çlirimin e popujve të saj dhe ndërprerjen e procesit asimilues të romanizimit. Në rast se nuk do të ishte shkatërruar Perandoria Romake prej popujve gjermanikë, popullsia ilire mund të asimilohej prej kolonëve romakë. Rreziku i romanizimit bëhet më i qartë po të sjellim këtu gjendjen demografike të trojeve ilire gjatë periudhës së sundimit romak.
Në shekujt IV-V të e. r. procesi i romanizimit kishte marrë përmasa të gjera në gadishullin Ilirik (sot quhet gadishulli Ballkanik). Mbas pesëqind vjet zgjedhë romake, qytetet fushore bregdetare dhe qytetet anës Rrugës Egnatia ishin mbushur me kolonë romakë (fise Galësh që merreshin me blegtori), mijra administratorë e ushtarë romakë, që ishin sjellë kryesisht prej gadishullit Italik. Qytete si Lissus (Lezha), Dyrrah (Durrsi), Apollonia (Pojani pranë Fierit), Aulona (Vlora), Nikopolis (Nikopoli, pranë Prevezës, sot gërmadha), Kabala (Kavaja), Andronikus (Ndroqi), etj ishin kthyer në qendra kozmopolite me popullsi të përzjerë ku popullsia vendase ilire jetonte në bashkësi me popullsi të tjera kryesisht romake dhe mbeturina të kolonëve helenë të vendosur aty që para pushtimit romak.
Pushtimi romak ndërpreu procesin e helenizimit në qytetet ilire, por nxiti procesin e romanizimit me anën e popullsisë romake që solli në ato qytete dhe përdorimin e latinishtes si gjuhë zyrtare. Mbas luftërave Iliro-Romake, popullsia ilire në përgjithësi ishte rralluar gjatë luftimeve. Rrallimi i saj u çua më tej prej konsullit romak Paulus Aemilius (Paul Emili), i cili mbas fitores përfundimtare, shpuri në Romë përveç thesareve të mbretit Gent e familjen e tij mbretërore dhe 150 mijë ilirë si skllevër. Për të ruajtur Rrugën Egnatia dhe degët e saj brenda pak vitesh u sollën në shumë qytete e fshatra anës kësaj rruge e degëve të saj 150 mijë kolonë romakë. Këta kolonë që u sollën me gjithë familje, krijuan një popullsi të privilegjuar, e cila merrej me mbarështimin e bagëtive dhe prodhimin e bulmetrave dhe pëlhurave të leshta për ushtrinë romake, si dhe me ruajtjen e rrjetit rrugor për të siguruar kalim të qetë të trupave ushtarake, të karvanëve të tregtarëve dhe individëve nga qytetet porte të Adriatikut drejt Bizantit (Stambollit të sotëm). Këtë popullsi administrata romake e quajti AROMANI, për ta dalluar nga popullsia dake, të cilën e quajti ROMANI (rumunët e sotëm të Rumanisë). Në Shqipërinë e sotme pasardhësit e kolonëve AROMANI quhen ARUMUNË / RËMËNË ose VLLEHË, dhe kanë jetuar e jetojnë si një mbeturinë e Perandorisë Romake, si një diasporë që jeton në paqe me shqiptarët në Shqipërinë e Jugut, me grekët në Greqi dhe me maqedonët në Maqedoni për gjatë Rrugës Egnatia e degëve të saj. Kjo popullsi sot është etni kulturore e gjuhësore e veçantë në shtetet e Ballkanit Qendror-Perëndimor, por nuk përbën një minoritet kombëtar të veçantë. Aromunët e Ballkanit nuk mundën të ngjizen si një minoritet kombëtar, sepse ata nuk kanë përbërë popullsi mbizotëruese në një territor të caktuar me fshatra e qytete, nuk e përpunuan gjuhën e tyre me shkrim, nuk krijuan një letërsi kombëtare, nuk formuan një flamur kombëtar dhe nuk zhvilluan një ideologji kombëtar gjatë shekullit të XIX-të (shekulli gjatë të cilit popujt e Ballkanit formuan ideologjitë e tyre kombëtare).
Me pak fjalë, dyndja e popujve gjermanikë i ktheu popullit Ilir statusin e hershëm, atë të të qenit zot i vendit, kurse popullsisë arumune i dha statusin e një popullsie ardhacakë, pra të një popullsie të dorës së dytë, që filloi të jetonte në trojet e gadishullit si diasporë e jo si popull i privilegjuar, që rrezikonte vendasit për t’i asimiluar.

Rasti i dytë.
Dihet se një nga dokumentet e para të gjuhës shqipe të shkruar është fjalorthi i udhëtarit gjerman Arnold Fon Harf i vitit 1497. Ky udhëtar gjatë kalimit të tij me anie nëpër qytetet porte shqiptare Ulqin, Durrës dhe limanin e Sazanit, për të komunikuar me banorët e tregtarët vendas, hartoi fjalorthin e tij me 26 fjalë, tre shprehje dhe numërorët 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 100, 1000. Ai i shkroi fjalët shqip me alfabet gotik ashtu si i dëgjoi prej banorëve shqipfolës. Kuptohet se këtë fjalorth ai e përdori gjatë ndalesave për të plotësuar nevojat e veta jetike ose tregtare. Ky dokument u zbulua në Këln të Gjermanisë më 1860 prej një studiuesi gjerman.

Rasti i tretë.
Meshari i Dom Gjon Buzukut, monumenti më i rëndësishëm i shqipes së shkruar lidhet gjithashtu me ndikimin e drejtpërdrejtë të botës gjermane.
Ishte prifti i ri gjerman, Martin Luteri, i cili më 1517 shpalli si protestë ndaj Papatit nevojën e përkthimit, botimit dhe predikimit të Biblës në gjuhën e popullit gjerman për ta bërë më të kuptueshme fjalën e Zotit. Pikërisht këto mendime të Martin Luterit u bënë baza e asaj lëvizjeje fetare që shpuri në krijimin e Protestantizmit si besim fetar dhe të lëvizjes së njohur në histori me emrin Protestant Reformation (Reforma Protestante). Vetë Luteri përktheu Biblën e shenjtë në gjermanisht, duke hedhur kështu bazat e gjuhës letrare gjermane. Rrugën e tij e ndoqën në Europën e shek. XVI e më vonë edhe shumë priftërinj e besimtarë të devotshëm të besimit katolik roman.
Lëvizja e reformës protestante u shtri edhe në Italinë e Veriut dhe në pjesën katolike të Ballkanit të veriut, në Slloveni e Kroaci, ndoshta dhe në qytetet shqiptare me popullsi katolike Tivar e Ulqin, të cilat ishin nën mbrojtjen e Venedikut deri më 1571, kur ranë nën zgjedhën osmane.
Dom Gjon Buzuku, sipas studiuesve shqiptarë Eqrem Çabej, Injac Zamputi, Mahir Domi, etj, për ta krijuar veprën e tij u mbështet në vepra të ngjashme të priftërinjve katolikë kroatë, të cilët ishin të lidhur drejtpërdrejt me reformën protestante gjermane. Prej tyre Buzuku mori dhe gërmat që i duheshin shtuar alfabetit të shqipes që i mungonin alfabetit latin. Edhe studiuesi Ilia Karanxha në veprën e re Barleti apo Beçikemi?… Tiranë 2010, ecën në këtë vazhdë dhe sqaron se veprimtaria e Gjon Buzukut në Venedik ishte e lidhur me bashkëvllazërinë që njihej me emrin Scuola degli Albanesi (Shkolla e shqiptarëve) e cila mbante marrëdhënie bashkëpunimi me shkollën e dalmatëve San Giorgio degli Schiavoni (Shën Gjergji i Sllavëve) brenda së cilës nuk mungonte prezenca e shqiptarëve. Komunitetet e huaja, si dalmatët, grekët dhe shqiptarët, rrekeshin të zhvillonin në Venedik shërbesat fetare në gjuhët e tyre amtare, si pasojë e ndikimit të reformës protestante gjermane.
Pra kushtet që krijoi reforma protestante gjermane i dhanë mundësi priftit shqiptar katolik Gjon Buzukut të përkthente në gjuhën shqipe një pjesë të madhe të Biblës, Së Shkruomit të Shenjtë, këtë vepër madhore që e quajmë Meshari. Me këtë vepër, të cilën e kemi sot të transkriptuar dhe transliteruar prej prof. Eqrem Çabejit (1967) dhe të sjellë në gjuhën e sotme shqipe prej studiuesit Thoma Qendro (2010), Dom Gjon Buzuku e hartoi dhe e botoi për të mbrojtur botën arbërore (shqiptare) të krishtere nga procesi i islamizimit dhe gjuhën tonë nga bastardimi e asimilimi.

Rasti i katër.
Rasti i katër është i lidhur me veprimtarinë e perandorit të parë të shtetit të bashkuar gjerman, Otto Bismark. Ky burrë i shquar shteti dhe politikan i zoti, me këshillat që u dha tre delegatëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878 gjatë takimit me ta, ka luajtur një rol të rëndësishëm për orientimin e drejtë të lëvizjes kombëtare shqiptare. Kontributi i tij, për fat të keq, deri sot ka qenë mohuar e shtrembëruar në kahje të kundërt.
Të dhënat e bisedës së Bismarkut me Abdyl Frashrin, Ymer Prizrenin dhe Mehmet Vrionin i kemi nxjerrë nga artikujt e gazetave shqiptare të Rilindjes, kryesisht prej gazetës Koha të Mihal Gramenos.
Bismarku mbasi u njoh me kërkesën e delegateve shqiptare për të ndikuar që territoret e banuara prej shqiptarëve të mos u jepeshin shteteve sllave të Ballkanit, pyeti:
Si ju quajnë?
Delegatët shqiptarë thanë emrat: Abdyl, Ymer, Mehmet.
Bismarku u dha këtë këshillë: Ju jeni të tre myslimanë. Populli shqiptar është i ndarë në tre besime, në myslimanë, katolikë dhe ortodoksë. Kur të delni nëpër oborret mbretërore të Europës për të mbrojtur çështjen tuaj kombëtare duhet të zgjidhni delegatë nga të tre besimet e popullit tuaj. Ju, duke qenë të tre myslimanë, nuk ju beson kush se kërkoni mbrojtjen e tokave shqiptare. Ju krijoni idenë se ju ka dërguar Porta e Lartë e Stambollit për të mbrojtur territoret e Perandorisë Osmane.
Kur Abdyli iu lut që Bismarku t’i ndihmonte për ta bërë të njohur kombin shqiptar, Bismarku i tha:
Më jepni një libër të shkruar në gjuhën shqipe.
Abdyli, i cili nuk u kujtua ose nuk e dinte se në gjuhën shqipe ishte përkthyer Dhiata e Re prej Vangjel Meksit dhe botuar prej misionit evangjelist anglez më 1827 dhe prej Kostandin Kristoforidhit më 1868, u përgjigj:
Nuk kemi ndonjë libër të botuar në gjuhën shqipe këto vite. Kemi vetëm disa libra shqip të shkruar dy tre shekuj më parë prej priftërinjve katolikë të veriut.
Atëherë Bismarku dha këtë sqarim:
Në Europë as ka as do të ketë komb pa gjuhë të shkruar. Shqipëria është një shprehje gjeografike po të mos shkruhet gjuha shqipe.
Propagandat e huaja antishqiptare dhe antigjermane, sidomos propaganda zyrtare osmane, ajo serbe e ruse, këtë thënie mobilizuese e shkurtuan duke ia ndërruar thelbin e saj. Ata shpallën sikur Bismarku kishte thënë vetëm: Shqipëria është një shprehje gjeografike, duke lënë mënjanë sqarimin: po të mos shkruhet gjuha shqipe. Kjo shprehje e cunguar e tepër keqdashëse ka zënë vend dhe në shumë tekste të historisë së Shqipërisë edhe sot, madje edhe tek vepra e prof. Kristo Frashërit Lidhja Shqiptare e Prizrenit, TOENA, Tiranë 1997, f. 118.
Në fakt, delegatët e Lidhjes e kuptuan drejt thelbin mobilizues të porosisë së Otto Bismarkut, prandaj ata sapo u kthyen në Prizren dhe pastaj në Stamboll, nxitën atdhetarët që të ngrinin në një nivel të ri përpjekjet për hartimin e një alfabeti të ri për ta shpënë përpara shkrimin e gjuhës shqipe.
Si pasojë e kësaj nxitjeje u arrit që në Stamboll më 6 janar 1879 të krijohej Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip, e cila u njoh prej qeverise osmane në tetor të atij viti. Kjo shoqëri krijoi alfabetin e njohur me emrin Alfabeti i Stambollit që u krijua duke marrë gërmat e alfabetit latin duke e plotësuar këtë alfabet me disa gërma të alfabetit grek, për të pasqyruar me shkrim tingujt e gjuhës shqipe, që nuk i kishte gjuha latine. Filloi kështu puna për botimin e librave në gjuhën shqipe, sidomos puna për hartimin e teksteve shkollore. Poetë të talentuar, të cilët shkruanin e botonin vepra në gjuhë të huaja, si Vaso Pasha në italisht, Naim Frashëri në persisht, Sami Frashëri në turqisht, etj nisën të shkruanin e botonin vepra në shqip duke u bërë nismëtarë të letërsisë kombëtare shqiptare.
Përpjekjet për ta bërë sa më masive e sa më të njohur çështjen kombëtare shqiptare shpunë edhe në botimin e disa gazetave e revistave në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaj. Në Athinë doli në vitet 1879-80 shqip e greqisht gazeta I Foni tis Alvanias (Zëri i Shqipërisë) prej arbërorit të Greqisë Anastas Kullurioti. Në Corriliano Calabro të Italisë në vitet 1883-87 doli gazeta Fjamuri i Arbërit prej atdhetarit e poetit të madh Jeronim De Rada. Në Stamboll në vitet 1884-85 atdhetarët e atjeshëm botuan revistën Drita-Dituria, etj. Këto përpjekje u kurorëzuan dhe me hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë në vitin 1886 dhe të disa shkollave të tjera në Kolonjë prej Petro Nini Luarasit, etj.

Rasti i pestë.
Njohja dhe studimi i gjuhës, historisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare është kryer më tepër dhe me nivel më të lartë shkencor prej studiuesve të botës gjermane. Askush nuk mund të merret me studimin e këtyre fushave të dijes pa përvetësuar së pari arritjet e shkencës gjermane e austriake. Sa për orientim po përmendim këtu disa emra e vepra që kanë bërë epokë: profesori i Universitetit të Berlinit Franc Bop me veprën e tij Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e farefisnisë gjuhësore të saj; Johannes Georg von Hahn (Johan Xhorg fon Han) me veprën e tij Albanesische Studien (Studime Shqiptare) në tre vëllime, me studimet e tij për përrallat e gojëdhënat tona, etj; Gustav Mayer (Majer) me fjalorin e tij etimologjik të shqipes; Norbert Jokli me stidimet e njohura për origjinën e gjuhës shqipe dhe për fjalëformimin; Maximilian Lamberrtz (Maksimilian Lamberc) me studimet e tij të shumta për përrallat, mitologjinë shqiptare dhe sidomos për epikën e Veriut, ciklin e kreshnikëve, etj, etj.
Të tilla vepra hodhën themelet e shkencave albanologjike në një kohë kur shqiptarët nuk kishin filluar të merreshin me to. Ato e bënë të njohur në botën shkencore europiane pasurinë tonë kulturore, gjuhësore, folklorike, letrare, etj.

Rasti i gjashtë.
Në përcaktimin e kufijve të shtetit shqiptar të pavarur politikanët gjermanë e austrohungarezë luajtën një rol të rëndësishëm për të mbrojtur krahina e qytete shqiptare. Në Konferencën e Ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha të Europës (Angli, Rusi, Gjermani, Itali, Austro-Hungari e Francë), që u mbajt në Londër prej dhjetorit 1912 deri në gusht 1913, ambasadorët e Austro-Hungarisë, Gjermanisë dhe Italisë luftuan kundër propozimeve makabre të ambasadorit të Rusisë. Pa këtë luftë kufijtë e shtetit tonë do të ishin kufizuar prej derdhjes së lumit Vjosa në jugë deri në derdhjen e lumit Mat në veri dhe prej Adriatikut deri te lumi Drin i Zi. Pra do të ishte krijuar një shtet shqiptar pa qytetet Shkodër, Tropojë, Kukës, Peshkopi, Korçë, Përmet, Gjirokastër, Vlorë, Himarë, Delvinë, Sarandë, etj. Ishte koha kur diplomacia e Rusisë cariste luftonte të zmadhonte shtetin Serb sa më shumë si kundërpeshë ndaj Austro-Hungarisë. Kurse Franca me Anglinë i bindeshin politikës shoviniste ruse në dëm të popullit tonë.
Kur ambasadori rus në atë konferencë ngulte këmbë që Korça t’i jepej Greqisë dhe Shkodra t’i jepej Malit të Zi, ambasadori i Austro-Hungarisë përmendi fjalët e perandorit Franc Jozef: Shtet shqiptar pa Korçën e Shkodrën nuk mund të krijohet, sepse bijtë e këtyre dy qyteteve krijuan ideologjinë e Rilindjes Shqiptare dhe pa këtë mbështetje ideologjike nuk mund të mëkembet një shtet shqiptar.
Kjo thënie, bashkë me ndërhyrjen e Papës, ndikuan që ambasadorët e Francës dhe Anglisë të bashkoheshin me mendimin e diplomatit austrohungarez dhe kërkesa ruse të mos merrej parasysh.

Rasti i shtatë.
Perandoria Austro-Hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore dhe mbas vitit 1918, shteti i vogël i Austrisë që u krijua pas shkatërrimit të asaj perandorie, dhanë bursa e të drejta studimi për shumë djem të rinj shqiptarë. Ata u formuan në Vjenë e në qytete të tjera austriake dhe u kthyen e shërbyen në Shqipëri si kuadro të përgatitur në nivelet më të larta të kohës. Vlen të përmendim këtu studiuesin Gjergj Pekmezi, pedagog i gjuhës shqipe në universitetin e Vjenës, doktorët Omer Nishani, Mehmet Kërçiku, Shefqet Ndroqi, studiuesit Eqerem Çabej, Aleks Buda, poetin e përkthyesin Lasgush Poradeci, poetin Hil Mosi, mësuesit e shquar Xhevat Korça, Skënder Luarasi, agronomët Ilia Mitrushi, Milo Pasko, etj, etj.

Rasti i tetë.
Politikën amerikane për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar të Kosovës e kanë mbështetur fuqimisht diplomacia gjermane, austriake e ajo angleze. Bundestagu gjerman shpalli me forcë më 1998 se stabiliteti i përgjithshëm i rajonit varet nga një zgjidhje e përhershme e çështjes së Kosovës, dhe se çështjet e të drejtave njerëzore dhe ato minoritare nuk janë assesi çështje të brendshme të Serbisë. Këto vendime ndihmuan diplomacinë ndërkombëtare të ecte në rrugën e mbarë për ndërhyrjen e armatosur të forcave të NATO-s, veprim që solli çlirimin e Kosovës.

Rasti i nëntë.
Në periudhën e tranzicionit për kalimin e Shqipërisë nga sistemi diktatorial në sistemin pluralist me ekonomi të tregut të lirë, ishin pikërisht ndihmat gjermane ato që zinin vendin e parë midis ndihmave që iu dhanë Shqipërisë përmes Komunitetit Europian. Diplomacia gjermane e ajo austriake gjithnjë ka qenë për zgjidhje sa më të mira të çështjes shqiptare.

Rasti i dhjetë.
Diplomacia gjermane dhe ajo amerikane zënë vendin e parë në përpjekjet për njohjen e shtetit shqiptar të pavarur të Kosovës dhe për anëtarësimin e Shqipërisë e të Kosovës në NATO dhe BE…
Si përfundim themi se qeveritë e sotme të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës duhet që para se të marrin vendime të rëndësishme, është e mira të konsultohen me aleatët e tyre të natyrshëm: Gjermaninë, Austrinë, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë dhënë prova të shumta për një ardhmëri sa më të mirë të popullit shqiptar.


(Autori jeton në SHBA. Këtë artikull ai e botoi së pari në gazeta Illyria, New York 10-12 dhjetor 1997, f.16. Më 2011 e botoi të ripunuar në përmbledhjen “Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit”, DDS, Durrës, 2011. Varianti që botohet tani u përpunua në qershor-korrik 2015).

(Përgatiti për botim në “ADMET”, gusht 2019, Andi Meçaj)

SHQIPTARË TË FAMSHËM NË PERANDORINË OSMANE

Është e dëshmuar se shqiptarët qenë për 500 vite pjesë integrale dhe e pandarë e Perandorisë Osmane. Përgjatë këtyre viteve shqiptarët kanë luajtur rol tepër të rëndësishëm e po thuaj të pazëvendësueshëm në shumë aspekte të kësaj perandorie kolosale. Roli i shqiptarëve ishte i rëndësishëm jo vetëm në politikë, ekonomi, ushtri, administratë a gjyqësor, por edhe në art, shkencë e kulturë. Pikërisht për këtë të fundit, po fillojmë një seri shkrimesh mbi personalitetet kulmore me origjinë shqiptare që kanë dhënë kontribut të shquar në kuadër të qytetërimit osman që kulmin e tij e arriti në shekujt XVI-XVII.

JAHJA bej DUKAGJINI

(1498-1582)

Jahja bej Dukagjini.jpg

Jahja bej Dukagjini i njohur edhe si Dukaginzâde Yahyâ bey apo Taşlicali Yahyâ bey me origjinë nga veriu i Shqipërisë, konkretisht sipas Robert Elsie-t, pasaardhës i familjes së madhe Dukagjini, territoret e së cilës familje përfshinin territore malore pranë Bjeshkëve të Nemuna. Qysh herët u rekrutua nga sistemi i devshirmesë, sistem ky që e dërgoi në Stamboll. Përgjatë gjithë shkollimit në rrugën për t’u bërë jeniçer, ai u dallua me trimëri, aftësi e mençuri. Këto tipare i mundësuan atij që të ketë më shumë liri, të cilën ai e përdori për t’u njohur me veprat e Kadri Efendiut, Ibn Kemalit, Nishandji Tadji-zade Dja’fer Çelebiut, Pargalı Ibrahim Pashës, dhe İskender Çelebiut.

Përveç se poet i shquar, Jahja bej Dukagjini u dallua për aftësitë e tij ushtarake. Si për të na e kujtuar këtë, Sami Frashëri shumë vite pas, shkruan: “ishte i shpatës (luftëtar) dhe i penës (shkrimtar)”. Jahja bej Dukagjini njihet se ka marrë pjesë gjatë rinisë së tij në Betejën e Çaldiranit të 23 gushtit 1514 të udhëhequr nga Sulltan Selimi I (1512-1520), gjithashtu në Luftën Otomane-Mamluke të 1516-17 dhe në ekspeditën e Bagdadit të vitit 1535 nën Sulejmanin I Ligjvënësin (1520-1566). Pikërisht këto vite ishin vitet më të ndritshme të kësaj perandorie. Megjithë trimërinë që e karakterizonte, ai u bë më tepër i njohur në mesin e shtetasve të Perandorisë, pikërisht për shkak të poezive të tij madhështore. Madje në këto poezi ai ishte i vetëdijshëm për origjinën e tij shqiptare dhe e pohonte vazhdimisht në vargjet e tij, gjë që nuk kishte ndodhur me shumicën e të rekrutuarve të sistemit të Devshirmesë që zakonisht zveniteshin nga ndjenjat kombëtare.

Në poezinë e tij “Trëndafili i ndritur” dëshmonte para botës se ishte me origjinë shqiptare:

“Farefisi im rrjedh nga paria shqiptare,
Sojin e kam prej princërve të Dukagjinit
Sado që u bëra rob i osmanëve
Nuk e fsheh dot
Lumturinë time që gëzoj,
Krenohem duke luftuar në fushëbeteja
Me flamur të kuq në dorë…”

Edhe në një rast tjetër në përmbledhjen “Thesare të fshehura”, si rrallë kush në Perandorinë Osmane, madje me krenari, ai shkruante mbi prejardhjen e tij, mbi shqiptarët, e mbi vendin që tashmë e kishte lënë e kishte shumë mall:

“Raca shqiptare është raca ime,
mbarë populli mban shpatën pranë,
ata trima si petrita nuk e kanë për gjë,
të ngrënë shtëpitë mes shkëmbinjve,
kjo është dhunti e racës shqiptare,
ata njerëz janë gurë të çmuar mes shkëmbinjsh” .

Sipas studiuesve turq, aspekti më i rëndësishëm i Taşlicali Yahyâ bey është se ai ishte njëri nga pionerët e poetëve që shkroi poezi në letërsinë turke me stil të tij, stil ky i kuptuar nga populli si dhe i shkruar në gjuhë amtare larg nga ndikimi i shembujve të të shkruarit në gjuhën perse që në atë kohë ishte shumë e përhapur në Stamboll. Shumë osmanlinj madje i kishin zili duke u shprehur se poeti i cili sipas tyre erdhi nga një vend i varfër e i shkretë si Shqipëria, kishte poezi e libra të pakrahasueshëm me të tjerët.

Sipas E.J.W. Gibb, poezia e këtij autori ka qenë aq interesante sa ishte jeta e tij. Madje Gibbi, orientalist skocez, Dukagjinin e fut në mesin e poetëve më eminentë të shekullit XVI.

Pa e zgjatur shumë, do përmendim edhe disa nga veprat e tij më të mëdha të cilat vlerësohen edhe sot e kësaj dite:

Şah ü Geda – Mbreti dhe lypësi
Yusuf ve Züleyha – Jusufi dhe Zylejhaja
Gencine-i Raz – Thesari i fshehtë
Gülşen-i Envar – Kopshti i trëndafilave
Kitab-ı Usul – Libri i procedurave

E veçantë mbetet edhe një vepër me 2000 vargje e quajtur “Suleymanname” që i kushtohet udhëheqësit të asaj kohe, Sulltan Sulejmanit (1520-1566). Kjo vepër si duket mbeti e papërfunduar.

Madje është shumë e famshme elegjia që Jahja Bej Dukagjini i ka kushtuar Shehzade Mustafasë, djalit të ekzekutuar të Sulltan Sulejmanit. Fill pas kësaj dhe akuzave të rënda që mori nga oborri perandorak, ai si për t’u shfajësuar u përgjgj: “Ne e dënojmë atë me padishahun, por e vajtojmë me popullin”. Kjo përgjigjje dëshmonte se kemi të bëjmë me një mendje gjeniale që edhe në situata shumë të ndërlikuara gjente zgjidhje.

Për fund iu mbetet studiuesve shqiptarë të fillojnë të hulumtojnë për këtë personalitet të madh për të cilin pak është shtruar e ka shumë nevojë të shkruhet në gjuhën shqipe. Ky shkrim më shumë ka për qëllim nxitjen e studimeve më të thelluara për këtë personalitet shumë të rrallë me përmasa botërore.

(nga KultPlus.com
Valdrin Rrahmani)

(Përgatiti për botim në “ADMET”, korrik 2019, Andi Meçaj)

MIT’HAT FRASHËRI

Mid'hat Frasheri

PO HUMBASËM!

(Pjesë nga: “Kalendari Kombiar” i tij)

Ja çfarë shkruante Mit’hat Frashëri më 1899 në shkrimin “Po humbasëm!” në Kalendarin Kombiar të tij dhe nuk besoj që mund të mendojë njeri se nuk e ka shkruar sot:
“Po humbasim nga trupi, se Shqipëria i ep tmer ati q’e vështron! Më ç’anë të ktheç sytë s’sheh veçe ligësi armiqësi dhe vrasje! Është vërtet mëkat’ e madhe të jemi si ujqër, duhetë të kemi dashuri, e jo të hamë shoku shoknë! Ç’janë gjithë ato turpe dhe marëzi që bëhenë në vëndin tënë? Vret i vëllaj të vëllanë për një fjalë a për një qepë! Më çdo pshat s’gjen dy njerës të shkojnë mirë, po haen si egërsira në mes të tyre dhe përpiqen të nxjerin syt’ e njëri tjatritë! S’dëgjon tjatrë fjalë po veçe të heqin e të mesavitin shoku shoknë! Ç’janë këto egërsira, ç’janë këto marëzira, ç’janë këto turpe! Kur pra, do heqim dorë nga ligësitë, të duamë shoku shoknë e të bëhemi njerës?
I vjen njeriut të vrasë vethenë, kur sheh ca parësi të liq të Shqipërisë që kanë punë në dorë, e të cilët në vënt që të përpiqen t’u bëjnë mirë botësë, vështrojnë të vjedhin, të vrasin, të bëjnë të këqia, të rjepin e të fitojnë duke punuarë mijëra të paudha! Sa turp!
Duke mos pasurë kështu bashkim, në mest tënë, vinë ca njerës të liq dhe na mundojnë si kafshë! Duke mos pasurë bashkim, parësi e Shqipërisë shtyp dhe rjep vegjëlinë! Hapni sytë pra ju që zihi e çqyhi në mes tuaj! Thonë një fjalë: “zihj’ e minjet dasm’ e maces”. Sa të jemi kështu të ndarë e më ngrindë gjithënjë kemi për të vuarë nënë zgjedhë; gjithënjë do të hamë të rahurë do ng’ ata që janë të fortë në vëndit tënë, do nga të huajtë …”.

Ndërsa në shkrimin “Pse jemi kaq të varfërë”, po në atë numër të Kalendarit, f. 60, shkruan:
Shqipëria është si një lopë, të cilësë i zoti e mjel, i nxjer dhe qimetë, po s’e ushqen as me kashtë! Ashtu edhe Shqipërisë i marin ç’ka e nuk’ ka dh’ e lënë të that’ e të varfërë!

(Përgatiti për botim në “ADMET”, korrik 2019, Andi Meçaj)

GABRIEL GARCIA MARKEZ: MAGJIKJA NË SHËRBIM TË SË VËRTETËS

Salman Rushdie.JPG
(nga Salman Rushdie)

Gabo jeton. Vëmendja e jashtëzakonshme mbarëbotërore që iu kushtua vdekjes së Gabriel Garsia Markezit dhe trishtimi i sinqertë që ndien lexuesit kudo për ikjen e tij, na thonë se librat janë ende shumë të gjallë. Diku, një “patriark” diktatorial ka urdhëruar që rivali i tij të piqet dhe t’u shërbehet mysafirëve për darkë në një pjatancë të madhe. Një kolonel i moshuar po pret për një letër që nuk vjen kurrë. Një vashë e re dhe shumë e bukur po detyrohet të prostituojë nga gjyshja e saj. Dhe një patriark më i mirë, Hoze Arkadio Buendia, një prej themeluesve të vendbanimit të ri të Makondos, një njeri i interesuar në shkencën dhe alkiminë, po i deklaron bashkëshortes së tij të tmerruar se “toka është e rrumbullaktë, si një portokalle”.
Ne po jetojmë në një kohë botësh alternative të sajuara, Mesjetën e Tolkienit, Hogvartët e Rowlingut, universin antiutopik të “The Hunger Games”, vende ku vampirë dhe zombie i gjen me shumicë: këta janë vendet që po mbizotërojnë sot imagjinatën. Megjithatë, pavarësisht modës për letërsinë e fantazisë, në mikrokozmoset më të rafinuar të letërsisë ka më shumë të vërtetë se sa fantazi. Tek Yoknapatawpha e William Faulknerit, tek Malgudi e R. K. Narayanit dhe po, në Makondon e Gabriel Garsia Markezit, imagjinata përdoret për të pasuruar realitetin, dhe jo për t’u larguar prej tij.
“Njëqind vjet vetmi” mbush tashmë 47 vjet, dhe pavarësisht popullaritetit të tij kolosal dhe të qëndrueshëm, stili i romanit – realizmi magjik – u ka hapur rrugën ne Amerikën latine formave të tjera të rrëfimit, pjesërisht si reagim ndaj përmasës absolute të arritjes së Garsia Markezit. Shkrimtari më i vlerësuar i brezit pasardhës, Roberto Bolanjo bëri deklaratën e famshme se realizmi magjik “kutërbon” dhe u tall me Garsia Markezin dhe famën e tij, duke e quajtur “një njeri që është tmerrësisht shumë i kënaqur që është miqësuar me kaq shumë presidentë dhe peshkopë”. Ishte një shpërthim fëmijnor, por që tregoi se për shumë shkrimtarë amerikano latinë, prania e kolosit të madh në mesin e tyre ishte një barrë jo e vogël. (Carlos Fuentes më ka thënë dikur se “kam ndjesinë që shkrimtarët në Amerikën Latine nuk e përdorin dot më fjalën “solitude” – vetmi, sepse shqetësohen që njerëzit do të mendojnë që i referohen Gabos. Dhe kam frikë se së shpejti nuk do të mundemi të përdorim as frazën 100 vjet”).
Asnjë shkrimtar në botë nuk ka pasur një impakt të krahasueshëm gjatë gjysmë shekullit të fundit.
Ian McEwan me saktësi e ka krahasuar famën e tij me atë të Charles Dickensit. Asnjë shkrimtar që nga koha e Dickensit nuk është lexuar kaq shumë dhe nuk është dashur kaq thellësisht, sa Garsia Markezi.
Vdekja e këtij njeriu të madh mund t’i japë fund ankthit të shkrimtarëve amerikano-latinë për ndikimin e tij dhe mund të lejojë që vepra e tij të vlerësohet pa pasur konkurrencë. Fuentes, duke pranuar që Garsia Markezi i detyrohej Faulknerit, e quante Makondon, Kontenë e tij të Yoknapatawphas. Këto janë histori për njerëz realë, jo përralla. Makondo ekziston: kjo nuk është magji.
Problemi me termin “realizmi magjik”, el realismo magico, është se kur njerëzit e thonë apo e dëgjojnë, ata në fakt janë duke thënë apo dëgjuar vetëm gjysmën e tij, “magic”, pa i kushtuar vëmendje gjysmës tjetër “realizmit”. Por nëse realizmi magjik do të kish qenë vetëm magjik, nuk do të kishte rëndësi. Do të kish qenë thjeshtë fantazi – shkrime ku, për arsye se gjithçka mund të ndodhë, asgjë nuk ka efekt. Në fakt, magjikja funksionon, pikërisht sepse realizmi magjik ka rrënjë shumë të thella tek realja, sepse rritet prej reales dhe e ndriçon në mënyra të bukura dhe të papritura. Mendoni pak këtë pasazh të famshëm nga “100 vjet vetmi”: “Sapo Hose Arkadio mbylli derën e dhomës së gjumit, zhurma e një të shtëne me pistoletë ushtoi nëpër shtëpi. Një curril gjaku erdhi nga poshtë derës, përshkoi dhomën e ndenjjes, doli në rrugë, vazhdoi në një vijë të drejtë përgjatë tarracave të çrregullta, zbriti poshtë shkallëve dhe u ngjit buzë trotuarëve, kaloi nëpër Rrugën e turqve, mori një kthesë në të djathtë më pas një tjetër në të majtë, u kthye djathtas tek shtëpia e Buendiasve, u fut poshtë derës së mbyllur, kaloi nëpër sallon, duke iu qepur mureve me qëllim që të mos ndoste qilimat… dhe doli në kuzhinë, ku Ursula po përgatitej të thyente 36 vezë për të bërë bukë.
“O Perëndia ime! -thirri Ursula”.
Diçka me të vërtetë fantastike po ndodh këtu. Gjaku i një të vdekuri fiton një qëllim, pothuajse një jetë të tijën dhe lëviz metodikisht nëpër rrugët e Makondos deri kur shkon e ndalet tek këmbët e nënës së tij. Sjellja e gjakut është “e pamundur”, megjithatë, rrugëtimi i tij lexohet si diçka e vërtetë, udhëtimi i gjakut ashtu si udhëtimi i lajmit të vdekjes së tij nga dhoma ku qëlloi vetveten, deri në kuzhinën e të ëmës dhe mbërritja e tij në këmbët e matriarkes Ursula Iguaran lexohet si një tragjedi e lartë: Një nënë mëson se i biri ka vdekur. Linja e gjakut të Hoze Arkadios mundet dhe duhet të vazhdojë të jetojë deri kur t’i sjellë Ursulës lajmin e trishtë. E vërtetja, duke i shtuar magjiken, fiton forcë dramatike dhe emocionale. Bëhet më shumë reale, jo më pak.
Realizmi magjik nuk ishte shpikje e Garsia Markezit. Braziliani Machado de Assis, argjentinasi Jorge Luis Borges dhe meksikani Juan Rulfo kanë ardhur para tij. Garsia Markezi studioi nga afër kryeveprën e Rulfos “Pedro Paramo” dhe e krahasoi impaktin që ajo pati mbi të, me ndikimin e “Metamorfozës” së Kafkës. (Tek ky roman, në qytetin fantazmë Komala është e lehtë të dallosh vendlindjen e Makondos së Markezit). Por ndjeshmëria e realistit magjik nuk është e kufizuar në Amerikën Latine. Ajo shfaqet në letërsitë e të gjithë botës herë pas here dhe Garsia Markezi dihej mirë që ishte njeri që kishte lexuar shumë.
Gjyqi i pafund i Dickensit (Jarndyce vs. Jarndyce) tek “Bleak House” gjen një kushëri tek “Njëqind vjet vetmi”, tek treni i pafund që përshkon Makondon për një javë të tërë. Dickensi dhe Markezi janë të dy mjeshtra të hiperbolës komike. “Circumlocution Office” i Dickensit, një departament qeveritar që ekziston për të bërë asgjë, zë vend në të njëjtin realitet letrar si dhe guvernatorët dhe tiranët e mefshtë, të korruptuar, autoritarë të veprës së Markezit.
Gregor Samsa i Kafkës, që pëson metamorfozë e shndërrohet në një insekt gjigand, nuk do të ndihej i huaj në Makondo, ku metamorfozat trajtohen si gjë e zakonshme. Kovalyovi i Gogolit, hunda e të cilit shkëputet nga fytyra dhe bredh nëpër Shën Petërsburg, do të ndihej gjithashtu si në shtëpinë e tij. Surrealistët francezë dhe fabulistët amerikanë janë po kështu të të njëjtës shoqëri letrare, të frymëzuar nga ideja e sajesës, një ide që i heq prangat letërsisë, ia shemb muret e natyralistikës dhe e lejon t’i qaset të vërtetës përmes rrugëve më të egra dhe ndoshta më interesante. Garsia Markezi e dinte mirë se i përkiste një familjeje letrare të gjerë. William Kennedy e citon të ketë thënë që “në Meksikë, surrealizmi derdhet nëpër rrugë”. Dhe më tej: “Realiteti në Amerikën latine është totalisht Rabelaisian”.

Por për ta përsëritur: Fluturimet e fantazisë kanë nevojë për tokë reale poshtë tyre. Kur takova për herë të parë Garsia Markezin, nuk kisha qenë asnjëherë në një vend të Amerikës Qendrore apo Jugore. Megjithatë, në faqet e tij gjeta një realitet që e njihja mirë, prej eksperiencave të mia në Indi dhe Pakistan. Në të dy vendet ka pasur dhe ka një konflikt mes qytetit dhe fshatit dhe ka hendeqe njësoj të thellë mes të pasurve dhe të varfërve, të pushtetshmëve dhe të pafuqishmëve, të mëdhenjve dhe të vegjëlve.
Të dy janë vende me një histori të fortë koloniale dhe në të dy vendet feja ka një rëndësi shumë të madhe dhe Zoti është i gjallë, e po të tillë, fatmirësisht, janë edhe besimtarët.
Unë i njihja kolonelët dhe gjeneralët e Garsia Markezit, ose të paktën homologët e tyre indianë dhe pakistanezë. Peshkopët e tij ishin mullahët e mi. Bota e tij ishte bota ime, e përkthyer në spanjisht. Nuk është çudi që rashë në dashuri me të – jo për magjiken (ndonëse për një shkrimtar të rritur me rrëfimet e mrekullueshëm të Lindjes edhe kjo ishte joshëse), por për realizmin e tij. Megjithatë, bota ime ishte më urbane se e tija. Është ndjeshmëria e fshatit që i jep realizmit të Garsia Markezit shijen e veçantë, fshati ku teknologjia është e frikshme, por ku një vajzë e devotshme që ngjitet në qiell është diçka plotësisht e besueshme. Fshatit ku, ashtu si në fshatrat indianë, mrekullia është kudo dhe besohet se jeton me të përditshmen.
Ai ishte një gazetar që nuk i humbi faktet asnjëherë nga sytë. Ai ishte një ëndërrimtar që besonte në të vërtetën e ëndrrave. Ai ishte gjithashtu një shkrimtar, i aftë të përjetonte ndonjëherë momente bukurie delirante dhe komike. Në fillimin e “Dashuria në kohërat e kolerës”: “Aroma e bajameve të hidhura gjithmonë më kujtonte fatin e dashurisë së njëanshme”. Në mesin e “Vjeshtës së Patriarkut”, pasi diktatori ua shet Karaibet amerikanëve, inxhinierët detarë të ambasadorit amerikan e “ngritën në copa të numëruara për ta vendosur larg prej uraganëve, në agimet e kuq si gjaku të Arizonës, ata e morën me gjithçka kishte brenda zoti Gjeneral, me pasqyrimin e qyteteve tanë, njerëzve tanë të druajtur, dragonjve tanë të marrë”. Treni i parë mbërrin në Makondo dhe një grua çmendet nga frika. “Po vjen”, thërret ajo. “Diçka e frikshme, si një kuzhinë që tërheq nga mbrapa një fshat”. Dhe sigurisht, në fund e paharrueshmja:
“Kolonel Aurelio Buendia organizoi 32 kryengritje të armatosura dhe i humbi të gjitha. Ai lindi 17 djem nga 17 gra të ndryshme dhe ato u asgjësuan njëra pas tjetrës në një natë të vetme, përpara se më e madhja të kishte mbushur 35 vjeç. Ai u mbijetoi 14 atentateve, 73 pritave dhe një skuadre pushkatimi. Ai jetonte përmes një doze strikinine në kafen e tij, që do të mjaftonte për të vrarë një kalë”. Për një madhështi të tillë, reagimi ynë i vetëm mund të jetë mirënjohja. Ai ishte më i madhi ndër të gjithë ne.

(nga New York Times)

(Përgatiti për botim në “ADMET”, korrik 2019, Andi Meçaj)

KRITIKË

RRESHPJA DHE LETËRSIA ZYRTARE

(1968-1990)

Frederik Rreshpja

 

(nga Dr.Dorian Koçi)

Poezia shqipe në mesin e viteve ‘60 filloi të përfaqësohej dhe nga një zë i veçantë që mbartte në vetvete konturimin e një talenti të madh. Frederik Reshpja, poeti i pazakonshëm në një kohë të pazakontë shfaqi që në fillim në origjinalitetin e lirikës së vet, tematikës dhe teknikës letrare përvijimin e një poeti të ri modern. Përqafimi i modernitetit ishte një sfidë më vete në letërsinë shqipe të atyre viteve. Në letërsinë shqipe mbizotëronin prej kohësh tezat zhdavoniste të lëvrimit të tematikave dhe karaktereve, çka kishte sjellë në vetvete një tharje të vet thelbit të letërsisë edhe pse problemi i modernitetit në letërsinë shqipe ishte një problem i hershëm. Poezia shqipe që nga fillesat e veta kishte reflektuar si problematikë lidhjen me modernitetin dhe marrëdhënien e saj me rrymat letrare moderne që lëvroheshin në Europë.
Në hapësirat europiane të poezisë ende nuk kishin dalë talente të spikatura që të mos reflektonin vetëm mikrokozmozin shqiptar por edhe universalitetin e dëshiruar të poezisë. Në vitet 60’ ky universalitet poetik vështirësohej edhe nga adaptimi si dogmë zyrtare i Realizmit Socialist , çka kish krijur edhe letërsinë zyrtare dhe shkrimtarët zyrtarë që përfaqësonin këtë letërsi. Reshpja dhe poezia e tij nuk do ti shpëtonin kësaj ligjësie por sëbashku me Kadarenë, Agollin e Arapin që e kishin filluar një 10 vjeçar më parë do të sillnin një modernitet përsa i përket letërsisë shqipe brenda aeralit kulturor shqiptar dhe në disa raste poezia e tyre do të radhitej përkrah vlerave universale.
Një nga karekteristikat kryesore të tematikës së poezisë shqipe në vitet 60’ e këndej ishte historicizmi i së kaluarës së largët për të evidentuar motivet e qëndresës dhe stoicizmit kombëtar. Ky historicitet edhe pse shpesh herë është parë me admirim si një arratisje nga e përditshmja për të dhënë kumte ndaj aktuales, në fakt nuk binte ndesh me ideologjinë zyrtare. Udha e vetme e marksizmit dogmatik që kish ndërmarrë udhëheqja komuniste shqiptare në logosin e përditshëm elaboronte termat e kështjellës, izolimit dhe triumfit mbi gjithë armiqtë e jashtëm. Këtë historicizëm të së shkuarës dramatike të Shqipërisë, miteve dhe legjendave të saj e gjejmë dhe tek krijimtaria e hershme e Reshpjes. Poezitë e botuara në përmbledhjen e parë Rapsodi Shqiptare (1968) reflektojnë pikërisht këtë përqasje përsa i përket së shkuarës heroike.

Rapsodi shqiptare!
Gjithcka është thënë kjartë dhe rimat me pushkë janë formue,
Me pushkë e jatagana
Vargjet janë mbyllë dhe thye.
Mes pushkës dhe jataganit janë ndry të gjitha
Mes rimave të hekurta
Të gjitha janë ndry.

Një këngë të tillë andrroi shqiptari
Me shekuj që në lashtësi.
Mbi vargjet e zhveshun , të thyem të maleve
Mbi strofat e forta të maleve të tij.

Pushka dhe jatagani konceptohen si imazhe paralele midis të cilave është përkundur jeta e shqiptarit. Në këtë kontekst poema Rapsodi Shqiptare (1968) përngjan me poemën e Ismail Kadaresë “Përse mendohen këto male”, (1962-1964)ku pushka është figura qendrore e poemës dhe boshti i ideve të poetit për vetëpërcaktimin e njeriut shqiptar nëpër shekuj:

Kështu ke ecur gjithmonë, Shqipëri,
Me këmbët e gjata,
Me një pushkë të gjatë,
Ecje dhe s’dije ku veje ti.

Pushka është shëmbëllim i gjymtyrëve, një gjymtyrë faktike, në të cilën është mbështetur Shqipëria, për të qëndruar në këmbë. Më tej, pushka është edhe vlerë e ripërtëritjes, e barazvlershme me ripërtëritjen biologjike të njeriut shqiptar, e krahasuar me gruan:

Se gruaja lindte fëmijë,
Por pushka lindte krisma,
Dhe për shqiptarin ishin
Po aq të shtrenjta të dyja:
Dhe krisma dhe fëmija.∗)

Gjithsesi Reshpja në trajtimin e së shkuarës mbetet origjinal kur trajton motive të të vjetra të lashtësisë së shqiptarëve sidomos kur përdor formën e vet origjinale poetike të vargëzimit të bardhë. Në poezinë “Natë arkeologësh” e shkuara vjen natyrshëm mes një imazhi poetik të një dite me shi. Aty shfaqen kalldërëmet iliriane si një dëshmi e një rrugëtimi të gjatë historik dhe buzëqeshja e një skulpture të zbuluar që Rreshpja e pagëzon me emrin Afërditë, hyjneshën e dashurisë.

Arkeologët

Stivosin ndër arka perënditë e fundit
Do perëndi të thyem , të lagun

Nën abazhur një Afërditë e bukur
U buzëqesh të gjithëve
Si një e njohun e largët, e dashun.

Historicizmi në veprën poetike të Reshpjes është i lidhur ngushtë me atdhedashurinë dhe motivin e Kosovës. Gjithsesi ai edhe në këtë drejtim duket se është inovator pasi arrin të bashkojë pjesë të ndryshme të historisë së shqiptarëve për të krijuar një mozaik kulturor e historik. Madje Reshpja përdor shpesh herë edhe në imazhe jo fort të njohura por që tregojnë një elegancë dhe njohje historike të admirueshme për kohën. Kështu p.sh në poezinë “Të dëbuemit” kushtuar shpërnguljeve me dhunë të shqiptarëve të Kosovës nga vendi i tyre, ai bën së bashku pikëllimin e ikjes së kosovarëve nga vatrat e veta me trishtimin e mos gjetjes së asnjërit të njohu që i pret në Turqi përveçse koka e prerë dhe e varrosur e Ali Pashë Tepelenës nën një gur të ftohtë.

Qytetet turke ja ku po duken larg,
Askush sna pret atje,
Askush sna njeh atje
Veç nën një gur të ftohtë Ali Pashai fle.

Në poezinë tjetër ‘Testamenti i Skënderbeut”(1973), Reshpja shfaqet si një poet modern duke mos ia besuar kumtin e vet poetik vargut klasik tetërrokësh por vargjeve të bardha me imazhe universale e si ullinjtë, erërat e gruri. Heroi kombëtar i shqiptarëve më tepër se një hero luftarak përshkruhet si hero i përbotshëm , vdekja e të cilit shërben për të ricikluar jetën përmes grurit që do mbijë nga sytë e tij.

Ja dhe stapi im prej ulliri, mbilleni!
Mbi degët e tij mund të varni armët.
Duke vështruar kurmet e ullinjve,
Gjithmonë kam menduar që ata janë drurët e luftës.

Ç’kisha ua dhashë.
Tani trupin tim ta zbrisni thellë në tokë
Që kur të vijë vjeshta nga sytë e mi të mbijë gruri.

Reshpja në dallim nga një pjesë e madhe e poetëve të viteve 60’ duket se nuk është i influencuar nga lirikët e mëdhenj rusë Esenin e Bllok. Ai krijon tipologjinë e lirikës së vet në letërsinë shqipe të mbështetur në traditën letrare të Shkodrës qytetit të cilit i detyrohet kulturialisht. Në vargjet e tij ndihet ndikim i Mjedës e Migjenit në poezinë “Në këtë qytet” kushtuar Shkodrës. Gjithsesi Reshpja i tejkalon të dy kur përveçse historicitetit të Mjedës dhe pikëllimit të Migjenit i shton lirizmin e tij në vargjet.

Në këtë qytet që agoi mes zërit tim
Banon e dashura ime;
E dashura ime i ka sytë në ngjyrën e qiellit në momentin e perëndimit
Sikur sytë e saj kanë dalë nga ky moment
Nga ky moment i prerë prej shelgjeve që u ka rënë muzgu përsipër.

Në lirikat e Reshpjes ashtu si dhe në lirikat e Kadaresë, Agollit e Arapit ndihet një entuziasëm përsa i përket shndërrimeve teknologjike të epokës. Duket se në letërsinë shqipe kish trokitur një lloj Futurizmi i Marianitetit i vonuar që kushtëzohej dhe frymëzohej nga zhvillimet teknologjike si ndërtimi për herë të parë i hekurudhave, shtrirja e rrjetit elektrik etj. Kështu p.sh në poezinë “Eskavatorët” ai përdor antoniminë midis dritës së pishës dhe hidrocentralit, prapambetjes dhe modernizmit kur shkruan:

Kështu të duket gjithnjë
Sikur eskavatorët zhvendosin zona nëpër mal
Zhvendosin peisazhet dhe distancat.
Zhvendoset pisha nga mbramja shqiptare
Erdhi koha e hidrocentraleve.

Reshpja krijon përmes vargjeve të tij tablo gjithpërfshirëse të kantierëve të punës ku gjallojnë përmes figurave letrare këto imazhe të jetës së përditshme. Në poezinë “Kuadër nga vinçi portal” ai përshkruan ndryshimet tekonologjike që kanë sjellë edhe ndryshime sociale në shoqërinë shqiptare.

Mbrëmë pashë këtë kuadër nga vinçi portal:
Çante dekovili i verdhë anës kantierit
Si shiriti i horizontit mbi bregdet,
Mbi kullat dhe digat hidhte dëbora ngjyra drite
Dhe, mes kësaj pamjeje që mund të keni parë në foto,
Elektricisten e përcolli i ati.

Poezia e Reshpjes përforcoi trendin e modernizmit në letërsinë shqipe. Duke shfrytëzuar përvojën më të mirë të qarkut letrar të Shkodrës, Reshpja përcolli me vargun e bardhë e të lirë imazhet e një bote që nën ankthin e modernitetit të shpejtë reflektonte dhe përdëllimin dhe zvarritjen patriakale të shoqërisë shqiptare të kohës. Pjesa e parë e krijimtarisë së tij gjatë viteve 1968-1990 edhe pse e mohuar pas dënimeve të tij duket se la gjurmë në aeralin kulturor të poezisë shqipe. E ashtuquajtura shkolla poetike e Lezhës me Preç Zogaj, Ndoc Gjetja, Rudolf Marku i detyrohet shumë si në formë e përmbajtje poezisë së Reshpjes duke dëshmuar edhe njëherë se një talent poetik nuk mund të ndërpritet por përmes artit të vet mund të gjallojë ende te pasardhësit. Reshpja nuk e ka gjetur ende vendin e duhur në historinë e letërsisë shqipe dhe besoj se si një nga zërat lirikë më të veçantë do duhet të studiohet e vlerësohet në përqasjet që bëhën sot për studimin e letërsisë shqipe.

_______________
∗) Shënim: Poezitë ilustruese në tekst janë përdorur nga përmbledhja poetike Frederik Reshpja. “Duke kërkuar Itakën”. Shtëpia Botuese “Princi”, Tiranë : Shtator 2016
(botuar në gazetën “Dita”, 22 korrik, 2019)

(Përgatiti për botim në: “ADMET”, korrik 2019, Andi Meçaj)

DISA MENDIME PËR POEZINË E SUZANA ZISIT

(rreth vëllimit poetik: “Imazhet kanë ftohtë”, 2006.)

Suzana Zisi

nga ANDI MEÇAJ

1. (omnia vincit amor*)

Në librin poetik të Suzana Zisit “Imazhet kanë ftohtë” është edhe poezia: “Në dukje e thjeshtë”:

U përplasën një ditë, në vjeshtë,
Ai dhe Ajo – puhizë, në dukje e thjeshtë,
Por thellë – thellë, uragan…

Ai fluturoi.
Ajo u çmend.

Ai frymëron.
Ajo shpesh qan.

Por gjembat, ah gjembat…
Në zemër i mban.
Ashtu, në dukje, e thjeshtë.

Ishte,
Është,
Dhe ka për të mbetur vjeshtë…

Suzana Zisi me këtë poezi (një akuarel i mrekullueshëm i ndjenjave njerëzore), duket sikur na ka hapur pakëz një dritare, diku në një kënd të braktisur të kopshtit tërë pemë e gjetherënie vjeshte, nga ku dallohen siluetat e dy të rinjve që konsumojnë dashurinë e tyre dhe njëkohësisht dramën e ndarjes, braktisjes që mbart “gjemba”, që megjithëse shpojnë e gjakosin, përçojnë kujtimin, atë kujtim ëmbëlndjellës e engjëllues, sa na bën të ndihemi paksa në faj, për fajin tonë të vetëm e të pafajshëm, se kemi qenë dëshmitarë rastësorë të një skene dashurie e ndarjeje të beftë.
Por siç na thotë një shprehje e vjetër popullore se: “dukeja gënjen (mashtron)”, ashtu edhe poetja Zisi na rrëfen se: …/U përplasën një ditë, në vjeshtë, …/Ai dhe Ajo – puhizë, në dukje e thjeshtë, /Por thellë – thellë, uragan /… . Me fjalë të thjeshta, tepër elegante, që mbartin emocion dhe befasi, duke i krahasuar në fillim të takimit të dashuruarit me puhizën, atë lëvizje ajri aq të lehtë, sa thua s’e ndien dhe më pas, kur dashuria e ëmbël rrjedh, ajo kthehet në uragan që të mbështjell e të shkul nga rrënjët duke të ta “shkundur” gjithë qenien.
S.Zisi na e sjell dashurinë dhe ndarjen me elementë të vjeshtës e natyrës si era, puhiza, gjembat, fluturimin, na e derdh në shpirt gjithë bukurinë në ngjitje e në zbritje të ndjenjës më të pastër e të hijshme njerëzore, duke i trajtuar në unitet të dyja si elementë të vjeshtës. Është një pikturim sa i zhdërvjelltë aq edhe i freskët, sa lirik aq edhe filozofik, sa i thjeshtë aq edhe i mirëfshehur brenda mjegullës së shpirtit, duke na shfaqur mendimin se ai që nuk gabon kurrë në jetë s’mund të quhet njeri: “errare humanum est**”.
Por a mund të quhet një dashuri e dështuar gabim?
Po, edhe jo, por mbi të gjitha një gjë mund të themi me bindje: se jeta mund të kuptohet e shijohet si një e tërë apo e plotë vetëm nga prova apo “gabime” të vogla: ab uno disce omnes***

2.( in absentia****)

Në librin me rreth 100 poezi të Suzana Zisit mund të veçojmë mes të tjerave poezitë: CRAZY (Me atë përqafimin e çmendur: …/Të jam lidhur e tëra pas trupit, në një /përqafim vdekjeprurës…! /); JAM NË MES TË PYLLIT (Me atë pritje horror: …/Koha, /ka vdekur në prag të së ardhmes. /E shkuara e uritur, lëmon dhëmbët. /) MË THËRRMOHEN FLETËT (Me pritjen të sendshpirtëzuar si libër: …/Kopertina, mbahet ende. /Brenda, më thërrmohen fletët. /); NATËN KUR TI FLIJE (Me atë xhelozinë e së dashurës për të dashurin: …/Natën, kur ti flije, t’u futa në shpirt, /Nga rruga, që vetëm unë di. /); UNË, TI, ANA MARIA… (Me atë brishtësi e bukuri vargu si foshnjë: …/Unë jam toka. /Ti – dielli. /); FJALA (…/Varur pasionesh, /nderur në mall, /) LULET (Sa jep njëra shpirtin, /ja ku lind një tjetër. /); NJË MËNGJES TJETËR ME ARGJIRON… (…/Hija jote e mëngjesit, /shtriqet përgjumshëm të më mbulojë. /); ANA MARI… (Me atë dashurinë e thellë mëmë-bijëz: …/Etjendezur, për të bukurën buzëqeshje, /Syve të tu, Ana Mari.); SHKRUAJ (Me atë shkrim aq mbireal: …/Shkruaj e shkruaj mbi lëkurë. /Mbijnë trishtueshëm pemë e lule. /); MUSHTI I LULEVJJESHTËS (Me atë dehje aq të veçantë të ndjenjave: …/Unë jam pëshpërimë /e stinës së ndezur. /Dehem duke pirë, honeve të trillit. /); NGJYRAT MBETEN TE NE… (Me ato figura aq piktorike: …/Syve të tu, u struk e kaltra, /E qyteti mbeti pa det. /E kuqja, u nder buzëve të puthjeve. /); NËN DHÉ (Me atë fund drithërues: …/Epitaf mbi varr, /sytë e tu të ftohtë. /); E MUROSUR QIEJVE… (Me atë pritje deri në murosje për dashurinë: …/Edhe pse sytë shpesh i drejtoj nga lindja /Perëndimet, më murosin këtu. /); e shumë të tjera…

3.(primum vivere, deinde philosophari*****)

Poezia së pari duhet jetuar, pastaj filozofuar dhe Suzana Zisi (1967), kësaj ia ka arritur më së miri, duke na futur edhe ne lexuesve në petkun e ndijimeve të saj, që na duken të vërteta, sepse kështu i perceptojmë e i ndijojmë ato.
Kur një poet ta bën aq të vërtetë edhe një të vetme poezi, sikur je duke e jetuar atë çast dhe thua me vete kështu mund ta shkruaja edhe unë, ajo është poezi. Poezinë e Suzanës në këtë libër mund ta ndijosh si një të tërë edhe pse e ndarë në pjesëza të vogla aty gjen një element bazë që e përshkon tejetej amalgamën poetike që është elementi erotik. Ky element jepet herë herë i vrullshëm, herë herë i qetë, herë në pritje, herë në ndarje, herë në ngjizje, herë në ngashërim, e herë në ekzaltim. Erotizmi është i ndërthurur ngjeshur me elementin lirik dhe atë filozofik në mënyrë organike duke u shkrirë natyralisht.
Poezia e Zisit të jep përshtypjen që në leximin e parë se kemi të bëjmë me një varg tepër sensual, lirik me nota të theksuara “të femërores” gjë që i jep autores një pasaportë apo identitet të veçantë ndër poeteshat tona më të mira. Një zë i tillë i ka munguar poezisë shqipe.
Si tipar dallues të poeteshës Zisi mund të veçojmë: “Pritjen…”, Pritjen për një dashuri të re, Pritjen për dashurinë e vjetër, për burrin që do, për mashkullin e dëshiruar, për ndjenjën që e përvëlon trup e shpirt, Pritje për ripërtëritjen e çasteve të kaluara magjishëm, por mbi të gjitha ajo na lë të kuptojmë se: “PËR DASHURINË E VËRTETË, PRITJA LE TË JETË NJË JETË”.
Duke marrë shkas nga arritjet e deritanishme të librave poetikë të Suzana Zisit dhe duke besuar fort në vlerat e saj, presim të na falë në të ardhmen edhe befasi të tjera.

16/12/2011
————————————————————
omnia vincit amor* – (lat. dashuria fiton mbi gjithçka.)
errare humanum est** – (lat. të gabosh është njerëzore.)
ab uno disce omnes*** – (lat. nga prova të vogla mund të kuptohet e tëra.)
in absentia**** – (lat. – në mungesë, (të dikujt apo diçkaje.)
primum vivere, deinde philosophari***** – (lat. së pari duhet të jetosh, pastaj të filozofosh.)

DISA MENDIME PËR POEZINË E GENTJAN BANAJT

(rreth vëllimit poetik: “Ikona të Thyera”, 2008.)

Gentian Banaj

nga ANDI MEÇAJ

1. (ab imo pectore*)

Në librin poetik të Gentjan Banajt “Ikona të Thyera” është edhe poezia “Fëmijë të lagjes sime”:

Luanin të qeshur ata fëmijë
Vraponin
Në rrugicën e ngushtë të shtëpisë time të vjetër.

Ishte më e gjerë kjo rrugicë dhe
S’kishte kufij me mure të larta sa ditët e fëmijërisë time.

Këta fëmijë vrapojnë mbi një karrocë bebesh.

Atje është dhe buzëqeshja jote e dlirë dashuria ime
Dhe s’kishte kufij dhe mure
Të gjerë sa humbja dhe ndarja jonë.

Ç’kam një dëshirë t’i shtyj të gjithë këta djem
Me një klithmë trumcaku mbi këtë lojë
Të mbetur si relike e fjalëve të tua
Kur unë me pantallona të shkurtra pasditesh
Dëgjoja qeshjen dhe thirrjen tënde… “shoku im, shoku im”,

Por kam frikë se do ta vras lojën
Me shpatullat prej burri
E duart e mbushura me lot nga malli për ty.

S’kishte gardhe dhe kufij midis shtëpive.

Në muret e ronitur të shtëpisë së vjetër
Me një gurëz pragu e kam gdhendur emrin tënd
Dhe aromën tënde në këtë kopsht të vogël ëndrrash
E kam ruajtur
Dhe përqafimin tënd
kur ti rrije si një verore në qafën time.

Dhe s’kishte mure fëmijëria…
Të larta sa ky shtat i trishtë burri.

Ja dhe dera ku është shkruajtur dita e fundit.

Tani është harruar, bashkë me fjalët e gjyshes
“mos e hap atë derë bir… të ikën fëmijëria, birooo”.

Por ika unë prej asaj dere dhe sërish nuk guxoj ta prek
…se ikin këta fëmijë që vrapojnë
ikën dhe ti
dhe fjalët e tua
“shoku im… shoku im”
e bëhem sërish ky trishtim,
I gjerë sa mungesa jote,
I lartë sa ky mur që nuk më lë të të shoh.

Po kalbet kjo derë,
Ndoshta nga lotët
Dhe ca nga flokët e tu të verdhë
Kanë mbetur si ditët tona
Në të çarat e saj.

Dhe e shkruaj përsëri emrin tënd dhe emrin tim
Në një gur të djegur…
…e nuk rritem kurrë për ty,
Moj shtëpiza ime e vjetër!

Gentjan Banaj në këtë poezi gjithë nota lirike e melankolike, si një “SY” i sprovuar e mjeshtëror, na kap përdore, na çon kah asaj kthine, jo të errët, por diellore, jo të harruar, por të fshehur me kujdes, jo të pluhurosur, por të mirëmbajtur në kujtesë, FËMIJËRISË.
Fëmijëria na paraqitet apo shfaqet herë si: “Rrugica e ngushtë e shtëpisë sime të vjetër”, “Pantallona të shkurtra pasditesh”, e herë me: “Rrije si verore në qafën time”, “Në muret e ronitur të shtëpisë së vjetër” e herë në paralajmërimin e gjyshes (të gjitha gjysheve të botës), “Mos e hap atë derë bir… të ikën fëmijëria, birooo!”
Dhe ajo (FËMIJËRIA) e këmbyer në dritë na del sysh përmes detajeve aq bukur të spikatura prej poetit G.Banaj, në formë lodre, të qeshure, regëtimash të para të zemrës, britmash të hareshme të shoqeve e shokëve, duke na hipur sërish mbi ato karrot e sajuara me kushineta, apo duke na rikthyer të luajmë me kaçolet e shtypura të birrave, të ngulim e të hedhim pinca** në baltë, të luajmë kukafshehtas në lulishten para pallatit apo të “luftojmë” me shpata e shigjeta me rrugicën përkarshi e të sakatojmë sërish gjunjët tanë të vegjël në “futbollin e lagjes”.
Ndihet një nostalgji e magjishme, një fluiditet, një pafajësi që i rri mbi “kokë” kësaj poezie, por aq sa të ngazëllen e të përthith me hirin e bukurisë së saj, aq edhe të ngashëren, të fut në një melankoli, por s’do ta quaja një melankoli trishte, por një trisht “të mirëdashur’ gati gati shpresëndjellës, se dikur, diku, kemi qenë ca krijesa të gëzuara, pa vramendje për atë që do të vijë, plot hare dhe mbi të gjitha e mbi të gjitha, KEMI QENË DIELL, NJË DIELL RRËZËLLITËS, që me dritën e tij, na e ngroh shpirtin e fytyrën sa herë e kujtojmë atë (FËMIJËRINË).

2.(veritas odium parit***)

Ndër poezitë e tjera të bukura të këtij libri mund të përmend disa, por për të mos ia hequr kërshërinë lexuesit, po citoj: TRIPTIK PA KOKË (Me ato vargje aq mbresëlënëse e metafizike: …/kasapi puth gurin pas vdekjes /qengji qesh pas vdekjes… /); PA TY (Me atë vetmi të sendërtuar si sende që bien: …/Në heshtjen time /sendet e tua /Bien si copa të flakta /që zhurisin mall… /); IKJE (Me atë “perëndim” aq mallëngjyes e nostalgjik: …/Shoh flokët ku lind dielli /Dhe kuptoj që jam perëndim… /); KUR UNË (Me atë varg aq sendshpirtëzues: …/Një qiri dha shpirt… /); UNË DHE TRËNDAFILI (Me atë të kuqe trëndafili që na hedh rrënjë sa herë presim dikë që e duam: …/Ti ndoshta ke ikur /Por mua më ngacmon e kuqja e trëndafilit /Që i ka rrënjët tek unë… /); ËSHTË AG (Me atë dashuri që shfaqet e konsumohet, por si gjithnjë lë pas pamjaftueshmëri, vetmi në vetëshuarje: …/Është ag, por prapë errësirë. /Ti shfaqesh nazike /Dhe sfumohesh vetmi… /); IKONA TË THYERA (Me atë blicin e jetës sonë që herë herë na ndriçon e herë herë na lë në errësirë: …/Të pashë në blicin e një kohe /Dhe ti më pe si bust të anuar /Tek zgjasnim duart marramendsh /si arna të kohës sonë të arnuar… /); TEMPULL (Mjaftojnë pak metra katror /Për ta parë të ngujuar, /Brenda katër faqesh /Ëndrrën. /Tatuazh mbi mure! /); EMBLEMË (…/Gur që digjet qiri. /Gur-njeri,… /); KUR JAM ME TY (…/Ëndërr e bukur pas syve të tu /Më thotë ik, më lodhe, mjaft /E prej sysh të rrjedh si lot /Edhe ëndrra bëhet ankth. /) e shumë të tjera…

3.(ubi mel ibi apes****)

Poezia e Gentian Banajt (1974), është herë lirike, herë meditative e herë filozofike. Ajo lëndën poetike e mban në baraspeshë të ndjenjës e të mendimit filozofik duke mos rënduar as nga njëri e as nga tjetri krah. Metafora dhe simbolika përdoren në shërbim të asaj që do të shprehë autori, pa shpërdorim dhe duke ruajtur gjithnjë gjuhën poetike të kthjellët e me domethënie të reja.
Ky mendoj se duhet të jetë funksioni i poezisë, të ndërtojë imazhe dhe jo t’i errësojë ato. Edhe kur poezia e tij shkruhet me varg të rregullt, ajo na vjen me ngjyra të kohës, sepse brenda vetë poetit është ngjizur edhe tradita edhe përditshmëria me përjetimet e saj moderne.
Tipar dallues i kësaj poezie është se në thellësi të vargëzimit krijohet një amalgamë mes së kaluarës sonë poetike dhe të ardhmes (moderniste), e cila na shfaqet mes përthyerjesh, realitetesh dhe “historish të vogla” njerëzore që na krijojnë befasi dhe emocione estetike të veçanta.
Poeti Gentjan Banaj, vjen me librin e tij të dytë poetik pas dhjetë vjetësh.
A ia ka vlejtur kjo pritje kaq e gjatë?
Mendoj se ia ka vlejtur për dy arsye: 1) për vetë autorin që u shfaq në letrat shqipe në vigjilje të mijëvjeçarit të ri si një shpresë e re avangardë, ku ai, si dhe ne të brezit të tij, nuk e përjetuam si krijues atë periudhë kohore, se bashkë me lirinë e të shprehurit prej ndrydhjes e ndalimit të regjimit komunist, vërshuan edhe libra (sa letër e pemë të shkuara dëm!!!), shumë lumenj librash, shkruar nga njerëz që s’kishin botuar, që s’kishin folur, që bile as që kishin arritur të radhisnin aq rreshta sa të mundnin të mbushnin një faqe e jo më të botonin lloj lloj vëllimesh, sa t’i mbulonin kokë e këmbë, por ia ka vlejtur edhe për një arsye tjetër më të fortë se: 2) është një libër që ia vlen ta lexosh, e ta rilexosh. Na duhen të tillë, të na shërbejnë si shtylla orientuese në këtë larushësi antivlerash poetike e prozaike, që na serviren kudo: në TV, në librari, në rrugë, në kafene, në promovime, ku nuk ndihesh mirë mes lavdeve të pamerituara drejtuar bejtexhiut të radhës.
Dhe të gjithë ne të brezit tonë na duhet ta mbrojmë poezinë e vërtetë siç ka filluar të bëjë edhe Gentjan Banaj.
Libri ka rreth 90 poezi. Është nga të paktët vëllime poetike që do të mund të udhëtojë drejt zemrave të lexuesit poezidashës shqiptar, bile do të ankorohet e do të hedhë spirancën aty për një kohë që s’njeh kohë.
Poeti Gentjan Banaj është një vlerë në këto kohëra të këqija për “VLERAT”, ku vlerësohen fasadat, pasuritë, sa pehlivan je, sa “të fortë” të ndjekin pas, sa miq politikanë ke, ç’kostum ke veshur a ç’makinë nget, pra besoj fort se ky poet sjell atë lloj poezie cilësore e bashkëkohore që ishte e pakët, jo se para viteve ’90-të s’bëhej poezi cilësore, por sepse u hoqën ato ndrydhje e barriera censuruese. Duke u bazuar në traditën më të mirë poetike shqiptare e bashkëkohore dhe në stilin e tij të veçantë, presim që Gentjan Banaj të na dhurojë emocione të reja poetike.

15/12/2011
—————————————————————————
ab imo pectore* – (lat. me çiltërsi, me zemër të hapur.)
Pinca** – (lodër e sajuar, një copë dru i vogël me një gozhdë në majë, që hidhej duke e ngulur në baltë.)
veritas odium parit*** – (lat. e vërteta lind urrejtje.)
ubi mel ibi apes**** – (lat. ku ka mjaltë atje janë bletët.)

DISA MENDIME PËR POEZINË E MAKU PONES

(rreth vëllimeve poetike: “qiparisat e muzgut”, “muzikë dimri”, “një kafe me gurin”, 2009, botim i financuar nga Kryetari i Bashkisë së Fierit, z.Baftjar Zeqaj.)

Maku Pone

nga ANDI MEÇAJ

1. (sol lucet omnibus*)

Në vëllimet poetike “qiparisat e muzgut”, “muzikë dimri”, “një kafe me gurin”, 2008, të Maku Pones është edhe poezia “Anijet prej letre”:

Kolombi, Magelani, Amerigo Vespuçi
të gjithë ndoshta
me nga një anije prej letre
e nisën udhëtimin e tyre në fëmijëri,
së pari për të gjetur ku ishin
detet e pafundme të Fantazisë.
Zbulimet e botëve, të gjitha me pikënisje
nga ato anijet prej letre,
që i gjen a s’i gjen në ndonjë enciklopedi
ku përjetësohen gjërat e mëdha
me të cilat merren burra e pleq me mjekër
e ku formulat enigmatike janë gremça
ku ngulen emrat dhe lavdia.

Mirëpo, si mund të vesh tek pushtimi i botës
pa ato varka prej letre,
pa atë fantazi që ia kanë zilinë librat në etazherë,
laboratorët zhurmëmëdhenj
madje dhe ky folësi nga podi i Alfred Nobelit?

Poeti Maku Pone është një emër i njohur në poezinë shqipe. Ai e ka nisur rrugëtimin poetik qysh në vitet 50’ të shekullit të XX e vazhdon me arritje e hap të ri edhe në këtë fillim mijëvjeçari e shekulli të XXI.
M.Pone e ka përballuar me sukses provën e vështirë të ndryshimeve estetike, ai nuk ngeci “në baltë”, si shumë poetë të gjeneratës të tij që me rënien e sistemit nuk mundën ta përballojnë konceptin e ri për botën, pa kufizimet e ndalimet e tmerrshme që i dimë të gjithë. Dhe kjo dëshmon se artisti i vërtetë mund të mbijetojë me artin e tij edhe mes gjembave me tela e kërbaçit, por edhe jashtë tyre në lirinë aq të shumëpritur, por që atij që nuk është artist i rri ngushtë si kollare, një kollare që të zë frymën.
Në poezinë “Anijet prej letre”, shkëputur nga vëllimi: “Një kafe me gurin”, Maku Pone duke u bazuar në detajin e anijeve prej letre që të gjithë kemi lozur në fëmijëri duke i hedhur e lundruar në ujëra, na zbulon simbolikën e jetës, se pa qenë fëmijë kureshtar e me fantazi të harlisur, nuk mund të bëhesh kushi apo dikushi që bën gjëra të mëdha kur rritesh…
M.Pone i vendos tre nga eksploratorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Kolombin, Magelanin dhe Amerigo Vespuçin, në atë kohë të largët e të bukur, në vegjëlinë e tyre duke luajtur me anijet prej letre, duke i lundruar ato me imagjinatën e tyre, të zbulojnë botë të reja, të shohin kafshë e njerëz të ndryshëm, peisazhe mahnitëse, dete e oqeane të pafundme dhe të zbarkojnë diku, atje në diku ku i shpie ajo fantazia e tyre, aq e ngjeshur dhe diellrrezëllitëse e fëmijërisë. Edhe pse këto ëndrra e lodra nuk futen nëpër enciklopedira apo libra shumëfletësh, nëpër muzera, të shkruhen gazetave e revistave apo të trumbetohen nëpër podiume a fjalime, prapëseprapë ato ruhen thellë në shpirt dhe përçohen në jetën “e rritur” nga njerëzit që kanë pasur fëmijëri, që kanë qenë kurreshtar për botën, që u kanë hipur me mendjen atyre anijeve dhe i kanë lundruar deteve e oqeanëve të fantazisë për të zbarkuar tek “e reja”, tek ajo që nuk njihet e cila mund të të mbushë me diell, por edhe mund të të mbushë me bisha të egra, pse jo…
M.Pone na rrëfen me anë të kësaj poezie antologjike se brenda një njeriu “të madh” gjendet gjithnjë një fëmijë ëndërharlisur që dikur, diku ka nisur anijet e tij të shumta prej letre, drejt vendeve e botëve të reja për të zbuluar se atje te diku paskësh diç të ndryshme, paskësh tokë tjetër, paskësh njerëz e pemë, paskësh kafshë shumëngjyrëshe e mbi të gjitha na shpalos madhështinë e fëmijërisë që si një eksplorator që frikë s’njeh, lundron në botë hipur mbi “kureshtjen”, anijen më sypatrembur të njerëzimit.

2. (habent sua fata libelli**)

Ndër poezitë e shumta të bukura të këtyre tre librave mund të përmend disa: TRARI (Me atë rilindje nga vdekja si Sfinksi nga hiri: Do t’i shkul të gjitha gozhdët, /do t’i mbath të gjitha plagët, /pak bar i magjishëm /do të më mjaftojë për të shëruar çdo gjurmë /kalbësire dhe hidhësire, do ta bëj krejt të ri /si atëherë kur lind nga druri /këtë tra… /); GJUMI YT (Me atë përleshjen homerike gjerë në ëndrra për njeriun e dashur: …/por unë po hyj në gjumin tënd… /i armatosur gjer në dhembë. /); ZËRI I GRUAS (Me atë përmallimin aq mallëngjyes për zërin e gruas së ikur: …/Se fundja magjia e atij zëri /ka mbajtur gjallë në këmbë /mua dhe juve /që të mos shembemi o mure. /); ME QIRINJTË E MI (Me atë metaforë Kavafiane të qirinjve që simbolizojnë ditët e mbetura të jetës që shuhen në vetmi: Tani kam mbetur me qirinjtë e mi, /askush s’ka ndërmend të shtojë të tjerë /dhe t’u zgjasë dhe ca jetën /qirinjve në të fikur. /); E QESHURA (Me atë qeshje që s’ka frikë nga asgjë e që rregullon botën: …/Atëherë qesh. /Botën sa është ta rrëkëllejmë… /); PLAKAT E MËHALLËS (Me atë pritje të plakave në qoshk të rrugës për burrat e tyre si Penelopa të një kohe tjetër: …/Dhe nënë Sena, nënë Gjena, nënë Hatixheja /në qoshk të rrugës kishin dalë /për të pritur burrat e tyre nga larg /që ktheheshin veçse një herë në vit /me bliret, /që andej nga s’kthehet kush /e që e dinin veçse ato të tria /atë rrugë. /); VIZATIM FËMIJËSH (Me atë vizatim aq të pafajshëm të fëmijërisë: Ç’dimër /mendjemadh /me trille, /bëja, bëja hundën vëllaçko /pak më të gjatë, /ja sa një qiparis /se unë zemrën po ia bëj të zezë /se nuk dashka të iki /s’dashka të na sjellë pranverë. /); BOTA (Me atë frikën për jetën që po shuhet: …/ec e gjeje me cilën do të ikësh /nga këto gjysma arre /për te xha Karonti kobzi. /); FTONJTË E GJYSHES (Me atë përmallim për gjyshen dhe ditët e arta të vogëlisë: …/Gjyshja s’është por janë ftonjtë /në sënduk që dimërojnë /e erëmojnë dhomë më dhomë. /); TË VRITEN QENTË (Me atë ironi e keqardhje të thellë për vrasjen e qenve të rrugës: Më në fund u gjet zgjidhja: /të vriten, të pushkatohen qentë /se /a mundet të jetë modern /një qytet i këtillë /me qen? /); SENDE (Me atë sendshpirtëzim aq domethënës të sendeve: Sende /të braktisura në rërë. /Sandale me nga një sy të verbër /dhe të mbetura pa këmbë. /Një krehër /mbushet dhe zbrazet nga era… /); LOJË NË MUZG (Me atë lojë të frikshme të çiftit, gati horror: …/Po sikur thika të zhvendosej /nga pema /në mish të saj /po aq lehtësisht /po aq mizorisht /si të ish një lojë në muzg /me hënën e bardhë? /); KJO GRUA (Me atë reminishencën aq emocionuese e të gjallë: …/kjo zonjë me ecje ende prej sorkadheje, /që më bën të mos e kthej kokën pas /por ta shoh ashtu siç është, /a thua si dyzet vjet më parë… /); HISTORI (Me atë histori “të egër” por me aq detaje të dashura: Unë e vrava në gjumë. Flinte, /si i thonë, si një qengj pirës. /S’lëvizte asnjë fije qepalle. /Madje betohem se do t’i kem thënë ndonjë ninullë, /se pashë si u fashit, /si vari kryet /e u kumbis në gjumë. /); GJETHET E VJESHTËS (Me atë detaj të gjethes si urë lidhëse mes tij (autorit) e Orhan Veliut (poetit të shquar turk): …/kisha qejf të mblidhja gjethet e mbrame të një rrapi /e të luaja me to me shokët, /por me vajzat sidomos, /t’ua hidhja nëpër flokë… / dhe më poshtë vijon poezia e M. Pones: …/vdiste në Stamboll poeti Orhan Veli /të cilit, siç mësova më vonë /i pëlqenin po aq gjethet e vjeshtës /në fëmijëri /dhe veçanërisht në djalëri /për të luajtur me to me të dashurën /duke e mbuluar ndërkohë /me të puthurat e tij. /) e shumë poezi të tjera, por s’duhet shuar kureshtja e lexuesit poezidashës.

3. (plaudite, cives***)

Këto libra poetikë përbëjnë një pjesë të vogël të veprës poetike të poetit të njohur Maku Pone. Maku Pone është një poet lirik me nota dramatike, karakteristikë thelbësore e këtij poeti është se ai lëndën poetike e fillon nga një detaj i thjeshtë i përditshmërisë, duke nxjerrë përfundime që arrijnë në përgjithësime aq të domosdoshme për artin e vërtetë që të mund të udhëtojë në kohë dhe të arrijë edhe në brezat që vijnë.
M.Pone është një poet që me arritjet dhe cilësinë e vargut të tij nuk thërret, nuk bëzan, as ulëret nëpër programe TV, gazeta, revista, podiume boshe, as në rrugë, kafene, apo promovime të pakuptimta bejtexhinjsh, por ai me tepër modesti, me tepër mund e djersë intelektuale e njerëzore ka zënë qoshkun e tij mes më të mirëve të poetizimit shqip. Këto libra dëshmojnë se poeti Pone ka krijuar personalitetin e vet ashtu siç u ka hije artistëve të vërtetë që u mjafton “rehatia” e këndit të tyre artistik dhe jo “drita e rreme” e prozhektorëve apo bliceve false të kamerave e aparateve fotografik të “emërfryrjes”, që shpesh janë të blera me miliona apo me klane e klika miqsh.
Ai tregon me thjeshtësi dhe me detajet e tij aq të spikatura gjithë dramacitetin dhe bukurinë e jetës njerëzore, pa tone të larta, pa kërcitje, me një lirizëm meditativ, herë herë filozofok, herë herë me emocione të forta aq sa të marrin frymën me imazhet dhe ndjenjat që përcjellin. Një thënie e bukur latine thotë se: librat kanë fatin e tyre…
Po, librat kanë fatin e tyre, sigurisht ato mund të jetojnë shumë më tepër edhe se vetë libërshkruesi i tyre dhe unë jam i bindur se këto tre libra të M.Pones do të jetojnë gjatë në kohë. Maku Pone ndërton imazhe, sendshpirtëzon sendet, rrëfen historira “të vockla” përditshmërie, ravijëzon dashurinë, shpirtin, pritjen, largimin, mallin, lotin, shtëpinë. Por mbi të gjitha di të të mbërthejë apo të të gozhdojë me sytë ngulur mbi vargjet e tij mbreslënës aq sa edhe koha të duket e tepërt dhe të shqetëson. Këtu ku ka mbërritur ky autor i njohur i poezisë shqipe mund të themi me bindje se e ka arritur synimin e tij, por jo, nuk do t’ia mbyllim me këtë thënie atë portë të bekuar nga ku i rrjedh krijimtaria, nxjerrë nga shpirti i tij aq i kulluar e fisnik.
Le t’i urojmë krijimtari e muzë të gjatë, duke ngelur gjithmonë “të uritur” për libra të tjerë që do të trokasin në të ardhmen dyerve tona.

17/12/2011
——————————————————————
sol lucet omnibus* – (lat. dielli ndriçon për të gjithë.)
habent sua fata libelli** – (lat. librat kanë fatin e tyre.)
plaudite, cives*** – (lat. duartrokitni qytetarë.)

ANDI MEÇAJ E KA SHKRUAR “PËRGJIMIN”
SIKUR TË KËNDONTE “MAMMY BLUE”

Faruk Myrtaj.jpg

nga FARUK MYRTAJ

Në librin me poezi “Qyteti Fle Në Xhepin Tim”, të Andi Meçajt*, botuar në Athinë 2006, është edhe poezia:

PËRGJIM

Shtëpia rënkon nën kornizat varur mureve
dhe ti një ditë do të mbyllesh atje, muret përsëri
do të ankohen, ti, jo, nuk ke kujt t’i bërtasësh,
fjalën e tyre të fundit dyert e thanë,
të trokiturat ndalohen me ligj,
tashmë ka humbur fletankesa jote,

dhe trupi rebelohet, duart thyejnë kornizat,
këmbët shqelmojnë dyert, mishi trokitjet rikujton,
muret rënkojnë, përsëri rënkojnë muret, nuk ka më korniza,
vetëm sy nëpër dritare.

I jam rikthyer shpesh krijimtarisë së Andit. Jo veç si “shpresë e pohuar”, por edhe si pashmangshmëri e Hiqmet Meçajt. Prishin punë Etërit, ndonjëherë, por më shumë ndreqin! Raporti jo i kollajshëm më kujton Anil Frashërin, djalin e aktorit të madh Naim Frashëri (aktorit). Ia kujtonin babanë, vend e pa vend, ia kthyen në makth: “Naimi është Naim, e kështu ka për të qenë”, “babai Yt ishte tjetër Ai, aha…!”, “Nuk bëhemi dot si Ai ne, as ti…”! Po lexoja “Përgjim-in” sot dhe (a thua intuitivisht) klikova në google për “Mammy Blue”. Thjesht si emigrant me nënën larg, pafundësisht larg… Aq larg sa mund të përkufizosh ndryshe ekzistencën fizike… Për disa minuta dhe disa minuta të tjera, sërish edhe disa minuta, dëgjova këtë këngë prej Demmis Roussos, pastaj në interpretimin e grupit spanjoll Pop Tops, pastaj Ricky Shayne, Bernd Cluver, prej Dalida dhe Nicoletta, prej Julio Iglesias, më pastaj të Celine Dion, interpretim i hershëm i saj, Roger Whittaker, Brother Louie group, Franck Pourcel, Juan Torres, Ian Lloyd dhe s’ndenja dot pa iu kthyer Demmis Roussos që i ngrè himn tokës greke, mesdhetare, diellit dhe dashurisë aty!

Oh Mammy, oh Mammy Mammy Blue
Oh Mammy Blue
………….
I may be your forgotten son
Who Wandered off at twenty-one
It’s sad to find myself at home
Without you
If I could only hold your hand
And say I’m sorry, yes I am
I’m sure you’ll really understand
Oh Mammy…
……………
………..

Po e lexoja poezinë e Andit si gjendje-afërt me Mammy Blue?!
Në të gjitha gjuhët, në të gjitha zërat, “shtëpia e ndjenjës rënkon nën kornizat varur mureve të zemrës” perifrazojmë poezinë. Në të gjitha kohët, në të gjitha moshët, në të gjitha poemat dhe në secilin prej vargjeve, prej të gjithë lexuesve, prej njerëzve, të gjithë të vdekshëm, të shndërrueshëm në blue… Në përgjim të qenies njerëzore brenda vetes, brenda shtëpisë, brenda e jashtë atdheut, si i bëhet paracaktimit që Njeriu “një ditë do të mbyllet atje, në njërën nga kornizat” dhe Jeta, ajo që e ke lindur Ti? Ti, Mammy që (si mund të) bëhesh Blue, Ti Mëkëmbësja e Zotit në Tokë, Ti Krijuesja që kurrë nuk e ke ngritur zërin për tu lëvduar si e tillë… si mund të pranojmë kornizash? Nëse jeta mbetet pas, është thjesht provë e dëshmi jotja, por pa Ty…E këngës, pavarësisht këngëtarëve, gjuhëve, ndjenja që prej së gjalli ka siguruar përjetësinë dhe që së vdekuri bëhet qenie e të gjallit… Muret, si gjithë gjërat e palëvizshme, ankohen për fatin e tyre, e përcjellin mërinë në përplasjet e dyerve që mbyllen e hapen, prej trokitjeve të të panjohurve dhe hyrjes pa trokitur të Njerëzve të Shtëpisë. Këta mbeten without You, më dhimbshëm se You without them. Ndjehen kështu. I shohim kështu. E dinë ligjin e jetës, e dinë që “të trokiturat në Botën Andej ndalohen me ligj”, madje eh, bëjnë gjithçka që të qetësojnë merakun e Mammy të ngjyruar në Blue, në të gjithë zërat, në të gjitha figurat letrare, përjetësisht të lidhura me lindjen, me Nënën… “Rebelohet”, aq më shumë kur ka joshur veten në kahen e krijuesit, muret e zemrës që gjithnjë ashtu kanë rrahur për të Dërguarën e Posaçme të Zotit për Të, rënkojnë duke këngëzuar fjalësh, rimash, “s’ka korniza” dhe lotët me se s’bën duhen ndaluar me ligj, si gjithë gjërat që përbëjnë Lirinë e njeriut!
Andi Meçaj e ka shkruar “Përgjimin” sikur të këndonte “Mammy Blue”. Them kështu për gjendjen. Së paku siç e lexova sonte, e Premte, 11 prill 2008, Toronto, Kanada.

———————————-
*Andi Meçaj u lind në Vlorë më 6.06.1975. Aty mbaroi liceun artistik për pikturë. Në Greqi, një ekspozitë pikture vetjake, iu vlerësua nga shtypi vendas. Në vitin 2001 boton librin poetik “PUTHJE UJORE”. Më pas boton: “Tokë e bekuar”, poezi, 2002, “Nga letërkëmbimi me një fantazmë”, poezi, 2003; “Qyteti fle në xhepin tim”, poezi, 2006. Është përfshirë në disa antologji dhe përmbledhje dhe është vlerësuar me disa çmime letrare.

MBI LIBRIN POETIK TË ANDI MEÇAJT:
“QYTETI FLE NË XHEPIN TIM”, ATHINË 2006

Arjan Leka
Nga ARIAN LEKA

I dashur Andi, po të shkruaj edhe një herë për poezitë e tua dhe po të risjell sërish ato që shkruajta mbrëmë natën, paçka se siç thotë edhe Herakliti nuk mund të pijmë dy herë ujë në të njëjtin lumë. Por sot, kur më erdhën edhe fotot e pikturave të tua, më vjen mirë që kam përdorur edhe fjalën sy edhe fjalën figuracion surrealist edhe pamje dhe vargje të kompresuara, të ngjeshura në një pamje.
Urime, miku im se vërtet më dhe kënaqësi me poezitë për të më hequr etjen se si shkruaje ti. Ajo që më pëlqen mënjanë është natyralizimi yt i plotë me tekstin poetik, aty nuk ka fraza as kërkime figurash që të çmendin me befasinë e kërkuar për të të habitur. Aty ka natyrshmëri dhe kjo, sipas meje vjen nga ambientimi me atë çka është e jotja dhe që nuk e ke vështirë ta thuash. Ke vënë re, se për shumë njerëz është mjaft e vështirë të bëjnë një rreth, ndërkohë që për rrethin mendojnë se është forma më e thjeshtë në botë. Ti këtë ke bërë me këto poezi. Pikasoja thoshte unë nuk kërkoj, unë gjej dhe më duket se ti e ke gjetur në këto poezi atë që ke dashur të shprehësh. Më shumë se çdo shqisë tjetër poezia jote ka sy, një sy që të ndjek, të tregon si i sheh pamjet dhe të fton të shohësh pamje të tjera, herë ireale, herë surreale, herë gjysmëkubiste e herë të ngjeshura, pa ajër, që të marrin shpirtin dhe frymën nga ajo që ofrojnë. Veçmas më pëlqyen forma dhe befasia e “KU VETE KËSHTU…”, “GJETHE QË SHKRIHET NË GUSHË”, “ROMANCË”, (romancë më të paqetë nuk kam mundur të lexoj), “PËRGJIMI”, me sytë nëpër dritare…, “NINULLA”, veçmas fare (por këtë dhe të tjerat, “MOHAMEDIN”, “PLAKUN LODËR”… Të kam shkruar kur m’i nise fillimisht), “VOGËLUSHI DHE DETI”, me anijet që dhurojnë lodra…, “FJALËT QË VDESIN NATËN”, “SHTËPIA”… (sa e pranishme kjo temë tek ti, me të gjitha elementet e saj, mure, dritare, lloj lloj rrugësh, korniza dhe paksa det diku në cep), “PIKTURË SURREALISTE”, “FRIKA QË TË BËN PËR TË QESHUR”, me atë ikje balade me kokë ndër duar, “Ç’DHËMBË TË TMERRSHËM”, horrorin prej buburezave si thyerje të tipologjisë dhe estetikës së tyre… “KUR BIE SHI”… Me aq detaje si një film neorealist.
Nuk kam fjalë tjetër veç urimeve për ty.

4 gusht, 2006

(Botuar në “Gazeta e Athinës”, korrik 2008)

MENDIME PËR LIBRAT POETIKË “ANIJA E GJUMIT”
DHE “STRABIZËM” TË ARIAN LEKËS

cropped-andi-06.06.2019.jpg

nga ANDI MEÇAJ

Poezia e Arian Lekës është tingull i bukur si dallgë, ajo shushurinë gjethnajë, të flet me zërin stërgjyshor dhe të futet thellë, në skutat më të fshehta të shpirtit.
Duke lexuar librin: “Anija e Gjumit”, hyn në një botë të lëngshme, ku anijet, dallgët, vjeshta, pema, gjethet, ndjenjat, dëshirat, ëndërrat, iluzionet, Durrësi, fëmijëria, adoleshenca, dashuria, malli, lamtumira, ankthi, të derdhen para syve veshur me petk muzikor, aq sa lexim përftohet më mirë si këngë, një këngë e brendshme, që të ngjitet në mendje e nuk të shqitet, siç zakonisht na ndodh, me melodi të preferuara e të arshivuara në kujtesë.
Me detin poeti Leka, ka lidhje të forta, aq sa mund ta quaj apo edhe ta “pagëzoj”: “Poet i Detit”.
Nga libri “Anija e Gjumit” veçoj këto poezi:
“Murale”, “Babai Sheh Ëndërra” …/dhe mua…, /më duhet të vras gjithë kuajt, /që vijnë e më trembin babanë, /kur është duke ëndërruar…/
“Tetor”, “Ti dhe Unë”, “Kapedan” /Lundro nëpër venat e mia /kapedan ulqinak, /s’do e shohësh dajlanin në Bunë, /direku bashit /të mbiu në dorë – gisht i gjashtë; /…
“Në Valbonë”, “Rënia e Engjëllit Nga Qiejt” /Gjethet bien.., /nuk janë pendët e mia, /mos i gënjeni me stinë fëmijët, /janë krahë të këputur perëndie /…
Është libër që të detyron ta veçosh nga moria e botimeve të sotme, ta lexosh hera herës dhe autorin e tij t’ua rekomandosh edhe të tjerëve.

Libri poetik “Strabizëm” është një shikim ndryshe i lëndës poetike. Lënda poetike është futur në laboratorin e tij krijues me të gjithë diapazonin, ngjyrimet dhe dimensionet e saja, nga ku përvetësohet, ringjizet dhe del prej andej një amalgamë kryekëput tjetër, diçka “strabike” apo siç shqiptohet kjo fjalë në origjinën e saj “Stravike”, e shtrembëruar, që unë do ta quaja më saktë e thyer apo e përthyer.
Libri ka një gjuhë poetike që të kujton atë të përrallave.
Ka rikrijime legjendash.
Ka rikrijime legjendash moderne.
Ka ritëm muzikor që nuk të lë ta ndash secilën poezi apo ta veçosh nga të tjerat, kjo e ben leximin në kontinuitet të domosdoshëm si një simfoni ku të gjithë instrumentet bashkohen aq mrekullisht dhe të duket se dëgjon vetëm një.
Poezia e Lekes ka një mallëngjim të fortë për traditën, për të krijuar një traditë të re të tijën.
Leka është një poet mesdhetar i lidhur me ujin, me udhëtimet me anije, me eksplorimin, të cilat shfaqen jo vetëm në formë por edhe në gjuhë.
Gjuha e librit nuk është kozmike, por tokësore, përfshin një rajon gjeografik të përcaktuar mirë, gjë që përbën dhe pasaportën e saj.
Edhe format e vjetra përshembull soneti, rondoja, e të tjera, duke u trajtuar në këtë kontekst nuk janë më një nostalgji forme të ngurosur por marrin një tjetër ngjyrim.
Sa më shumë ta lexosh dhe ta studiosh këtë libër, aq më shumë probleme nxjerr të cilat duhen shtruar në tavolinë.

(Botuar në “Gazeta e Athinës”, gusht 2006)

ANDI MEÇAJ ËSHTË THELLËSISHT POET I RRAFSHIT INTELEKTUAL*

Roland Zisi.jpg

nga ROLAND ZISI

Andi Meçaj u lind në Vlorë më 6 qershor 1975. Në qytetin e lindjes mbaroi liceun artistik për pikturë dhe më vonë emigron në Greqi, ku merret me ekspozita pikture, të cilat janë vlerësuar pozitivisht nga shtypi kulturor grek. A. Meçaj, veç pikturës shkruan edhe shumë poezi. Vëllimin e parë me vjersha të titulluar: “Puthje ujore” e botoi në vitin 2001. Shumë nga poezitë e këtij autori janë përfshirë në antologjinë poetike “Portat e harresës”. Më pas ka botuar librat: “Tokë e bekuar”, poezi, 2002; “Nga letërkëmbimi me një fantazmë”, poezi, 2003 dhe “Qyteti fle në xhepin tim”, poezi, 2006. Këto përmbledhje poetike janë pritur ngrohtë nga kritika letrare dhe lexuesit e shtresave të ndryshme. Andi Meçaj lëvron edhe gjininë e prozës, shkruan tregime të cilat pjesërisht tyre janë botuar në shtypin letrar dhe në antologji të ndryshme. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Megjithëse nuk jeton në Shqipëri, ai është i pranishëm e boton periodikisht në shtypin letrar të Tiranës. Për krijimtarinë e tij dhe vlerat e saj, A. Meçaj është nderuar e është vlerësuar me disa çmime letrare. Boton vazhdimisht edhe në revistën letrare “Admet”.
Në krijimtarinë poetike të A. Meçajt formësohen dhjetëra motive metafizike e universale, si: malli për njeriun e dashur që ndodhet larg, adhurimi për format, emocionet, ngjyrat dhe vlerat e bukura të njeriut e të natyrës, rivlerësimi i kujtimeve dhe sjellja e tyre në jetën e përditshme, me qëllim përditësimin e çasteve të paharruara, meditimi për jetën që shkon dhe atë që vjen pas saj etj. Në poezitë e A. Meçajt, sidomos në ato peizazhiste, shkrihen e kombinohen në një të vetme pëlhura e vargjeve me ngjyrat e pikturës, tonet dhe dritëhijet e ditës apo të natës me metaforat sugjestive, aq karakteristike e të dashura për frymëzimin e tij. Të qënurit larg Atdheut që domethënë larg vatrës familjare, larg fëmijërisë, larg dashurisë, larg detit apo ullinjve, kanë ngjizur tek ky poet kultin e shtëpisë, jo vetëm si objekt banimi, por dhe si institucion shpirtëror, prandaj në poezinë e tij emërtohen vazhdimisht pjesë të saj, si p.sh.: muret, dyert, dritaret, kornizat, xhamat, e të tjera elemente si këto, të cilat krijojnë emocion poetik të fortë, bazal dhe ekzistencial. Kjo “shtëpi poetike” e A. Meçajt asnjëherë nuk është bosh, aty do të jenë gjithmonë të pranishëm herë e dashura e herë nëna, herë një mik apo shok, herë vetë ai, i malluar e i lektisur, herë gruaja e dashur e herë “miq-mikesha” të tillë(a) si era, trishtimi, zbrazëtia, vetmia, heshtja, etj, komponente që e bëjnë poezinë e tij aq të ngrohtë, medituese e tërheqëse. Madje kërkimi i ekzistencës si qënie njerëzore tek këto detaje korrelative të shtëpisë të kuptuar jo vetëm si objekt banimi, është kthyer për këtë poet në një obsesion të përhershëm dhe parakusht artistik. A. Meçaj është thellësisht poet i rrafshit intelektual. Në poetikën e tij ndërthuren shenja të kulturës së tij letrare me ato filozofike, të pikturës, të arteve të aplikuara. Figura letrare më e përdoruar e poetit duket se është metafora, një metaforë e plotësuar me detaje e elemente nga fantazia e tij e pasur, nisur gjithmonë nga një pikë reale, e thjeshtë dhe natyrale. Një nga vëllimet më të bukura dhe që është pritur nxehtësisht nga opinioni letrar është pikërisht libri me poezi “Qyteti Fle Në Xhepin Tim” i botuar në Athinë, në vitin 2006. Meritojnë të veçojmë nga ky vëllim poezitë: “ROMANCË”, “FJALËT QË VDESIN NATËN”, “SHTËPIA”, “KU VETE KËSHTU…”, “GJETHE QË SHKRIHET NË GUSHË”, “KUR BIE SHI”, “MUHAMEDIN”, “PLAKUN LODËR”, “PËRGJIMI”, “NINULLA”, “VOGËLUSHI DHE DETI”, “PIKTURË SURREALISTE”, “FRIKA QË TË BËN PËR TË QESHUR”, etj., të cilat spikasin për figuracion origjinal, për thellësinë e ideve e të mesazheve, si dhe për ngarkesën e lartë emocionale që të krijojnë përgjatë procesit të leximit. Poeti Andi Meçaj, me paraqitjen e deritanishme poetike, premton të realizojë në të ardhmen një profil artistik më të zhvilluar e më të plotësuar, në përputhje me mundësitë e mëdha që sugjeron talenti i tij.

Nga libri “Qyteti Fle Në Xhepin Tim” kemi përzgjedhur vjershën e mëposhtëme:

NINULLË*

Ai iku, mbylli derën,
jo, dera e mbylli atë.
Rruga me shami në duar, (duke e tundur),
e përcolli gjer tek deti,
jo, shamia me rrugën në duar, (duke e tundur),
e përcolli gjer tek deti.
Deti me pulëbardhat e zeza dhe
kapelen e kuqe, e futi në anije,
jo, pulëbardhat e zeza dhe kapelja e kuqe
me detin, e futën në anije.

Anija u përkund,
u përkundën dhe duart e nënës.

——————–
*Në origjinal është pa titull (A.M.).
**Meçaj A. “QYTETI FLE NË XHEPIN TIM”, poezi, Athinë, 2006.

Letërsi Bashkëkohore Shqipe – Poezia.
Shtëpia Botuese e Librit Universitar – Tiranë, 2008.
Miratuar nga departamenti i gjuhës dhe letërsisë shqipe
më datë 30. 05. 2008.

MENDIME RRETH LIBRIT TË PARË POETIK
“PUTHJE UJORE” TË ANDI MEÇAJT

Romeo Çollaku.jpg
nga ROMEO ÇOLLAKU

Në tre nga vargjet e librit të tij të parë, Andi Meçaj thotë: “Dua të vij / aromën tënde / të përkëdhel”. Kjo është poezi. Poqese do kishte thënë: “Dua të vij / flokun tënd të përkëdhel”, nuk do kishim të bënim me poezi, por me pëshpërima telefonike apo epistolare mes dy të dashuruarish. Ja pra sesi shpërfillet, në poezinë tonë të re, logjika prozaike e jetës së përditshme, për t’i lënë vendin elementit poetik, i cili ka logjikën e vet, një logjikë kjo, vërtet, e ndërlikuar, por, nga ana tjetër, nuk i bëhet dhe ndryshe. Edhe tek poezia e Meçajt pikasen një sërë tiparesh nga ata që e bëjnë poezinë tonë të re të dallojë së tepërmi nga e mëparshmja. Vargjet e këtij poeti aplikohen në sajë të një gjuhe të pasur, e cila mbërrin dikur në neologjizma të njëpasnjëshme, neologjizma këto që, me siguri, i lind këmbëngulja për të mënjanuar barbarizmat e tmerrshme, me prejardhje lindore e perëndimore, që e kanë mbuluar nga të gjitha anët pasurinë më të madhe kombëtare që na është dhuruar, gjuhën. Për sa i përket formës, mendoj se vargu i lirë i Meçajt rrjedh natyrshëm dhe, për të mos u shndërruar në prozë, ai përmban një ritëm e harmoni të admirueshme. Gjithashtu, Andi Meçaj duket sikur është në gjendje ta përdorë dobishëm peshoren e lëndës që duhet të përdorë çdo poet: ndjenja dhe mendimi, në poezinë e tij, gëzojnë barazpeshën e nevojshme, gjë që e bën ligjërimin të mos anohet, të mos shfaqë shenja rrëzimi. Poezia e Andi Meçajt, në pjesën më të madhe të saj, është një poezi imazhesh, gjë që e bën të ngjasojë njëfarësoj e vështirë dhe, për rrjedhojë, të lypë një edukatë të stërvitur leximesh. Nëse do na lejohej të flisnim për motive, ai që hasim më dendur në poezinë e Meçajt është, padyshim, një motiv i përkorë erotik që ftillohet me manierat e së ashtuquajturës poezi e kulluar. Si mbyllje, për këtë poet, do thoshja se një tjetër tipar që e afron me disa nga zërat më përfaqësues të brezit të tij, është përkushtimi ndaj shqipërimeve.

MEDITIME PËR POEZINË E ROMEO ÇOLLAKUT

cropped-andi-06.06.2019.jpg

nga ANDI MEÇAJ

Poezinë e Romeo Çollakut mund ta përfytyrosh si pikturë, ku ngjyrat, njerëzit, peisazhi, drita, hijet, sendet, veprimet, gërshetohen bukur, me mjete gjuhësore të kërkuara e të lëmuara aq sa i përftojmë si muzikë, një muzikë tepër fine.
Në librin “Gjithë Diell e Natë”, me 41 poezi, botim i shtëpisë botuese “Aleph” 2003; (i cili ishte pretendenti kryesor i fitimit të “Pendës së Argjendtë”, 2004) poezitë rrjedhin nostalgji, që na kaplon duke befasuar me qartësinë e vizionit poetik, i cili ndërthuret me mitet dhe përrallat, me grimca jete përditshmërie, duke na sjellë një magmë të re poetike.
Çollaku është një “arkeolog” i fjalës, duke zbuluar e ridritësuar fjalë në dialektet Gegë e Toskë, e rikrijon gjuhën, por njëkohësisht rrezikon me të. Poezitë e tij kanë nuanca të De Radës, Mjedës, Lasgushit dhe Camajt, si dhe ngjyrime hermetike.
Nga ky vëllim, të cilin e dallon një lirizëm dhe kompaktësi e njëjtë nga poezia e parë deri tek e fundit, mund të dalloj disa syresh si:
poezinë “Udhëtim”
…Koha të ecim më tej /Lypësit për mbarësi, /le t’i hedhim në kapelen e përmbysur /ikona, libra me poezi, partitura, guaska, vizatime…
poezinë “Poezi Naive”
Nëse ka ndonjë ishull të shkretë, /atje do ta doja shtëpinë; prej guri, /në kreshtë, dhe kur të hapja dritaren, /një mol të shihja të vogël e të trishtë, /një sanall të lidhur si foshnja e përkëdhelur /pas prindit…
dhe poezitë e tjera “Statujë”, “Ushtria”, “Natyrshëm”, etj.

Në librin tjetër poetik të tij: “Kumbaraja e kohës” me 23 poezi, botim modern dhe kualitativ i shtëpisë botuese “Ombra GVG 2004”; (gjithashtu një nga pretendentët kryesorë të “Pendës së Argjendtë”, 2005), Çollaku i ngelet besnik lirizmit të tij prekës, melankolisë së peisazhit, por me një varg tashmë të gjerë prozaik, ku i kushtohet vëmendje ndërsjellshmërive të fjalëve, pikërisht si në një mur guri ato rrinë njëra mbi tjetrën përsosmërisht.
Nga poezitë e këtij vëllimi dalloj disa syresh si:
poezinë: “Tjetër, pikturë popullore”
…Por s’qenka fare dritë; kujtim është i një drite, ndaj vjen e ftohtë, ndaj zbret dimri në zemra. /Dhe mani gjer në palcë vuan pse ka humbur, stinë pas stine më, të hershmen fëshfërimë.
poezinë: “Elegji”
Shaminë tënde, gjyshe, të zezën, kujtesa do ta endë, si murlani qerthuj pambarim mbi mëhallën /e mardhur…
Dhe poezitë e tjera: “Mendueshëm”; “Agullimë”; “Por si një fëmijë” dhe “Me kujtesë, përfytyrim dhe ëndërr”, pjesa IV, etj.
Poezitë e Çollakut nuk i lexon ato të lexojnë, të futen thellë në shpirt si një muzikë nga një kohë e hershme e nëntokës, por që bëzan fort përtej bregut tjetër veshur dritë dhe nostalgji, një nostalgji e magjishme e fjalës më të bukur në botë poezisë.

Athinë 03.03.2006

ATY KU FLE GURI I PARË THEMELTAR I NGREHINËS POETIKE…

(Impresione mbi poezinë e Andi Meçajt)

FLURANS ILIA FLURKA

nga FLURANS ILIA -FLURKA-

Falë të mrekullueshmes faqe virtuale letrare mbarëshqiptare ®seguraweb (duhet theksuar ky fakt!), nëpërmjet së cilës përherë kemi mundësi të njihemi me autorë dhe krijues të ndryshëm, këto kohë të fundit kam patur rastin të njihem me një poet, e kam fjalën për poetin dhe piktorin Andi Meçaj i cili jeton dhe e shtrin aktivitetin e tij artistik në Athinë. E meqenëse nuk na ndanë hapsirë e madhe moshe midis nesh dhe njëkohësisht na bashkon atmosfera vëllazërore artistike, meqenëse jetojmë me mijëra kilometra larg njëri-tjetrit dhe na bashkon ky kuvend harmonik letrar, thjesht si një lexues i vëmendshëm i poezisë së tij do të doja të ndalesha në disa pika që besoj se janë të nevojshme për t’u theksuar.
1-Që në fillimin e shfletimit të poezive të Andit, ndër përshtypjet e para që të lindin dhe që të shoqërojnë në gjithë këtë udhëtim poetik, është sinqeriteti i tij në raport me artin, gjë kjo mëse e domosdoshme për një poezi të shëndetshme artistikisht. Po përmendi këtu edhe vënien në pah si fakt të pakontestueshëm bindjen e mikut tim S. Guraziu, (përdorur brenda temës që patëm rrahur gjatë një korrespondence të rastit), se “poeti noton vetëm në ujërat e të vërtetës”. Natyrisht, në këtë fakt të pakontestueshëm flenë edhe guri i parë themeltar i ngrehinës poetike. Themel ky që autori Andi Meçaj i ka dhënë bazë të fuqishme, stabile në raport me krijimet poetike të tij.
2-Andi është në punë të vazhdueshme drejt përsosmërisë së vargut të tij. Duke ushtruar edhe pikturën njëkohësisht, në pikturat e tij ndeshim kolorite instiktive ngjyrash që hyjnë në mënyra të “pavetëdijshme”, plot dritë. E njëjta mund të thuhet edhe për vargjet e tij. Ka tendenca drejt poezisë moderne. Por shpesh, ndryshe nga të gjithë ata krijues të rinj bashkëmoshatar (përfshi disaherë edhe autorin e këtyre reshtave), figurën moderne na e servir së bashku me thjeshtësinë e fjalës së tij të sinqertë. Kjo është ajo çka më pëlqen tek poezia e tij. Ato nuk janë dhe nuk ngelin figura moderne të izoluara shpesh në raport me krejt bllokun e tij poetik. Përkundrazi vijnë po aq natyrshëm përkrah mesazhit që lëvrin po aty, si p.sh. nëpërmjet: Mbarimi i kohës, Zëri, Orët, Iluzion bota sonte, Njeriu brenda teje, Hapat e parë, Vetmia e vdekjes së gjetheve, Më kalëron koha, Të pajtojmë aritminë e zemrave, Pasqyra, Tërbimi i detit, Ngecja e kohës, Fluturimi i ëndrrave, etj. Të gjithë këta tituj të librit: ” Nga letërkëmbimi me një fantazmë”, dëshmojnë se kemi të bëjmë me një poezi në lëvizje të vazhdueshme. Nocioni kohor është mëse i pranishëm në formën realiste, i drejtpërdrejtë, apo surrealist nëpërmjet figurave dhe fantazisë së tij që disaherë shkrihen dhe bëhen një me krejt lëndën letrare, në formën e një “fluturimi ëndrre”, “pejsazhi këmbësh” apo “letërkëmbimi me një fantazmë”. Në njëfarë mënyre, gjatë leximit të librave të Andit m’u përkujtua se figura e poetit (megjithëse jetojmë kohët moderne të veshura me trajtat mbinjerëzore sipas Niçes) nuk është aspak një qënie profetike. Pa harruar të citoj gjithashtu edhe vetë dëshminë e më të spikaturit poet modern të letrave shqipe zotin Sabri Hamiti ku thotë se: “Poetët nuk janë profetë”! Por thjesht qënie humane, individë në kërkim të vetvetes që të lejojnë më tej nëpërmjet këtyre rrugëve artistike (kërkuese) hapjen e portave dhe të mundësive në raport me botëkuptimin artistik dhe shoqëror.
3-Andi ka ende rrugë të gjatë e të vështirë drejt profesionalizmit poetik, por ai ka dëshmuar kurajo profesionale për një poezi të sinqertë dhe kjo nuk është pak. Më bënë si lexues të shoh dhe besoj në të ardhmen e vargut të tij. Larg klikave të vjetra dhe mashtrimit të rutinave të ish realizmit socialist që ende sot dominojnë trevën e troferave artistike shqiptare, duke mos i lënë rrugë talenteve të reja, atyre talenteve të reja që ashtu si Andi mbartin sot “rrugica ende të padëshmuara poetike mbi shpinën e çantës së mundimshme artistike”.
“Qyteti Fle Në Xhepin Tim” titullohet libri i tij i ri që ma besoi miqësisht për lexim para pak kohe dhe ende në ankth pret dritën e botimit. Vetë ai, diku në një përpjekje në formën e një eseje shkruan: “Duhet një mendësi e re, një kohë tjetër po rrjedh në trupat tanë”. Unë besoj se është me të vërtetë kështu. Këtë fakt e dëshmon më së miri edhe poezia e Andit.

Cap Code, Shkurt 2005

MENDIME PËR LIBRIN POETIK TË FLURANS ILIA -FLURKËS-
“Zogjtë Qiellit i Mungojnë Në Veri”

(dhe për ciklin e tij të ri poetik)

cropped-andi-06.06.2019.jpg

nga ANDI MEÇAJ

Kur shfleton librin poetik të Flurans Ilisë apo siç është vetpagëzuar artistikisht Flurkës: “Zogjtë Qiellit i Mungojnë Në Veri”, (botimet Eugen), të bën përshtypje vargëzimi lirik, tepër i ndjeshëm, ndihet frymëmarrja e jetës urbane, dashuria, njeriu, vitrinat, vajzat e bukura metropolitane, ikja, rikthimi, trishtimi, mërgimi, Europa me kryeqytetet e qytetet e saj, Kanadaja, Amerika, kujtimet drithëruese të rinisë së hershme, peripecitë e saj të kaluara nëpër kufijtë e Greqisë, lufta e përditshme për mbijetesë, por mbi të gjitha ndjen se shpirti i krijuesit ka vënë syrin e tij të veçantë në kamerën magjike të letërsisë dhe më e rëndësishmja rrugecja e autorit, këndvështrimi i tij, pluhuri mbi kujtimet fshihet, duke na i shfaqur ato, me vargje tepër të ndjeshme e harmonike, që duke i futur bukur në poezinë e tij i bën më të perceptueshme imazhet, më të afërta me lexuesin, duket sikur ato që ka ndierë Flurka, i ndiejmë sëbashku. Ndër poezitë më të spikatura përmend:
poezinë: “Në Suth Orange (New Jersey)” (fragment)
/Trishtimi si fytyrë ka, /gjuhën e stërzgjatur të linjave të drurit /mbi parket…. /shpirti i mërgimtarit përpëlitet, /si një zogth mbi gjethnajën /e ngjyrave vjeshtore të qilimit tim. /Shtëpia ime si portokalle, /e varur në erë, i bën shenja jetës, /atje… përtej oqeanit, /ku një zjarr i ndezur /prej vitesh ka ngelur…/
poezinë: “Kur Frymëzimi Vjen” (fragment)
/Kur frymëzimi vjen /të tjerët marrin zemrën time /për një taksi, /me të udhëtojnë në rrugët me dritë /të imazhit tim… /
poezinë: “Tango” (fragment)
/Tango është një kërcell trëndafili /Ndër dhëmbët e tu sinjorita! /Gotë e thyer me verë të kuqe /Shpërndarë në qindra copëza qelqesh…/
Si dhe poezitë: “Këtë Natë Dua Ta Pi Detin”, “Kalimthi Në Venecia”, “Me Një Trëndafil Fjalësh Në Gojë”, “O Njeri i Lirë!”, “Përmes Qerpikësh Si Hala Drite”, etj.
Poeti Ilia, apo Flurka, është një poet shëtitës, që sjell me vete ndjenja, imazhe e lëvizje të njerëzve të largët, ai ikën të njoh vetveten e të kuptojë botën që e rrethon, atje ku ndihet njeri i lirë e ku shpirti i këndon. Ndërsa lexoja poezitë e librave të mëparshëm, por sidomos ciklin e tij të ri poetik me 13 poezi të pabotuara ndonjëherë, që Flurka m’i besoi t’i lexoja unë i pari, m’u duk se isha në një nga filmat e regjizorit të famshëm ballkanas Emir Kusturicës, “Underground”, pasi poezitë e këtij cikli janë shkruar nëpër faqe blloqesh qysh kur poeti ishte emigrant në Greqi dhe pas disa vjetësh ai papritur shfaqet në Amerikë (ku jeton tani) duke i gërshetuar apo i ngatërruar kohët, diku na shfaqet Ballkani i tejngjeshur me lloj lloj racash, që edhe qiellin e kanë me qira, atë turli kulturash që ndërthuren në kohë e hapësirë duke i pikturuar si një vizion, diku tjetër na shfaqet New Jorku me shumëkatëshet e tij të ftohta, me njerëzit e vetmuar të metropoleve, ku autori i ndërthur aq bukur e mjeshtërisht me mitet e legjendat ballkanike, nga ky cikël përmend
poezinë: “Koha në 0 (zero) absolute, për Luis Borghes” (fragment)
/… Orët e paralizuara në New York /presin kthimin tim! /Lajmëtar të puthjes. /Lajmëtar të vdekjes. /Kostandini përmbi kalë. /Kalorës lajmëtar…/
Frymëzimi i Flurkës kulmet e saj i ka te poezi e tij lirike, atje ai i futet më në brendësi estetikës së vargut:
nga poezia: “Nostalgji përpara nji vitrine” (fragment)
/…I palëvizshëm qëndron qielli /Që krejt nji jetë i ka munguar /Syve të kukullave…/

Athinë 18.03.2006

(Botuar në “Gazeta e Athinës”, shtator 2006)

POEZI QË DËSHMON DALËNGADALË PJEKURINË

(SHËNIME RRETH VËLLIMIT POETIK “NGA LETËRKËMBIMI ME NJË FANTAZMË” I ANDI MEÇAJT)

Stefan Martiko.JPG

nga STEFAN MARTIKO

Kam në dorë librin e tretë poetik të Andi Meçajt. Një libërth me rreth 40 poezi, pak më shumë se ç’është sot në modë të botohen poetët modernë bashkëkohorë. Vë re me kënaqësi se poezia zhvillohet e qetë e pa zhurmë, me tone të përmbajtur për të dëshmuar se ajo po e prek thellësinë, thellësinë e vërtetë prej nga vijnë ato vibrime mbresëlënëse. Me ciklin e poezive të Tablove, Peisazh këmbësh dhe Letërkëmbimi me një fantazmë Andi Meçaj krijon një arqitekturë poetike të vetën, ndan përfytyrimin në pjesë dhe pastaj e bashkon të tërën me një mesazh poetik që tregon një seriozitet në rritje, një përkushtim që të bind se ky hap është nisur për larg. Poezia e Andit ruan plot enigma të tjera dhe e fton lexuesin të zhytet thellë ende pa i veshur mirë pajisjet e zhytësit dhe ndoshta duke harruar të marrë me vete dhe bombolën e oksigjenit. Më vjen mirë që në këtë klimë poetike të një gare të fortë po zhvillohen tre talente njëherësh: Armela Hysi, Andi dhe Algert Siqeca. Andi midis tyre është kaq i kursyer në fjalë dhe duke buzëqeshur pak pohon të vërteta serioze. Është poezi që kërkon vëmendje jo thjesht për ta studjuar e përftuar kënaqësi estetike, por pse jeta atje është tepër e konçentruar dhe të bën përshtypje mënyra si mjetet artistike ndihmojnë idenë për t’u përftuar intelektualisht një rezonancë e bashkëkohësisë. Studiuesit e letërsisë kanë detyra të tjera për ta parë këtë poezi dhe gjithçka tjetër shkruhet sot në një kuadër më të gjërë interesash estetike, gjuhësore, shoqërore e më tej. Andi Meçaj përmes toneve të ulët të ligjërimit poetik përcjell një urtësi që dikujt mund t’i duket e parakohshme. Ai është duke u rritur shpejt dhe unë me këtë nxitim kam nënvizuar mjaft poezi në bllok ose pjesë, lëvizje nëntokësore të masave të thella. Në sipërfaqe ne kemi të drejtën të shohim vetëm shpërthimin e asaj pranvere që është përgatitur nën tokë prej tre stinëve të tjera. Por edhe më me vlerë do të ishte pohimi tjetër se Andi Meçaj nuk është thjesht hije nën poezinë, tashmë pronë e letërsisë shqipe të të atit të vet Hiqmet Meçaj. Ai është diçka më shumë, siguri dhe qartësi, përgjegjësi për vlerat, detyrim ndaj një misioni të vështirë. Ja pse unë nuk guxoj më ta quaj Andin një poet të ri ose një talent dhe aq. Shumë poezi si Jepuni të pijnë, Peisazh nate, Vetmia e vdekjes së gjetheve, Më kalëron koha, Pasqyra e të tjera përbëjnë pjesën më të shëndetshme poetike, ku dallohen mirë stili dhe prirjet e autorit drejt një poezie moderne bashkëkohore. Ne nuk i dimë ku i ka ajo rrënjët, por është aq sa shqiptare aq edhe botërore. Ndoshta datojnë që nga Remboja, nga Apolineri, te Elioti, jehona të poezisë kadarejane, por në fund të fundit unë e shoh atë si një degë të fortë të këtij trungu.

(botuar në “Gazeta e Athinës”)

KAPJA ROB E SENDEVE

(Shënime rreth vëllimit poetik “Qyteti flë në xhepin tim” të Andi Meçajt, marrë nga revista “JON”-Athinë, numri 1, 2006)

OLYMPUS DIGITAL CAMERA
nga STEFAN MARTIKO

Personifikimi i materies është shenja më dalluese e poezisë së Andi Meçajt. Duke mos i mjaftuar bota jonë e gjallë, e cila tashmë duket se e thotë gjithshka për të vdekur herët, bota tjetër që na rrethon, bota e sendeve, por edhe ajo e një rrethimi tjetër më të kapshëm, siç është natyra, tani janë një marrëdhënie krejt të re me njeriun. Ky ndërrim rolesh të sendeve me njerëzit sikur kërkon të shtojë përmasat e botës, të zgjohen të vdekurit dhe të ndodhë gjithshka tjetër që i duhet kësaj bote, e cila po e konsumon shumë shpejt veten, për shkak të mbipopullimit. Pra, pamjaftueshmëria ka nxjerrë nevojën e rindërtimit të marrëdhënieve, si një mundësi për ta bërë atë më interesante, më të jetueshme, duke e zhveshur nga sfondet e tepërt, për të vënë në veprim imagjinatën. Jo thjesht në shërbim të realitetit, por si një superrealitet, domethënë një realitet të ri, i cili është po kaq argëtues si realiteti bazë ose mëmë. Pra sfondi gati zhduket dhe futen në veprim mekanizma të tjerë të botës. Ajo po rinovohet, duke u përftuar prej postulatave të rinj. Një mënyrë e tillë e ligjërimit poetik ngjall natyrshëm diskutime. Po ta shohësh në proçes kupton se ajo mëvetësohet si një pasuri mjetesh e shprehjesh artistike, në tërë kahjen e ecurisë së poezisë në ditët e sotme. Poezia shqipe, e cila shoqërohet me prurjet e saj të zhvillimit, i sugjeron çdo kritiku apo studiuesi të mprehë më mirë shqisat e përgjimit dhe të zotërojë më shumë mekanizma shkencore, për shqyrtimin sa më skurpuloz të saj. Unë nuk po them se poezia e Andi Meçajt i ka siguruar tërë përmasat dhe është e kryer plotësisht si e tillë. Veçse ajo tregon kahjen e drejtë të zhvillimit. Parë në këtë perspektivë, ajo është aty ku duhet të jetë, ku gjendet sot në përgjithësi poezia: në një kahje kërkimi dhe eksperimenti të pandalshëm. Po ta vrojtosh si të tillë, poezia e Andi Meçajt, siç vura në dukje dhe në fillim, nuk e shteron kurrë vetveten. Duke hapur një dritare tej horizontit, dritare të tjera janë gati për t’u hapur. Ndodh një proçes zhvillimi duke i sendërtuar idetë, ato e ndihmojnë njeriun të njohë më mirë thellësitë e veta. Duket se në këtë rrugë janë edhe të tjerë të rinj, si Armela Hysi apo Dritan Mesuli. Besoj se poezia e tyre (nëse do të ecë normalisht me këtë ritëm) do të sjellë edhe vlera më të qënësishme. Meqënëse flasim për poezinë shqipe këtu në emigracion, është mirë që të zbulojmë dhe të vëmë në dukje këto prirje. Kujtdo i dhemb vetja në anonimatin e vet i rrethuar. Dhe unë mendoj se pjesa më e shëndoshë e krijimtarisë sonë këtu është e tillë, e braktisur dhe e dënuar me heshtje, pa kumborën e saj që ta ruajë prej harresës. Kur flasim për më të rinjtë problemi bëhet edhe më i mprehtë. Trishtohem kur shoh sa shumë zgjatet heshtja. Poezia e Andit më zgjoi edhe një herë, për të m’u bërë kujtesë, kërkesë urgjente për veprim dhe për një konsensus më të gjërë, ku ashtu siç duhet ta pranojmë, duhet edhe ta përjashtojmë letërsinë e mirë ose të keqe. Nuk ka rrugë më të mirë se ajo e ndezjes së debatit të sinqertë letrar. Ndoshta për këtë do ndihmonte edhe çelja e rubrikave të posaçme në shtyp por edhe gjallërimi i mendimit kritik dhe estetik brenda radhëve tona.

Athinë, 02.06.2006

MEDITIME PËR POEZINË E STEFAN MARTIKOS

cropped-andi-06.06.2019.jpg

nga ANDI MEÇAJ

Poezia e Martikos është një pasqyrë e ndjenjave njerëzore, e mikrogjërave të shpirtit, ajo përftohet jo si një e tërë, por e grimcëzuar në mijëra ndijime e pasione që shpërthejnë nga ekzistenca e ndërgjegjies, apo nga mohimi i saj. Bota poetike e tij ka një karakter të theksuar depërtimi në mikrokozmosin e sendeve dhe të frymorëve, kjo e bën poezinë e Martikos të dallueshme, duke i dhënë asaj një veçanësi dhe veçori të admirueshme nga ana estetike. Këto ndihen më së miri në librin poetik: “Heshtat e barit” (botimet “Argeta LMG”), në të cilin çdo poezi përbën një histori më vete. Ndër poezitë më të spikatura të këtij libri përmend:
poezinë “Luanët, Ata Barbarët” (fragment)
/Çfarë barbarësh ata luanët /e shqyen zebrën /e gëlltitën edhe dhimbjen e saj /derisa ajo s’kishte më dhimbje…/
poezinë “Kafshët Në Shtëpinë Time” (fragment)
———————————-
…/Industria funksionon mirë /dhe taksë nuk paguan /Një qen një centimetër deri në përmasa natyrale /Unë s’di me kë të luftoj /pylli tërë banditët dërgoi në shtëpinë time / Them mos janë bërë si shumë /dhe pse e lashë portën hapur?
dhe poezitë e tjera: “Dhjetë Mënyrat Për T’u Parë Në Pasqyrë”, “Ura Në Valixhe”, “Dashuri Në Stilin E Shekullit Xv”, “Paqja Është e Fushave”, “Brenda Kornizës”, etj.

Në librin tjetër poetik: “Ti Mungon Që Prej Evës”, (botimet “Alcaeus), ndihet sërish radiografia e shpirtit, shpirtëzimi i ndjenjave. Mikrokozmosi i tij, këtu merr ngjyrime më lirike. Vargu i Martikos është i qartë, pa figura në shërbim të figurës, ka pikturë brenda kontureve vizuale, është herë herë i ngjeshur dhe i zhdërvjelltë, herë herë i kursyer dhe i qetë. Ndër poezitë më të spikatura të këtij vëllimi veçoj:
poezinë “Në Mbrëmjen Lirike” (fragment)
———————————-
… /Hynin në tokën e hapur /por jo në varre /Dhe kaq të brishtë, të tejdukshëm /si në një radiografi valësh me lazer /të holluar si letër cigareje /nga pëshpërima e tingujve /dhe gjysmerrësira /sa mund t’i merrje në duar dhe t’i çoje /këta skeletë të flinin/
poezinë “Njëzet e Tre Shekuj” (fragment)
———————————-
…/Kur kuptova se sa pak akoma do të jetoja /dhe sa shpejt do të vdisja /Isha bërë papritur /një filiz me dëshira /për të çelur tërë kohët /tek unë të munguara./
dhe poezitë e tjera: “Ajo Më Tha”, “Kur Do Të Bjerë Ura”, “Qeni Moralist”, “Nxitoj Me Një Kockë Nëpër Dhëmbë”, “Pothuaj Pashqitshëm”, etj

Athinë 20.07.2006

Mbresa nga libri: “NGA LETËRKËMBIMI
ME NJË FANTAZMË” i ANDI MEÇAJT

Xhevat Latifi

nga XHEVAT LATIFI

MË KALURON KOHA

E po koha na kaluron tinëzisht minutat e jetës sonë gjerë në thinja të hirta. E ka një varg poeti madh Azem Shkreli “Shkuan me plisa të bardhë…” e mërgimtarët kthehen të bardhë… Pa i dhënë ndonjë piketim të veqantë jetës së poetit Andi Meçaj prej mërgimtari, kjo qëllimishtë na vie si mbresë në një nga poezitë e tia “Më kaluron koha”… jam këtu sonte e nesër s’di se ku… Andit si autobuzit jeshil i kërcasin gjymtyrët… (Endërra) drejt të pafundmes atje nga ishin nisur poetët që nga koha e Homerit dhe vazhdojnë të shkojnë, përmes fuqisë së vargut… Poetët gjithmonë arrijnë atje ku duan… Por çfarë e bënë poetin të thejë pasqyrën e kristaltë, ku “bishë pasqyrohej njeriu” … letrat, letrat jan deti i dhembjes së poetëve ku ngriten ëndrrat e tërbimit për letrat e rrathëve të Dantes…
E hënë poetit ”së rrahuri do të shkelmohet zemra … E martë “tringëllima e monedhave në duart e lypësit quhet muzikë moderne…” Letra e së mërkurës “roje u bëj kujtimeve dhe qeshjeve së syve … E enjte, “Zëri nuk ditka të këndoj këtu” Të premten “Do të vij të më robërojë”, E shtunja e poetit jep përfundimishtë tabloidin e shtatë ditëve që e kanë ndjekur autorin:

Sa dua t’ju prek,
T’ju ndiej.
Ju pashë dje, dhe sot,
nesër patjetër do ju shoh.

Do ju dua më shumë
se njerëzit.

Vëllimi poetik “Nga letërkëmbimi me një fantazmë” me autor Andi Meçaj, me një gjuhë të pastër ku simbolet dhe figurat stilistike mbërthejnë përditshmërinë. Janë vargje të dashurisë që ka poeti për jetën dhe njerëzoren e cila sado me një emër të trishtë “fantazmë-a” shpesh herë na del më e mirë se përditshmëria… poetët vazhdojnë ta duan jetën sepse përfundimisht nuk janë vetëm sistemues vargjesh… Gërryeni më thellë në vargjet e tyre dhe do gjeni djersën dhe gjakimin e tyre për një varg … Këtë mund fare lehtë ta gjeni edhe te Andi Meçaj …

Gjilan, 15 shkurt 2005

ANDI MEÇAJ, VËLLIMI I DYTË POETIK

(për librin e ri: “Tokë e bekuar”, Toja 2002)

Robert Goro.jpg
nga ROBERT GORO

Pas vëllimit “Puthje ujore”, poeti i ri Andi Meçaj paraqitet para publikut me librin e dytë, “Tokë e bekuar”. Një përmbledhje poetike më modeste se e para për nga paraqitja, por shumë më e plotë për nga përmbajtja. Mendimi poetik i Andi Meçajt shquhet në vëllimin e ri më i formuar, do të thoja i kristalizuar, çka përbën dëshminë e eksplorimit aktiv të tij në horën e vështirë të poezisë bashkëkohore. Përjetimet e tij poetike kanë një dozë të madhe ekzistencializmi, në një farë mënyre ato shprehin dramën e përditshme të mërgimtarit, i cili, krahas mundimeve për mbijetesën e tij fizike, vuan e sfilitet për mbijetesën shpirtërore. Njeriu, në momente të caktuara ka nevojë emergjente për një prehje absolute dhe Andi Meçajt këtë prehje duket se ia ofron jastëku i poezisë së tij.
“Tokë e bekuar” është një libër që nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes së “dekanëve të kritikës letrare” këtu në emigracion e më tej.

Athinë, 24.01.2003

(Botuar në “Gazeta e Athinës”, janar 2003)

GENE POETËSH

(Rreth vëllimeve poetike “Vetëvrasja e qirinjve”të Hiqmet Meçajt dhe “Puthje ujore” Andi Meçajt )

Mihallaq-Qilleri.jpg

nga MIHALLAQ QILLERI

Dëshira e fëmijëve për t’u ngjarë prindërve dhe e prindërve për t’i bërë fëmijtë si vetja shpesh përfundon me zhgënjime të dhimbshme. Ne harrojmë se fëmijtë tanë lindin me gene të trashëguara nga kushedi ç’brezni dhe shfytyrohemi kur ata zhvillojnë karaktere të tjera. Por në rastin e poetit Hiqmet Meçaj dhe të të birit, Andit, vihet re një ngjashmëri e mrekullueshme genesh, së paku në poezi, megjithëse si tipa, madje edhe si mendime ata mund të jenë të ndryshëm. Duke lexuar vëllimin e pestë të babait dhe të parin të birit, bie në sy se magjia e fjalës së bukur, mendimi se udhëve të jetës dhe përpara botës mund të dalësh me mendimet e tua, janë cilësi të këtyre dy njerëzve që jetojnë nën një kulm.
Por le t’i marrim gjërat me radhë…

Hiqmet Meçaj erdhi në Greqi si qindramijëra shqiptarë të tjerë, por edhe si i “deleguar” i poezisë më të mirë të vendit të tij. Përfaqësues i një brezi poetësh e prozatorësh të vërtetë, ai spikati me talentin e tij qysh në vitet ’60 kur ishte ende student. Më pas, në qytetin e Vlorës, ai u bë një nga intelektualët më me zë atje dhe krijimtaria e tij poetike, por edhe dramaturgjike, rezonoi në të gjithë vendin. Një heshtje gati prej 13 vjetësh, për shkaqe që tanimë dihen, por sidomos me ndryshimet dramatike në fushën e botimeve, ai paraqitet para lexuesve të vet me vëllimin e ri “Vetëvrasja e qirinjve”. Që në fillim më duhet të pohoj se është një kënaqësi për lexuesit të ketë në dorë një libër me poezi të vërteta, pas shumë botimeve folklorike, por edhe tentativave zhurmëmëdha për modernizëm anakronik që kemi parë të shiten lokaleve gjithë tym ku pinë kafe të lira shqiptarët emigrantë. “Vetëvrasja e qirinjve”, është jo vetëm një vlerë kombëtare në letërsi, por po të lexohet me kujdes, faqeve të tij do të ndjenjë gjithë diagramën e tentativave novatore të viteve të fundit.
Afro 30 vite më parë e mirënjohura revista “Hosteni”, botonte një karikaturë ku tregonte një poet klasik ( D.Agolli) dhe një poet modern, (I.Kadare), që dyluftonin për “nderin” e poezisë. Autori i karikaturës nuk tregonte se kush “vdiste” në këtë duel. Vitet kaluan dhe ja tani, brenda të njëjtit vëllim të H. Meçajt zhvillohet pikërisht ky duel në krijimtarinë e tij. Nuk e di në se ka një domethënie lënia e poezive “klasike” në fund të librit, apo nga që ato mund të jenë shkruar vite më parë dhe tani vlerën e re poeti e shikon në krijimtarinë më të fundit. Por, sido që të ketë qënë mendimi i tij, lexuesi e ndjen se poeti është një krijues shqiptar dhe jo çdokush. Ndarja e vëllimit të libra krijon një simetri gjendjesh dhe mendimesh, madje edhe përpjekjesh për të gjetur një mënyrë të re krijimi. Nga libri “Absurdi”, të mbetet në mendje tentativa për të lidhur një gjendje të caktuar shpirtërore në shumë poezi duke krijuar kështu mozaikun e një romani mendimesh. Duke e quajtur vargun më të mbramë të poezisë së fundit si titull për vjershën tjetër poeti synon të mos e shkëpusi atë zinxhir mendimesh filozofike që ndjen se rrinë brenda tij edhe sepse kalojnë shumë vjetë. Ndonëse poezitë janë të fjalës së fundit, siç do të shprehej një tregtar, ato nuk gërvishtin, nuk spekullojnë me shkëlqim fjalësh të rreme, madje as kur tentohet të krijohet një “funeral i kaltër”, “dallgësh të vyshkura” e individi ka nevojë që “hënën valium të pi”. Në librin “Anonimë”, “ku përplasen dy qiej”, poezitë bëhen më të afërta, më të ngrohta, ndonëse vazhdon ai arsyetim filozofik i trishtimit të botës me një dhimbje që, gjithsesi, nuk të ndahet nga kjo dreq jetë aq e vrazhdët. Sepse koha rrjedh, – a nuk rridhte kur qenë egërsirat, -pyet poeti për të dhënë imazhin e një epoke që është mbyllur me aq shumë dhimbje. Sepse, -shënon përsëri Meçaj i Madh, -duhet lënë të rrjedh harresa e bukur, ku ka pikëllim sepse diku është njeriu, i bukur ndonëse ia hëngri udha ëndrrat.
Kjo dhimbje transferohet ndryshe në librin tjetër “Mikrobotizëm”, për t’u bërë tragjike tek “Vetëvrasja e qirinjve”, që është simbolika e humbjes së një brezi të tërë krijuesish të talentuar. Megjithatë shumë prej tyre e kishin tanimë Olimpin, pavarësisht se aty kishin mbërritur rrobandotur e të uritur. Por me që autori pretendon se i takon rrymës së mikrobotizmit do të dëshiroja t’i sugjeroja se kornizat e kësaj “lëvizjeje”, në mund ta quajmë kështu, janë ende të paqarta sepse ato enden nëpër një teren të pasigurtë. Që poezitë “Brekët”, “E puthura” dhe “Qurre të vjetra”, i përkasin asaj mikrobote që ndonëse është brenda njeriut, nuk janë produkte të letërsisë, siç nuk janë prodhime ujërat e ndotura që dalin nga një fabrikë lulesh artificiale. Megjithë tentativën për t’u dhënë produkteve të tilla një vlerë morale, madje edhe filozofike, kam mendimin se ato janë thjesht apendise të qënies. Poezia është shprehja më e bukur e filozofisë së ndjenjave njerëzore dhe banalitetet nuk besoj se bëjnë pjesë në të. Por autori edhe brenda këtij libri, edhe brenda kësaj, mikrobote, ka fuqinë e vargut të vet të konsoliduar dhe atje ku të trishton ideja, të tërheq fjala.
Për fat të mirë lexuesin e vëmendshëm e shpëton nga ankthi libri “Ballkani fytyrën e humb” dhe poezia me të njëjtin titull të drithëron. Mikrobotizmi qënkish një trill poetësh, mendon pas pak. Shyqyr, shpëtuam! Në “Mungesën tonë në dy gishta”, Hiqmet Meçaj është jo vetëm një poet i lindur, por edhe një intelektual klasi që analizën e viteve të tranzicionit shqiptar e bën si rrallë kush, pa ripërsërritjen tragjike të idhtarëve të luftës së klasave që ia hodhën atë shoqërisë shqiptare mbi shpinë kur ajo qe plagosur keqaz. “Na lini të ecim pa peshë mbi kurriz/ Na lodhi boll udha.., kërkon poeti duke stigmatizuar pinguinët e djeshëm politikë që sot kapardisen shkretëtirës shqiptare. Ka një dhimbje në këtë poezi sa të marrin lotët. Dhe tragjedia e ikjes në realitetin e një bote tjetër të tmerron me vjershën “Protokolle, shkallë, ashensorë”. Ka vdekur mikrobotizmi i vet Hiqmet Meçajt, sepse “mijëvjeçari ngjyra të vjetra hedh”, “e trotuari asgjëkund nuk të çon”. Ajo që të bën të ndihesh mirë duke lexuar faqet e këtij libri është se poezia jo vetëm të trazon shpirtin me mendimet “si të tuat”, jo vetëm se evolimi i saj drejt filozofisë vjen nga baza e saj e stërvjetër, jo vetëm se fjala është tejet e bukur, por morali i moralit të krijimit është gjithsesi i sinqertë. Nuk bërtet njeri në këtë produkt njerëzor që quhet libër, nuk ka tentativa për spekulime me atë që bota e quan poezi… “Tek një shkallë”, apo eseniania “Hapur si fletore”, janë ajo lidhje e brendshme që poeti bën me veten e tij duke dashur të bashkoj vitet që e ndajnë nga vëllimet e para. Përgatitemi kështu për të hyrë në librin e fundit “Nostalgji” për të ritakuar poetin kur ishte i ri. Vet titulli i kësaj pjese të fundit të vëllimit. të lë të kuptosh se ajo e kaluar ka ikur tashmë bashkë me kohën kur e lindi, dhe se synimet letrarë të tij janë të tjera. Por nostalgjia që ndjen lexuesi i brezit tonë për këtë poezi vështirë se largohet me eksperimente budistësh…
Këtu takohet Hiqmeti me të birin poet, Andin. Takohen si moshë, por krejt ndryshe nga stili.

Andi Meçaj ka një vizion krejt më gjakftohtë për jetën nga “makrobotizmi” internacionalist të Hiqmetit të ri. Ai ka filluar të shkruaj atje ku i ati po mbaron eksperimentet e tij. Ne nuk e dimë në se do të nostalgojë ndonjëherë për Eseninin, por bota për të është më e ndërlikuar se aq. Te “Angushi mbytëse”, ai të drithëron me imazhin e një bote krimi e me erë kufomash që mund të mos ketë mëshirë për ne, -thotë poeti i ri, -në se urrejtjen e lëmë të lirë. Shqetësimet e një brezi, që ndonëse në dukje i ka duart e lira, tronditjet e botës i shohin më qartë se brezi i poetëve si i ati, Hiqmeti, prandaj edhe flasin më shumë për të këqijat e kësaj bote. Bie në sy, veç, një vizatim i shpejt i këtyre vizioneve, pa u hyrë në thellësi të shkaqeve, aq sa gjithë barrën për këtë ua kanë lënë të tjerëve. Poezitë e Andit janë si refleksione që sa cikin sipërfaqen e dramave njerëzore dhe ai niset për diku gjetkë i shkujdesur duke e lënë pas vuajtjen e një çasti më parë. Kjo mënyrë të konceptuari e çliron poezinë nga stërhollimet, por njëkohësisht e lë atë pa peshën e nevojshme duke humbur pakëz nga graviteti.
Në poezinë e Meçes së Ri ka, ka megjithatë, më shumë shqetësime për kohën se sa do të ndjente vërtetë brezi i tij jo si poet, por si qytetar. Kjo të jep shpresën të besosh se depërtimi në dramat e mëdha do të jetë një kërkim i vazhdueshëm. Të vazhdueshëm do të jenë edhe eksperimentimet me stilin i cili tani vërtetë ka luhatje të ndjeshme, por ai të ngazëllen me indinjatën poetike. Në disa poezi ndihet piktori dhe vizatime të tilla pejsazhore janë vetëm skica poetike. Te të tjerat si “Qëndro”, “Racizëm”, “Po të duan”, janë pesha që poeti i ri i ngre megjithë moshën e re e supet ende të njoma. Në një grup tjetër poezish ai “shket” vetiu në atë mënyrë të shkruari që të kujton Hiqmetin e ri, por pa kujdesin pedant të rimave e ritmeve teorike. Dashuria, siç është e natyrshme, është strumbullari i gjithë krijimtarisë poetike të këtij libri. Ajo si koncept e ndjenjë bën vazhdimisht gërnjë me moralin, por edhe me vetë njeriun. Shpëtimi nuk duket në horizont sepse njerëzit janë aq ndryshëm dhe po aq të ngjashëm… Vjershërohet kështu më shumë me konceptin se sa me idenë. Filozofia vjen e ikën si një copë mjegull që tretet. Natyrisht ka edhe vjersha që mund të punoheshin, apo të mos përfshiheshin fare në këtë vëllim, sepse ato i bëjnë retorikë njera-tjetrës. Pastaj prozaizmi një egjër i zakonshëm në grurin letrar të të rinjve do të kishte nevojën e një dore mjeshtëri siç është Hiqmeti. Nuk e di se si janë zhvilluar konsultimet, por me të rinjtë e sotëm vështirë se merresh vesh gjithmonë, sidomos kur në “Kokën ngremë të mos duam”… “të varur na duan përjetë”, protesta duket sheshit. Kështu vjen rasti dhe shkruajnë vargje të tilla si “nëpër sheshësinë rrethore të veshëve”… (poezia “Të gjitha sheshohen”) të cilat lehtësisht mund të shmangeshin.
Por të bën përshtypje që poeti i ri bën kujdes për të shkruar jo vetëm me një gjuhë të saktë, por të rikrijojë fjalë e bashkime fjalësh që i japin poezisë së tij fluiditet dhe autoritet njëherësh. Duke lexuar fjalë të tilla si shtëpijohem, ndjekësor, shpirtqiell. durimsakatosur, gazrritur, vendfshehta, etj, ndjen përgjegjësinë me të cilën Andi Meçja përgatitet të hyjë në fushë të krijimtarisë letrare, (sepse ai është edhe prozator), me seriozitet dhe kjo është shfaqja e parë e njeriut kërkues.

Duke përfunduar këto shënime, për të cilat autorët, por edhe lexuesit mund të kenë edhe kundërshti, ndoshta nuk thashë gjithçka për këto dy libra të bukur sikundër nuk mund t’u gjesh fundin puseve që burojnë vazhdimisht. Megjithatë gjej rastin t’u uroj nga zemra miqve të mi libra akoma më të bukur në të ardhmen!

Athinë, 30.03.2001

(Botuar në “Gazeta e Athinës”, mars 2001)

TRE ASPEKTET E POEZISË SË ANDI MEÇAJT

FatmirTerziu

nga FATMIR TERZIU

Aspektet gjeografike janë cilësuar module ushqyese në poezi. Këtë në gjuhën e De Luze e kuptojmë si një hapësirë që lidhet me tendencën njerëzore të përshtatshmërisë me natyrën. Këtë tendencë e gjejmë edhe tek poezitë e shumta të Andi Meçajt. Por në poezinë e tij “Qyteti” moduli ushqyes tingëllon ndjeshëm. Meçaj, që në poezinë e tij, e realizon këtë përshtatshmëri me asonancën, tingëllimin e harmonishëm e shohim kuptueshëm: “Dalin tre zonjusha/nga toka,/tre fantazma/zbresin nën det,/kafshët/njollosen gjak,/bërtasin/me zëra fëmijësh,…”. Andi i sheh këto bashkëtingëllime si një arsye ndërlidhëse mendimesh që formojnë hapësirën. Për të duket qartë se një parim organizues është përsëritja e tingujve brenda njësisë poetike, vargut, njësisë kompozicionale, strofës dhe në të shumtën e rasteve në tërë poezinë e tij. Edhe pse ne mund ti quajmë figura të përsëritjes, nga roli që ata luajnë në poezinë e Meçajt, japin një tendencë të lehtëlidhëshme mes idesë së tij dhe pamjeve imagjinare të realitetit ndodhës dhe rrethues që krijohen nga mbartja e mendimeve të tij.
Por në poezinë e Meçajt, përsëritja tingullore nuk është qëllim në vetvete. Në aspektin gjuhësor të poezisë së tij fjala përsëritet duke e marrë atë ashtu siç është në pozicionin e parë, dhe duke e vendosur në një pozicion të ri. Tek Meçaj kjo lloj përsëritje është në më të shumtën e rasteve me ndryshim të pjesshëm, me ngjashmëri dhe me kundërvënie. Dhe ajo që bie në sy është ndoshta një mangësi e spikatur rastësisht se nga ana kuptimore përsëritjet nuk shprehin të njëjtën gjë, për shkak të lidhjeve të reja në të cilat vendosen, ose të kontekstit që u jep një kuptim të ri përpos vlerave që Meçaj i jep vargut të tij si një pjesë e domosdoshme në këtë poezi: “…thikat/kullojnë duar,/bien erë parfum,/parfum/veshur peliçe,/dhe zëra/foshnjash/që ulurijnë/bukur.”
Një kontrast tjetër sjell Meçaj tek “GJURMË NË BRAKTISJE”. Onomatopeja, që vjen nga greqishtja onoma – emër, poeme – bëj – krijoj, shihet si një figurë e realizuar qartë dhe në rolin e duhur. Duke qenë një poet që zhbiron natyrën edhe “zhurma” e imitimit që ka në bazë imitimin e këtyre zhurmave të natyrës dhe të qenieve të gjalla është një model në poezinë e tij: “Në këtë rrugë ka gjurmë hapash,/disa të vogla, të mëdha,/disa gjysma, të reja disa./Po t’i ndjekësh do të të shpien te shtëpia/e braktisur në fund të rrugicës./Do të hapësh derën, ose do të hysh me një/të shtyrë brenda, është e kalbur si kujtimet./Do të të mbysë kolla nga pluhuri i harresës,/mos u shqetëso nuk je i sëmurë, mikrobet/i varrosën bashkë me njerëzit./Do të shohësh copëza qelqesh dhe dritare/të shkatërruara nga koha, dikur frynte/dhe i përplaste ato. Do të shohësh/tavolinën këmbëthyer, ndoshta/nga pesha e pjatave ndër vite,…”
Por ajo që e bën më të shëndoshë këtë lloj poezie është epifora, që në të njëjtën gjuhë, pra në gjuhën greke nga e ka edhe origjinën tingëllon si shtesë, një përsëritje në fund të vargjeve. A nuk e realizon këtë Meçaj me mjeshtëri? Ja lexo këto vargje dhe shiko se si shtesat në fund të vargjeve kanë domosdoshmëri të saktë: “…kolltukët e shqyer nga mola,/dërrasat e dyshemesë të shkulura/dhe tavanin e ciflosur nga lagështira./Vazhdo nëpër kuzhinë, pas saj ndodhet/dhoma e gjumit, atje do të shohësh/shtratin e madh, tashmë/përtokë, të gjunjëzuar,/dikur ky oaz dashurie, falte lumturi./Do të shohësh mure të bardhë,/korniza të çrregullta që ekspozojnë fotografi/të zbehta çastesh, dikur kanë qenë frymë brenda/rrobave dhe shpirtrave të tyre./Ec dhe do të shohësh gjurmë, tinguj, tik-tak-un/e orës varur në komodinën e vjetër, dollapin/e teshave, me kostumet dhe fustanet e çngjyrosura,/dikur shkëlqenin më shumë se dielli./Vazhdo të haposh, të lësh gjurmë/në historinë e braktisjes, dikur,/ndoshta dikur edhe ty do të të vizitojë dikush.”

Mendime për librin poetik të Armela Hysit:
“Amazonë Prej Reje”

Armela Hysi
nga ANDI MEÇAJ

Ndërsa lexon librin poetik: “Amazonë Prej Reje” (Toena, 2005), të Armela Hysit, të kaplon një ndjenjë qetësimi, shlodhjeje. Vargu i saj të shtyn papritur drejt një bote haluçinacionesh, përjetime të kujtesës, të viteve të fëmijërisë e adoleshencës, të kthimit të një jete të ëndërruar, por e gjithë kjo tablo poetike nuk kërcet, nuk bëzan me zhurmime e thirrje të kota, ajo ka ngjyrime të buta, zëra të qetë që herë herë ndërthuren mjeshtërisht me makthet e përditshmërisë apo të ëndërrimeve e dëshirave të parealizuara.
Ndër poezitë më të spikatura përmend:
poezinë “Fragment Përpara Se Të Hapej Dera” (fragment)
————————–
Një plakë syzbardhur, /Përgjonte nga hekurat e ballkonit përballë /-Hidhu… Hidhu! Si atëherë. /I bërtiti ajo leshralemeritur /Fantazmës alkolike të së ëmës./
poezinë: “Njeriu i Mirë Që Rriste Kërmijtë” (fragment)
————————–
…/E përfytyroja duke thithur vesën, i zvarritur /Mes të qetave qenieve që adhuronte. /Ndaj rrënqethem sa herë sjell ndër mend /Ndjesinë e zgëlaqes së asaj gjëje të butë /nën shollën e ashpër të këpucës sime. /(Që kurrë s’ia thashë). /
Si dhe poezitë: “Imortum”, “Baulja e Gjyshes”, “Premtimi”, “Një Poezi Me Shumë Numra”, etj.
Poezia e Hysit ka kthjelltësi poetike, ngjyrime vizuale të lakmueshme, figuracioni i saj është herë herë i ngjeshur e me nota surreale, herë herë i kursyer. Një nga veçoritë që e karakterizon vargun e saj është një ndjenjë ankthi që ndihet ndonjëherë i qartë e ndonjëherë i fshehur apo i mjegulluar, kjo e vesh atë me një tis misteri.

Athinë 27.07.2006

POEZI ME FRYMËMARRJE TË GJERË

(Për vëllimin e parë poetik: “Puthje ujore” të Andi Meçajt)

M.Maska.JPG
Nga MYSLIM MASKAJ

Ku ka vërshim ka dhe llum, thotë një fjalë e urtë. Qindra vëllime poetike janë botuar në Shqipëri dhe në emigracion. Natyrisht, unë nuk mund të marr përsipër gjykimin për nivelin e tyre artistik, për faktin e thjeshtë se ky s’është objekt i këtij shkrimi; gjithashtu më mungon informacioni i plotë. Megjithatë, me ata vëllime të paktë poetikë që kam lexuar, pothuaj ngelem i zhgënjyer. (Kjo s’do të thotë që unë jam indikatori). Vihet re një fenomen i çuditshëm: Në pjesë e poetëve të rinj, duke dashur të duken modernë e tepër të thellë (gjenialë), strukturojnë “poezi”, që duhet të kesh përpara një pako me aspirina. Sinqerisht i kam lexuar për të gjykuar veten, ku jam unë në raport me këtë poezi, tashmë të mendimit të lirë, larg skemës fantazmë dhe absurde të Realizmit Socialist.
Ç’ndodh: grumbuj figurash poetike, shpesh herë marramëndje. Akull akademik i tipit klasik, prozaizëm. Vargje tepër të ndërlikuar e të errët, që shpesh i zënë frymën njëri tjetrit. Më duket sikur ngatërrohen lexuesit. Të mos harrojmë, lexuesit të poezisë, nuk i pëlqen të zgjidhi duke u mbyllur si murg me orë të tëra në manastir: ekuacione, limite, derivate, integrale etj, që janë objekt i shkencave të natyrës, d.m.th. i matematikës, fizikës, kimisë, kibernetikës etj. Mashtrimi, imitimi, plagjiatura, ekstravaganca dhe shtirja nuk është art. Artin e bën ai që i qan shpirti për së thelli për njeriun dhe hallin e tij. Poezia e vërtetë, buron natyrshëm, pa zhurmë e sforco. Është jashtëzakonisht e thjeshtë dhe s’ka nevojë për përkthyes…
Ajo trondit edhe të riun edhe bujkun edhe krijuesin dhe akademikun. Poezia mund të shkruhet në varg të lirë, e mund të jetë bejte, mund të shkruhet në varg të rregullt dhe është tepër moderne e bashkëkohore, si dhe e kundërta. Themeli është konceptimi origjinal, fantazia, imazhi që krijon mendimi dhe ideja e re, që i transmeton lexuesit; sigurisht, me mjete dhe forma të reja artistike.

***
Nëqoftëse ti, di të futesh brënda mërzisë dhe marrëzisë time, nëse di të ndërkallesh tek brenga dhe halli im, nëse di të më projektosh shalivars ylberi, ku tundet e përkundet drita, që i duhet njeriut në këtë botë, atëherë unë lexuesi do ta lexoj dhe rilexoj disa herë vjershën tënde, bile edhe me një lexim do më ngelet në mëndje dhe do ua e them edhe të tjerëve si mënçuri. Kjo është poezia që i duhet shpirtit të njeriut. Po s’e bëre këtë, poezia është e destinuar të kalojë në indiferencë ose të harrohet.
Në këtë kontekst, më ka bërë përshtypje të veçantë vëllimi i parë poetik, “Puthje ujore” i poetit të ri të talentuar, Andi Meçaj, i cili në konkursin e organizuar nga “Gazeta e Athinës” dhe klubi” Drita”, u vlerësua me çmimin e parë në tregim.
Poezia e tij është konkrete dhe e gjallë. Në poezitë më të mira që fatmirësisht s’janë të pakta, si një membranë vibruese që të zgjon nga gjumi e të shpjegon ëndrrat, ai di të të fusi nëpër rrugica të ngushta e të pashkelura, të mjegullta e të errta, për të ndezur ndonjë qiri, që të bëj dritë. Sigurisht, poeti s’mund të ndryshojë dot gjëndje, apo rrethana. Detyra e tij si e çdo krijuesi, është të zbulojë dramën e njeriut:

E balsamosën fotografive,
shpirtin, zemrën, trurin,
ia hoqën
asgjë s’i lanë, asgjë
…………………………
Në murin e zhveshur
shpirtin vara.
(nga poezia: “Vajzë e balsamosur”)

Ai sheh diçka, që unë lexuesi e kisha para syve dhe nuk e kisha parë:

Rruga poshtë këmbëve qan,
këmbët ëndrra njerëzish shkelin.
(nga poezia: “Rruga”)

Zbulimi, këndvështrimi dhe konceptimi vetiak i poezisë, është padyshim një nga treguesit themelor të talentit. Duke u nisur pikërisht nga kjo logjikë aksiomë, mund të them me bindje se poeti Andi Meçaj si dhe disa poetë të tjerë të talentuar si poetesha Armela Hysi (fituese e çmimit të parë në poezi në konkursin e organizuar nga klubi “Drita” dhe organi tepër dashamirës për krijuesit, “Gazeta e Athinës”), Petro Papakosta (Elit Jorgji), Dritan Mesuli, Dashamir Malo, Dashnor Selimi, të cilët nëpërmjet tufave me vjersha që u kam lexuar në “Gazetën e Athinës” dhe të vëllimeve të tyre të para poetike, që m’i ka sjell në dorë rastësia, me motivet e tyre të freskët e rinorë, më kanë emocionuar dhe emancipuar. (Të më falin shumë autorë të rinj të talentuar, që s’më është dhënë mundësia t’i njoh). Për këta poetë mund të them me siguri, që janë shkëputur nga grumbulli konglomerat i “poetëve” që përmëndëm në paragrafin e mësipërm.

***
Poeti i dimensioneve gjigande e të rralla artistike, mjeshtri i papërsëritshëm i fjalës në llojin e tij, jo vetëm në poezinë tonë por dhe në atë mbarë europiane, Lasgush Poradeci në një krijim të famshëm liriko-filozofik, thotë ndër të tjera:
“Përjashtësia e përbrëndësisë
Përbrendësia e përjashtësisë” …
E përmënda këtë, për të nënvizuar mendimin, se Andi Meçaj, duket më së miri, që është futur jo aksidentalisht në rrugën e poezisë… Dhuntinë natyrore, trashëgiminë në gene, (duke e gjykuar tek poezitë më të ndjera të këtij libri), ai përpiqet në mënyrë këmbëngulëse e të dukshme ta pasurojë e plotësojë, duke studiuar e asimiluar majat më të larta e më të ndritura të poezisë të traditës tonë, asaj botërore bashkëkohore si dhe të poezisë popullore. Kjo shtrirje, kjo zhytje në hapësirë dhe kohë, dëshmon për seriozitet dhe kërkesa ambicioze të këtij poeti të ri. Sigurisht asgjë s’mund të lindë nga “hiçi”! Pa një truall të begatë të mëparshëm, pa asimilimin dhe përpunimin e tij në laboratorin krijues, sado i talentuar qofsh, është e vështirë të çash shtigje të rinj e të zbulosh forma e mendësi të reja poetike.
Në poezinë interesante meditative “Një ëndërr” edhe pse në pamje të parë të duket sikur vargjet:

“Fundit i dhimbset fundi,
fillimit i dhimbset fillimi”.

Kanë një reminishencë të largët me dy vargjet e Lasgushit që përmendëm më sipër, kur e shikon poezinë në tërësi, e ndjen që ke të bësh me një poezi të konceptuar në mënyrë origjinale. Tërë esencën e kësaj poezie të bukur, sikur të trëmbet se nuk arrijmë t’i kuptojmë qartë dy strofat e mësipërme, na e jep edhe njëherë në fund:

“Ëndërra një jetë
Jeta një ëndërr”.

Në poezinë tjetër, që të bën të biesh në mendime, “Hapu mal”, shohim mjaftë qartë se poeti di të studiojë, të seleksionojë e të marrë nga poezia popullore, pa rënë asnjëherë as në shabllonizëm as në imitim ose plagjiaturë. Dy gjëndje krejtësisht të ndryshme shpirtërore. Dy kohë të ndryshme. Dy dashuri që i drejtohen çuditërisht për ndihmë të njëjtit objekt. Jo mikut a shokut (siç ndodh rëndom në poezitë skematike) por malit, domethënë simboli vigan.

“Duro vashë të durojmë
Siç duron mali dëborën … “

Fare thjesht marrim vesh, që mes të rinjve vlon një dashuri përvëluese, në një kohë të tejshkuar, siç na e jep poeti i famshëm anonim. Dikush, diçka, nuk i lë të bashkohen dhe krijon atë gjëndje me një ngarkesë të jashtëzakonshme emocionale dhe tepër dramatike:
“Siç duron mali dëborën”…
Në një shoqëri të një kohe tjetër, një tjetërsoj vizioni për dashurinë: individi dhe dashuria janë të lirë. Askush s’i pengon, përveç raporteve estetiko-shpirtërore të ndërsjellta midis tyre. Vajzës diçka s’i pëlqen dhe ikën duke marrë dashurinë me vete. Poetit i krijohet një shpellë në shpirt. Ai s’i kupton arsyet ose kapriçiot e kësaj braktisjeje tejet tronditëse dashurie. Mallëngjehet pa u gjunjëzuar, pa rënë në fatalizëm edhe pse ishte i marrosur me të. Kurrë s’është për hakmarrje, megjithëse i trëmbet marrëzisë. Pikërisht për këtë arsye i drejtohet malit dhe i thotë:
Jam brënda teje, më thuaj vetëm dy fjalë:
“SI DUROHET”.

***
shpjegohet nga harmonia që ndërthuret midis piktorit dhe poetit. Të mbeten në mendje p.sh. akuarelet e brishta, delikate dhe domethënëse:
…dallgët përshëndes, nëpër lot gëzimi /mbytem. /Ato trishtueshëm /vallen e vdekjes /suljote shkrepin. / (nga poezia: “Lot gëzimi”) ose Zogjtë /thyen krahët /e shkuan /e vanë. /Dielli, /me petale trëndafilash, /udhën ua shtroi. / (nga poezia: “Zogjtë ikën”).
Poeti është vazhdimisht në kërkim. Në shumicën e poezive thuren të harmonizuara intimja me shoqëroren, duke i dhënë kështu poezisë një frymëmarrje të gjerë. Në disa motive, drejtpërdrejt ose në nëntekst, poeti aludon i shqetësuar për fatin e Atdheut dhe kombit të tij, ashtu si eseja që përmendëm në hyrje të këtij shkrimi. Mjaft qartë kjo shprehet tek poezia “Duke çaluar”. Edhe pse rrugët e huaja plot vezullime e ftojnë për të hyrë në gjirin e tyre, me një klithmë dhëmbjeje të brëndëshme për t’u admiruar, poeti shkruan:

Rrugët e mia më vjen të puth, të puth.

Ky është lajtmotivi i të gjithë bashkatdhetarëve emigrantë, që derdhin diturinë dhe djersën duke çaluar rrugëve të botës. Qoftë e afërt dita që të puthim rrugët tona, të ecim mes tyre dinjitozë e me kokën lart siç e meritojmë.

Athinë, 2001

ENDJE NËPËR SHPIRTRAT E ETUR

(Shënime për vëllimin me poezi të Myslim Maskës “Miq Me Perëndinë”)

cropped-andi-06.06.2019.jpg
nga ANDI MEÇAJ

Libri është ndarë në pesë cikle nga autori, të cilat megjithëse të grupuara në kategori mendimi, arrijnë komunikimin midis tyre, duke e bërë librin një.
Cikli i parë titullohet “Endem rrugëve të Athinës” (15 poezi). Në të pesëmbëdhjetë poezitë ndihet burgimi i shpirtit, mungesa e miqve, shokëve, tokës që mban eshtrat e prindërve. Me një varg të rregullt, timbrant, harmonik, hera herës lirik, i shqetësuar për shpirtin që vdes kur s’ka liri dhe ndihet i brengosur për fatet njerëzore të emigruara.
Na veçuan se u deshëm shumë. / Dhe ma ngulën thikën mu në zemër, / gjersa s’po na lënë as në gjumë / të çmallemi të paktën në një ëndërr… (poezia, Mall)
Tek poezia “Beteja e Termopileve”, Myslim Maska na shpalos shpresën si një shami lotësh tundur në ajër për djemtë ngelur udhëve, deteve, e telave me gjëmba, për pak liri, dritë.
Të gjitha nënat iu lutën Perëndisë, / të gjitha i deshën djemtë po aq sa lirinë,……/ Dhe ata u kthyen vërtetë, / ca e ca, të bukur, të gjallë, / ca e ca, vezullonjës si dritë… .
(poezia, Beteja e Termopileve)
Në poezinë “Maçoku Xhesi” ndihet një përsosmëri e lirikës së tij, varg i zhdërvjelltë, muzikalitet i ndjerë, me një dhembshuri për njerëzit e zënë si në çark, nën një copë qiell, ku qiraja për kafshatën e bukës s’ka çmim e ku shpirti i brengosur dërgon sinjale në çdo anë, si një alarm që s’njeh pengesa.
Qelia prapë ngelet qeli, / edhe burgu, burg ngelet prapë, / liria, thellë në shpirt të tij / i ndez mijra flakra në damarë. (poezia, Maçoku Xhesi)
Si një rubin i vërtetë vargjet e poezisë “Rubini”, ngacmuese, të dlirta, me rezonancë tërë ngjyra lirike e ritëm të brendshëm.
Është zëri i poetit që bërtet me fuqinë e shpirtit të krijuesit, dhimbjen e njeriut të larguar s’e tret as dheu, por ai nuk jepet, për të dhe rubini i kujtimit s’mund të ekzistojë pa gjak e dhimbje.
………. / Më mbetën veç kujtimet / ……… / Thërras, bërtas, u çmenda krejt, / askush s’ma dëgjon zërin. / ……….. / Se dini, miq, që s’ka rubin / pa gjak e dhimbje brënda?…
(poezia, Rubini)
Duke u endur rrugëve të Athinës, sigurisht i tejlodhur punëve pafund, njeriut s’i ngelet fuqi shpirtërore të shijojë statuja, as panteonë, si një bushtër shtrëngon shpirtin ndër dhëmbë, e mëndja vetvritet. Atëherë lind pyetja: përse jetojmë ?!
Si bushtër me këlysh në gojë, / shtrëngoj shpirtin tim ndër dhëmbë, / them ta flak e të shpëtoj / më mirë lule, bar e shkëmb!… (poezia, Endem rrugëve të Athinës)
Cikli i dytë titullohet: “Kush ma vodhi zjarrin…” (16 poezi)
Në këtë nënndarje në ngjyra disi melankolike, tërë ndjesi qiellore, autori na lidh me zotin, na bën të besojmë më shumë, t’i lutemi Krishtit ta bëjë botën pa të gënjeshtërta, mbushur lapidare të së vërtetës. Përsëri ndihet dhimbje kudo, gërshetuar me ankthin e njeriut për liri veprimi e mendimi, sigurisht pa e keqpërdorur atë.
…… / Le të bëhet si do Zoti vetë, / mjafton njerëzve gëzim t’u shpërndaj /. (poezia, Lërmëni)
“Për lirinë unë e fal dhe jetën” / Po jo për kriminelë e sharlatanë, / kaq marrosur jam pas së vërtetës, / sa besoj, dhe nënën s’mund ta fal… (poezia, Liria)
Tek poezia “Mbrëmje dimri”, pasqyrohet njëkohësisht bukuria e jetës dhe shëmtia e saj, forca dhe dobësia, grushti dhe përkëdhelja, mbi të gjitha M. Maska përcjell dashurinë për qenien njerëzore, ku gjithçka jep e merr, lind e vdes, megjithatë: tymi i kësaj bote të nxin… .
Mbrëmja kërkon dru të ngrohë shpirtin, / që njeriu të mos mbërdhijë…/ vjen mëngjesi, / e tillë është jeta, / nga bloza e tymit njeriu nxin…
(poezia, Mbrëmje dimri)
A kemi faj që jetojmë në këtë botë? Do të thosha se ai që e shpiku fajin, ka faj.
S’të mbyt litari; / as karrigia që të heqin poshtë këmbëve, / por FAJI… (poezia, I varuri)
Cikli i tretë titullohet: “Larg njerëzve të dashur” (15 poezi)
Të bie në sy dëshira për jetën, për njohjen e vdekjes, jo si një mister mbi supet e një përbindëshi të dalë ëndrrash mbushur llahtar, por kush lind di të jetojë dhe vdekjen.
…. / Vetëm në varreza ka ringjallje. / Vetëm nënat, lindin jetë dhe varre! (***)
Si dhe:
I kam zili yjet, / edhe kur vdesin / na rrezatojnë dritë… (poezia, I kam zili)
Poezia “Larg njerëzve të dashur”, është shumë e ndjerë, e çiltër, ku dashuria dhe malli për ata që janë larg marrin dimensione tepër humane në penën e Myslim Maskës, i cili s’ka nevojë për teprime e fjalë të fryra, atij i mjafton grimcëzimi i shpirtit të tij përpara pasqyrës së kohës.
Malli njeriun e bën më të bukur, / dhembja për tjetrin e bën më fisnik. / Për çmalljen Zoti, ëndërrën ka shpikur, / ndërsa për dhembjen, / loti u shpik… (poezia, Larg njerëzve të dashur)
E gërryen përbrenda autorin nevoja për vendin e tij, dheun ku u rrit, ku u burrërua, ku dashuroi, që e la për pak mirëqënie, atje tej, shtatë male kaptuar.
I dehur me përrallën jetë, ja, ashtu si nëpër ëndërr, na tregon vendin e tij, duke na lënë gjysmëfjetur, gjysmëzgjuar…
Drejt vendi im / si në përrallë, / i praruar, / gjysmëfjetur, / gjysmëzgjuar… (poezia, Si në përrallë)
Cikli i katërt titullohet: “Jetë paradoksale” (20 poezi).
Kanë aromë pranvere këto vjersha, ndihet pylli, mali, fusha, yjet e hëna. Këtu dhimbja noton ujrave, mbledh lule fushave, loz me yjet e me hënën. Por gjithmonë i kthjellët vjen mendimi se dhimbja vesh krahë pëllumbi e nga ne largohet.
Lermëni për pak të fashis dhëmbjen; / të ngrihem prej kënetës për te dielli (poezia, Varrosur si drita)
Poezia “Vogëlushja” (vogëlushëve kosovarë), është një poezi lirike, e larmishme në figuracione, ku ndihet loti dhe finesa e gjuhës shqipe.
Autori nuk i mëshiron fëmijët e një gjaku, as ua mburr plagët, por si melhem vë shpirtin e poetit t’ua lehtësojë sadopak plagosjet gjithanshmërore.
Është pesë vjeçe. / Përmbi flokë / i mbolli nëna dy zambakë. / Qan e dridhet! Ç’do kjo botë, / që as erë s’i merr, por e flak? (poezia, Vogëlushja)
Poezia “Baladë”, vjen si e nxjerrë nga brinjët e popullit, siç nxori Adami Evën, ashtu dhe populli vetshkul dhimbjen e ndjenjave qoftë dashurore a mortore.
Si gërshet vajze ndërthur M. Maska në këtë poezi binomin: natyrë-njeri; vdekje-jetë.
… / Kush na mallkoi vallë, njerëzit apo djalli? / Ti e gjallë varrosur, unë vdekur së gjalli. … / Pse më vrave, pse? –më pyet! – dridhet mali, / Kur më vjen në ëndërra dhe më vdes së gjalli… (poezia, Baladë)
Cikli i pestë titullohet “Vendi i bukurive tragjike” (14 poezi)
Një vështrim mbi këtë tufë vjershash të lë përshtypjen e dashurisë së gjithanshme njerëzore, i këndon çupës, i thërret djalit:
“Çupëz, moj na ç’mënde çunin, / Bukurihataja… (poezia, Bukuroshja e Drobonikut)
Do të vij moj, / e do të puth, / dhe me plumba nëpër trup…….. / Do të vij t’i puth sy e buzë, / të digjemi të dy si shpuzë… (poezia, Do të vij moj e do të puth)
Në poezinë “Në Rrugë”, poeti paralajmëron për kohën që rrjedh ujëvarë nëpër shpirtrat tanë e më s’kthehet dhe s’na ngelet gjë tjetër veç ngushëllimit e trishtimit.
Sot pashë një vajzë yll, / e bukur si në përrallë; / pashë dhe veten në vitrinë, / si një kal gërdallë… / Zotin s’e fyeva sigurisht, / dhe jetën nuk e shava, / vura syze mos të më shihnin / dhe qava, hidhur qava… . (poezia, Në rrugë).
Një libër me frymëmarrje të gjerë ky i Myslim Maskës, ku dhimbja sheh veten në pasqyrë, me një lirizëm meditativ të ngjeshur, ku ndjejmë aromë lulesh, deti e ndjenjash. Fjalor i pasur figurash, zgjedhje e kujdesshme fjalësh, pa teprime e shtojca.
Megjithëse libri i parë me poezi (autori ka shkruar e botuar në gazeta e periodikë qysh në moshë të re), M. Maska qëllon në shenjë drejt shpirtrave tanë të tharë për pak lirizëm të ndjerë.

Athinë 2005

(Botuar në “Gazeta e Athinës” 2005)

MENDIME PËR LIBRIN ME POEZI
“JETËN E PRES SI TË VIJË” TË ILIAZ BOBAJT

cropped-andi-06.06.2019.jpg
nga ANDI MEÇAJ

Kur je i mbështjellë me botën poezi, nuk e beson se gjendesh në një vend që t’i ngjajë njëherësh ëndrrës dhe realitetit, përrallës dhe jetës, dashurisë dhe vetmisë, lindjes dhe vdekjes shpirtërore. Ky dualitet, i ndërthurur me derte njerëzore, i harlisur ndër mrekullira natyrore dhe i skalitur me ngjyra që reflektojnë ngrohtësi njerëzore, na bën ta dëshirojmë një varg të tillë,:
……………………………
I shkunda krejt hallet që pata,\ si shkund pema dëborën,\ me to e mbusha buzë më buzë,\ sa herë desha, gotën.
E piva pastaj me një frymë,\ si një dolli të hidhur\ e duke pirë mbeta aty,\ si skllav i saj i bindur.
……………………………
Sot s’jam, veçse një mik i gotës,\ kam pirë e jam bërë tapë.\ Nuk dua “pse”, “si”, “qysh e tek”\ dhe llogari s’të jap.
(Nga poezia “Miku i Gotës”)
Në poezinë “Gjethet” autori na bën ta ndiejmë veten piktorë të natyrës, të ndjenjave të holla e delikate të saj, me fjalë të përpunuara me kujdesin e artistit që di të vështrojë edhe atje ku syri i të tjerëve nuk shikon, nuk ndjen e s’depërton. Është kjo një vjershë, ndër më të arrirat e vëllimit, e cila me thjeshtësinë që e karakterizon dhe me finesën e hollë të krijon ndiesira të njëjta me vështrimin e natyrës.
Si një ushtri me zogj të vrarë,\ po bien gjethet mos më keq,\ ato që njihnin gaz e fllad,\ pas qejfit vjeshta i tërheq.
……………………………
Mbërrijnë të tjerë persekutorë,\ të nisur enkas për ndëshkime,\ shiu i rreh pa pikë mëshire,\ qielli shkund inat gjëmimesh.
Hutuar, mbledhur nëpër lugje,\ si ca ushtarë të zënë rob,\ i pret këto viktima vjeshte,\ i njëjti fat, i njëjti kob.
(Nga vjersha “Gjethet”)
Një tjetër poezi, e cila i kushtohet detit, na bën të ndiejmë aromën jetëdhënëse të tij, frymëmarrjen e dallgëve që puthen me bregun si dy të dashuruar, pulëbardha që vijnë e ikin si ëndrra vajzash.
Një tjetër poezi natyre, ku dhe ndjenjat ashtu si ç’do gjë ujore, largohen, afrohen në një baticë-zbaticë të përhershme. Dhe ne përpara kësaj pasqyre lëngëzuese na pëlqen veten të harrojmë.
Këtu, ku portat hap deti,\ veten kam harruar.\ Një valëz vjen së largu e puthet me bregun,\ si dy të dashuruar.\………………………………. .
(Nga poezia “Tek portat e detit”)
Të tjera poezi tërheqëse janë: “Dy mjellmat”, “Qeni i shtëpisë”, “Foshnja pa emër”, “Humnera”, “Vjeshtë”, “Plagët”, “Foleza”, etj………..
Poeti Iliaz Bobaj në këtë libër na shfaqet si një vëzhgues i hollë i së bukurës nga e cila rrjedh thjeshtësia që i buron ndër vargje, një mënyrë kjo e butë, pa tone të larta e figura të fryra. Kështu mund të them se poezia e tij është e bukur se është e thjeshtë, dhe është e thjeshtë se është e bukur.

Athinë 20. 08. 2002

(PUBLICISTIKË)

ANDREA STEFI – KRIJUES “SUI GENERIS”

Fatos Arapi

Nga FATOS ARAPI

Andrea Stefi kishte lindur në Kavajë më 1912. Pas shkollës fillore në qytetin e lindjes kishte mbaruar gjimnazin e Shkodrës. Atje ishte njohur me Zef Malën, Migjenin, Veli Stafën, Spiro Lazrin, Jakov Milen, Teufik Gjylin… Kishte botuar shkrime publicistike në “Rilindja” e më pas letrare në “Shtypi”. Më vonë ishte njohur me Katerina Stamatin nga Durrësi. Gjatë viteve të pushtimit simpatizoi Luftën Çlirimtare Antifashiste. Pas çlirimit punoi mësues në Durrës, por shpejt e mbërtheu për të mos e lëshuar kurrë më, një depresion i fortë mendor dhe nga fundi i vitit 1963 vari veten…

Kultura shqiptare sot është rrënojë e vlerave të thyera, të copëtuara, të humbura. Historia e vërtetë e kulturës sonë shpesh e ka humbur, dhe po e humb edhe sot e kësaj dite rrugën e vështirë të gjurmimeve të drejta dhe objektive. Shenja mashtruese, herë të qëllimshme herë të rastit, ngrihen në udhëkryqet e historisë sonë. Me vështirësi, me shumë vështirësi, zbulohet e ngrihet prej harrimit shtatorja e shpirti shqiptar, i cili me vuajtje të pa përballueshme, sfilitje e mundim që të çojnë gjer në çmenduri, kanë krijuar kulturën, dhe brënda “katër pikave të horizontit” kanë përcaktuar drejtimet e botës së ardhme shqiptare.
Në librin “Korbi dhe Migjeni” të botuar nga Shtëpia Botuese “Gutemberg” – Kavajë, 1997, studiuesi Rifat Hoxha, me një përkushtim të dhimbshëm, na e sjell, ne do të thoshnim na e ngjalli sërisht Andrea Stefin, me ato dalldisje mendimesh e ndjenjash, netë pa gjumë, për të gjetur rrugët, për ta vendosur popullin e kombin e vet në kohën që jeton.
Djem e vajza shqiptare, lexojeni këtë libër, studioheni me kujdes atë trashëgimi të pakët në faqe, të thellë në ndjenja e mendime, përjetoni edhe ju ato vuajtje me të vërtetë prej ferri, që i janë dashur e i duhen edhe sot krijuesit shqiptar, për ta ndërgjegjësuar historinë tonë të kapërcejë shtigjet e vështira e të dalë në rrugën e hapët të progresit të shoqërisë njerëzore. Lexojeni me dashuri e veneracion, dhe do të ndjeni e do të kuptoni se tek ju, tek të gjithë ju, bijë të këtij vendi, ka diçka prej frymës së shenjtë të shkrimtarit tragjik shqiptar.

ANDREA STEFI

Andrea Stefi

“PËR BASHKIMIN TONË KOMBËTAR”

Sa do të jetë folë tashma mbi këtë çështje esenciale! Sa pena do të kenë zhgarravitë mbi letra e letra! Sa zemra do të jenë shtrydhë për me pa të realizuem një këtë bashkim kombëtar tonin!
Bashkimi kombëtar asht sendi ma kryesor për mëkambjen e një populli, një shoqnie, një Atdheu. Prej këndej vijnë e rrjedhin mandej të gjitha inciativat drejt përparimit, kulturës, vetë jetës.
S’duket edhe fort i domosdoshëm për disa që s’janë mundu’ kurrë me mendue e me hapë shikimin e vet pak ma tutje sa u shofin dy sytë e ballit. S’kishte me e kuptue kurrkush, po mos t’ishte një shpirt që nganjëherë din me dalë prej caqeve të nj’i individualizmi të pabukur,
Bashkimi kombëtar luen rolin kryesor e asht guri i parë për formimin tonë moral e material. Por me e shikue punën pak me kujdes, them, se kushdo do të mundet me e pa qartë se çka po flas e për çka po flas.
Nuk flas për një nacionalizëm heroik, as për një nacionalizëm mesjetar e kavaleresk. Këtu flas për një nacionalizëm të tendencave të sotme. Mos të kujtojë ndokush se bajmë apologjinë e një fanatizmi patriotik. Jo. Këtu duem t’ia çelim mendjen shqiptarit se, me u sigurue një jetë e mirë dhe e lume, të përgjithshme e personale duhet që brenda kufijve tanë të ngremë piramidën e jetës sonë, e cila ka me na ba ne që të njihemi prej gjithkujt. Ka me na ba me u njoftë edhe ne si njerëz, si të tillë, me pasë të drejtë për një jetë siç e gëzojnë të tjerët. Tendencat e mendësisë së sotme liberale, megjithëse kanë hekë ato arsye mistike për të cilat duhej Atdheu asgja mangut, m’ anë tjetër kanë pa me të drejtë e arsye se pa një komb e Atdhe tonin s’kemi se ku shkojmë, s’kemi se ku mbytemi. Për me e trajtue individi mbretninë e shpirtit të tij, nuk ka me gjetë kurrë ndonjë vend ma të favorshëm sa këtë të vetin, që e don me kufi e me gjak vetë natyra, vetë fati, vetë Zoti! Mos të çuditemi pra aspak nëse shohim aty-këtu, pse ndjejmë ndonjë britmë nacionalizmi në shekullin XX. U shfarosën ndoshta arsyet e kalbëta të një patriotizmi konservator, fanatik e mistik, porse këta u zavendësuen me të tjera, relativisht ma nacionale e ma reale, të cilat kanë vlerë sa kishin për ata të moçmit ato të vetat.
U largova pak nga ajo çka desha me thanë, vetëm e bana këtë për një sqarim për disa të rinj të brumosun me një frymë krejt të freskët të kësaj jete të sotme.
Për çudi të madhe, ndër ne s’asht rrënjose mirë ndjesia e unitetit kombëtar. Jemi kapërthye e s’po dijmë me dalë prej një mentaliteti trashgimtar i një bote të padritë e të pashpirtë. Regjionalizmat, separatizmi janë futë thellë në shpirtin e të shumëve. I shprehin këto ndjesi si me qenë të vulosuna prej ndonjë morali mbinjerëzor. Pa kurrfarë rezerve simpatizojnë e antipatizojnë, për të vetmen arsye të atyne paramendimeve e prapamendimeve të asaj mendësie të vogël, të ulët e pa kurrfarë esence në vetvete. Ata s’e kanë kuptue bërthamën e jetës sonë shqiptare e ende s’kanë dijeni mbi një ideologji që na duhet me e formue për një luftë që kemi me u hedhë. Me shkue ne me të tilla mendime të jemi të sigurtë se s’kemi me pasë kurrfarë ardhmënie, kemi me ra viktimë e primitivizmit, i cili pa një pa dy, na përgatit varrin. Po patëm pak dashuni për jetën tonë, duhet domosdo me u mundue për një ideologji ma të shëndoshë, ma morale, ma njerëzore. Të kemi parasysh gjithmonë se tue u ngjallë ne si komb ngjallemi edhe si individë.
“Për kolektivizëm”, por indirekt punojmë edhe për individualizëm; s’ka si me qenë individualizmi pa qenë kolektivi. Pjesa e kolektivit – individi. Pra, kur epemi për turmën shoqënore, epemi indirekt për vetveten.
Porse për një sadisfaksion temin ma të madh, ne do t’i mbyllim sytë e do të mundohemi me e rrejtë veten. Do të themi se mundohemi për kolektivitet, për turmën shoqnore. Del ma poetike jeta e ma ideale. Të epemi shumë. U muer vesh se kemi individë që janë shkrimë për kolektivitet me abnegacionin ma të madh të vetvetes, por kjo s’don me thanë gja. Don me thanë për sa i ka kontribue shoqnisë, por ai e ngopi vetveten. Si e ngopi? Kjo asht punë tjetër. E sa janë të rrallë këta njerëz gjysmë – Hyjni që ushqehen me ambrozianën e një bote ideale, heroike e apostullore asht e vërtetë. Çështja rrin këtu tashti:
Ne, si pjesëtarët e këtij kombi që jemi, do të mundohemi për këtë edhe me flijimin tonë. Do të mundohemi që të formojmë një dashuni të nxehtë për atdhetarët tanë që gjenden nën qiellen nën të cilën ecim edhe na. S’ka gegë e toskë! Jemi shqiptarë, jemi vllazën, jemi njerëz. S’ka korçarë, shkodranë! Jemi shqiptarë! S’ka myslimanë, katolikë, ortodoksë! Jemi shqiptarë, jemi vllazën, jemi shokë! S’ka armiq ideologjie! Jemi ushtarë që nisemi për të njëjtin qëllim, për të njëjtën luftë. Duem Shqipninë e bijtë e saj. Duem jetën tonë e të kombit tonë! Duem të mirën personale e komune. Jemi njerëz e kemi të drejtë me u ushqye prej dashunisë e jo prej mënisë. Kemi të gjitha cilësitë e konditat e një populli që pushon në Perëndim; e pse mos me thithë edhe na atë frymën dhe erën e pastër të kësaj toke ku gjendemi?
Deri kur ma me të tilla ndjesi të një populli primitiv? Deri kur ma kanë me pra armiqtë tanë me u zgërdhi me ne? Pse me u ba ne sot loje e qojle e tjetër kujt? Pse me ia ba qefin armikut? Pse të gjykohemi për vdekje? Pse të rrijmë ne në llumin e një jete plot tym e mjegurllimë? Jo! Kemi rastin ma të mirë sot për me ngritë çerdhen e jetës sonë plot dritë e plot shkëlqim. Nuk jemi të mallkuem! Jo, jo! Robnia e katër shekujve asht dallimi i së keqes prej së mirës. Pa të keqen s’mundemi me e dallue të mirën. Dallojmë të mirën se na vihet në kundrim e keqja.
Bashkim e dashuni pra për hir të jetës sonë të mirë, të lume e plot shpresë dhe mallkue qoftë ai, në emën të kësaj shoqnie, që mbjell ndasi e përçarje në dam të vetvetes e të kolektivitetit.

(Marrë nga libri “KORBI DHE MIGJEN!” i Rifat Hoxha)

(Përgatiti për botim në “ADMET”, Andi Meçaj, qershor 2012)

VLORA QË NUK SHFAQET

Fatos Baxhaku.jpg

nga Fatos Baxhaku

Vlorën, kush më shumë e kush më pak, tashmë e njohim të gjithë. Sheshi i Flamurit, Monumenti i Pavarësisë, bulevardi i madh, teatri, skela, plazhet, hotelet dhe pallatet e mëdha, sheshi i demonstratave të 1997-ës, të gjitha janë familjare për shumëkënd anë e mbanë Shqipërisë. Por shumë herë harrojmë se ka edhe një Vlorë tjetër, një lëmsh rrugësh e rrugicash të ngatërruara, të cilat kanë ekzistuar shumë kohë më parë godinave dhe bulevardeve të lavdishme. Pikërisht nga kjo nga Vlora e vjetër ka ardhur ajo që ne njohim sot. Nga Muradija, Varoshi, Karabashi, Llonxha ka ardhur shpirti i vërtetë vlonjat, i këtij qyteti ku përziheshin fort ndikimet e Perëndimit, që sillte deti, me ato që vinin nga malet e Labërisë. Ky shkrim nuk merr përsipër të bëjë historinë e lagjeve të vjetra të Vlorës. Kjo do të ishte një sipërmarrje e madhe. Ai është ndërtuar mbi disa shënime të mbajtura gjatë një shëtitjeje vetëm disaorëshe në një pjesë të vogël të Vlorës së vjetër.

Nga Karabashi në Matthausen

Karabashi është një lagje e vjetër e vendosur mbi një kodër të butë, që zbret ngadalë drejt qendrës së qytetit. Shtëpitë e vjetra kanë mbetur ende të ulëta dhe duket se moda e pallateve marramendëse do ta ketë të vështirë të depërtojë në zemrën e lagjes së vjetër. Miqtë vlonjatë, që na shoqërojnë, na thonë se të gjitha shtëpitë janë të vjetra, ndonëse më pas janë rikonstruktuar. “Më e reja prej tyre duhet të jetë afër 100-vjeçare”, na thonë. Ecim për pak kohë mes rrugicave të kësaj lagjeje të pjerrët. Shiu, që nuk ka pushuar tërë këto ditët e fundit, ia ka lënë vendin një dielli të bukur dimëror dhe Vlorës, dihet dielli i shkon aq shumë. Kalimtarët janë të pakët. Hera-herës përshëndeten gratë e moshuara, që vijnë nga pazari të ngarkuara me trastat e rënda dhe që ecin avash me frymën që i merret nga e përpjeta me çupa të reja, ndoshta studente, të veshura sipas modës më të fundit. Neve na duket se befas i kemi takuar në të njëjtin vend të dyja Vlorat bashkë, të vjetrën dhe të renë.

Kthejmë në një rrugicë që vendasit jetë e mot e kanë quajtur Pisorukë. Kujtohemi se jemi në një vend të çuditshëm. Jemi në një lagje që mban emër turk (KarabashKryezi), në një rrugë që mban emër grek (Pisoruka – pas teshave) dhe ku flitet një nga dialektet më të pastra të shqipes. “Vetëm kjo rrugicë duhej shpallur simboli i Ballkanit të vërtetë”, thotë njëri prej nesh ndërsa i jemi afruar portës së një shtëpie të vjetër.

Vizhdan Rushiti-Vreshtazi është një figurë shumë e njohur në Vlorë. Afër të 80-tave, ai vazhdon të punojë. E takojmë në oborrin e tij të këndshëm teksa po lyen me bojë disa shalle që do t‘i mbajnë në qafë veteranët e Brigadës së V-të, përvjetori i së cilës është pas pak. Xha Vizhdani ka punuar një jetë të tërë në dekorin e qytetit, por një pasion i tij edhe më i madh është sporti. “Unë kam lindur në këtë shtëpi – nis të na rrëfejë pasi kemi këmbyer përshëndetjet e para. Im atë ishte autodidakt, merrej me tregti dhe i vinte mbarë. Njihte mirë shumë gjuhë të huaja dhe udhëtonte shumë. Dëshira e tim eti kishte qenë të shkollohej, por kushtet e atëhershme nuk e lejuan. Ne kishim edhe një problem familjar, gjyshi im ishte shurdhmemec, edhe ky tregtar, kështu që babait iu desh që shumë herët që të punonte me të. Në fakt, babai që në fillim ka pasur një jetë të vështirë. Në 1920, ndonëse fëmijë, atë e internuan bashkë me shumë vlonjatë të tjerë në Sazan. Që 24 vjeç ishte kryeplaku i lagjes tonë, të Karabashit. Punët u ngatërruan kur nisi lufta. Një kushëriri ynë, Qemal Myrseli ishte, kryetar i Këshillit të Nacionalçlirimtares për Vlorën. Ky erdhi një ditë në shtëpinë tonë dhe i kërkoi babait që nga kryeplak të bëhej kryetar i këshillit NAÇL për lagjen. Babai pranoi me gjithë kundërshtimet e gjyshes dhe të nënës. Kështu nisi për ne një jetë tjetër, që do të na sillte pasoja të cilat as që mund t‘i merrnim me mend”.

E shoqja e xha Vizhdanit, nënë Ponja, ka përfituar nga heshtja që është vendosur për pak minuta për të na sjellë një foto të madhe. Nga brenda kornizës na shikon një burrë i pashëm mustaqelli. “Ky është babai i Vizhdanit, Vehbiu, po historinë e tij e di më mirë ky vetë”, bën me shenjë nga i shoqi. “Po. Ky është babai. Sikurse iu thashë babai u lidh me partizanët. Edhe më parë e kishte ndihmuar luftën. Karvanë të tërë me ushqime ka dërguar falas në zonat e shkatërruara. Kjo histori lidhet edhe me një fqinjin tonë nga Karabashi. Edhe ai quhej Vizhdan. Ishte bej i madh nga familja Risilia. Ky u bë prefekt i Vlorës në kohën e gjermanit. Ruhej gjithë kohën nga dy SS. Njësiti gueril i qytetit i bëri një atentat afër fushës së dikurshme të druve, por nuk e vrau dot. Ky atëherë ka mbledhur 20 burra nga lagjja, mes të cilëve edhe im atë, dhe u ka bërë presion që të dorëzojnë njërin nga djemtë e lagjes që thuhej se kishte marrë pjesë në atentat. Këta sigurisht që nuk pranuan dhe atëherë Vizhdani me gjermanët hodhën hapin tjetër. E mbaj mend si sot. Ishte gusht 1944, natë. Dëgjuam trokitje të forta dhe pamë dy ushtarë gjermanë te porta. Morën babanë, ishte hera e fundit që e pashë. Më vonë mësuam se e kishin çuar në Matthausen nga ku nuk u kthye më kurrë. Xhaxhai im shkoi dhe iu lut Vizhdan Risilisë që ta lironte babanë, por ai iu përgjigj: Më jep atentatorin të të jap Vehbinë. Vonë, pas lufte, nga të paktët që u kthyen që andej ishte dhe një doktor. Ky na tregoi për babanë. Ishte shuar nga mungesa e ushqimit. Atë pak gjë që u jepnin ia kishte dhënë një shoku që kishte qenë shëndetlig”. Xha Vizhdani e tret shikimin në shtëpinë përballë, njësoj sikur të dojë të kujtojë hollësi të tjera nga ajo kohë. “Ja edhe dy komshinj që jetonin këtu përballë nesh nuk u kthyen më kurrë”, psherëtin. Jeta e Vizhdanit është këputur që në atë kohë në mes. “Eh, e kush ma la ëndrrën mua – i përgjigjet pyetjes tonë se çfarë kishte dashur të bëhej në jetë – ëndrra ime ishte të bëhesha piktor, po nejse”. Xha Vizhdani ka bërë shumë punë, shërbëtor në një familje të pasur, pastiçier në dyqanin e xhaxhait, korrier i Bashkisë, llogaritar e më së fundi një “gjysmëndrre”: disenjator i dekorit të Vlorës. Të paktën pikturës i është afruar ca.

“Po ne qenkemi kolegë xha Vizhdan!”, thotë njëri prej nesh, sapo mëson se ai ka qenë për shumë vjet korrespondent i “Sportit Popullor”. Xhaxhai shpejton të na tregojë krenarinë e tij, arkivin. Foto të rralla, shënime, portrete, postera na shfaqen sakaq përpara. Më shumë se 70 vjet histori sportive është para nesh. “E të gjitha këto me katër klasë shkollë”, na thotë me keqardhje. Më kot mundohemi ta bindim se shkollën që ka kaluar ai nuk e kanë bërë asnjëri prej atyre me shkollë. “Mos ma bëni qejfin, shkolla është shkollë”, këmbëngul plaku.

Nga hebrenjtë te Godart

Ca më poshtë Karabashit, fare afër sahatkullës së qytetit hyjmë në një rrugicë. Ajo është bërë edhe më e ngushtë se sa ka qenë nga ndërtimet që janë shtuar anash saj. Është “Rruga e Hebrenjve”. Këtu ka jetuar deri në vitet e para të pasluftës komuniteti më i madh hebre në Shqipëri. Një pllakë në anë të saj na kujton se zyrtarisht ndërtesat në të dyja anët e saj janë “Monument Kulture”, por duket se pakkush e vret mendjen për një nga rrugët më të veçanta të krejt Shqipërisë. Këtu kanë jetuar për shumë kohë mbi 50 hebrenjtë e familjeve, Kohen, Koreta, Matathia, Sareta, Sollomoni, Yomtov. Të ardhur kryesisht nga komunitetet hebreje në Itali, sikurse ndodh rëndom, ata u vendosën pranë njëri-tjetrit në afërsi të qendrës tregtare të Vlorës. Më së shumti tregtarë, por edhe mjekë e farmacistë, ata kanë qenë një komunitet që ka ndikuar shumë në jetën e vlonjatëve të viteve ‘20-‘30 të shekullit të shkuar. Shumica u vendos në Izrael që me krijimin e tij. Tani rrugica është e heshtur. Një punishte duralumini, ndonjë dyqankë, një dentist, është shumë pak për t‘u quajtur trashëgimi e hebrenjve. Më kot mundohemi të gjejmë ndonjë shenjë të prezencës së tyre. Banorët janë të gjithë të ardhur. Vetëm një e moshuar, e veshur sipas stilit të vjetër me pallton me jakë gëzofi, që tërheq pas mbesën e vogël, na duket sikur ka lidhje me kohën e vjetër, me atë kohë kur këtu thuhej “shalom”.

Jo shumë larg, në skajin e poshtëm të lagjes së vjetër Muradije, ndodhet rruga “Justin Godart”. Senatori francez, emrin e të cilit mban kjo rrugë, ka qenë vetëm një herë në Vlorë në 1921, por ka qenë një mbrojtës i madh i të drejtave të shqiptarëve në kohën kur kishim pak ose aspak miq. Në të dy anët e rrugës mbahen ende godinat e vjetra shumë prej të cilave banesa të dikurshme të tregtarëve të pasur vlonjatë. Tani rruga ka marrë pamjen e një pazari të madh ku tregtohen pak nga të gjitha. Një rrasë përkujtimore, për parakalimin e forcave fituese të 1920 pikërisht mbi këtë kalldrëm, mezi lexohet. Disa pulovra, që janë rreshtuar para saj na duken tani të vetmit ushtarë, të gënjeshtërt sigurisht. Ca më lart, në drejtim të lindjes ndodhet zemra e Muradijes, sheshi ku qëndron “Xhamia e Kuqe“. Një palmë që s‘dihet se si mbahet ende në këmbë dhe disa çarçafë të varur janë të vetmit shoqërues të xhamisë së vjetër pa minare. Ca më tej disa njerëz të shqetësuar presin me letra në dorë. Janë para konsullatës italiane në pritje të vizës.

Nuk është vetëm Vlora e vjetër ajo që nuk para shfaqet. Edhe pjesë të së resë nuk para kanë dalë edhe aq në pah. Kështu që kalojmë në anën tjetër të qytetit. Ecim përmes Varoshit, me kishën ortodokse që lartësohet mbi shtëpitë relativisht të ulëta, kalojmë në krah të shtëpisë së Tole Arapit, babai i shkrimtarit, Fatos Arapi, dhe pak nga pak hyjmë në një Vlorë tjetër, në një Vlorë ku gjithçka është ngritur mbi një ish-kënetë. Është “Çolja”, e bërë e njohur për marrëzitë e përgjakura të 1997. Tani lagjja është krejt e qetë. E qetë dhe e sistemuar, aq sa mund të sistemohet një grumbull godinash të bëra me punë vullnetare. Përballë saj është “Kumja”. Ndryshe nga fqinja e saj kjo është ngritur mbi një ranishte. Sillemi një copë herë vërdallë mes këtyre lagjeve që e ruajnë ende një si shije trishtimi dhe kthehemi sërish në rrëmujën e Vlorës, këtë herë të asaj që shfaqet më shpesh.

Lugati që bënte seks

Në vitin 1906, rregullimi i disa telasheve të pronësisë, por edhe malli për vendlindjen e detyroi një bej të pasur, pasardhës i pashallarëve Vloraj, që të kalonte do kohë në vendlindjen e tij, në Vlorë.

Në kujtimet e tij ai vetë rrëfen një histori që duket sikur vjen nga filmat horror. Një ditë prej ditësh, ndërsa po rrufiste qetësisht kafenë në sarajet e tij të stërmëdha, i paraqitet një dërgatë e banorëve të Muradijes me në krye kryeplakun. Dërgata dukej shumë e shqetësuar. Një vejushë e re dhe e bukur priste çdo natë “jaranin” e saj. Ky hynte në shtëpi vonë në mbrëmje dhe dilte prej andej herët në mëngjes. Kryeplaku kishte dyshime të forta se nga kjo lidhje vejusha kishte mbetur shtatzënë. Për burrat e lagjes kjo gjë ishte një turp i padëgjuar më parë dhe një ofendim i madh për Muradien. Kishte vetëm një zgjidhje: ajo duhej vrarë, por për këtë duhej të jepte më parë miratimin beu.

Ky është zënë seriozisht në hall. I shkolluar në Vjenë në pjesën më të madhe të fëmijërisë dhe rinisë së tij, as që mund ta imagjinonte jo vetëm këtë zgjidhje makabre, por edhe faktin se krejt rastësisht mund të bëhej pjesëmarrës në një vrasje. Beu u është lutur vlonjatëve që të hetonin edhe një herë më mirë e më gjatë çështjen dhe të mos merrnin ndonjë veprim të nxituar. “Kur të mësojmë më shumë, atëherë do të vendosim”, u ka thënë, dhe kështu, telashi është shtyrë edhe për disa ditë. Vejusha kishte qëlluar e zgjuar. E ka pranuar se natën dikush hynte në shtëpinë e saj, por ky nuk ishte gjë tjetër veçse lugati, ish-burri i saj, hija e të cilit dilte natën nga varri dhe bashkohej me të. Pikërisht me burrin-lugat kishte mbetur edhe shtatzënë. Tani mbetej edhe një provë e vetme, ajo e kalit me lugatin. Sipas zakonit merrej një kalë i bardhë dhe detyrohej të kapërcente varrin e dyshuar. Nëse kali kalonte matanë, atëherë varri nuk kishte lugat dhe vejusha gënjente, nëse jo atëherë lugati ishte i vërtetë dhe vejusha lirohej nga të gjitha akuzat. Dhe kështu u bë. Një ditë më pas karvani i burrave me beun në krye u ngjit në varret e vjetra të Muradijes. Beu i kishte mësuar shërbëtorët e tij që në asnjë mënyrë të mos e linin kalin të kapërcente varrin. Kështu ndodhi. Kali nguli këmbë që të qëndronte në vend. “Burri-lugat na paskësh qenë i vërtetë”, kanë menduar burrat e llahtarisur dhe kanë nxituar ta djegin varrin e mallkuar. Kështu shpëtoi vejusha nga vdekja dhe beu nga telashi i kotë që e zuri. Ai nuk thotë më tej nëse, pas kësaj, vejusha vazhdoi ta bënte atë punë me lugatin, por sigurisht që kjo tashmë përbënte një hollësi të parëndësishme.

(nga gazeta shqip)

(Përgatiti për ADMET, Andi Meçaj, prill 2012)

Akademik KOPI KYÇYKU

Kopi Kycyku.jpg

SHPIRT SHQIPTAR

(Mbresë)

Para disa ditësh, më 4 dhjetor, prozatori i talentuar pogradecar Istref Haxhillari, më uronte në e-mail për shkrimin “Nacionalizëm dhe demokraci”, që sapo kish parë dritën e botimit në “Telegraf”. Pas pak çastesh postieri më solli një zarf me dokumentin e sapo anëtarësimit tim në Akademinë Evropiane të Arteve (në Belgjikë). Dërguesi, piktori i shquar kosovar Jetullah Haliti – ETI, kryetar i Komitetit Shqiptar të asaj akademie, me president ndërkombëtar personalitetin e shquar Alfons Krepën, më uronte për “pranimin anëtar aktiv” në institucionin e lartpërmendur. U përlota nga dy gëzime të njëhershme: nga nderi që po më bëhej dhe nga dashamirësia shqiptare. Pas gjysëm ore më duhej të merrja tramvajin që do të më çonte në universitet. Një zë i brendshëm ma “shtëmëngu” itinerarin dhe më bëri të telefonoja në dekanat për t’i shtyrë dy leksionet në një ditë tjetër. Fill paskëtaj dola nga shtëpia dhe fillova “të matja” në këmbë rrugët e Bukureshtit. Hapat përparonin si dy shina paralele me përsiatjet. Këto të fundit bënë një “ndalesë” në shkurtin e 2007-ës, në një tjetër kryeqytet, – pó në dhé të huaj, – në Athinë. Asikohe ia pata hipur autobuzit dhe, pas një udhëtimi tejet të gjatë, i cili çuditërisht nuk më lodhi aspak, e pashë veten në pikëmbërritje. Dita nuk kishte aguar ende dhe mëdyshja po më mundonte: t’i njoftoja a, më saktë, t’ua prishja gjumin Meçajve, at e bir? Më në fund e ndava mendjen. Ngaqë mezi prisja t’i takoja, i mora në telefon. Nga skaji tjetër i fillit veshin ma ngrohën fjalët: “Mirseerdhe, vëlla! Për pesë minuta na ke aty”. I gëlltita lotët me zor pa dhënë dot përgjigjje. Të dy ia behën më shpejt nga sa premtuan. M’u hodhën në qafë si të kishim dalë nga i njëjti bark nëne dhe mbetëm një copë herë ashtu, të mbërthyer në krahët e njëri-tjetrit. Pasi pimë kafen në klubin më të afërt, u drejtuam drejt banesës së tyre. Ishte një ngrehinë modeste, gjithaq edhe kthina në të cilën rrinin me qira prej shumë vitesh, at e bir. Hodha një sy rretheqark. Gjithçka fliste për rregull shembullor. Çdo gjë në vendin e duhur. Kurrfarë luksi. Me tepri ishte vetëm ngrohtësia e vetvetishme që rrezatonin këta dy njerëz të lidhur akoma më fort me njëri-tjetrin, jo vetëm nga gjaku, por edhe nga humbja e parakohëshme e njeriut të shtrenjtë: nënës e bashkëshortes. Ishte hera e parë që takohesha me Hiqmetin e me të birin, Andin. Si çdo dashamirës i letërsisë, edhe unë, qysh herët, kisha shijuar hijeshinë e thellësinë e vargjeve të Hiqmetit, e më pas edhe të të birit, Andit, njëherazi piktor po aq i talentuar. Por, deri në ato çaste, nuk më ishte dhënë rasti t’i njihja personalisht. Kur, në fillim vitin 2005, me një modesti të paharrueshme, Hiqmeti më lutej t’i jepja intervistë për revistën “Muaji” të Athinës, – duke më dërguar edhe pyetjet përkatëse, – e ndjeva veten më të vlerësuar nga sa e meritoja dhe i thashë me çiltërsi se bota shqiptare kishte plot si unë, madje edhe më të përgatitur. Këmbëngulja e tij më bëri të pranoja. Intervista u botua, e shoqëruar me disa fotografi. Kur e falenderova, Hiqmetit iu shtua “oreksi”. “Të lutem ta zgjerosh më tej, se ke gjëra tepër interesante” më thoshte në një mesazh elektronik, duke formuluar një numur të madh pyetjesh, të cilat dëshmonin se e pat ndjekur hap pas hapi dhe e njihte mirë veprimtarinë time dhe jo vetëm timen, por edhe të tim biri, Ardianit. Përgjigjjet e mia, jo gjithmonë lakonike, patën si rrjedhojë shndërrimin e intervistës në një libër të vërtetë me mbi dyqind e gjashtëdhjetë faqe! “Më dhe gishtin, por të mora krejt krahun” i thashë atëhere me të qeshur dhe shtova: “Revista Muaji nuk ka vend për gjithë Vitet që pasqyroj në përgjigjjet ndaj pyetjeve të tua”. Kësisoj, falë dashamirësisë së Hiqmetit, u jetësua një dialog i gjatë, një vetërrëfim pa doreza. Ç’është e vërteta, jo rrallë kisha ndjerë nevojën të dëshmoja me zë të lartë shumë gjëra për veten e për të tjerët, por ndruhesha se paskëtaj shumëkush, me plot të drejtë, mund të më qortonte: “Kush të pyeti ty, që na i thua gjithë këto?” E, pra, u gjend një njeri i tillë, me emrin Hiqmet Meçaj, sa i madh si poet, prozator dhe eseist, aq edhe si njeri. Por, para se t’i mbyll këta rreshta mirënjohjeje, le të më lejohet të rikthehem në Athinë, në kthinën e ngushtë të shpirtgjerëve Meçaj. Pasi më shëtitën e më gostitën me bujari, – duke pakësuar pa ngurrim kuotën tejet modeste të shpenzimeve të tyre të përditshme, – me të vënë kokën në jastëk, nga lodhja më zuri gjumi menjëherë. Në mëngjes, në të dy anët e shtratit “vigjëlonin” Meçajt, at e bir, a, më saktë, ngazëlleheshin që po çlodhesha, duke e dëbuar gjumin nga qepallat e tyre. Këtë herë, me të hapur sytë, nuk i mbajta dot më lotët, që filluan të rridhnin pa më pyetur. Sado i ftohtë të jetë moti këtu, në Vllahi, nuk dua t’ia di: më mbajnë ngrohtë, si bukën me qiqra, xhupi i trashë e këpucët e forta që më falën atëhere me këmbëngulje Meçajt. Edhe në Athinë e pashë, e ndjeva, se shpirti shqiptar është në gjendje të bëjë gjithçka, madje edhe të vetëflijohet, po e desh puna…

(Botuar në gazetën “Telegraf”, më 8 dhjetor 2009).

NË VARGUN E BOTIMEVE TË KOLONËS KAMBANA-POEZIA E ZGJEDHUR SHQIPE, SHTËPIA BOTUESE “TOENA” I SHTOI KËSAJ BIBLIOTEKE PËRMBLEDHJEN ME POEZI TË ZGJEDHURA TË SHKRIMTARIT TË NJOHUR HIQMET MEÇAJ, TITULLUAR “ KUJTESË E SHPIKUR”

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Më 22 Nëntor me nisiativën e studiuesit Zotit Foto Malo dhe të shkrimtarëve Murat Aliaj dhe Myslim Maska, në ambientet komode të “Shkolla Shqiptare” që drejtohet nga intelektuali dhe biznesmeni Shqiptar Lorenc Koka u zhvillua diskutimi i krijimtarisë letrare për shkrimtarin dhe poetin shumë të njohur HIQMET MEÇAJ.

Kishin ardhur për të nderuar dhe vlerësuar krijimtarinë në vite të H. Meçaj shumë krijues, shkrimtarë, poetë, studiues, aktor e të tjerë, si dhe Hiqmetit iu bën shumë telefonata nga miq e shok që nuk kishin mundësi të ishin të pranishëm.
Ishin të pranishëm: Studiuesi Foto Malo, shkrimtari Murat Aliaj, prozatori dhe poeti Myslim Maska, poetët Stefan Martiko, Odise Goro, Andi Meçaj, Ndue Marku, Koço Mërtiri, Luan Xhuli, Leon Lekaj, kritiku Alush Avduli, Dhimitra Malo, A. Gjata e të tjerë.
Aktivitetin e hapi studiuesi F. Malo i cili përcolli tek të pranishmit jetën dhe aktivitetin krijues ndër vite të Hiqmetit. Dhe Hiqmeti dhe Fotua janë personalitete të letrave shqipe që i përkasin brezit që kanë krijuar (shkruar) qysh herët, nga vitet 60 e deri në ditët tona.
Më pas e morri fjalën poeti S. Martiko. Ndër të tjera Stefani tha se: -H. Meçaj është një gur këndor në krijimtarinë letrare shqipe. Hiqmeti ka karakteristikat e tija si në formë dhe në përmbajtje në krijimtarinë e tij të gjatë letrare të prirura nga kërkesa domethënëse bashkëkohore në poezi dhe në prozë. Krijimtaria letrare e Hiqmetit është vlerësuar dhe çmuar qysh në krijimet e hershme të tija nga lexuesit dhe kritika, duke e radhitur Hiqmetin një nga poetët më të mirë modern. S.Martiko tërhoqi vëmendjen se në Shqipëri janë krijuar klane krijuesish, që gjithçka e mendojnë se poezia dhe proza rrotullohet rreth tyre dhe harrojnë se ka dhe poetë e shkrimtarë të tjerë me vlera letrare, si për shembull H.Meçaj.
Shkrimtari M.Aliaj, gjatë diskutimit të tija tregoj se, Hiqmetin nga afër e kam njohur në Athinë pas viteve 90. Por gjatë gjithë jetës time krijuese e kam pasur një mik të ngushtë shpirtëror që e lexoja dhe “merrja” prej tij artin e të krijuarit ndryshe. Koha, thotë Murati e veçoi, e vlerësoi dhe e radhiti si ajkën e krijuesve më të mirë vlonjat F.Arapi, H.Meçaj dhe Sh. Tiganin.
Poeti Koço Mërtiri u shpeh se: H.Meçaj e kam lexuar qysh në vitet kur isha në gjimnaz. Hiqmeti ka një lirikë të pastër në formë, plotë ngjyrime ku mbizotëron filozofia e mendimit. Ai është i kuptueshëm dhe poezia e tij ka evoluar natyrshëm drejt modernes.
Poeti lirik Odise Goro me fjalët e tija të zgjedhura lirike krijoj një atmosferë të ngrohtë letrare ku përcilleshin vlerat e poezisë së Hiqmetit.
Prozatori dhe poeti Myslim Maska u paraqit para auditorit me një studim të veçantë rreth karakteristikave, vlerave dhe veçorive të mendimit filozofik në romanin “Kukullat e pyllit”.Ky roman, për vlerat, mendimet dhe mesazheve që përcjell ka lindur dhe diskutime nga krijues të ndryshëm
Më pas diskutuan Alush Avduli, Dhimitra Malo e të tjerë. Por një bukuri të veçantë dhe atmosferë festive letrare me kujtimet dhe interpretimet e aktorëve Lefter Simoni dhe Merita Dabulla. Herë pas here të pranishmit shijuan forcën poetike të poezive të Hiqmetit duke interpretuar me shumë profesionalizëm poezi të zgjedhura të poetit H.Meçaj. Çaste shumë interesante u krijuan kur të pranishmit iu bën shkrimtarit dhe poetit H. Meçaj pyetje të ndryshme rreth problemeve të ndryshme krijuese të autorit në vite.

Hiqmet Meçaj lindi më dy Maj 1945 në Qytetin e Ballshit nga prindër me origjinë nga fshati Kallarat i Vlorës. Më 1963 mbaron shkollën e mesme “Halim Xhelo” dhe i del e drejta e studimit në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi Shqipe. Boton për herë të parë më 1963 poezi në Revistën “Nëntori”.

H. Meçaj është i përfshirë në disa antologji në prozë e poezi si:
– Antologji për Skënderbeun me prozë e poezi 1968
-Përfshihet në antologjinë “Vargje të zgjedhura” me poetë më të mirë të kohës 1970.
-Përfshihet në antologjinë “Antologjia e letërsisë për shkollat e mesme” 1970
-Në vitin 1964 pranohet në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë.
-Më 1966 fiton konkursin mbaruniversitar me një studim për krijimtarinë e Mjedës.
-Më 1971 fiton çmimin e dytë në Konkursin Kombëtar me librin “Tregime për fëmijë”
-Më 1983 boton vëllimin poetik”Tokë e pagjumë” si libri më i mirë i vitit.
-Antologji të tjera të shumta ku Hiqmeti është bashkautor .
Në prozë:
-“Kukullat e pyllit”, roman, 2003
– “Për askund”, tregime, 2003
-“Çikpaku”, roman, 2007
– Si dhe në shumë antologji të tjera në prozë ku H.M është bashkautor.

Kanë thënë për H.Meçaj:

Agim Vinça
H.Meçaj duket në shikim të parë, një poet i disiplinuar, që kontrollon mirë frymëzimin dhe shprehjen. Mirëpo poezia e tij ka dredha dhe shpërthime të brendshme. Meçaj është një krijues që arrin drejtpeshimin ndërmjet ritmit dhe mendimit, ndërmjet fjalës dhe ides, formës dhe përmbytjes.

Moikom Zeqo:
Poeti i vërtetë mbetet poet i vërtetë në të gjitha kohërat. Shkruan shumë mirë në prozë, gjë që e dëshmon me romani e tij të fundit.

Mihallaq Qilleri:
Hiqmeti është jo vetëm një poet i lindur, por dhe një intelektual klasi, që analizën e viteve të trnzicionit shqiptar e bënë si si rrallëkush, pa ripërtëritjen tragjike të ithtarëve të luftës së klasave, që ia hodhën atë shoqërisë shqiptare mbi shpinë,kur ajo qe plagosur keq.

Visar Zhiti:
H.Meçaj është emër i njohur në poezinë bashkëkohore shqiptare. Ritmet e emocioneve të tij, sa qytetare aq dhe me frymë origjinale labe, gjithmonë duke rënduar drejt lirisë së individit, sa i veçantë aq dhe universal kanë marr ngjyrime të reja, bashkë me atë të dheut-amë dhe të një qielli gjeneral dhe prap të një qielli tjetër, përplasja e të cilëve jep dritë të beftë.

Përgatiti Arqile Gjata
25-11-2009
Athinë

BOTIMET SHQIPTARE MË TË PREFERUARIT
NË LIBRARITË E KRYEQYTETIT

Kukullat e pyllit - kop

27.08.2009 00:02 – Kategoria: Kulturë

Ky sezon veror shënon rritje të veprave nga autorë shqiptarë
Gjatë këtij sezoni veror botimet shqiptare janë ato që po kërkohen çdo ditë e më shumë nëpër libraritë e kryeqytetit. Ndryshe nga pushuesit e huaj që interesohen të blejnë kryesisht kartolina, qytetarët shqiptarë janë më të interesuar në blerjen e librave. Botimet shqiptare janë me të kërkuara pasi numri i blerësve të tyre sa vjen dhe po rritet, ndryshe nga një vit më parë kur preferoheshin më tepër librat dhe botimet e huaja. Letërsia shqipe me historitë dhe ngjarjet që ajo trajton, duket se ka bërë për vete lexuesin, pasi disa kohë më parë ajo gjatë sezonit veror nuk ka qenë kaq shumë e kërkuar. “Kemi vënë re se këtë sezon lexuesi po tërhiqet më tepër drejt librit shqip”, konstaton edhe një prej punonjësit e një prej librarive më të mëdha të Tiranës. Rritja e botimeve ka bërë që gjatë verës në librari dhe biblioteka të hyjnë edhe dhjetëra botime të reja. Pas suksesit të parë të romanit “Të jetosh në ishull”, i cili vazhdon të jetë ndër më të kërkuarit, autori Ben Blushi po vazhdon të korrë suksesin e radhës më romanin, “Otello-Arapi i Vlorës”. Ky është edhe një ndër titujt më të shitur shqiptarë. “Otello-Arapi i Vlorës” romani i dytë i Ben Blushit është një ndërthurje midis trillimit të autorit me të vërtetën historike. Autori i vendos personazhet mes Vlorës dhe Venedikut të viteve 1600. Një tjetër botim për të cilin po flitet shumë së fundmi është edhe “Midis Nanos dhe Berishës” i ish presidentit të republikës Alfred Moisiu. Në këtë libër vijnë në duart e lexuesit kujtimet dhe ngjarjet, ndërhyrjet dhe veprimet, sukseset dhe dështimet, dëshirat dhe mundësitë etj, që e kanë shoqëruar z. Moisiu për periudhën e mandatit të tij presidencial. Por nuk duhet të harrojmë edhe shumë botime të autorëve të tjerë, të cilat u përkasin si romaneve, studimeve, botimeve historike dhe atyre për fëmijë. Të tillë mund të përmendim librin, “Kryengritja e Delvinës, 1937”, “ Formimi i foljeve në gjuhën e sotme shqipe”, romanet “Kukullat e Pyllit” nga Hiqmet Meçaj , “Vila me Dy Porta” me autore Vera Bekteshi e të tjerë. Përveç autorëve shqiptarë, të pëlqyer janë edhe disa nga emrat më të njohur të autorëve të huaj. “ Engjej dhe Djaj” i Dan Brown, “Një zemër e dobët”, Fjodor Dostojevski . “Fund vere” Danielle Steel, “Njëqind vjet vetmi” Gabriel Garsia Markes, e shumë të tjerë duke përfshirë edhe autorët e rinj.
Vera vazhdon me historitë rozë
Temat më të rëndësishme dhe më të trajtuara në letërsinë e kësaj vere, si për veprat shqiptare edhe për ato të huaja, janë historitë “roz딝. Poetët këtë herë kanë dashur ti japin më tepër rëndësi ndjenjës. Arti këtë radhë i është kushtuar femrës, së bukurës dhe mbi të gjitha ndjenjës universale të dashurisë. Historitë roze vijnë këtë herë nga romane te mbushura me pasion. “Seksi dhe martesa”, libri i June Hunt, është një ndër më të pëlqyerit. Sandra Brown ka sjelle “Nata me një te panjohur”, një roman interesant i cili zbulon ndjenjat dhe përjetimet e një çifti te sapo njohur, një roman i cili ka brenda pasionin dhe ankthin qe bart një njohje momentale. “Zgjimi i pasionit” është një tjetër roman roze te cilin e sjell për lexuesin Junde Deverant. Një pasion i shuar, qe arrin te zgjohet. Ky roman është një rrugëtim i gjatë përmes përjetimeve dhe rrëfimeve te vete autores, e cila ka shkruar shume mbi rizgjimin e një pasioni. Duket se pikërisht janë temat e dashurisë më të pëlqyerat për lexuesin shqiptarë pasi kjo ka sjellë edhe rritjen e numrit të lexuesve. Një lexues më shumë është një lajm i mirë. Që do të thotë që shqiptarët jo vetëm u janë kthyer librave, por parapëlqejnë edhe historitë “roze” çka i largojnë nga stresi dhe problemet e përditshme jetësore.
Titujt e rinj, më shumë romanca
Këtë sezon veror stenda e librarive janë pasuruar me një numër titujsh të rinj. Por ashtu si dhe në sezonet e tjera ajo që të bien në sy janë më së shumti romancat. Këtë sezon emra autorësh të njohur shqiptarë dhe të huaj vijnë me botimet e tyre pranë lexuesve. Kështu autorë si Anne Holt, Elizabeth Gilbert , Stephanie Meyer etj, vijnë pranë lexuesve me historitë dhe ngjarjet që ata sjellin në botimet e tyre.“Xhevahiri i Medinës”, është një prej librave më të rinj, të sjellë së fundmi dhe në libraritë e Tiranës. Ky roman i shkruar nga Sherry Jones, vë në qendër të tij aventura dashurie dhe besnikërie në një trajtesë historike mbi disa prej figurave të rëndësishme të islamit.“Atë që meriton”, është romani thriller më i ri i autores Anne Holt. Në këtë roman trajtohet një gjurmim i kujdesshëm dhe tronditës i mentalitetit në shoqërinë norvegjeze në 50 vitet e fundit. “Ha, lutu dhe dashuro”, është libri psikologjik i autores Elizabeth Gilbert. Në këtë libër autorja sjell këshilla të ndryshme për femrat përmes historive dhe të një gruaje italiane, indiane dhe indoneziane, të cilat gjatë gjithë jetës së tyre janë vënë në kërkim të gjithçkaje. Libri është botuar në shtëpinë botuese “Dudaj”. Për të gjithë ato femra që vuajnë nga “Sindroma e shopping” shkrimtarja italiane Mariafrancesca Venturo sjell këtë roman të bukur, si një palë këpucë firmato, si një butik i famshëm.“Muzgu”, romani i autores Stephanie Meyer, është cilësuar nga gazeta prestigjioze amerikane New York Times, si libri më i shitur dhe më i suksesshëm i vitit.
Ky roman që trajton historinë e një dashurie të fshehtë, protagonistët e së cilës janë gjithmonë në kërkim të mbijetesës, është sjellë për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese “Morava”. “Tempulli i dashuris딝 i Timeri Murani, është romani ekzotik, i zjarrtë, joshës dhe i fuqishëm, i cili rrëfen historinë e Mugalit të Indisë. Në bregun perëndimor të zonave të Gangut, gjendet Taxh Mahali, një ëndërr e mermertë, një pikë tërheqëse për mijëra turistë. Ky tempull i mbështjellë nga gojëdhëna është përmendorja e një dashurie të zjarrtë, një varr të cilin e ngriti një mugal indian për gruan e tij të dashur. Në këtë roman zbulohet historia e dashurisë dhe intrigave të pallatit mbretëror dhe luftërave për pushtet. “Dielli i skortave”, është romani i ri i autorit Laurent Gaude. Ky roman thelbësisht njerëzor merr përsipër të tregojë historinë e një familjeje nga Pulia prej vitit 1879 deri në ditët tona. Ky libër është botuar nga shtëpia botuese “Papirus”. Pirro Andoni sjell botimin “Atje larg”¦ në fund të botës”, shqiptaro-argjentinasit në ditarin e ambasadorit. Ndërkohë që romani i parë i Paolo Giordanos vjen nën titullin “Vetmia e Numrave Prim”. Autori i lindur në Torino në vitin 1982 me romanin e tij të parë ka rrëmbyer një prej çmimeve më të rëndësishme italiane për letërsinë siç është “Strega”.
Botime të reja në letërsinë për fëmijë
Ashtu siç edhe konstatuam në disa nga libraritë e kryeqytetit ajo që vlen të përmendet është edhe fakti i shtimit të botimeve dhe shitjeve të librave për fëmijë. Shitjet e librave për fëmijë nuk mungojnë në asnjë stinë. Për disa janë prindërit ata që i shtyjnë fëmijët të lexojnë sa më shumë. Këtu futën fëmijët e brezit parashkollor. Për këtë kategori shërbejnë librat me ilustrime. Këto libra përmbajnë figura dhe ngjyra të ndryshme të cilat shërbejnë për zhvillimin e inteligjencës tek të vegjlit e moshës nga dy deri në gjashtë veç. Përveç kësaj kategorie edhe fëmijët që vazhdojnë shkollimin para-universitar janë blerës të mirë të librave. Madje tek fëmijët vihet re një fenomen i veçantë. Të rritur në brezin e elektronikës dhe lojërave dhe video-game shpesh mendohet që fëmijët e sotëm nuk lexojnë. Kjo nuk është e vërtetë sepse ka shumë fëmijë që u pëlqen të lexojnë, por edhe atyre që nuk u pëlqen janë të detyruar nga shkolla, që të lexojnë një sërë titujsh gjatë vitit shkollor. E gjithë kjo bën që shitjet e librave për fëmijë të shiten vazhdimisht në çdo kohë dhe fëmijët të mbeten blerësit më të rregullt. Disa nga titujt më të shitur për sa i përket literaturës për fëmijë janë: Seria e aventurave te Çufos (4 libra) Bushaka Legjenda e kalorësit të Skënderbeut, Gaqo Bushaka, “Pushimet e Çufos”, Gaqo Bushaka Çufoja në shtëpinë e çudirave, Gaqo Bushaka “Perralla shqiptare 100 + 1 nate”, “Aventurat e Kapitenit Grif”, Xhek London, “Aventurat e Lizës në Botën e Çudirave”, Leëis Carroll, “Çarli dhe fabrika e Çokollatave” Roald Dahl, “Çufoja dhe Bubi Kacurrel”, Gaqo Bushaka e shumë të tjerë.

SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

(Me rastin e festave kombëtare të 28-29 nëntorit)

Shpallja e Pavaresiase - 28nentor

Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë nga Ismail (Bej) Qemali më 28 Nëntor 1912

Në këto çaste të vështira për popullin Shqiptar, kur krerët e Lëvizjes Kombëtare bënin çmos për mbrojtjen e vendit nga coptimi, vendimtare ishte nisja e Ismail Qemalit nga Stambolli për në Bukuresht, prej ku me 25 tetor i përcjellë nga 20 atëdhetarë arriti në Vjenë, ku u takua me diplomatë të jashtëm si kontin Berhtold dhe me ambasadorët e Anglisë dhe të Italisë. Nga Vjena Ismail Qemali u kthye përsëri në Bukuresht, ku më 5 nëntor u mbajt një mbledhje e rëndësishme në hotelin “Kontinental”. Këtu u muarr vendim i rëndësishëm politik, për emrimin e një “Komiteti drejtonjës ”, nga vetë shqiptarët për të udhëhequr vetë me politikën e Shqipërisë. Ismail Qemali pasi mori përkrahjen e plotë të Kolonisë Shqiptare në Bukuresht, me katër shokë u nis përsëri për Vjenë, ku arriti më 6 nëntor 1912. Në këto çaste të vështira të popullit shqiptar, më në fund “diplomacia shqiptare ”, falë Ismail Qemalit, arriti të përfitonte nga kundërthëniet ekzistuese të Fuqive të Mëdha, që të përfitonte simpati për rregullimin e ardhshëm të Shqipërisë. Ismail Qemali, në takimet e fundit që pati me përfaqësuesit diplomatik evropianë, arriti të sigurojë simpatinë e idesë së popullit shqiptar për shpalljen e pavarësisë. Pas kësaj garancie që mori Ismail Qemali, më 9 nëntor ai nga Vjena në Vlorë dërgoi një telegram me këtë përmbajtje: “ E ardhmja e Shqipërisë është siguruar, telegrafoni kudo që të kenë besim të plotë për fatin e atëdheut …”
Por Ismail Qemali për të qenë më i sigurt në premtimet e dhëna para se të nisej për ne Shqipëri përsëri pati një takim me ministrin e Punëve të Jashtme kontin Berhtold, takim qe u mbajt në shtëpinë e kontit Hadik në Budapest. Pas këtij takimi, Ismail Qemali dërgoi një telegram tjetër për organizimin e Kuvendit, që duhej të thirrej në Durrës ose Vlorë, duke theksuar se çështja e Shqipërisë është siguruar. Për këtë arsye duhej formuar një komision për shpalljen e pavarësisë, prandaj Ismail Qemali kërkonte me urgjencë mbledhjen e delegatëve të Shqipërisë në Durrës apo Vlorë.
Pas këtij telegrami, Ismail Qemali e lëshoi me të shpejtë Budapestin dhe arriti në Trieste, ku u bashkua me grupin e patriotëve shqiptarë që kishin ardhë për të njejtin mision të shenjtë. Ismail Qemali me këta 14 patriotë shqiptarë më 19 nëntor u nis nga Trieste me anijen “Linx” të Llojdit, për në Durrës, ku arriti më 21 nëntor 1912. Por pas arritjes në Durrës, nuk ekzistonin kushte politike për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, pasi propaganda greko-turke, në bashkëpunim me policinë e kishin përgatitur terrenin për të burgosur Ismail Qemalin. Po ashtu, edhe politika greke kishte përhapur një propagandë të fortë kundër veprimit patriotik të Ismail Qemalit dhe veprimtarëve te tjerë. Politika greke bënte një rezistencë të fortë nëpërmes Dhespotit ortodoks Jakovit. Nga këto arsye nuk u bë shpallja e pavarësisë në Durrës. Në këto rrethana të rrezikshme politike që ekzistonin në vend nga rryma të lloj-llojshme dhe zënkat e feudalëve shqiptarë për primat, pamundësonin veprimin e lirë në ngritjen e flamurit kombëtar. Në këto çaste kritike që ekzistonin në Shqipërinë e Mesme, Ismail Qemali me shokë vendosi që të vazhdojë rrugën për nga Vlora. Më 18 nëntor Mytesarifi i Beratit i përcolli nënprefektit të Vlorës, urdhërin e Valiut të Janinës, për të ndaluar Ismail Qemalin që të mbante Kuvendin në Vlorë.
Në këtë kohë ushtritë ballkanike kishin hyrë thellë në tokën e Shqipërisë. Ata, tashmë, kishin pushtuar Strugën, Elbasanin, Tiranën dhe ishin nisë për në Durrës, kurse Vlora mbahej e rrethuar prej Grekëve.
Ky vendim i shenjtë i patriotëve shqiptarë se shkonin në Shqipëri për shpalljen e pavarësisë u njoftua në Trieste, për herë të parë botërisht, pastaj u publikua në gazetën Austriake “ Noie Fraj Prese ”, në intervistën që dha Ismail Qemali më 19 nëntor të vitit 1912 .
Qarkullimi nëpër Shqipëri nuk ishte aspak i lehtë, pasi bandat dhe ushtria e shteteve ballkanike kishin zaptuar pjesën më të madhe të vendit. Greket kishin zbritur në Himarë më 19 nëntor, ndërsa flota e tyre kishte zënë pozicionet para Vlorës. Serbët, pasi kishin pushtuar Mirditën dhe Matin, më 18 nëntor arritën në Lezhë. Prej andej një pjesë e ushtrisë Serbe iu drejtua Shkodrës, për ta pushtuar dhe pjesa tjetër e ushtrisë u nis në drejtim të Durrësit. Këtu duhet të përmendim edhe faktin se përveç pengesave nga ana e ushtrive të armikut edhe autoritet turke që ishin mbyllur nëpër qytetet e Shqipërisë, ku silleshin pa ndonjë koncept ushtarak, i pengonin udhëheqësit shqiptarë atje ku mundeshin. Ismail Qemali në Durrës hasi edhe në pengesa jo vetëm nga ana e autoriteteve Turke, por edhe nga dhespoti grek i Durrësit, Jakovit, i cili nuk njihte askënd, as nuk nderonte tjetër flamur përveç atij të Turqisë, i cili ishte një shovinist grek i tërbuar. Kjo tregon se në çfarë gjendje të mjerueshme ndodhej kombi ynë në atë kohë. Ismail Qemali i shoqëruar nga delegatet e Durrësit, Shijakut, Tiranës e Krujës u nis për në Kavajë. Prej aty në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës dhe me 25 nëntor arritën në Vlorë. Ky qytet qysh më parë ishte përcaktuar si qendër ku do të mbahej Kuvendi Gjithkombëtar për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë .
Por, për shkak të përparimit të shpejtë të ushtrive Serbe, Malazeze dhe Greke, gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë e më kritike. Kjo ishte një ndër arsyet kryesore që në mbrëmje të 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë, vendosën ta shpejtojnë mbajtjen e Kuvendit dhe vendosën të mblidhen të nesërmen, për ta shpallur pavarësinë edhe pse nuk kishin arritur të gjithë delegatët nga disa krahina të Shqipërisë Etnike.
Ismail Qemali Kryetar i Parë i Qeverisë së Përkohëshme – Vlorë
Kuvendi Kombëtar e filloi punën më 28 nëntor të vitit 1912, në ora 3/30′, pasdite në sarajin e familjes së Vlorajve, në shtëpinë e atdhetarit Xhemil beu, në të cilin merrnin pjesë 37 delegatë. Në këtë Kuvend nuk ishin të pranishëm disa delegatë nga Kosova, të cilët për shkaqe lufte ende ndodheshin nëpër pozicione, duke i bërë rezistencë ushtrisë Serbe, e cila dita ditës po përparonte drejt Durrësit.
Ismail Qemali, në referatin e vet foli shkurt për të kaluarën e Shqipërisë, gjendjen dhe rrethanat momentale politike. Ai foli edhe për pjesëmarrjen e shqiptarëve në kryengritjet të viteve 1909-1912, duke theksuar se shqiptarët kishin marrë pjesë në këto kryengritje jo si ushtarë të Turqisë, por si zotët e vendit dhe për të mbrojtur vetveten .
Ismail Qemali, pasi e lexoi ekspozen e vet, në fund në mënyrë të shkëlqyer e diplomatike i pyeti delegatët: “ Tani më, s’na ka mbetur tjetër rrugë shpëtimi, veç se ndarja e Shqipërisë nga Turqia ”, dhe propozoi:
Shqipëria të shpallë pavarësinë
Të formohet qeveria e PËRKOHËSHME;
Të emrohet pleqësia (senati).
Pleqësia e propozuar nga vet Ismail Qemali kishte për detyrë koordinimin dhe mbikëqyrjen e punëve në Qeveri dhe emërimin e një komisioni për në Evropë, për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe popullit shqiptar përpara Fuqive të Mëdha.
Këto propozime u miratuan njëzëri nga Kuvendi Kombëtar:
1. U shpall Qeveria e Përkohëshme, në krye: Ismail Qemali;
2. U zgjodh Pleqësia prej 18 anëtarësh; ku për Kryetar u zgjodh Vehbi Dibra.
Duhet theksuar se edhe në qeveri edhe në pleqësi u zgjodhën njerëz me themel të fortë kombëtar. Ata ishin atdhetarë nga mbarë Shqipëria Etnike, duke përfshirë nga të tre fetë.
Ismail Qemali propozoi që Shqipëria të shpallet “ Shtet m ë vete- e lirë, e pavarur. ” Të gjithë delegatët këtë propozim e aprovuan duke u ngritur në këmbë dhe duke e përcjellur me duartrokitje frenetike aktin e Shpalljes së Pavarësisë .
Menjëherë pas nënshkrimit të aktit të Shpalljes nga të gjithë delegatët, Ismail Qemali doli në orën 17/30′( pesë e gjysëm), në ballkonin e selisë, ku zhvilloi punimet Kuvendi për të njoftuar botërisht Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali e ngriti lartë në Vlorën heroike flamurin e lavdishëm të Skëndërbeut.
Ky ishte po ai flamur kuq e zi, flamur i luftrave heroike , i vuajtjeve dhe gjakut të derdhur, i shumë viktimave të rinisë deri në mosha të ndryshme, të rënë dëshmorë për ideale kombëtare, për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve.
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohëshme, Ismail Qemali, më 29 Nëntor 1912, i njofton për aktin historik gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu për këtë vendim Ismail Qemali njofton edhe shtetet ballkanike, Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, duke kërkuar nga ata që të njihnin aktin e Pavarësisë si ndryshim i vullnetit politik të Kombit Shqiptar.
Në këtë njoftim Kryetari i Parë Shqiptar, ndër te tjerash shkruan: “Kam nderin t’i njoftoj Shkëlqësitë tuaja se delegatët e të gjithë krahinave Shqiptare, pa dallim feje, të mbledhur dje në Asamblenë Kombëtare në qytetin e Vlorës, shpallën Pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë ngritur një Qeveri të Përkohëshme.
Shqiptarët po gëzohen që munden të hynë në familjen e popujve të lirë të Orientit, duke mos pasur për qëllim tjetër veç se të jetojnë në paqë dhe harmoni me të gjithë shtetet fqinje, shpresojmë se ky ndryshim i jetës politike dhe kombëtare i Qeverisë së Përkohëshme të Shqipërisë, ka për t’u njohur prej qeverive tuaja dhe Evropiane”.
Kryetari i Qeverisë së Përkohëshme
Ismail Qemali – Vlorë
Shpallja e Pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Ajo, nga njëra anë, mbylli një epokë të tërë luftërash e përpjekjesh shekullore për të hequr qafe zgjedhën e huaj, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut e për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar duke kurorëzuar veprën e Rilindjes dhe, nga ana tjetër, hapi një epokë të re, një epokë luftërash e përpjekjesh të tjera për ta mbrojtur pavarësinë e fituar nga rreziqet e jashtme e të brendshme, për të siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik.
Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave shqiptare, që dërguan përfaqësuesit e tyre në të.
Me Aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta e pamohueshme historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e veta, krahas popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Kjo ishte një e drejtë që buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin e me historinë e vet, e drejtë e fituar me mundime e sakrifica të panumërta në llogoret e luftës, e drejtë që i takonte për ndihmesën e vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë.
Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë edhe pse, siç do të provohej me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha të Londrës (1913), nuk arriti të bashkonte në një shtet të vetëm gjithë territoret e popullsinë shqiptare, duke krijuar pas pesë shekujsh robërie Shtetin e Pavarur Shqiptar, përbën ngjarjen më të madhe, unikale, në historinë e kombit shqiptar gjatë shek. XX.
Kthesa historike e 28 Nëntorit 1912 ishte premisa politike themelore për organizimin mbi baza më të përparuara të jetës shtetërore të pavarur të shqiptarëve dhe për zhvillimin më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Duke formuar Shtetin e Pavarur Shqiptar ajo objektivisht krijoi gjithashtu premisat dhe atë bazë shtetërore e politike, aq të nevojshme për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan.

Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, nëntor 2006)

LULET E VERËS

Kostaq Cipo.jpg

(Mendime mbi Naimin nga prof. Kostaq Cipo, botuar më 1936)

 

Naimi
Është më i madhi nga të gjithë ne dhe i pari apostull i shqiptarisë e i vllazërise s’onë. Nuk ka shpëtim shqiptari, në qoftë se nuk shtije në punë frymën me të cilën është veshur fjala e Naimit. Sa herë që hap e këndoj “Lulet e Verës”, Naimin e gjej në valle, dhe këtë valle e heqin me radhë apostulli, poeti, filosofi, bektashiu, panteisti, atdhetari. N’ato pak fletë nunoset një shpirt i math, i vetmi ndofta që ka pasë forcën e karakterit të mbyti bishën që fle e zgjohet në shpirtin e njeriut.
Të marish udhën drejt për t’u nunosur, është një punë e rëndë, se kërkon mundim të math: kërkon të besh fli një copë nga jeta e shkuar, të lesh shkallën më poshtë e të njitesh një shkallë e lart. Të veç e të zesh nun, i tregon njeriut rrugën që të shpie lajmëtarin e së vërtetës.
E vërteta e gjallë lind me dhembje e me shpresë, zbulohet me përparimin e mbrendëshëm të njeriut. Naimi i ka kryer të gjitha këto lutje e pastrime me durimin e një asketiu, dhe tue i u qasë më e më së vërtetës, është bërë një krua i gjallë ku të gjithë ne, po deshëm, munt t’unjemi e të pijmë e të përtërihemi shpirtërisht. Veçse, që të marrish dorë te Naimi, duhet më parë të mësosh vehten me një dishiplinë të fortë duke i vën fre duhisë së epsheve; shkurt, duhet të njohish vetvehten. Fjala e Naimit s’është pa grat, se është fjala e një burri që mundohet të përmirësojë shqiptarin me një gojë t’ëmblë. Ndofta mbrenda zjen, po ky zjarr nuk e shtrëngon të vërviti mendime e të lëshojë vetima si pas mënyrës së profetëve t’Israelit.
Po vetëm fjalë paska shkrimtari i yn? Poh, se nga fjala kalohet në punë, se fjala e poetit përfshin dëshirat e drejta të një populli që peshon nën zgjedhë, se ndize ushtarin me fjalë, e do të shikosh që ky zjarr do t’ja mbajë të ngrohtë zemrën kur të bjerë në luftë.
Për një kristian, fjala NUN, ka kuptimin Autokritikë, apo rëfimi haptazi para besimtarëve të tjerë, në Kishë, për atë çka ka menduar dhe si ka vepruar. Shprehja nun nga ku ka ardhur dhe fjala nunosje është shprehja që u kopiua nga Komunistat Rusë për të justifikuar formën e autokritikës së hapur para partisë.

Poeti
Është poet popullor, se di t’i flasi popullit me një të folë shtëpijake. Të tjerë mund të mbyllen në kullën e fildisht, Naimi, jam i sigurt, do të mërzitesh për vdekje, sikur të ndodhesh mbrenda ndonjëherë. Zana e tij këndon në fushë të hapët, dhe është e larë nga çdo hypokrisi, ndonse ia tha këngës kur priste e qepte ky ves. Të vijmë në vlerën e vepravet! Jo gjithë sa shkruan njeriu mbetet më këmbë për jetë. Ka vepra që thërmohen me një të rënët’armës së kritikut, po ka dhe asosh, së cilave s’ka se ç’u bën furija e motit. Pjella e Naimit natyrisht, nuk është këngë e gjithë, veç se n’ato pak vise ku fryn flladi i poezisë, aty ku stolia e parverës do të qëndrojë e njomë ngahera.
Po vjershat e Naimit çalojnë, kemi thënë. Poh, shqepojnë vende vende. Mirpo kjo veshje e jashtme e pakrehur mirë s’e shuan dot dritën e poezisë. Fjala vjen, atje ku thot: Syri yt mos u venitë/ Si hëna u përtëritë.
Ndonse vargu nuk është prere mirë, drita e syrit të çupës nuk venitet. Që ta kuptojmë mirë këtë punë, të hidhemi në një lëmë tjetër. T’a zemë se kemi përpara syve një affresko të Giotto-s dhe se një artist, që gjendet aty afër, po na tregon gabimet e shpërpjestimet e pëlhurës. Po pse ahere, thomi ne me vetvehten, e mbajnë bota këtë veprë artistikisht të mbaruar kur paska këto të meta? Mos do të thot që pëlhura e Giotto-s ka vlerë vetëm si një gjë e vjetër, si një gjë që ka lidhje e mardhëneje me kohën e ahershme? Jo. Kjo s’është fjalë me vend. Sepse po të çmohesh vlera e një vepre vetëm nga përsosmija e trajtës, ahere duhej që të gjithë ata që kanë sosur një Akademi të Arteve të Bukura n’Europë, dhe që janë në gjendje të piksojnë një pëlhurë pa gabime prospektive, të jenë më të mëdhej nga Giotto dhe, lumthi ne, kryeveprat e artit do t’i kishim me shumicë. Them prap, të qe veshja teknike kulmi i artit, ahere përsosmija më e madhe e këtij do të gjendesh në veprën e një maqine fotografike, dhe fotografia do të zinte rradhën e parë, përpara së cilës çdo kryevpër e njeriut do të dukesh e zbehtë. Poet popullor, shtiu në punë vjershën për të përhapë diturin e miqsin ndërmjet nesh dhe ky është shkaku kryesor që në veprat e tij nuk shikojmë aq fytyrën e zanës se sa predikimin e Fjalës. Dhe po të peshohet puna e tij nga kjo faqe, gjykimi del më i drejtë.

Apostulli
Lëçiti fjalën e dashurisë, dhe mbushi zemrat tona me shpresë. Foli me gjuhë të popullit ashtu si u ka hije apostujvet. Ajo kohë lypte që shqiptari veç shqip të shkruante, se vetëm në gjuhë të nënës mësimi jipet i ngroht dhe shërben më mirë për të lëruar propagandën që do të bëhej për lirin e Shqipërisë… Mësimi i tij s’ka pedanteri akademike, dhe mendimi që formojmë, si mbarojmë së kënduari cilëndo vepër është ky: Naimi nuk u gjunjëzua përpara veprës së vet sikurse bëjnë një palë, as që u a dhenka botës për adhurim. A e di se çdo me thënë të shkruajsh në kohë të robërisë, kur kish marrë tatpjetën shqiptari, kur po vdiresh e po bashtardohesh gjuha? Të rrojsh në një klime të tillë psikollogjike, e të kesh besim të math n’agimin e lirisë, kjo punë e rrethon ballin e Naimit me kurorën e dritës s’apostujvet. Kur ne sot, me të mirat e lirisë mbi buzë të krahut, nga shkaku i disa rethanave, na kap zymbeni, hopeee hope na mbyt pesimisma, Atë kurr nuk e lëshoi zemra se çe vall do të agonte ajo ditë e dëshëruar. Apostujt, në misionin e tyre të shenjtë, nuk dëshpërohen. Me fuqinë magjike të fjalës sheshojnë kodra, fitojnë zemra, ja dalin punës nd’anë… Apostulli shqiptar punoi e vojti për vehte, për shokët, për gjithë njerzin. Ardhi në këtë botë duke mbjellë kudo dashuri…

Çështje Gjuhe
Naimi shkroi n’atë gjuhë që dinte, kurse ne, na gënjen mendja kot, se shkruajmë në një gjuhë letrare të kulluar. Ne thënçim që gjuha e jonë nuk është ngritë ende në rradhën e gjuhëvet letrare, nuk është turp. Po pas njëzet e dy vjeç pune se pa prerë rreth shqipes, të mos kemi mundur deri më sot të davaritim shumicën e dyshimevet gramatikore e syntaktike, hë, ky është turp i math. E këto dyshime nuk do të zhduken, deri sa mos mbledhet e gjithë goja e popullit, e mos të sqyrtohet imtë nga një komisi filologësh në gji të Ministrisë s’Arsimit. E si të kryhet kjo punë, vetëm ahere mundt të systemohet një gjuhë e vetme për të gjithë Shqipërinë. Po kur t’ja arrijmë kësaj dite, mos do t’a humbasi vlerën dhialekti? Aspak. Dhialekti është gjuha që flet populli e kjo, duke u folë për ditë, merr faqe të ndryshme dhe kështu nuk e le gjuhën letrare të ngurroset për jetë n’ato forma në të cilat u pa e nevojshme të vihet prej filologëvet. Po n’anë tjetër edhe gjuha letrare vepron mbi dhialektin duke u vënë fre, disi, ndryshimevet fonetike, morfologjike, syntaktike e leksike që pëson ky për ditë. Gjuha që flet populli ka forcë të madhe: fjalët e huaja, që hynë prej kohësh në fjalorin tonë, gjuha diti t’i ndryshojë e t’i bëjë pas vehtes… Nuk më besohet se një gjuhë mund të bashtardhohet vetëm se ka shtije në përdorim, nga nevoja, një pakicë fjalësh që s’janë tonat. Lëngata e vërtetë të kërkohet gjetkë; të kërkohet në të lidhunit të mendimevet, larg frymës së natyrës së shqipes. Leopardi thot: “una lingua e barbara quando si allontana non dalle frasi e parole, ma dal carattere e dal’indole sua”. (Një gjuhë bëhet barbare atëherë kur largohet jo nga frazat e fjalët, por nga karakteri e natyra e saj).
Të vijmë prap në themën tonë. Naimi shkroi bukur, shkroi aq bukur sa ne na merr malli sot të shkruajmë një shqipe si atë të këngëtarit të Qerbelasë.

Bektashisma
Të gjitha këto fe që dijnë t’a bëjnë njeri të mirë, s’ka kush të ngrihet e të thotë se s’janë të mira. Kush mburret me fen e vet duke e mbajtur këtë si më të mirën e së gjithave, duhet pik së pari ay veht të jetë më i miri i të gjithëve, ndryshe vjen një ditë që puna përgënjeshtron fjalën. Kjo fe, ndonse është një degë e Islamismës, megjithatë ke një fisionomi të vehten. Medje, në shumë pika dogmatike, largohet nga burimi. Duke studiuar dy këngët mystike “Besojmë” dhe “Perëndia” gjejmë në to gjurma nga Buddisma, Hebraisma, Krishterimi, Islamisma dhe sidomos nga fet e fshehta t’Orientit. Bektashisma, në punë dogmatike, rreh gjithmonë që shkrola të mos mbyti frymën…
Feja është si një prismë që duhet kqyrë nga të gjitha faqet. Nga çdo anë që t’a kthesh bektashismën, qoftë edhe të mbuluar me napën e alegorisë së Naimit, është një fe që ka bërë e do të bëjë gjithnjë dishepuj, sepse:1) Ka elementin moral që duhet të jetë në krye të çdo feje, 2) I mblaton njeriut shpresë, ngushullimin , mbështetje, 3) Nuk kundërshton aspak përparimin e shkencës, 4) Pajtiset plotësisht me nevojat e shoqërisë e të shtetit.

Pantheisma
…Për pantheistin Gjithësija është një Tempull madhështor ku luhat fryma e Perëndisë. Meshtari i kësaj Faltoreje është vetë njeriu, se vetëm ky di t’i ndreqi telat e qithares për t’i kënduar këngë shpirtit të Gjithësisë. Po shpirti i njeriut ç’është vallë? Një copë nga shpirti i math i botës, një shkëndijë prej frymës hyjnore, një monedhë e pavdirme…
Pantheisti, nga do që t’i rutullojë sytë, çdo gjë që të përkëdheli, e di që gjindet në prani të Fuqimadhit. Në syt’ë tij njeriu është krijesa më e hyjnishme.
Kërkonja gjetkë t’a gjejë/ Zotn’e math e të vërtetë/ Ajy qenkej ndaj meje/ E paskësha un vetë!
Me pantheismen sgjidhet, më duket, edhe enigma që ndan njerin nga gjithësia. Ja se ç’thonë pantheistët : Do të vijë një ditë që do t’a lëmë këtë botë, po ç’ka të keqe kjo punë ? A nuk jemi ne pjestarë të një gjithësije, po çfarë gjëje nuk humbet ? Do të vijë një ditë që do të ndahemi nga miq e dashamirë, po jeta, duke shkuar nga njëri te tjetri, do të vijojë gjithnjë si përpara.
Është pikërisht sikur t’i thoshim një zonje që ka humbur vargun me flori: “Mos u dëshpëro, mos zonje, se vargu nuk ka humbur, por ka shkuar dorë më dorë”…
Gjithësija e dukëshme qenka një trajtë e paqëndrushme e shpirtit të botës…

Moshat
S’dij në i ka vënë re njeri. Kur këndojmë “Lulet e Verës”, theoria e katër moshavet të jetës, s’ka më të fshehur për ne. Vërtet se mosha e njomë nuk gjendet këtu mbrenda, po të tjerat janë. Është për shembull mosha e djalit njëzet vjeçar me shkëndijën e dashurisë në zemër, me këngën në buzë:
Do të shkrihem
Të venitem
Si kandili kur s’ka vaj
Tashti vjen mosha e burrit të pjekur, në vluk të fuqisë së gjykimit, që rreh të gjejë shkakun e çdo gjëje dhe e mbyt sqeptiqisma: Po vallë ku vanë?/ Për jetë u mërguan?/ A po u ndryshuan?
– – – – – – – – – – — – –
Po shpirti që s’vdes/ S’ka mbrëmje mëngjes/ Ku ka fluturuar?
Ky krimbi i dyshimit bren edhe një poet të math italian, Leopardin. “Di-mmi ove tende, “Thuame ku synon…. questo vagar mio breve? kjo endja im’e shkurtër ?…Che fa l’aria infinita, që bën hapësirën të pamatë, e quel profondo infinito, seren? dhe pafund kthjelltësinë?Che vuol dire questa solitudine?.. Ç’kuptim ka kjo vetmi? e immensa?” pafund?”

Atdhetari
Është atdhetar. Nuk e shoh të nevojshme t’i shtoj kësaj fjale nonjë epitet, sepse, kur është shumë e madhe cilësia e një burri, mbiemri është kallp. Miqtë e tij janë të gjithë ata që punojnë me drejtësi për të mirën e Shqipërisë, të gjithë ata që kanë mbështetur shpresën në djalërinë tonë, që nuk duhet vetëm të gatitet për të nesërmen, po duhet, që sot, të ulet në kuvendin e burrave ku bisedohen e rrihen probleme që kanë lidhje të ngushtë me fatin e atdheut… Për këto shërbime që i ka sjellë gjuhës, kombësisë, vëllazërisë, Naimi është i nderuar, të cilit i puth dorën dhe në mësimet e të cilit e ndiej veten time njeri e shqiptar.”

(Botohet me pak shkurtime)
Prof. Kostaq Cipo (1892-1952), është ndër pionerët e studimeve të mirëfillta naimiane. I njohur si gjuhëtar i shquar dhe personalitet i shkollës shqipe, prof. Cipo, u mor herë pas here edhe me kritikë letrare, duke i kushtuar Naimit disa nga faqet më të bukura e më të goditura të gjykimeve të veta ideoestetike.

Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, nëntor 2006)

TË DHËNA TË REJA MBI ARTIN DHE LIRIMIN E A. MOISIUT NGA BURGU

Ardian-Christian Kycyku
Nga Dr. ARDIAN-CH. KYÇYKU

Zëra të pavarur

Në mesin e viteve ’80 të shekullit të shkuar, në Tiranë ishin të paktë ata që kishin pasur fatin të dëgjonin një zë krejt të pavarur, një zë aktori shqiptar që të mos u thurrte lavde arritjeve të pushtetit popullor. Ka qenë një trandje e vërtetë ajo e shtunë kur Televizioni Shqiptar përcolli më pak se një minutë nga poezia November-Wind1, recituar në gjermanisht nga Aleksandër Moisiu. Mund të thuhet se nuk ishte thjesht një zë, një tingull bote krejt të panjohur, të ndaluar e gjithaq marramendëse, por një frëngji e hapur tinëz në murin që na mbante dhunshëm të ndarë nga e tashmja e natyrshme e viseve të tjera shqiptare, e pjesës tjetër të kontinentit, nga ishujt e lirë të së shkuarës sonë dhe, kuptohet, nga e ardhmja. Zëri i Moisiut rrënqethi. Deri në atë çast dihej vetëm se ishte aktor i shquar shqiptar, se pat shajnitur skenat e teatrove të Austrisë, Gjermanisë, Italisë, Spanjës, Rusisë, Amerikës, Hungarisë, Çekosllovakisë…, se u pat dhënë frymë e peshë në paharrim një numuri befasues personazhesh dhe se kish vdekur nga një ftohmë në një moshë kur shumica e artistëve të mirëfilltë sapo nisin t’u ngjiten shkallëve të lavdisë. Të çoroditur nga trumbetimi i rëndomtë komunist, – që lavdonte me të njëjtat fraza heronjtë e punës, të luftës, të socializmit, traktoristët dhe artistët, – pak vetë dinin se dhuntitë e sidomos zëri me jehona të shumëfishta metafizike i Moisiut kishin bërë që lavdia e tij të mos mbështetej thjesht në të qënit një artist i huaj, por të dëshmonte se edhe bota shqiptare, aq e panjohur apo aq mbrapsht e paragjykuar, ish në gjendje të lindte viganë të skenës. Talenti i Moisiut kish arritur madje të nxirrte jashtë vëmendjes së kritikës teatrore evropiane gjermanishten e tij njëfarësoj të çalë dhe ta shtynte mbartësin e atëhershëm të Unazës së Iflandit2, aktorin e shquar gjerman Albert Basserman, që ta vendoste dëshminë rrethore prej metali të çmuar e perlash në arkivolin e shqiptarit nga Kavaja. Pak vetë dinin se gjenia e Moisiut, si në shumicën e rasteve, qe shfaqur qysh në fëmini, gjatë një pikniku në rrethinat e Kavajës, kur vogëlushit Aleksandër i qe tekur të shtirej si i vdekur, duke i lebetitur të afërmit.

Çfarë vëren Franz Kafka gjatë një mbrëmjeje dimërore të 1912-ës në Teatrin e Pragës

Mjaft emra të ndritur të kulturës botërore janë magjepsur nga arti i Moisiut dhe nuk kanë ngurruar t’i kushtojnë fraza e paragrafe që do të kishin përkëdhelur sedrën e çdokujt. Kritikët Emil Bab, Anatoli Lunaçarski e Arthur Cahane; nobelistët Luigi Pirandello, Thomas Mann, Gerhardt Hauptmann, Martinius Bjørnsterne Bjørnson; dramaturgët Henrik Ibsen dhe Hugo von Hofmannsthal; prozatorët Stefan Zweig e Ferenz Mólnar; regjisorët Stanislavski e Reinhardt, – të gjithë me famë tashmë të sprovuar, – janë vetëm një pjesë e shpirtrave të zgjedhur që përjetuan drejtpërdrejt “gjëmimin e rrufesë” të zërit të tij, “mprehtësinë prej maje thike” të atij zëri, “drithërimën e një kënge të përzishme” apo “freskinë e zgjimit pranveror” në tragjeditë e Eskilit, Sofokliut, Shakespeare-it, Tolstoit etj dhe që nuk u zhgënjyen nga loja skenike e idhullit të tyre as kur fanitja e filmit pa zë cënoi rëndë mjaft legjenda të gjalla të teatrit. Është e natyrshme që askush të mos habitej sot po të gjente edhe dëshmi të tjera, ese, përshtypje, lavdërime kushtuar artit të Moisiut në secilën nga gazetat e bujshme a më pak të njohura të Evropës në gjysmën e parë të shekullit që shkoi, por edhe më vonë. Periudha në fjalë i ngjan një shpërthimi shumëngjyrësh e mahnitës talentesh në të gjitha fushat e kulturës. Nuk e teprojmë po të themi se tragjeditë që do të dyndeshin mbi Kontinentin Plak ishin shfaqur më parë në qëniet e zgjedhura të kohës në trajtë arritjesh artistike.
Përveç syve të famshëm, që u përmendën më lart, Moisiun do të na e sjellin të gjallë edhe sytë e mprehtë e shpesh çmitizues të Franz Kafkës3, një nga ata shkrimtarë që, siç thuhet, i kanë pararendësit në të ardhme, dhe që e njohu lavdinë vetëm pas vdekjes.
I gjeta rreshtat e mëposhtëm krejt rastësisht, në një vëllim të titulluar “Letërsia e dëshmive”, botuar në kolanën aq të pasur “Biblioteka për të gjithë” të Shtëpisë Botuese “Minerva” të kryeqytetit rumun, ku janë përfshirë edhe copëza nga ditari tanimë i njohur i Franz Kafkës. Botimi, – në gjuhën rumune, – është kryer në Bukuresht gjatë vitit 1972. Kafka nuk e përmend prejardhjen e Moisiut dhe nuk e sheh këtë të fundit përmes syve të të tjerëve. Kësisoj, mendimet e Kafkës nuk janë të ndikuar nga vezullimi i lavdisë moisiane dhe ruajnë një vlerë të veçantë: “1912, 3 mars

Më 28 shkurt: tek Moisiu. Shfaqje kundër natyrës. Moissiu është i qetë në pamje të parë; i mban mes gjunjëve shuplakat e bashkuara, sheh ngultas në librin e vendosur lirshëm para tij dhe e le zërin të vijë përmbi ne, me frymën e një vrapuesi.
Akustika e sallës është e mirë. Asnjë fjalë nuk humb, nuk ekziston kurrfarë jehone, por gjithçka shumëfishohet pak nga pak, njëlloj sikur zëri, i zënë kaherë me tjetërgjë, krijon me vonesë një efekt të pandërmjetësuar; fjala fuqizohet në përputhje me virtytet e veta të natyrshme dhe na kaplon. Kësisoj zbulojmë mundësitë e zërave tanë. Ashtu sikundër salla punon për zërin e Moissiut, zëri i tij punon për zërat tanë. Truke të pacipë dhe efekte befasues, që të bëjnë ta ulësh vështrimin përtokë e të cilat s’ke për t’i përdorur asnjëherë: këndon, fillimisht, disa vargje të shkëputur, për shembull “Fli, Miriam, fëmija im”, lejon t’i përhumbet zëri në melodi; thotë shpejt Këngë maji, me pamjen e atij që nuk vendos mes fjalësh veç majën e gjuhës; e ndan togfjalëshin November-Wind në mënyrë të atillë që ta lerë erën të shtyhet poshtë, që t’i japë mundësi të ngrihet sërish lart, duke fishkëllyer. Nëse sheh drejt tavanit, vargjet të tërheqin lart.
Poezitë e Goethe-s janë të padepërtueshme për recituesin, çka nuk të shtyn ta shohësh si të mangët këtë mënyrë deklamimi, sepse secila poezi i ndih qëllimit të synuar. Efekt i madh kur, duke recituar si shtojcë Këngën e shiut të Shakespeare-s, rrinte shumë drejt, pa tekst, e shpaloste dhe e bënte shuk shaminë në duar, teksa sytë i shndrisnin. – Faqe rrumbullake e, megjithatë, fytyrë thepore. Flok i butë, të cilin e ledhaton parreshtur, me gjeste të përgjumur. Lëvdatat që kemi lexuar për të nuk na vlejnë nëse nuk vjen çasti ta dëgjosh për herë të parë; më pas ai ngatërrohet me ato që janë thënë për të dhe nuk mund të zgjojë më përshtypje të qarta.
Kjo mënyrë të recituari ulur në karrike me librin përpara, na sjell ndërmend ventrilogjinë. Artisti, në pamje të parë i huaj ndaj këtyre të gjithave, rri në karrike njëlloj si ne; mezi ia shquajmë aty-këtu lëvizjet e gojës, në fytyrën e ulur poshtë; në vend t’i shqiptojë ai vargjet, i le këto të flasin mbi kokën e tij. Megjithëse ishin aq melodi për t’u dëgjuar, megjithëse zëri dukej të udhëhiqej si varka e lehtë mbi ujra, melodia e vargjeve nuk ishte vërtet e kapshme. Disa fjalë shpërbëheshin nga zëri, rrokeshin prej tij me aq brishtësi, sa brofnin përpjetë e nuk kishin më asnjë lidhje me zërin njerëzor, mirpo më pas, i shtrënguar nga rrethanat, zëri shqiptonte një bashkëtingëllore të mprehtë, duke e risjellë fjalën në tokë e duke e mbyllur”4.

Eftimiu ex machina

Nuk është rasti të peshojmë vlerën e veprës letrare të Viktor Eftimiut, shkrimtar i shquar i rumanishtes, lindur në Shqipëri më 1899, një nga të fundmit autorë evropianë të dramave në vargje. Por duhet thënë se janë të panumurt artistët ballkanas e mbase evropianë që do t’ia kishin zili të paktën jetën. Vërehet me lehtësi se, mes një vepre që mund të kish qenë e jashtëzakonshme dhe një jete që mbeti e tillë gjer në çastet e mbramë5, Eftimiu zgjodhi e iu përkushtua pa ngurrim të dytës. I mërguar nga Boboshtica në moshën nëntë vjeçare, themelues i një gazete letrare bukureshtase kur s’i pat mbushur ende të pesëmbëdhjetat, – gazetë ku plotësonte i vetëm të gjitha detyrat; – autor i ngritur në qiell pas poemave dramatike “Radhitu, luleshqerrë”, “Mjeshtri Manol”, “Gjeli i zi”, dhe komedive, si “Njeriu që pa vdekjen me sy”; mjeshtër i rrallë dhe i pashoq për nga prodhimtaria, i sonetit (701 copë)6, i eseve, vëllimeve me kujtime, pamfleteve dhe i thënieve të mbamendshme; gojtar, anëtar i Akademisë së Shkencave të Rumanisë7, disa herë drejtor i Teatrit Kombëtar Rumun; gentleman, gjahtar zemrash dhe magjepsës i njohur grash (njëfarë perëndie e dashurisë), Eftimiu nuk e diti shqipen, nuk u përzje fort me veprimtaritë dhe grindjet e pafundme për pushtet e emër të një pjese të shqiptarëve të Rumanisë, por nuk u tut t’i ndihmonte, pavarësisht nga hallet që kishin, nga vendi ku jetonin, nga mendimet, – shumica paragjykime të rëndomta ballkanike, – që ushqenin ndaj tij. Por iu ndihmoi në mënyrën e vet, pa bujë, pa pritur shpërblim nga askush. Përmendet në mjaft vëllime kujtimesh ajo tryezë e restorantit të famshëm “Capsa” (Kapsha) në zemër të Bukureshtit, tryezë e marrë përjetë me qira nga Eftimiu dhe në të cilën hanin falas shkrimtarë, gazetarë e intelektualë të varfër, që rrezikoheshin të çmendeshin apo të kryenin veprime të pamenduara për shkak të urisë.
Një tjetër dëshmi e patundshme e zemërgjerësisë dhe e përkushtimit të Eftimiut ndaj gjithçkaje shqiptare, është pikërisht ngjarja me Aleksandër Moisiun, fati i të cilit do të kish qenë krejt tjetër, ose thjesht do të ish ndërprerë si me thikë pa ndërhyrjen e heshtur të Viktor Eftimiut8 nga Bukureshti. Letra e Eftimiut na bën të ditur se Moisiu ishte arrestuar nga autoritetet franceze për arsye jo fort të qarta, por që duket se lidhen me valën antisemite të kohës. Përpjekjet e intelektualëve dhe miqve të Moisiut që banonin në qendër të Evropës e gjetkë, për ta liruar, kishin dështuar. Vetë Eftimiu, pasi fati “ka erdhur në vete”, dëshmon: “Berlin, 12 qershor 1916

Po ik në Zvicër

I dashur mik / … /
Sikurse të njoftoja me telegram, Moissiu u lirua nga francezët. Qe e vështirë edhe ngaqë dy herë u rrek të arratisej dhe e kapën. Kohët e fundit ishte i burgosur në Toulouse. Qeveria e këtushme bëri disa përpjekje për ta liruar, në këmbim të të robërve frëngë, por nuk ia doli mbanë. U desh të vinte ndërhyrja nga Bukureshti i gëzueshëm e i paanshëm, që të mund të lirohej. Mund ta përgëzoj veten për këtë sukses të madh, fillimet e të cilit i kam ruajtur në fshehtësi të plotë, që të mos prishej puna. Në atmosferën tonë të helmatisur nuk mund të bësh asgjë. Po të mos heshtja, do të qe komprometuar edhe ndërhyrja e “personit të pushtetshëm” dhe e ish-ministrit Blondel, i cili u soll vërtet si një francez zemërgjerë dhe i dashur. Në teatrin e Reinhardt-it ka bërë përshtypje të thellë lajmi që iu dhashë. Nuk e priste askush që ta shihte sërish aktorin më të madh të tyre e të Gjermanisë. Ishte një gëzim në prag të delirit. Iu thashë se, përveç admirimit tim të madh ndaj Moissiut, ajo që më shtyu të rend anembanë për të, ishte edhe fakti që ai ka prejardhje shqiptare. Ai është nga Durrësi – unë jam nga afër Korçës9. Jemi të dy ‘arnautë’10, siç thotë Jorga”11.
E mbase në shenjë mirënjohjeje, Moisiu kryen në vitin 1921 në Bukuresht një turné mbresëlënës, duke gdhendur një hieroglif shkëlqimtar shqiptarie edhe në kujtesën e aristokracisë rumune12.

———————————————————
Shënime:
1-Era e nëntorit – gjerm.
2-Kjo unazë ish krijuar për nder të dramaturgut e regjisorit të shquar gjerman August Ifland (1759-1814), drejtor i Teatrit Mbretëror Gjerman deri në fund të jetës dhe mik i ngushtë i Goethe-s dhe i Schiller-it. Unaza e Iflandit kishte vlerën e një çmimi artistik. Ishte shenjë mjeshtërie të pakalueshme në fushën e teatrit dhe i jepej atij që pranohej njëzëri si aktori më i shquar gjerman i kohës. Me një gjest që do të bënte shumë përshtypje, Albert Basserman-i e vendosi këtë unazë në arkivolin e Aleksandër Moisiut gjatë ceremonisë mortnore që do të pasohej nga djegia e trupit të tij në Krematoriumin e Vjenës, më 22 mars 1935.
3-Prozator austriak me prejardhje hebraike, lindur në Çeki (1883-1924), përfaqësues i shquar i prozës botërore moderne dhe “Një nga stilistët më të mëdhenj të prozës gjermane” (Fritz Martini).
4-Literatura mãrturisirilor / de la Cellini la Malraux, bpt, Bucuresti 1972.5Viktor Eftimiu “nisi të jepte shpirt” në Pogradec, më 3 nëntor 1972, gjatë vizitës së tij të dytë të çmalljes me Shqipërinë. Vdiq “në qiell”, në elikopterin e posaçëm që e çonte drejt Bukureshtit. Rreth aksidentit vdekjeprurës që pësoi në Pogradec, dëshmojnë edhe kujtimet e nipit të tij, aktorit Chiril Economu, që e shoqëroi gjatë të dyja vizitave, në vitin 1971 dhe 1972. Dorëshkrimi i plotë i këtyre kujtimeve, të cilin kam pasur fatin ta lexoj në vitin 1995, – ruhet nga zonja Tihi Cristescu, motër e Economu-t dhe mbesë e Eftimiut
6-101 sonete të Eftimiut, shqipëruar nga Kopi Kyçyku, me një pasthënie të Rexhep Ismajlit, janë botuar në vitin 1999 nga Shtëpia Botuese “Dukagjini”, me titullin “Sytë e shtatoreve”. Është, deri tani, botimi më i plotë poetik i Viktor Eftimiut në gjuhën shqipe.
7- së cilës i dhuroi me testament gjithë pasurinë jo të vogël që kishte, pasuri që sot s’dihet ku përfundoi.
8Kjo letër që i dërgohet nga Berlini një miku rumun të panjohur për ne, ruhet në arkivin e sekretarit të Viktor Eftimiut, z. Cristian Pãncescu, që i ndejti pranë me përkushtin qysh nga viti 1934 deri në fund të jetës, më 1972
9-Në origjinal: Durazzo dhe Corita.
10-Arnãut – rum. Kështu quheshin në Bukuresht, në shekujt XVIII-XIX, truprojet shqiptare që kujdeseshin për personalitetet rumune, princat, ushtarakët e lartë apo pasanikët. Emërtimi, lavdërues, bart e zgjon në ndërgjegjen e rumanishtes vlera trimërie të rrallë, përkushtimi e besnikërie.
11-Nicolae Iorga, (1871-1940), historian i shquar dhe burrë shteti rumun, zbuluesi i Formulës së Pagëzimit të Pal Engjëllit në Biblioteca Laurentiana të Venecies dhe botuesi i parë i saj në vitin 1915.
12-Për suksesin e veçantë të këtij turneu kam shfletuar në vitin 1995 një sërë materialesh të arkivit vetjak të z. Alfred Reiner, adhurues i Moisiut, ish-mjek i Operës Kombëtare Rumune.

Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, qershor 2007)

@Që nga 2006. Revista Letrare Admet. All Rights Reserved.

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.